Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FOTOGRAF/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Nxjerr në fotografi. Fotografoj bregdetin. Fotografoj lumin (shokët).
2. fig. Riprodhoj a përshkruaj diçka drejtpërdrejt e me përpikëri, ashtu siç është, pa dalluar atë që është e rastit nga ajo që është tipike dhe pa bërë ndonjë përgjithësim. I fotografonte faktet dhe ngjarjet besnikërisht.
3. Vëzhgoj në mënyrë të përpiktë veprimet e dikujt; mat si me kronometër një proces pune etj. Fotografoj ditën e punës.
MARR vep., MÓRA, MÁRRË kal. 1. E kap diçka a dikë me dorë a me një send tjetër dhe e heq nga vendi i vet; e rrok me duar a me diçka tjetër dhe e mbaj. Mori bukën (kazmën, librin, penën, rrobat). Mori gotën e çajit (e rakisë, e qumështit). Marr topin. Merrni nga një mollë! E mori me duar (me mashë, me lugë, me pirun). E mori me dhëmbë. E mori për krahu (për flokësh, për veshi). Ia mori me forcë.
2. E shpie diçka a dikë në një vend tjetër duke e mbartur a mbajtur vetë ose me një mjet, e çoj diku; sjell me vete; mbaj me vete. E mori çantën (thesin, dengun) në krah. E mori fëmijën në shpinë (në duar, në krahë, në qafë). E mori vogëlushin hopa. E mori për dore (zvarrë). I mori fëmijët me vete. Nuk e kishte marrë kartën e identitetit me vete. E mori lumi (era).
3. Më bie në dorë një send që ma dërgon dikush ose diçka që më takon për punën a për veprat që kam kryer etj.; fitoj; më vjen diçka që është për mua; (fig.) e dëgjoj a e mësoj diçka, më bëhet e njohur diçka. Mori një letër (një telegram, një lajmthirrje). Mori pakon. Mori një njoftim (një lajm, një mesazh). Mori emërimin. Mori urdhra (udhëzime) të reja. Mori një porosi të veçantë. Mori urimet. Marr rrogën (pagën mujore). Mori shpërblim. Sa merr në muaj (në ditë)? Morën flamurin. Morën diplomat (fletëlavdërimet, medaljet). Mori titullin ‘Doktor i shkencave’. Marr lejen e zakonshme. Ç’të japësh, do të marrësh. (fj. u.).
4. bised. Blej; porosit diçka për të ngrënë a për të pirë në kafe, në restorant etj. Mori ushqimet (bukën, qumështin, një palë këpucë, një kostum, një biçikletë). Mori biletën. I morëm në dyqan (në pazar, në qytet, në fshat). E mori për nënën (për babain, për gruan, për fëmijët, për vete). Mori një kafe (një ujë, një birrë, një raki, një kos). E mori lirë (shtrenjtë). Sa (ku) e more?
5. Nxjerr një prodhim duke përpunuar ose duke shfrytëzuar diçka, siguroj një sasi të caktuar prodhimi; nxjerr fitime, të ardhura etj. nga diçka. Mori pesëdhjetë kuintalë për hektar. Morën prodhime të bollshme. Nga delja marrim leshin, qumështin, mishin. Marrim qymyrgurin (naftën, mineralet) nga toka. Marrin të ardhura të mëdha.
6. Kërkoj një shumë a shpërblim të caktuar për diçka; zgjedh diçka nga një tërësi, nga një grumbull gjërash etj., heq, veçoj a nxjerr një pjesë nga diçka për qëllime të caktuara. Merrnin taksa. Merrnin të dhjetat. Sa merrnin për të qepur një kostum? Merrnin shtrenjtë. Marr për prova (kafshë, bimë, minerale). I marr gjak (për analiza).
7. vet. v. III Kërkon (një sasi të caktuar lënde, sendesh, kohe etj.). Stërvitja i merr shumë kohë. Ndërtesa mori shumë tulla (çimento, gëlqere). Dyert (dritaret) morën shumë bojë.
8. edhe fig. Pajisem me diçka, gjej a siguroj diçka për vete; e shtie në dorë a e bëj timen diçka për ta pasur përgjithnjë ose për ta përdorur përkohësisht; përvetësoj. Mori shtëpi (dy dhoma e një kuzhinë). Morën vetura të reja. Kanë marrë ujë të pijshëm (energji elektrike). Mori një taksi. Marr për një vit (për një muaj, për një natë). E mori me qira. E mori falas. Kanë marrë dije (njohuri) të thella. Mori një mijë lekë hua (borxh). I mori një libër. Ka marrë huqet e t’et. Kanë marrë mënyrën e huaj të jetesës (modën e huaj).
9. Shtie në dorë diçka me luftë a me përpjekje, pushtoj një vend; arrij të siguroj, të fitoj, të kaloj a të kapërcej diçka, ia dal në krye diçkaje. Morën qytetin (kështjellën). Morën pushtetin (fuqinë). I mori provimet. E mori klasën. Mori diplomën (patentën). Mori vendin e parë në festival. E morën me sulm (me dredhi). E mori me vështirësi (me punë).
10. Ia rrëmbej dikujt diçka a dikë ia fitoj dikujt në lojë; i heq dikujt të drejtën a mundësinë për të përdorur ose për të shfrytëzuar diçka. I morën paratë (pasurinë, tokën, pronat, çifligjet). I marr dikujt drithin (bukën, ujin). I morën patentën (diplomën). I morën fëmijët peng. I mori dy pikë (një lojë) (sport.). I mori tre ushtarë (kalin, mbretëreshën) (shah.).
11. bised. Fejohem a martohem me dikë. E mori nuse. E mori për burrë (për grua). Morën njëri-tjetrin. E mori me dashuri. E merrnin me mblesëri (burrin, gruan). Nuk e mori vetë, ia dhanë. Lum ai që e merr atë vajzë!
12. bised. E tërheq dikë nga një vend a nga një grup njerëzish dhe e çoj diku; e arrestoj. E mori mënjanë (më tutje). E morën natën. E morën fshehurazi (me forcë).
13. bised. Heq, fshij, pastroj. Marr pluhurat. Marr me fshesë (me leckë).
14. Pres a shkurtoj (për flokët); ha, zvogëloj, ngushtoj (një rrobë). Marr flokët (anët). I mori lart (poshtë). E mori pak te mënga (te supi, te beli).
15. E pranoj a e emëroj dikë në një punë, e caktoj me një detyrë; e pranoj dikë si pjesë të familjes a të një grupi njerëzish ose e lejoj të marrë pjesë diku; e thërres dikë të kryejë një shërbim të detyrueshëm; i ngarkoj vetes një detyrë; pranoj të bëj diçka, i dal zot një pune; i përvishem një pune a një detyre në një mënyrë të caktuar. Morën një punëtor (një hidraulik, një mësues). E morën në punë. E morën në çetë (në brigadë). E mori në shtëpi. E morën në fshat. E morën si ndihmës (si specialist). E morën si ekspert (si arbitër). E morën në arsim (në teatër, në skuadër). E morën ushtar. E morën për ta edukuar (për ta mësuar, për ta stërvitur). Marr një temë studimi. Mori shërbimin. E morën për botim. Morën zotime të reja. E mori me qejf (me dëshirë, me guxim, me frikë, me shaka) punën (detyrën) që i ngarkuan. E mori shtruar (rrëmbyer, me rrëmbim). E mori në provim (në pyetje).
16. Më ngjitet a më zë një sëmundje. Ka marrë të ftohur. Mori zgjeben.
17. vet. v. III Nxë, përmban (një masë të caktuar, një vëllim, një sasi etj.). Merr dy litra (pesë kilogramë). Merr dy shtretër (dhoma). Merr dyqind veta (salla). Merr shumë (makina, ena, thesi). Sa merr?
18. bised., vet. v. III E përmbledh, e përfshin e zë (një ndarje administrative, një ligj, një detyrim etj.); përmbahet brenda në diçka, e parashikon a e ka diçka (ligji, gazeta etj.). E merr rrethi i Tropojës. E merr plani i qytetit. Ç’merr nga Korça në Bilisht. E merr edhe ligji. E ka marrë gazeta.
19. bised. E sjell dikë a diçka për shqyrtim, si shembull etj., përqendroj a tërheq vëmendjen e të tjerëve te diçka; flas për diçka, e trajtoj, e parashtroj. Le të marrim çështjen e... (problemin e...). Marrim një pikë (një drejtëz, një rrafsh). Marrim kohën e luftës... Marrim për shembull nxënësit... (arsimtarët, ekonomistët, punëtorët, fermerët...). E marr në shqyrtim e shqyrtoj.
20. Sillem a veproj me dikë ose me diçka në një mënyrë të caktuar. E mori me të mirë (me të egër, me të keq, me lajka). E morën me të fishkëllyera (me dru, me domate).
21. E quaj, e vlerësoj; e mbaj; më duket se është i tillë ose i atillë, e kujtoj, më duket; e kuptoj, e gjykoj në një mënyrë të caktuar. E merrnin për të zgjuar (për budalla, për të vdekur, për të huaj). E mori për të vëllain (për mjek, për njeri të mirë). E marr si shembull. E mori pazinë për spinaq. Sido (ngado) që ta marrësh. Merre si të duash.
22. edhe fig. Pësoj një goditje, me zë diçka, ha; më qëllojnë a më gjuajnë me diçka. Mori një grusht (një shuplakë, një shkelm). Mori një plumb. Mori një dru të mirë e rrahën mirë. Mori përgjigjen e duhur.
23. fig., vet. v. III E zë, e kap diçka; arrin ta kapë, mund ta kapë e të veprojë mbi të, e ha. E mori plumbi në ballë (në kokë, në shpatull, në ijë, në gjoks, në zemër). E mori shkarazi (mirë, drejtpërdrejt). E mori uria (etja). E mori të qeshurit (gazi, vaji, frika). Është tepër lart, nuk e merr pushka (plumbi). Nuk e merr era (dielli). I merr mirë qimet brisku (makina e rrojës).
24. edhe fig., bised., edhe jokal., Shkoj, lëviz në një drejtim, ia mbaj nga...; ndjek një rrugë; shkoj drejt një gjendjeje (edhe në një varg njësish frazeologjike). Mori arave (bregut, pyllit, maleve). Mori malet doli në mal. Mori kthesën. Flaka mori qiellin flaka u ngrit deri në qiell. Mori nga e djathta (nga e majta, nga jugu). Mori përpjetë (lart, poshtë, tatëpjetë, anës). Mori për keq (për mirë). Mori shtrembër (gozhda, vidha), Mori për në fshat (për në qytet, për në veri). Mori anës lumit (anës bregut). Po merr udhë të mbarë (të shtrembër). Ka marrë të tatëpjetën. Moti po merr për mbarë. Ç’fill do të marrë?
25. bised. Hipi në një mjet udhëtimi për të shkuar diku. Mori trenin e pasdites (e orës 10). Mori autobusin e unazës.
26. Nis diçka; filloj; vet. v. III Nis. Mori hov (vrull, shpejtësi). Mori valë filloi të valojë. Mori vrapin. Merr zhvillim nis të zhvillohet. Merr cifël nis të prishet, merr të krisur. Merr të krisur nis të kriset. Merr të skuqur (të nxirë) nis të skuqet (të nxihet). Merr zgjerim nis të zgjerohet.
27. Filloj të këndoj a të hedh valle ose të luaj një pjesë muzikore (me një vegël). Mori një këngë (një valle). Ia morën këngës shtruar (bashkë). Ia morën labçe. Ia merrte me të qarë. E merrte me fyell. Njëri ia merr, tjetri ia kthen (ia pret).
28. jokal., vet. v. III Fillon të ndizet a të digjet, ndizet flakë; shkrep (arma). S’marrin (mezi marrin) drutë. S’mori zjarri. Mori eshka. Morën mullarët. S’mori pushka. Mori baruti. Mori menjëherë. Merr shpejt (ngadalë).
29. fig. Shkëput nga dikush një gjë që më hyn në punë ose që është në dobinë time, i kërkoj dikujt një mendim, një këshillë etj. me qëllim që të përfitoj. Marr mendimin e kolektivit. Marr pëlqimin. Marr përvojën (mjeshtërinë) e dikujt. Marr këshilla nga dikush këshillohem me dikë. I marr fjalën dikujt e bëj të më japë fjalën, të zotohet. Ia mori zemrën ia fitoi zemrën, e bëri për vete. Mori një mësim të mirë përfitoi shumë, vuri mend.
30. fig., vet. v. III Fillon të ketë një vlerë, rëndësi a kuptim të caktuar, fiton. Merr rëndësi (vlerë). Merr domethënie të madhe. Merr një kuptim të ri. Merr një trajtë (një ngjyrë) tjetër. Mori përpjesëtime të mëdha.
31. jokal., vet. v. III (zakonisht me një emër të mashkullit të një kafshe) Ndërzehet; mbarset. Mori dash delja. Mori dem lopa. Mori derr dosa. S’mori lopa sivjet.
32. vet. v. III E bën që të mos lëvizë a të mos punojë më, e paralizon (për pjesë ose organe të trupit). Sëmundja i mori gojën (sytë, këmbën, duart).
33. Përdoret zakonisht me emra veprimi për të formuar togje me vlerë foljesh, të cilat lidhen si nga kuptimi ashtu edhe nga ana fjalëformuese me emrat përkatës (edhe në një varg njësish frazeologjike). Merr ajër ajroset. Mori arratinë u arratis. Marr fotografi fotografoj. Merr fund përfundon, mbaron. Merr gjallëri (fuqi, forcë) gjallërohet (fuqizohet, forcohet). Marr guximin guxoj. Marr hak hakmerrem. Marr lidhje me dikë lidhem. Merr masa. Merr ngjyrë ngjyroset. Marr shënim shënoj. Marr vendim vendos. Merr zgjidhje zgjidhet. Marr për bazë bazohem. Marr në dorëzim më dorëzohet. Marr nën mbrojtje mbroj. Marr nën kujdes kujdesem. Marr për qafe (për gryke) e përqafoj. Mori bark. Merr anë anon nga njëra anë. Mori erë u qelb. Mori zjarr u ndez. Mori frikë (tmerr) u frikësua (u tmerrua). Marr inat (mëri) inatosem.
34. Përdoret si folje gjysmëndihmëse, me kuptimet ‘filloj, nis, zë; përpiqem, matem’. Marr të dal (të hyj, të flas, të ngrihem, të shkoj, ta kap).
✱Sin.: kap, tërheq, bie, sjell, fshij, pastroj, rrëmbej, heq, përvetësoj, siguroj, blej, porosit, zë, pushtoj, zaptoj, thith, shpenzoj, kërkoj, pres, zvogëloj, shkurtoj, pranoj, mbaj, fut, nxë, zë, quaj, vlerësoj, kuptoj, mbaj, shkoj, fitoj, ha, kap, filloj, shkrep, mbarset, përmbaj.
♦ Harroi të marrë *frymë (dikush) tall. *Dhashë e mora. *Japim e marrim (me dikë). As *jep as merr (dikush). Sa *jep merr (dikush). Jep e merr me *gishta (dikush). Nuk më lë të marr *frymë (dikush). I mori *amanetin (dikujt). Merr *amë (diçka). Nuk merr *amë (nga diçka). Marr *anën (e dikujt). Më merr *ana. I marr *anët (dikujt). Ia marr *anën (diçkaje).Mori *arratinë (dikush). E mori *arratia (dikë). Mori *avull (dikush). Ia marr *avullin (dikujt a diçkaje). Ia mori *avullin (dikujt). Më mori *barkun (dikush a diçka).I mori bashkën (dikujt) S’merr *bojë (diçka). Si të marrë *bora. Mori *botën (dynjanë) (diçka). Mori *botën (dheun) ndër (në) sy (dikush). E merr me *bu (dikush). E mori me *cep (diçka). E ka marrë për *cep (dikë). Merr *cifël (diçka). Mori *çairet (dikush) keq. Ka marrë *të çarë (diçka). Merr *dallgë (dikush a diçka). Merr *detin (dikush). E mori *deti (dikë a diçka). Marr në *dorë (diçka). I marr *dorën (dikujt). Ia marr *dorën (diçkaje). Ia mori (ia rrëmbeu, ia zhvati) nga duart (dikë a diçka). Mori dynjanë (*botën) (diçka). Mori *dheun. Merr *erëI (diçka). Merr *erëII (nga diçka). E merr *eraI (dikë). E merr *eraII (diçka). I marr (i mbaj) *erë (diçkaje). Ia ka marrë *erën (dikujt a diçkaje). Merr *faqe (diçka). Mori *ferrën (diçka). Merr *fill (diçka). Ka marrë *fitilin (dikush). Mori *flakë (diçka). Marr *frymë. I mori *frymën (dikujt). Nuk merr (më) frymë (dikush). Sa të marrësh *frymë. Derisa të marr *frymë. Mezi marr *frymë. Përton të marrë *frymë (dikush) tall. Ka marrë *fund (dikush a diçka). Mori *fushat (dikush). Merr *fytyrë (diçka).I mori *fytyrën (dikujt). Mori *gardhin (dikush a diçka). S’merr (nuk ha) *të gdhendur (dikush). E merr (e mban) nëpër *gojë (dikë a diçka). E mori (e lau) *gjakun etnogr. I marr *gjurmën (dikujt a diçkaje). Marr (laj) *hakun. Mori (u bë) *hamull (dikush). Më marrsh *hijen! mallk. E merr *historia (dikë a diçka), edhe iron. Merr *hov (diçka). Merr *hundë (dikush). Mori *huq (dikush). E kam marrë *inat (dikë a diçka). Merr *jetë (dikush a diçka). I mori *jetën (dikujt). S’e merr (s’e ngre) *kalemi (diçka). Sa s’i merr (s’i rrok) *kalemi. E mori *kallëp (diçka). Na e mori *të keqen (të ligën) (dikush) mospërf. Më marrsh *të keqen! mallk. Të marrsha *të keqen! Mori *këmbë (diçka). Mori *këmbët (dikush). I mori këmbën (dikujt). E mori nga *këmbët (diçka). E merr nëpër *këmbë. Mori *këmbët në krahë (dikush). Marr *kërrabën. T’i marrësh (t’i rrëmbesh) *kokën (kryet) (dikujt). Merr *kot (dikush). Mora *krahë. I marr *krahët (dikujt). Marr (mbaj) *krahun (e dikujt). E marr nën *krahë (dikë). Mori *kthesën (dikush) libr. Mori *kuturu (dikush). Merr *lak (diçka). E merr *lehtë (diçka). Mora *lemerinë. Nuk merr *lesë (dikush). Merr e lër krejt, si dikush a si diçka tjetër, tamam si ai, gjallë ai, shumë i ngjashëm; hiq e vër atë vetë; lot e shpirt. I mori (i rropi, i hoqi) *lëkurën (dikujt). Na e mori të ligën (*të keqen) (dikush) mospërf. Të marrsha *të ligën! Më marrsh *të ligat! mallk. E mori *lumi (dikë a diçka). Ia mori *lyrën (diçkaje). Marrsh *malet! mallk. Mori *malet (dikush). Nuk më merr *malli (për dikë a për diçka) mospërf. Merre ta marrim rrëmujë e potere e madhe diku (kur bëhet një punë e veprohet si të vijë a si të mundet); bjeri burri burrit; s’e merr vesh i pari të dytin. Merr (për) *mbarë (diçka). I mori *mbrapsht (fjalët) (dikush). Merr *mend (dikush). Merr *mendtë (e dikujt). Më mori *mendtë (dikush). Ia mori *mendtë (dikujt). E marr me *mend (diçka). Merr *mendjen (e dikujt). Ia mori *mendjen (dikujt). Ma merr (ma ha, ma pret) *mendja. Ta merr (ta pret) *mendja. E mori *mësysh (dikë). Të marrtë *e mira! ur. Të marrtë (të ngrëntë) *mortja! mallk. S’e merr *mundimin (për diçka) libr. Merr *musht (dikush). I mori *nderin (dikujt). E merr *ndore (dikë) etnogr. Të më marrësh *opingat! bised. I marr *pahun (diçkaje). Nuk e marr *parasysh (diçka). E mori (e vuri) *përpara (dikë). Merr *përpjetë (dikush). Mori *të përpjetën (dikush a diçka). Marr *përsipër (diçka). Marr *pjesë (diku). Ka marrë *të plasur (diçka). Më marrsh *pleshtat! mospërf. bised. E merr *prapa (dike a diçka). E mori *së prapthi (diçka). Sa të marrë *prush. S’merr (s’ha) *pykë (dikush). Më mori më *qafë (dikush). Të merr më (në) *qafë (dikush a diçka).E merr me *të qeshur (diçka). Ka marrë *revan (dikush). E mori *revanin (dikush). E mori *rrëkeja (dike a diçka). Mori rrëpirën (*tatëpjetën, të tatëpjetën, teposhtën) (dikush a diçka). Mori *rripën (dikush). E mori *rrjedha (dikë a diçka). Mori *rrokullimën (dikush a diçka). Mori *rrugë (udhë) (diçka). Mori *rrugët (udhët) (dikush). E mori *rryma. Të merr nën *sqetull (dikush). E ka marrë (e mban) nën *sqetull (dikë a diçka). Mori *stafetën (dikush) libr. Marr mbi *supe (diçka). T’i merr *sytë (dikush a diçka). E mora në *sy (diçka). Ma merr (ma ha) *syri (diçka). Ta merr prej *syrit (një mendim etj.) (dikush) Mori *sytë (e iku) (dikush). Mora (bëra) një *sy gjumë. S’merr *shat (dikush). E ka marrë në *shenjë (dikë a diçka). Mori *sheshin (diçka). Marr (mbaj) *shënim (për diçka) libr. Marr mbi *shpatulla (diçka). Marr shpirt (*zemër). Ia mori *shpirtin (dikujt). Mori një *shuplakë (një dackë) (dikush a diçka). Nuk e ka marrë (s’e ka) me *tapi (diçka). Të marrtë *tartakuti! mallk. Mori *tatëpjetën (të tatëpjetën, teposhtën, rrëpirën) (dikush a diçka). E morën me *teneqe (dikë). Mori teposhtën (*tatëpjetën, të tatëpjetën, rrëpirën) (dikush a diçka). Mori *ters (diçka). E mori (për) *ters (diçka a dikë). Mori torbën (*trastën) (dikush). Mori *thellomën (dikush). Merr (zë) në *thua (dikush). Mora *thundrat. Mori udhë (*rrugë) (diçka). Mori udhët (*rrugët) (dikush). Të merr *vaji. E mori *vala. Merr *valë (diçka). E mori *vala (dikë). E mori me *valë (dikush). Mori vdekjen në *sy (dikush). E marr (e kap) për *veshi (dikë). Marr *vesh. E mori *veten (dikush). *Vetë ia merr e vetë ia pret (dikush). Ia mori (ia dha, ia theri, i ra) *vrapit (dikush). Ia mori *zanatin (diçkaje). Marr *zemër. Më mori *zemrën (dikush). Mori *të zezën (dikush). E mora *zët (dikë a diçka). Mori *zjarr (diçka a dikush). Sa të marrësh një *zjarr. E mori *zvarrë (dikë).
MIKROFOTOGRAF/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. Fotografoj në mikrofilm me madhësi të zvogëluar.
MOSFOTOGRAFÍM,~I m. Pamundësi, paaftësi a kundërshtim për të fotografuar dikë a diçka; veprimi dhe gjendja kur nuk e fotografoj dikë a diçka ose kur nuk fotografohem; kund. fotografim. Mosfotografimi i fytyrës së dikujt (i luleve, i dokumenteve sekrete) Mosfotografimi i vendit të ngjarjes së aksidentit.
NXJERR vep., NXÓRA, NXJÉRRË kal. 1. E heq nga brenda, e marr nga brendësia e diçkaje dhe e vë jashtë; e bëj të dalë përjashta; qit; kund. shtie, fut, kall. Nxjerr shaminë (paratë). Nxjerr plumbin. Nxjerr shpatën (koburen). Nxjerr nga xhepi (nga gjiri). Nxjerr nga dhoma. Nxjerr nga pusi (nga gropa, nga hendeku). Nxjerr nga furra (nga zjarri). Nxjerr nga uji. Nxjerr jashtë. Nxjerr ujë me kovë. I zoti e nxjerr (e qit) gomarin nga balta. (fj. u.). Një thumb, njëqind herë ta rrahësh, një majë nxjerr. (fj. u.). Shkoi shyta me nxjerrë brirët e i la edhe veshët. (fj. u.).
2. E shpie jashtë caqeve ose kufirit të diçkaje; e bëj të dalë përtej vijës së sipërfaqes së një sendi; e vë përjashta, në vend të hapur. Nxjerr topin jashtë fushës. Nxjerr kokën nga dritarja. Nxjerr gjuhën nga lodhja (nga vapa). Nxjerr qilimat në diell. Nxjerr në ajër të pastër.
3. Heq prej diku ku ishte ngulur ose ku kishte zënë vend; shkul; lëviz nga vendi i vet i zakonshëm. Nxjerr patatet (panxharin). Nxjerr një gozhdë. Nxori dhëmbin. Nxori krahun (dorën) ndrydhi krahun (dorën). I nxori syrin. E nxorën nga toka. E nxori me gjithë rrënjë.
4. Shtrij përpara; e bëj të dalë përpara ose më lart. I nxjerr dorën një makine. Nxjerr gjoksin. I nxjerr këmbën për ta penguar. Ka nxjerrë bark muri.
5. Lë të dalë, të përhapet, të mbijë, të rrjedhë etj., lëshoj. Nxjerr tym (avull, gaz). Nxjerr ujë (lëng). Nxjerr djersë (lot, gjak). Nxjerr flakë (xixa, shkëndija). Nxjerr bisk (lule, kalli, gjethe). Nxjerr zë (klithma). Nxjerr tinguj (melodi). Nxjerr frymën (ajrin). Nxjerr flluska. Nxjerr bakër ena. Nxjerr helm.
6. vet. v. III E lëshon, nuk e mban, heq. E nxjerr bojën. E nxjerr ujin. E nxjerr tymin (ajrin). Uji ia nxjerr kripën djathit.
7. bised. Heq një veshje, një rrobë etj. nga trupi. Nxjerr pallton. Nxjerr këpucët. Nxjerr maskën.
8. I heq cipën e sipërme a mbulesën; e bëj të duket pa atë që e mbulonte sipër, e zbuloj, e tregoj të zhveshur (edhe fig.) I nxjerr bojën. I nxjerr kallajin. I nxjerr shtresën e sipërme. I nxjerr llërët (supet). I nxori fytyrën e vërtetë. I nxori (i qiti) të palarat.
9. Largoj prej diku; heq, dëboj. E nxorën nga puna. E nxori fishek. E nxori nga klasa. E nxorën në rrugë. E nxorën në pension (në lirim). E nxori vajzën (çupën) e martoi.
10. Marr me vete dhe e shpie diku. Nxjerr në lulishte (në park). Nxjerrin bagëtinë në kullotë. Nxjerr qenin përditë për shëtitje.
11. Shpie në një drejtim, çoj diku. Shtegu na nxori larg. - Ç’të nxori këtu? - Ku të nxjerr kjo rrugë (ky shteg)? - Ku do të na nxjerrësh me këto pyetje?
12. E bëj të duket, të shfaqet diku, të ndodhet diku; e bëj të dalë diku që ta shohin dhe ta gjykojnë të tjerët. Nxjerr në vitrinë (në ekspozitë). E nxorën në rrjetet sociale. E nxorën në gjyq. E nxori para klasës. Nuk ua nxirrnin nusen krushqve. E nxori në dritë (në shesh).
13. E përgatit, e botoj dhe e përhap diçka; vë në qarkullim. Nxjerr një libër (një revistë, një gazetë). Nxjerr pulla poste. Nxjerr një monedhë.
14. Hartoj dhe bëj të njohur; shpall. Nxjerr një ligj (një rregullore, një vendim, një dekret). Nxjerr një urdhër. Nxjerr një lajmërim. Nxjerr rregulla të reja.
15. Prodhoj, jap. Nxjerr qumësht. Nxjerr mjaltë. Nxjerr prodhim të mirë. Nxjerr punë të mirë nga duart.
16. Marr një lëndë ose një prodhim nga diçka; marr nga thellësitë e tokës një xeheror, një mineral. Nxjerr naftë (krom, qymyrguri). Nxjerr nga nëntoka. Nxjerr vaj nga ullinjtë. Nxjerr pishë në pyll.
17. fig. Përgatit duke i dhënë njohuritë e duhura. Nxjerr inxhinierë (teknikë, mjekë, mësues). I ka nxjerrë shkolla jonë.
18. fig. Jap nga gjiri im. Nxjerr njerëz të shquar. Ky fshat ka nxjerrë shumë patriotë. Shqiptarin nuk e ka nxjerrë lokja prej barkut, por huta prej çarkut. (fj. u.).
19. Caktoj prej një grupi dhe e vë të bëjë diçka; grumbulloj, mbledh njerëz për të bërë diçka. Nxjerr punëtorë. Nxjerr roje. Nxjerr vullnetarë. Nxjerr ushtarë. Nxjerr fuqi punëtorë.
20. Siguroj me punë; marr një të ardhur; fitoj; përfitoj diçka. Nxjerr bukën (jetesën, kafshatën e gojës). Nxjerr fitime (të ardhura). Nxjerr me mund (me djersën e ballit). Nxjerr dhjamin nga pleshti.
21. I siguroj dikujt diçka. I nxjerr leje. I nxjerr bursë. I nxorën përkrahje sociale.
22. Marr duke zgjedhur diçka të nevojshme ose kryesore prej diku. Nxjerr të dhëna. Nxjerr material.
23. Arrij në një përfundim pasi bëj llogaritjet; përcaktoj pas një shqyrtimi ose shoshitjeje. Nxjerr shumën. Nxjerr përfundimin. Nxjerr rrënjën katrore. Nxjerr largësinë. Nxjerr evidencën. Nxjerr shkaqet (arsyet).
24. fig. Përfitoj; mësoj nga përvoja. Nxjerr mësime. Nxjerr përfundime. Nxjerr mësim nga pësimi.
25. Parashtroj, paraqit. Nxjerr kërkesa. Nxjerr kundërshtime (justifikime). Nxjerr arsye (shkaqe).
26. I shkaktoj diçka të padëshirueshme; i krijoj rrethana të vështira. I nxjerr pengesa (telashe). I nxjerr bishta (yçkla). I nxjerr ngatërresa. Na nxori punë me qëndrimin e tij.
27. I krijoj kushtet dikujt që të paraqitet në një mënyrë të caktuar; e paraqit në një mënyrë të caktuar pas shqyrtimit e vlerësimit nga disa anë. Na nxori faqebardhë (fitimtare). E nxorën të pafajshëm. E nxorën të dalluar. I nxori të paaftë. E nxori të sëmurë mendor.
28. Plotësoj, kënaq një dëshirë, një ndjenjë; heq, largoj një ndjenjë, një gjendje shpirtërore, shfryj. Nxjerr dufin (inatin). Nxjerr mllefin e grumbulluar vite me radhë. Ia nxori frikën. I nxori gjumin e zgjoi. I nxori pijen e bëri esëll. Nxjerr mallin e vendlindjes çmallem me vendlindjen. Më nxjerr (më heq) mallin e dikujt a të diçkaje më kujton dikë a diçka të dashur, që nuk e kam parë prej shumë kohësh.
29. E bëj që të flasë; e bëj që të tregojë diçka të fshehtë; flas, tregoj. Nuk ia nxorën dot emrat e bashkëpunëtorëve. Ia nxori fjalën me zor (me çengel, me grep, me darë). Nuk e nxori sekretin e besuar. Ai nuk nxjerr gjë. Nuk nxori fjalë nga goja. Ç’ka barku e nxjerr bardhaku. (fj. u.).
30. E shpëtoj nga një gjendje e vështirë ose e keqe. E nxorën ndërmarrjen nga prapambetja. E nxori nga telashet. E nxori nga balta. E nxori nga varfëria.
31. E detyroj të ndërpresë një punë, një veprimtari etj., e bëj të paaftë, të pavlefshëm etj. (zakonisht në disa togje të qëndrueshme). E nxorën jashtë përdorimit. E nxorën jashtë loje. E kishte nxjerrë birërie nuk e quante më për bir a për bijë. Korbi korbit (sorra sorrës) s’ia nxjerr sytë. (fj. u.).
32. E vë në një vend të caktuar kundrejt të tjerëve, i jap një vend në marrëdhënie me dikë a me diçka tjetër. E nxori në krye (në ballë). E nxori në fund. E nxorën në plan të parë. E nxorën në rendin e ditës.
33. Vë për të shitur. E nxorën në shitje (në treg). E nxori në ankand.
34. Riprodhoj nga një gjë tjetër ose sipas diçkaje tjetër. Nxjerr një (disa, shumë) kopje. Nxjerr në fotografi fotografoj.
35. I vë përpara dikujt; e gostit, e qeras. U nxori raki (kafe, duhan, gliko, llokume). Ua nxori përpara. U nxori nga një cigare.
36. Kaloj një periudhë kohe, kapërcej, hedh; i bëj të mundur të kapërcejë një periudhë kohe. I nxorën bagëtitë nga dimri. E nxjerr lopën deri në vjeshtë. S’e nxjerr dot dimrin me këtë pallto. I sëmuri nuk e nxori dimrin vdiq. Me zor e nxjerr muajin.
37. bised. Krijoj, bëj; trilloj. I nxorën një këngë. I nxorën fjalë. Nxirrte thashetheme.
38. E përcjell në një mënyrë të caktuar. E nxori duarbosh (duarthatë). E nxori pa pjesë. E nxori me gisht në gojë.
39. Fitoj ose rifitoj me përpjekje, me mundim një gjë që më takon, por më është mohuar; ia dal të zotëroj sërish diçka timen. E nxori të drejtën e tij. Ia nxjerr lekët një investimi.
✱Sin.: çrras, tërheq, marr, qit, shpie, bie, lëshon, sekreton, sjell, zbarkoj, shkarkoj, shkalis, heq, shkul, lëshoj, jap, shtie, zhvesh, zhvarros, zbuloj, dëboj, përzë, çoj, tregoj, them, përgatis, botoj, përhap, caktoj, qarkulloj, shpërndaj, shmang, hartoj, shpall, prodhoj, shfrytëzoj, mësoj, grumbulloj, siguroj, fitoj, qëmtoj, gjej, zgjedh, përfundoj, vë, vërej, parashtroj, rrezatoj, shpërfaq, paraqit, shfrej, vendos, përftoj, veçoj, ndaj, përfitoj, shtroj, ziej, vështirësoj, plotësoj, kënaq, çliroj, largoj, zbërthej, shfryj, derdh, zbraz, shpëtoj, shkaktoj, riprodhoj, gostit, qeras, kapërcej, hedh, shtrapnjen, del, krijoj, hap, sajoj, stis, trilloj, thur, bëj, gultoj, martoj, thek, mpreh, emeton, vjell.
♦ Të fërkon *kokën e të nxjerr sytë (dikush) keq. Të kruan *kokën e të nxjerr trutë (dikush) keq. E nxjerr në *anë. E nxjerr (e vë) në *ankand (diçka) libr. S’di ku më nxjerr *barka. E nxori nga *bataku (dikë). E nxori (e bëri) *batall (dikë). E nxori nga *binarët (dikë). Nxjerr *bishta (dikush). E nxjerr për *brirësh (diçka). Ia nxjerr *bishtin (diçkaje). Ia nxori *bojën (dikujt) keq. E nxjerr (e qit) në *breg (dikë). Nxjerr *brirët (brirë) (dikush a diçka) keq. Ia nxori (ia qiti) *cifundin (diçkaje a dikujt). Ia nxjerr me *çengel (dikujt). Ia nxjerr (ia shkul) me *darë (dikujt). E nxjerr nga *dera (dikë). E nxori në *diell (dikë). Më nxori *djersët (diçka). I ndeu (i shtriu, i zgjati) *dorën (dikujt). Nxjerr nga *dora (nga duart) (diçka). S’e nxjerr nga dora (diçka). E nxjerr në *dritë (dikë a diçka). E nxjerr nga *dheu (diçka). E nxori në *faqe (diçka). Më nxori *fitilat (dikush). I nxjerr (i gjej) *fundin (diçkaje). E nxjerr në *fushë (diçka). Ia nxjerr me *grep (me grepa) (dikujt). E nxjerr nga *guri (diçka). I nxjerr (i tregon) *gjoksin (dikujt). Nxjerr *gjoksin (përpara) (dikush). Nuk nxjerr gjë në *vijë (dikush). I nxori *gjuhën (dikujt). E nxjerr nga *gjumi (dikë). Ia nxori nga *hundët (nga hunda, për hundësh) (dikujt). (Sikur) e ka nxjerrë nga *hunda (për hundësh) (dikë). Ia nxori *inatin (dikujt). I nxori *jargët (dikujt) E nxori në *jetë (dikë). Ia nxori *kallajin (dikujt) keq. Nxjerr kokë (*krye) (dikush a diçka). E nxori (e qiti) *kokën (kryet) (dikush). Ia nxori *kokërdhokët (dikujt). Nxjerr krye (*kokë) (dikush a diçka). E nxori (e qiti) kryet (*kokën) (dikush). E nxjerr në *krye (diçka). Nuk e nxjerr në *krye (dikush). Nxjerr *kunjin. E nxjerr në *kut (diçka). E nxjerr në *lëndinë (diçka). E nxjerr jashtë *loje (dikë). I nxjerr (i mbledh) me *lopatë (dikush). E nxori (e ngriti) nga *lluca (dikë). E nxjerr në *majë (diçka). Më nxjerr (më heq) *mallin (e dikujt a të diçkaje). E nxjerr *mbanë (diçka). Më nxori (më qiti) *mendtë (dikush). E nxjerr nga *mendja (dikë a diçka). Nxora *merakun (për dikë a për diçka). E nxjerr në *pah (dikë a diçka). E nxjerr në *pazar (në treg) (dikë a diçka) keq. E nxora për *qafe (diçka). I nxori *qumështin e nënës2 (dikujt). E nxjerr në *reliev (diçka) libr. I nxjerr (i zbuloj) *rrënjët (diçkaje). E nxori në *rrugë (dikë). Nxjerr *rrurëza (dikush) keq. Nxjerr në *skenë (dikë a diçka) libr. Është për t’i nxjerrë (për t’i qitur, për t’i kërryer) *sytë (dikush). Nxjerr *sy (syrin) (diçka). I nxjerrin (i qitin) sytë *gaca (dikujt).Ta nxjerr nga *syri (nga sytë, prej syrit) (dikush). Nxora *sytë. I nxori *sytë (dikujt). *Sytë të nxjerrësh! (Le) të nxjerrë *sytë (dikush). Është për t’i nxjerrë (për t’i qitur) *sytë (dikush). E nxjerr në *shesh (diçka). I nxori *shkumë (nga goja) (dikujt). E nxjerr nga shpirti (nga *zemra) (dikë a diçka). Ma nxori (ma pruri) në *shteg (fjalën) (dikush). E nxori në *shteg (dikë). I nxori *tabanin (diçkaje). Më nxori *tëmthat (dikush). E nxjerr në *treg (në pazar) (dikë a diçka). Më nxori *trutë (e kokës) (dikush). Më nxori *thinjat (dikush a diçka). I nxjerr *ujët (dikujt a diçkaje). E nxjerr në *va (dikë). I nxori *vaj (dikujt). Nxjerr *të vdekurin nga varri (dikush). E nxjerr nga *varri (diçka). Nxjerr *veshët (dikush a diçka) keq. Nxjerr (vjell, hedh) *vrer (kundër dikujt). Nxjerr *yçkla (dikush) keq. E nxjerr nga *zemra (nga shpirti) (dikë a diçka). E nxjerr *zinë. Nxjerr (çel) *zogj (dikush) iron. Më nxori (më shkuli) *zorrët (dikush a diçka) keq.
TELEOBJEKTÍV,~I m. sh. ~A, ~AT tek. Pjesë e një aparati optik, e përbërë nga një ose më shumë thjerrëza, që shërben për të parë ose për të fotografuar në mënyrë të zmadhuar e me imtësi sendet që ndodhen larg; objektiv fotografik që shërben për të fotografuar objekte të largëta. Teleobjektivi i aparatit fotografik. Pamje e marrë me teleobjektiv. Shikoj (fotografoj) trupa qiellorë me teleobjektiv.
VETËFOTOGRAF/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR vetv. I bëj fotografi vetes sime, fotografoj veten. Vetëfotografohem në mjediset e natyrës. U vetëfotografua.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë