Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ANEMÓN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT bot. 1. (lat. Anemone coronaria) Trëndafili i detit.
2. Pjesë e parë e emërtime të pathjeshta për disa lloje anemonash: Anemona e pyllit (lat. Anemone nemorosa) fillikatja e bardhë, lulja kunde, lulja nuse. Anemona e detit (lat. Actinia maritima) fillikatja e detit, fillikatja e bardhë.
✱Sin.: fillikate, rekuthe, luleshterpë, yllëz.
TRËNDAFÍL,~I m. sh. ~A, ~AT (lat. Rosa) 1. bot. Shkurre zbukuruese me kërcell të gjatë me gjemba, me lule të mëdha fletë-fletë, të bukura, të mbledhura, me erë të këndshme e në ngjyrë të kuqe, të bardhë, të verdhë etj.; lulja e kësaj shkurreje. Trëndafil i kuq (i bardhë, i verdhë). Trëndafil me erë. Gonxhe trëndafili. Tufë trëndafilash. Varietete trëndafilash. Erë trëndafili. Shurup trëndafilash. Vaj trëndafili. Kopsht (oborr) me trëndafila. Trëndafil i çelur. Trëndafil i vyshkur. Petale të trëndafilit. Aromë (parfum) trëndafili. Trëndafila të mbjellë (të kultivuar). Trëndafila të egër. S´ka trëndafil pa gjemba. (fj. u.) s´ka kënaqësi pa mundim, s´ka gëzim pa pak trishtim.
2. si mb. Që ka ngjyrë të çelur ndërmjet së kuqes e së bardhës. U bë trëndafil në fytyrë.
3. fig., përk., poet. Djalë a vajzë që ka bukuri e njomësi, lule.
4. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta të llojeve të trëndafilave: Trëndafili i egër (lat. Rosa canina) lloj trëndafili që rritet në lëndina dhe në pyje, me lule të vogla rozë ose të bardha, me fruta të kuqe që përdoret në mjekësi për çaj, për shurup etj. Trëndafili francez (lat. Rosa gallica) lloj i njohur trëndafili me origjinë nga Evropa Qendrore dhe Jugore, me lule të mëdha, shpesh të kuqe ose rozë të errët, me aromë të fortë dhe të këndshme, që përdoret historikisht për prodhimin e parfumit, vajrave esencialë, shurupeve dhe si bimë dekorative në kopsht. Trëndafili i Damaskut (lat. Rosa damascena) lloj trëndafili aromatik me lule të mëdha e me petale të dendura, me aromë të fortë, që përdoret gjerësisht për vajin esencial të trëndafilit, për prodhimin e parfumit, në kozmetikë, si dhe për çaj dhe shurup. Trëndafili i detit (lat. Anemone coronaria) fillikate.
♦ E spërkat me *ujë trëndafili (dikë a diçka).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë