Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FOTOSISTÉM,~I m. sh. ~E, ~ET biol. Mekanizëm biokimik me anë të të cilit bimët me klorofil përthithin energjinë e dritës gjatë fotosintezës. Fotosistemi dhe fotosinteza.
QÉND/ËR, ~RA f. sh. ~RA, ~RAT 1. gjeom. Pikë e baraslarguar nga të gjitha pikat e një vije të lakuar të një rrethi a të një sipërfaqeje të përkulur. Qendra e rrethit. Qendra e shumëkëndëshit. Heq një vijë nëpër qendër.
2. Pika a pjesa që ndodhet afërsisht në mes të një vendi, të një sendi, të një grumbulli, në mes të një qyteti, të një fshati etj. Qendra e sheshit. Qendra e Tokës. Qendra e rëndesës e një trupi (fiz.). Gjuajti nga qendra (sport.). E vuri topin në qendër të fushës (sport.). Qendër rrotulluese qendër në majë që rrotullohet shumë ngadalë, qendër e rrotullueshme. E vë në qendër një detal (tek.) e vendos një detal në mënyrë që të rrotullohet rreth një boshti të përbashkët me një pjesë tjetër, qendërzoj.
3. Pjesa më e rëndësishme në mes të një qyteti, të një fshati etj. Qendra e qytetit (e fshatit). Qendra e Tiranës (e Dhërmiut). Banon në qendër. Shtëpia është larg nga qendra.
4. Institucion a një vend tjetër me ndërtesat e me pajisjet përkatëse ose ndërtesë a dhomë e veçantë, ku bëhet një punë a ku zhvillohet një veprimtari e vazhdueshme. Qendër banimi vend banimi me ndërtesa të grumbulluara, qytet i vogël ose fshat. Qendër pushimi. Qendër votimi. Qendër zëri (qendra e zërit) dhomë me pajisje të posaçme në një ndërmarrje, në një shkollë, në një shtëpi pushimi etj., që shërben për të dhënë njoftime, lajme, muzikë etj. me anë të radios ose me të folur. Qendër zjarri. usht. Qendër diagnostikimi (mjek.) (lat. Centrum diagnosticum) institucion mjekësor ku kryhen teste dhe procedura diagnostike për të diagnostikuar gjendje dhe sëmundje të ndryshme mjekësore. Qendër kërkimore. Qendër këshillimi. Qendër studimore. Qendra kulturore e ushtrisë. Qendra e zhvillimit të shoqërisë civile. Qendra për zhvillim dhe për demokratizimin e institucioneve.
5. Pjesë me rëndësi e një vendi ose e një krahine, zakonisht qytet, ku zhvillohet një veprimtari kryesore më e gjerë se në pjesët e tjera të vendit a të krahinës; qyteti a shteti ku është përqendruar veprimtaria kryesore për një fushë të caktuar. Qendër tregtare (industriale, kulturore). Qendër sportive (turistike). Qendër tregtare (industriale, kulturore). Qendër administrative. Shqipëria është qendra e studimeve albanologjike.
6. Vendi ku grumbullohet diçka nga të gjitha anët. Qendër komunikacioni. Qendër grumbullimi. Qendër e grumbullimit të librit. Qendër rrjeti. Qendër referencash.
7. Organi më i lartë a organet më të larta që drejtojnë një veprimtari; zona ku ndodhen këto organe më të larta; kund. bazë. Organet e qendrës. Shtypi i qendrës. Ia nisën dokumentet qendrës. Njoftohet nga qendra. Kaloi nga qendra në bazë. Qendra e Studimeve Albanologjike. Qendra Spitalore Universitare. Qendra Juridike e Kosovës. Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave. Qendra Kombëtare e Licencimit. Qendra Kombëtare e Publikimeve Zyrtare. Qendra Kombëtare e Regjistrimit. Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Bizneseve. Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut. Qendra Ndërkombëtare e Kulturës.
8. Vatra kryesore e një dukurie, e një veprimtarie, e një njeriu, e një sendi dhe e përhapjes së tyre; ana më e rëndësishme e një veprimtarie; dukuria rreth së cilës vepron ose vendoset gjithçka tjetër. Në qendër të romanit. Në qendër të vëmendjes. Vë heroin pozitiv në qendër të një vepre letrare. Qendra e gravitetit (fig.) ana më e rëndësishme e një veprimtarie. Qendër origjíne (bot.) grup organizmash, (të zbutur, të kultivuar, por edhe të egër), që zhvillojnë në fillim tiparet e tyre të dallueshme, që shërbejnë edhe si qendër e larmisë ose qendër e diversitetit.
9. Vendi ku ndodhet dhe zhvillon veprimtarinë e përhershme një organ; vendi ku banon zakonisht një njeri, cak. Qendër e përhershme (e përkohshme). Njeri pa një qendër të caktuar. Zë një qendër. Qendër shpërndarjeje. Qendër dokumentacioni. Qendër e informacionit turistik. Qendër e përpunimit të të dhënave. Qendër informacioni. Qendër kërkimore. Qendër këshillimi. E ka qendrën në kryeqytet.
10. Pika ose vendi prej ku përhapet në të gjitha anët përreth një dukuri. Qendra e rrezatimit (e përhapjes, e ndikimit). Qendra e tërmetit. Qendra e rrezatimit. Qendër e analizës së informacioneve. Qendër e shpërndarjes së mesazheve. Qendër rrjeti. Qendër referencash. Qendër shpërndarjeje.
11. anat., bot. Grumbullim qelizash (nervore), të cilat së bashku drejtojnë një veprimtari të caktuar të organizmit. Qendra nervore zonë e caktuar e trurit, qelizat nervore të së cilës realizojnë nxitjen dhe mbajtjen nën kontroll të funksionit të zemrës, të enëve të gjakut, të aparatit të frymëshkëmbimit etj. Qendra e frymëmarrjes. Qendra e gjumit. Qendër reaksioni (fiz.) qendër, ku molekulat e klorofilit të një fotosistemi, si klorofili 700 dhe klorofili 680, janë të afta të përdorin energjinë e dritës në reaksione fotokimike.
12. bot. Qendër e shpërndarjes ndryshimet individuale të bimëve dhe kafshëve, të tilla si përmasa, prodhimtaria, vazhdimësia e ndryshimit, ndryshimi i ngjyrës dhe ndryshimi i habitatit dhe e habitateve, do të duheshin të studioheshin sipas linjave të tyre të shpërndarjes dhe divergjencës nga qendra e tyre e origjinës. Arealet e gjalla do duheshin të studioheshin si qendra të shpërndarjes dhe të origjinës, pra edhe nga ana dinamike dhe gjenetike.
✱Sin.: mes, zemër, kërthizë, institucion, pikë, çerdhe, djep, vend.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë