Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FOSFÓR,~I m., kim. Element kimik, shumë veprues e helmues, që paraqitet kryesisht në trajtë të bardhë dhe të kuqe, që ndrit në errësirë (gjatë veprimit me oksigjenin), që gjendet në disa minerale e në kocka, komponimet e të cilit janë të domosdoshme për jetën e përdoren në industri për lëndë larëse, pesticide, agjentë nervorë, për të bërë shkrepëse etj. (simboli P). Fosfori i bardhë. Fosfori i shkrepëseve. Djegia e fosforit. Orë me fosfor.
FOSFORÍK,~E mb., kim. Që ka të bëjë me fosforin (veçanërisht me valencën më të lartë), që i përket fosforit, i fosforit; që përmban fosfor, që përbëhet prej fosfori. Acid fosforik. Anhidrid fosforik.
FOSFORÍT,~I m. kryes. sh. ~E, ~ET min. Mineral i fosforit, që shërben si lëndë e parë për prodhimin e superfosfatit e të acidit fosforik. Shtresë fosforitesh. Fabrika e pasurimit të fosforiteve.
NUKLEÍK,~E mb. Acidet nukleike acidet e fosforit, përbërësit themelorë të qelizës, që transmetojnë karakteristika trashëgimore.
PLEH,~U m. sh. ~RA, ~RAT 1. Bajga e kakërdhi kafshësh shtëpiake a glasa shpendësh, të mbledhura në një vend ose gjethe e barishte të tjera të kalbëzuara, që hidhen në tokat e punuara për t’i ushqyer. Pleh deleje (dhie, lope). Pleh pulash (derrash). Gropa e plehut. Grumbull (pirg) plehu. Pleh humusor. Pleh stalle. Pleh organik (natyror) pleh kafshësh a shpendësh. Shtresë plehu. U hodhi pleh. Hedhin plehun në arë. Pleh gjethesh. Pleh i gjelbër pleh bimësh të gjelbra që, duke u përmbysur në arë, kalben në tokë. Pleh i lëngshëm (i lëngëzuar) ujët e hollë të kafshëve dhe lëngu i plehut të stallës. Pleh shpendësh glasat e shpendëve. Pleh pylli gjethe e mbeturina të kalbura drush. Dy kokoshë mbi një kapicë plehu nuk qëndrojnë. (fj. u.).
2. Lëndë kimike e tretshme, që prodhohet nga përpunimi i mineraleve të ndryshme dhe përdoret për të rritur pjellorinë e tokës. Pleh kimik (mineral) pleh artificial që përmban zakonisht kripëra të azotit, të fosforit e të potasit.
3. kryes. sh. Të fshirat, lëmishtet, bëzhdilat; mbeturina të ndryshme që flaken jashtë, hedhurina. Kosh (kazan) plehrash. Fshij (flak) plehrat.
4. Vend a mjedis i fëlliqur; ndyrësi. Ka jetuar në pleh.
5. fig. Njeri i keq e i urryer për shoqërinë, fundërrinë e shoqërisë, ndyrësirë. Kërpudhë plehu njeri i keq, fundërrinë e shoqërisë. Iku ai pleh. Ç’e do atë pleh!
6. fig. Diçka e keqe, pa vlerë, e padobishme. I kam dëgjuar dhe herë këto plehrat e tua!
7. përd. mb. I vrarë, i dërrmuar. I kam shpatullat pleh. Iu bë këmba pleh.
8. përd. mb. Shumë i lodhur. U bënë pleh nga rruga.
9. si ndajf. Shumë (me disa mbiemra). Pleh i zi (i zi pleh). Pleh i rëndë (i rëndë pleh).
✱Sin.: handrak, lagush, të fshira, të mbetura, mbeturina, lëmishte, bëzhdila, bërllok, hedhurina, llosh, bazhgare, papastërti, zhumile, gërdham, shushulla, qymsyre, ndyrësi, bajga, kakërdhi, kalbësira, brashnja, fëlliqësirë, fëlliqësi, kalmuq, batakçi, fundërrinë, rrëmbythje, prozh, i vrarë, i dërrmuar, i lodhur, i rraskapitur.
♦ Jam bërë pleh jam lodhur shumë, u këputa nga punët, jam rraskapitur; më dhemb gjithë trupi nga lodhja. Ishte bërë pleh i zi (dikush) ishte shumë i dëshpëruar e i vrarë; ishte i dërrmuar shpirtërisht (nga një fatkeqësi etj.); e ka zemrën plagë; e ka zemrën pleh. E bëri pleh (dikë) e rrahu fort, e dërrmoi, e nxiu duke e rrahur. *Flori në pleh (në baltë). *Gjel (këndes, kaposh) majë plehut (në plehë). E hodhi në *kosh (në koshin e plehrave) mospërf. Hedh pleh në shkëmb (dikush) merret me një punë të kotë, humb kohën kot duke bërë diçka që s’jep fryte; mundohet kot për diçka a flet kot e nuk e dëgjon njeri; e hedh farën në shkëmb; prashit (mih) në ujë; e hedh farën në ujë. E kam zemrën (shpirtin) pleh jam shumë i dëshpëruar e i vrarë; jam i dërrmuar shpirtërisht; e kam zemrën plagë. *Kosh plehrash keq.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë