Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FUKARALLËK,~U m., bised. Varfëri. Ai e provoi urinë dhe fukarallëkun. Fjalët e shumta janë fukarallëk (fj. u.).
MUHABÉT,~I m. sh. ~E, ~ET bised. Bisedë, kuvendim; bisedë që bëhet për të kaluar kohën, për t’u zbavitur etj.; fjalë. Muhabet i ëmbël (i qetë). Muhabet i gjatë. Muhabet i vjetër bisedë, ngjarje, histori etj. e vjetër a e njohur prej kohësh. Muhabet burrash. Në muhabet e sipër. Vend muhabeti. I djegur për muhabet. Bëj muhabet me dikë. U ndez muhabeti. Është i muhabetit është i gojës, të mban me muhabet, di të bëjë muhabet, tërheqës. Erdhi (ra) muhabeti erdhi (ra) fjala. Përse (ku) është muhabeti? Kam një muhabet me të. Filluan muhabetin. E zgjati muhabetin. Mbylle këtë muhabet! mos fol më për këtë çështje!, mos e zgjat më! Na e prishi muhabetin. Kur zgjatet muhabeti, pakësohet bereqeti. (fj. u.) fjalët e shumta janë fukarallëk, fjalëshumë e punëpak. Fol me rend, fol me mend, atëherë dhe muhabeti vjen me mend. (fj. u.).
♦ Ta blen muhabetin (në sy) (dikush) shih t’i lexon (t’i këndon) letrat (kartat) në xhep (dikush). Më hahet muhabeti (me dikë) më pëlqen shoqëria e miqësia me dikë, ma ka ënda të rri e të flas me të, shkoj mirë me të. I jep muhabet (dikujt) e përfill duke nisur një bisedë me të, nuk e lë vetëm e pa i folur; i bëj hatrin; kund. i kthej kurrizin (shpinën). Kam muhabet (me dikë) e njoh aq sa mund t’i kërkoj diçka, kam pak miqësi me të. Muhabete pazari diçka për të cilën flitet poshtë e përpjetë, por nuk është e sigurt; thashetheme. E zgjat (e trash) muhabetin (me dikë). 1. Miqësohem më shumë me dikë, i afrohem e lidhem me të. 2. I acaroj fjalët me dikë, nis të grindem me të.
SHÚMTË (i, e) mb. Që është në sasi të madhe; që përbëhet nga një numër i madh qeniesh, sendesh, dukurish etj. të një fare. Pyetje të shumta. Veprimtari të shumta. Mundësi të shumta. Gjetje (prurje) të shumta. Ndërtime të shumta. Rrëshqitje të shumta. Vlera të shumta. Të ngrënët e shumtë të bën dëm. Shpresat janë të shumta. Jemi të shumtë në numër. Fjalët e shumta janë fukarallëk. (fj. u.).
VARFËRÍ,~A f. 1. Të qenët i varfër, gjendja e atij që është i varfër; mungesë e mjeteve më të nevojshme për jetesë; kund. pasuri. Varfëri e madhe. Jetonte në varfëri. Ra në varfëri. Shpëtoi nga varfëria. E kishte nga varfëria. E zhdukëm varfërinë. Varfëri absolute. Varfëria relative.
2. Të qenët jopjellor a joprodhues; kund. i pasur. Varfëria e tokës. Varfëria e tokës në zonat gëlqerore. Varfëria e rezervave ujore. Varfëria e zonave pyjore të djegura.
3. Mungesë e diçkaje të dobishme në sasinë e nevojshme, të qenët i pamjaftueshëm; kund. i pasur. Varfëria e ushqimit. Varfëria e ushqimeve bio.
4. fig. Mungesë vlerash mendore e shpirtërore; të qenët me përmbajtje të varfër; kund. pasuri. Varfëri idesh (mendimesh). Varfëri shpirtërore.
5. përmb. vjet. Tërësia e njerëzve të varfër, të varfrit. U mblodh varfëria. E gjithë varfëria.
✱Sin.: skamje, mospasje, papasje, mjerim, fukarallëk, vobektësi.
VOBEKTËSÍ,~A f. Varfëri. Certifikatë vobektësie (vjet.).
✱Sin.: skamje, mospasje, nevojë, mjerim, fukarallëk.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë