Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
APARÁT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Mjet, pajisje ose mekanizëm që përbëhet prej pjesësh të imëta e të punuara me përpikëri, që përdoret për të kryer matje etj., në laboratorë, në teknologji, në industri, në mjekësi etj. Aparat transmetimi. Aparat matës (ftohës, larës). Aparat kinematografik. Aparat telefonik. Aparat ndriçimi (projektimi). Bleu aparat fotografik. Aparat matës për presionin e gjakut. Aparat fotografik digjital. Aparat digjital dëgjimi. Aparat dëgjimi me sensorë. Aparat distilimi (me vakum, me avull). Aparat ftohës. Aparat i thjeshtë kopjimi. Aparat përgjimi. Aparat regjistrimi. Aparat saldimi. Aparat televiziv digjital. Aparat lëvizës rëntgeni.
2. fiziol. Tërësia e organeve, që kanë lidhje ndërmjet tyre dhe që së bashku kryejnë një funksion të caktuar të organizmit. Aparat i frymëmarrjes. Aparat i qarkullimit të gjakut. Aparati i tretjes. Aparati i të dëgjuarit. Aparat i të folurit.
3. Tërësia e institucioneve ose e degëve në organizimin shtetëror dhe politik të një vendi, që i shërbejnë drejtimit të veprimtarisë ekonomike, politike etj.; punonjësit e këtyre institucioneve ose të degëve të tyre. Aparati shtetëror (administrativ). Thjeshtimi i aparatit shtetëror. Shkurtoi aparatin shtetëror.
4. libr. Shënimet sqaruese e ndihmëse, që plotësojnë një vepër shkencore a letrare ose që lehtësojnë përvetësimin e një teme mësimore. Aparati shkencor (kritik, bibliografik). Aparati pedagogjik (metodik).
5. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje aparatesh: Aparat dëgjimi (mjek) pajisje që vendoset në vesh për të dëgjuar, që përdoret nga njerëz me dëgjim të dobësuar ose me dëgjim të humbur. Aparat fotografik aparat për të bërë fotografi. Aparat tensioni aparat për të matur tensionin e gjakut dhe rrahjet e zemrës. Parat fotokopjimi fotokopjuese.
FOTOKOPJÚES,~E mb. Që fotokopjon; që bën fotokopje. Pajisje fotokopjuese.
FOTOKOPJÚES/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Makinë fotokopjimi; fotokopje. Futi përsëri letër në fotokopjuese.
KSERÓKS,~I m. sh. ~E, ~ET libr. Aparat fotokopjimi; fotokopjuese.
✱Sin.: fotokopjuese, kserograf.
RIPRODH/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Përsërit diçka me përpikëri duke e kopjuar; paraqit me besnikëri diçka duke e pasur si gjedhe. Riprodhoj një kuadër (pikturë). Riprodhoj jetën në një vepër.
2. Nxjerr në shumë kopje një shkrim, një vizatim etj., shumëzoj, shumëfishoj; bëj kopje të tjera. Riprodhoj fotografitë. Riprodhoj një dokument (një artikull). Riprodhoj me dorë (me makinë fotokopjuese, me printer).
3. Përsërit me gojë diçka që e kam në kujtesë. Riprodhoj një tregim (një fjalim, një bisedë). E riprodhoi ashtu siç e dëgjoi (siç e pa). Riprodhoj një zë (një këngë). E riprodhoi fjalë për fjalë.
4. Prodhoj sërish; vë në vend atë që harxhohet. Riprodhon kapitalin (vlerën).
SHABLLONÍST/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Punëtore që krijon apo përdor modele,shabllone gjatë një pune, fotokopjuese. Punonte si shablloniste. Ishte shablloniste e zonja. Pyetën shabllonisten nëse mund ta realizonte.
2. fig., keq. Grua a vajzë që flet, shkruan a vepron duke imituar tërësisht diçka të njohur, ajo që kopjon në mënyrë mekanike pa ndryshuar asgjë, imituese. Njihej në veshje si shablloniste. Shablloniste në të folur. Asgjë të re nuk sillte ajo shablloniste.
✱Sin.: fotokopjuese, riprodhuese, mekanike, imituese.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë