Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DEKONSPIRÍM,~I m., libr. Veprimi kur dekonspiroj diçka; zbulimi ose zbërthimi i një sekreti, i një identiteti të fshehur ose i një informacioni të ndjeshëm, që është mbajtur i fshehur ose i mbrojtur; kund. fshehje. Dekonspirimi i sekretit (i të dhënave, i lidhjeve). Dekonspirimi i dëshmitarit.
MASKÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Vënia e një maske në fytyrë. Maskimi i fytyrës.
2. Ndërrim i veshjes dhe vënie e mjekrës a i mustaqeve të rreme që dikush të ndryshojë pamjen e jashtme. Vuri syzet e diellit për maskim. Maskimi i trupit. Kostume maskimi. Veshje (bojë) maskimi.
3. Fshehje e një personi a sendi nën degë a diçka tjetër, që të mos duket a të mos dallohet prej të tjerëve; tërësia e mjeteve dhe e mënyrave që përdoren për të maskuar trupat, armët, objektet ushtarake etj. që të mos i dallojë kundërshtari. Maskimi i vendit (i objekteve, i automjeteve, i trupave) me degë pemësh. Përdor maskimin. Prish (heq) maskimin.
4. Fshehje e një veprimi, qëllimi, ndjenje etj. që të mos e kuptojnë ose që të mos e zbulojnë të tjerët. Maskimi i krimit.
5. mjek. Moskuptim i një sëmundjeje a infeksioni për shkak se e mbulojnë simptoma të tjera ose sepse nuk paraqet simptoma të jashtme. Maskimi i infeksionit në trup.
6. fin. Mbulim a fshehje e fitimit. Maskimi i fitimit.
✱Sin.: mbulim, fshehje.
PËRMËSHÉLJ/E,~A f. Fshehje e kujdesshme; mbyllje.
STRÚKJ/E,~A f. 1. Veprimi kur struk a strukem; përpjekje për të mos rënë në sy. E shkon jetën në strukje. Kishte kaluar vite në strukje. Strukja i ishte bërë mënyrë jetese.
2. Kruspullosje. Strukje nga lodhja e madhe. Hallet i kishin shkaktuar strukje.
✱Sin.: kruspullim, kruspullosje, skutje, tulatje, pulitje, platitje, rrëkutje, fshehje, maskim.
TULÁTJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Kruspullim; strukje, fshehje, pulitje. Tulatja e fëmijës. Tulatja e lepurit në ferrë. Tulatja e gjahtarit pas gëmushës. Tulatja e hënës pas reve.
2. Rrëgjim, ligështim, dobësim. Tulatja e të sëmurit (e plakut). Tulatje nga sëmundja. Tulatja e bimëve (e luleve) nga vapa.
3. Ngjeshje, rrasallitje. Tulatja e dheut të hedhur.
4. Humbje force a gjallërie; shuarje, zbutje, rënie, qetësim. Tulatja e erës. Tulatja e zjarrit (e guximit, e optimizmit).
✱Sin.: kruspullim; strukje, fshehje, pulitje, rrëgjim, ligështim, dobësim, ngjeshje, rrasallitje, shuarje, zbutje, rënie, qetësim.
VALISNERÍ/E,~A f., bot. (lat. Vallisneria L.) Bar ujërash të ëmbla që zakonisht gjendet në liqene dhe lumenj me rrjedhje të ngadaltë, bimë e përhapur në shumë vende dhe përdoret shpesh në akuariume për shkak të pamjes së saj të bukur dhe aftësisë për të pastruar ujin natyralisht, e njohur për gjethet e saj të gjata dhe të ngushta, të cilat krijojnë një ambient të përshtatshëm për fshehje dhe riprodhim të ngjalave dhe peshqve të tjerë; bari i ngjalës.
ZBULÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur zbuloj diçka; heqja e mbulesës, e veshjes a e mbështjelljes së dikujt a së diçkaje; kund. mbulim. Zbulimi i trupit. Zbulimi i kokës. Zbulimi i përmendores. Zbulimi i makinës. Zbulimi i pllakës përkujtimore.
2. Gjetja e diçkaje të mbuluar në tokë duke gërmuar etj., pasi është kërkuar për një farë kohe; dalja në dritë e diçkaje të fshehur a të mbuluar. Zbulimi i thesarit. Zbulimi i rrënjëve. Zbulimi i mineralit. Zbulimi i rrënojave (i mureve) të kështjellës. Zbulimi i një vendbanimi të ri.
3. Diçka e re a e panjohur më parë, e cila zbulohet, gjendet a del në dritë pas një kërkimi të gjatë dhe një pune këmbëngulëse; ajo që zbulohet, gjetje, shpikje. Zbulim i ri (i madh, i papritur). Zbulimet e fundit. Zbulimet gjeografike (arkeologjike). Zbulim shkencor. Zbulimi i penicilinës. Zbulimi i energjisë atomike. Zbulimi i një ligji të shkencës. Zbulimi i radioaktivitetit.
4. usht. Mbledhja e të dhënave të ndryshme për armikun, për terrenin, për mjedisin etj., që bëhet në mënyrë të fshehtë ose duke hapur zjarr nga njësi a grupe të caktuara në vendin ku parashikohet të zhvillohen veprime luftarake; njësi a grup i caktuar luftëtarësh që kryen këtë veprimtari; kund. kundërzbulim. Zbulimi ajror (taktik). Zbulim me luftim (me zjarr). Aeroplan zbulimi. Fluturime zbulimi. Fotografi zbulimi. Toga (skuadra) e zbulimit. Grupet e zbulimit. Doli (shkoi) për zbulim. Për qëllime zbulimi.
5. Organ i posaçëm, agjenci a strukturë shtetërore, që ka për detyrë të marrë, të mbledhë e të studiojë të dhëna të fshehta për veprimtarinë dhe gjendjen ekonomike, politike, ushtarake etj. të një vendi a të vendeve të tjera; kund. kundërzbulim. Zbulimi dhe kundërzbulimi. Zbulimi armik (i huaj). Zbulimi ushtarak. Organet e zbulimit. Oficer (punonjës) i zbulimit.
6. Nxjerrja a dalja në shesh e dikujt a e diçkaje të fshehur a që është bërë në fshehtësi; shpërfaqje; pikasje e dikujt apo diçkaje; kund. fshehje. Zbulimi i kriminelëve. Zbulimi në kohë i krimit (i vjedhjes, i tradhtisë). Zbulim i veprimtarisë së jashtëligjshme. Zbulim i shpërdorimeve. Zbulimi dhe parandalimi i veprave kriminale. Zbulimi i planit të sulmit.
7. sport. Dalje e lojtarit në pozicion të pambuluar nga kundërshtari. Zbulimi i pozicionit të mbrojtësit (i sulmuesit, i mesfushorit).
✱Sin.: zhveshje, çmbështjellje, heqje, gjetje, shpikje, shpërfaqje, dukje, pikasje, nxjerrje, njoftim, paraqitje, parashtrim, diktim.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë