Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►LËSH/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Bie poshtë menjëherë, këputem e bie diku; ulem a shtrihem menjëherë diku; vet. v. III varet poshtë lirisht a mbështetet mbi diçka, derdhet. U lëshua përdhe (në dysheme, në shtrat). Koka iu lëshua mënjanë. Flokët i lëshoheshin mbi supe.
2. vetv. Lirohem nga diçka dhe iki, shkëputem, çlirohem. U lëshua qeni nga zinxhiri.
3. edhe fig., vetv. Shkoj diku me nxitim, sulem, turrem; i vërsulem dikujt a diçkaje, i hidhem, i sulem, e sulmoj me të gjitha forcat; ia hyj një pune me vrull, i përvishem me hov. U lëshuan tatëpjetë. Iu lëshuan qentë. U lëshuan mbi armikun. Iu lëshuan me gurë (me bomba dore, me shqelma, me grushta). Iu lëshuan me të shara (me fjalë). U lëshua deri në Elbasan. Iu lëshuan kodrave (maleve, arave). Iu lëshuan grurit (kanalit) të gjithë së bashku. Iu lëshuan bunkerit gjerman.
4. fig., vetv. Jepem shumë pas diçkaje; ha ose pi me lakmi të madhe e me të shpejtë. Ishte lëshuar pas pijeve (pas qejfeve). Lëshohet pas ëmbëlsirave. Nuk lëshohet në të ngrënë.
5. fig., vetv. Nuk u qëndroj dot vështirësive, pengesave e fatkeqësive, përkulem; humbas guximin e vendosmërinë, s'kam më zemër për të vepruar, me priten fuqitë; e lëshoj veten. U lëshua keq. Nuk lëshohet para vështirësive.
6. fig., vetv. Dobësohem, bie nga shëndeti e s'kam fuqi të bëj diçka, të lëviz etj. I është lëshuar trupi. M'u lëshuan këmbët s'kam fuqi të qëndroj më në këmbë.
7. vetv., vet. v. III Rrit vëllimin e vet, bymehet; zgjatet, varet. Hekuri (bakri) lëshohet. Lëshohet ky stof.
8. vjet., vetv. Ndahem nga burri a nga gruaja.
9. pës. e LËSHOJ.
✱Sin.: lëshohem, plandosem, rrëzohem, shembem, këputem, jepem, ulem, shtrihem, varet, mbështetet, derdhen, lirohem, shkëputem, çlirohem, sulem, pilohem, furem, fugem, vërsulem, hidhem, vërvitem, dyndem, vrullem, turrem, hamullohem, përvishem, jepem, përkulem, tërhiqem, dorëzohem, shkrehem, zbruhem, shpartallohem, zgajtem, zgërlaqem, zdatem, derdhet, bymehet, zgjatet, lirohet, shkrehet, labërgohet, shtendoset.
♦ Iu lëshua gusha dikujt shih te GUSH/Ë,~A. Iu lëshua (iu vu) në shpinë dikujt shih te SHPIN/Ë, ~A. U lëshuan si miza në mjaltë shih te MIZ/Ë,~A.
►MBÝT/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Vdes ngaqë më zihet fryma, kur më shtrëngojnë fort grykën, kur s’ka ajër, kur jam i zhytur brenda në ujë etj.; vet. v. III ngordh ngaqë i zihet fryma, kur i shtrëngojnë fytin, kur është e zhytur në ujë etj. (për kafshët). U mbyt një njeri. U mbytën dy dhi. U mbyt në lumë (në pus). Ndihmë, se u mbyt!
2. vetv. Mezi marr frymë a mezi e kapërcej ushqimin ngaqë më pengon diçka në fyt. I shkoi uji (buka) ters dhe u mbyt.
3. vetv., vet. v. III Fundoset (për një mjet lundrimi etj.); zhytet krejt në ujë a në një lëng tjetër. U mbyt anija (lundra, trapi). U ça dhe u mbyt.
4. vetv., vet. v. III Mbulohet krejt me ujë a me diçka tjetër, përmbytet. U mbytën arat. U mbyt oborri në baltë. U mbyt në lot (në djersë).
5. fig., vetv., vet. v. III Mbushet plot me diçka që vjen a del me shumicë, përmbytet; edhe veta I kam diçka me shumicë ose me tepri. U mbyt tregu me pemë. U mbytëm me portokalle.
6. fig., vetv. Kam shumë punë, detyrime etj. sa s’i mbaj dot; jam shumë i zënë me diçka. U mbytën në punë. U mbytën me mbledhje. Ishte mbytur në borxhe. U mbyt duke mësuar mëson shumë e pa pushim. Ku të mbytem? (s’kam ku të mbytem) s’kam ku të futem, s’di ku të vete që të shpëtoj nga një hall i madh, nga një turp etj.
7. fig., vetv. Zhytem, futem thellë. U mbyt në mendime.
8. fig., vetv., vet. v. III Shuhet, fashitet, s’duket a s’ndihet më. U mbyt zhurma. Iu mbyt shkëlqimi.
9. pës. e MBYT.
✱Sin.: prridhem, furem, vritem, therem, fundosem, mekem, asfiksohem, përmbytem, shtypem, shuhem, fikem, fashitet, asgjësohet, mposhtem, nënshtrohem, ngopet, dendet, dërrmohem, mundohem, zhytem.
♦ I janë mbytur *gjemitë (dikujt) iron. Mbytet në *va (dikush).
SÚL/EM jovep., ~A (u), ~UR vetv. 1. Nisem me vrap për diku, derdhem me turr deri në një vend, turrem. Sulu deri te libraria. U sul brenda duke iu marrë fryma. Aeroplanët sulen drejt qiellit. U sul të gjente mjekun.
2. Hidhem mbi dikë për ta mposhtur, për ta rrëzuar a për ta mundur; i lëshohem dikujt, e sulmoj; kund. tërhiqem, sprapsem. U sulën mbi armikun. U sulën me armë. Iu sulën qentë e rrugës. Ata suleshin përpara me guxim.
3. fig. I vihem një pune me ngulm, e marr me vrull diçka. U sulen arave. Iu sul malit me guxim.
4. bised. I drejtohem dikujt me qortime e fjalë të rënda, e sulmoj me fjalë. Mos iu sul ashtu! Iu sul me fjalë të ashpra.
✱Sin.: vërsulem, lëshohem, derdhem, pilohem, vrapoj, sulmoj, hov, hidhem, lëshohem, flakëroj, furem, mësyj, kërcej.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë