Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DAGÓN,~I m. sh. ~A, ~AT 1. zool. (lat. Falco tinnunculus) Fajkua, skifter. E kapi dagoni pulën.
2. fig. Njeri i gjallë e i shkathët; trim, guximtar, që rri gati për të rrëmbyer diçka, energjik, veprues, bistër, xhibër, shpuzë, gjuhëbrisk. U sul si dagon.
✱Sin.: fajkua, skifter, kaçubet, petrit, i gjallë, i shkathët, i hedhur, trim, guximtar, i vrullshëm, energjik, dinamik, veprues, i padruajtur, i shpejtë, prush, zjarr, bistër, zhivë, xhibër, shpuzë, gjuhëbrisk, flugtar, azgan.
HÉDHUR (i, e) mb. 1. Që është hedhur ose flakur poshtë si i pavlefshëm a i panevojshëm, që nuk hyn më në punë, i flakur. Sende (gjëra) të hedhura hedhurina.
2. Që është sjellë diku nga një vend tjetër, që nuk është i atij trualli. Dhe i hedhur. Gurë të hedhur.
3. fig. I gjatë e i zhvilluar (kryesisht për trupin e njeriut); i lartë, i ngritur. Me trup (me shtat) të hedhur. Mal i hedhur. Kodër e hedhur.
4. fig. Që ka dalë përpara a është ngritur përpjetë, i kërcyer. Me gjoks të hedhur. Me mollëza të hedhura.
5. fig. Që është i shkathët, i zhdërvjellët dhe i gjallë; që vepron vetë, që është guximtar dhe i futur në jetë. Njeri i hedhur. Djalë (fëmijë) i hedhur. Vajzë e hedhur. Është i hedhur.
✱Sin.: i flakur, i shtënë, i vërvitur, i përhedhur, i kërcyer, i ngritur, shtathedhur, shtatgjatë, i zhvilluar, i shkathët, i gjallë, flugtar, azgan, i çallëstisur, i lëvizshëm.
♦ *Brashnjë e hedhur shar. krahin.
PAPËRTÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që është gjithnjë i gatshëm për të kryer çdo punë, që e bën gjithçka me zell e pa përtim; i palodhur; i pakursyer; kund. i përtueshëm. Njeri i papërtueshëm.
✱Sin.: i papërtuar, i pakursyer, i palodhur, i palodhshëm, i gatshëm, i shkathët, i shpejtë, flugtar, flutur, fluturak, fluturashkë, shpuzë, shpuzak.
SHPÉJTË (i, e) mb. 1. Që lëviz, ecën, shkon, vrapon a rrjedh me shpejtësi; që ka shpejtësi të madhe; kund. i ngadalshëm. Tren i shpejtë. Kalë i shpejtë. Anije e shpejtë. Me hapa të shpejtë. Ecje e shpejtë. Rrjedhje e shpejtë. Lojë e shpejtë. Rrotullim i shpejtë. Me ritme të shpejta. I shpejtë si shigjeta.
2. Që është i aftë t'i kryejë shpejt punët e tij, që punon shpejt, i shkathët, i gjallë; kund. i ngadalshëm. Shitës i shpejtë. I shpejtë në punë.
3. Që bëhet brenda një kohe a brenda një afati të shkurtër, që bëhet në pak kohë a pa kaluar shumë kohë; i menjëhershëm; kund. i ngadalshëm. Ngrohje (ftohje) e shpejtë. Përgatitje e shpejtë. Zhvillim i shpejtë. Vdekje e shpejtë. Përgjigje e shpejtë. Helm (bar) me veprim të shpejtë. I hodhi një vështrim të shpejtë.
4. I afërt (në kohë); që dëshirojmë të ndodhë sa më parë, në një kohë sa më të afërt. Me shërim të shpejtë! (ur.) E ka fundin të shpejtë.
5. I shpejtuar, që bëhet shkel e shko. Punë e shpejtë.
6. krahin. I hershëm; i vjetër; i lashtë. Të lashta të shpejta. Fik i shpejtë
✱Sin.: i shkathët, i gjallë, i rendur, i papërtueshëm, i papërtuar, i virgjilltë, i shpitë, i lehtë, i zhdërvjellët, hapshpejtë, lepur, bletë, dre, flutur, flugtar, fluturak, fluturashkë, gjeraqinë, hapshpejtë, hapdrenushë, këmbëlehtë, këmbëshpejtë, këmbësutë, çapshpejtë, rrufe, shigjetë, vetëtimë; i menjëhershëm, i rrufeshëm.
♦E ka të shpejtë. 1. (dikush). Do të vdesë pas pak kohe, nuk do ta shpjerë gjatë, do të mbarojë shpejt; po jep (po heq) shpirt; i ka ditët të numëruara; i ka ditët të shkurtra. 2. (diçka). Nuk do të shkojë gjatë, nuk do të vonojë, do të marrë fund brenda një kohe të shkurtër; i ka ditët të numëruara.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë