Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ANGJELÍK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT bot. 1. (lat. Angelica) Shkurre e vendeve të ngrohta mesdhetare, me degë të holla e të gjata, me gjethe treshe të vogla e vezake, me lule të verdha në trajtën e një fluture që lidhin bishtaja të gjata e të fryra; drokth, karthpulë, fshikartë, vjegjës.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje angjelikash: Angjelika e butë (lat. Angelica archangelica, Archangelica officinalis) bimë barishtore dyvjeçare e ngrënshme, me kërcell të shkurtër mishtor dhe të mbuluar dendur me rrënjë të gjata, me gjethe të mëdha që rrethojnë kërcellin me një flutur në majë, me lule të gjelbra e të verdha, me fryt vezak, të sheshtë në ngjyrë të verdhë e të bardhë e që përdoret në mjekësinë popullore; drokthi i bardhë, kukuda e butë, angjelika mjekësore. Angjelika e përgjunjur (lat. Angelica genuflexa) angjelikë që rritet mbi dy metër lartësi, me gjethe të mëdha të dhëmbëzuara, me kërcell të rrumbullakët, të drejtë, të zbrazët dhe të degëzuar në majë, me lule të verdha e të bardha që lulëzojnë në korrik e gusht, që përdoret edhe në mjekësinë popullore; angjelika kënetore; angjelika ligatinore, angjelika mjekësore, gjemb gomari, bari i shpirtit të shenjtë. Angjelika e purpurt (lat. Angelica atropurpurea, Archangelica atropurpurea) angjelikë që rritet deri në 1.80 cm në lartësi, me kërcell të lëmuar, të zbrazët e të degëzuar në ngjyrë vjollce, me gjethe vezake me skaje të dhëmbëzuara, të çara me lobe të cekëta e të thella, me lule të bardha në të gjelbër në formë ombrelle. Angjelika e pyllit (lat. Angelica sylvestris, A. illyrica, A. montana) angjelikë që rritet deri në dy metër lartësi, me gjethe të gjelbra në të errët, me lule të vogla të bardha erëkëndshme, që rritet në hapësira të lagështa pyjore, në brigjet e përrenjve dhe të kanaleve, esenca vajore e së cilës përdoret në mjekësi, kurse frytet e bluara përdoren si insekticide; angjelika e egër; kukuda e bjeshkës, kukuda e kuqe.
✱Sin.: drokthi, karthpulë, fshikartë, vjegjës, shtogiq, rrëfeshk, ferreckë, gjembaç, kukudë.
DROKTH,~I m. sh. ~A, ~AT bot. (lat. Colutea arborescens) 1. Fshikartë.
2. bot. (lat. Cytisus monspessulanum) Vjegjës.
3. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje të drokthit. Drokthi i bardhë (lat. Cytisus albus) shkurre shumëvjeçare, me degë të holla, me gjethe të vogla, me lule të bardha, të shumta e të dendura, që rritet në toka të thata dhe me diell. Drokthi i egër (lat. Lembotropis nigricanus) shkurre shumëvjeçare, me degë të zeza a të errëta, me gjethe me tre fletëza, me lule të verdha, që rritet në zona pyjore e kodrinore, që përdoret si bimë zbukuruese ose për forcimin e tokës. Drokthi ujës (lat. Lotus uliginosus) bimë barishtore shumëvjeçare, me kërcell të hollë, me gjethe me tri fletëza a me pesë fletëza, me lule të verdha të mbledhura në tufëza, që rritet në vende të lagështa, livadhe e këneta.
♦ M’u bë drokth në grykë (diçka) shih m’u bë (m’u mblodh, m’u lidh) nyjë në grykë (diçka). *Iu bë buka drokth i mbeti buka në grykë, nuk i shkon buka, iu bë buka lëmsh (komb) në grykë (nga një lajm i hidhur, nga një hall etj.).
PSHIKÁRT/Ë,~A f., bot. Fshikartë.
SHIKÁRTH,~I m. sh., bot. (lat. Colutea arborescens L.) Shkurre bishtajore me lule të verdha, me bishtaja të fryra në trajtë fshike që del në vende të thata; fshikartë, drokth. Shikarthi përdoret edhe si bimë zbukuruese. Lulet e shikarthit. Shikarthi rritet në klimë të ngrohtë.
✱Sin.: fshikartë, fshikëz, drokth, karthpulë, kopaçë, kokartë, lulëbardhë, matare, mishkarthë, rrshekë, shitokartë.
VJÉGJËS,~I m. sh. ~, ~IT bot. (lat. Cytisus monspessulanum; Genista candicans) Shkurre e vendeve mesdhetare e të ngrohta, me degë të holla e të gjata, me gjethe treshe të vogla e vezake, me lule të verdha në trajtën e një fluture në majë të çdo kërcelli të ri, që rritet më shumë në shkëmbinj e në troje malore.
✱Sin.: drokth, fshikartë, karthpulë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë