Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DASH,~I m. sh. DÉSH, DÉSHTË 1. Mashkulli i deles. Dash i bardhë (i zi). Dash i egër dash me brirë të përkulur që rron zakonisht në pllajat e maleve të larta. Dash shyt. Dash i tredhur (tredhak). Dash vargër. Dash race. Dashi i këmborës dashi që i prin tufës së dhenve. Mish dashi. Kokë dashi. Brirët e dashit. Mori dash delja u ndërzye. Zihen si deshtë. Dash deti (zool) pelikan. Avash, avash bëhet shelegu dash. (fj. u.). Dashit të rritur nuk i dridhet briri. (fj. u.). Çdo dash (berr) varet nga këmbët e veta. (fj. u.). Shyqyr që u ther dashi, të hamë nga një copë mish. (fj. u.). Dashit të mirë i vihet këmbora. (fj. u.). Çupën e bukur e mbajnë në gojë, dashit të mirë i vënë këmborë. (fj. u.).
2. kryes. sh. Pjesët e dala prej guri në të dy anët e vatrës. Deshtë e oxhakut. Deshtë e zjarrit.
3. hist., usht. Tra i madh me majë prej metali, që përdorej si mjet për të shpuar muret e kështjellave a për të shpërthyer portat e tyre. E goditnin portën me dash. I shembën muret me dash.
4. astrol. (lat. Aries) Një nga dymbëdhjetë yjësitë e zodiakut; shenjë e horoskopit.
5. fig. Njeri i shëndoshë, i bukur dhe i hijshëm (sidomos për fëmijët). - Dashi i nënës!
♦ U bë shelegu dash arriti në kohën e vet çdo gjë ose çdo njeri, u plotësua a u krye; kaloi koha që duhej për diçka. E bën shelegun dash (dikush) shih e bën mizën (pleshtin) buall (dikush). Dash me flokë burrë i shquar, burri më i mirë në një fshat, në një rreth familjar etj.; dash me këmborë. Dash me këmborë. 1. Njeri i zoti e i shquar, i pari ndër të tjerët; dash me flokë. 2. Kryetari i familjes a i fisit; udhëheqës, prijës. Si dashi me këmborë me siguri e me krenari; duke qëndruar në ballë; pa iu trembur syri (dikujt). Dashi i kurbanit (dash kurbani) ai, të cilit i ngarkohet faji i të tjerëve, ai që vuan për fajin e tjetërkujt dhe që ndëshkohet për të fashitur një gjendje të acaruar. Si dashi me rrurëzën shumë mirë, në pajtim të plotë njëri me tjetrin. S’është dash për atë këmborë (dikush) mospërf. shih s’është cjap për atë zile (dikush). Kërkon *brirët e dashit (dikush). Kërkon *shtjerrat e deshve (dikush). Kujto *mikun e bëj gati dashin. Tredh dashin (dikush) është shumë i fortë, kryen dhe përballon çdo punë, sado e vështirë qoftë; ka shpatulla arushe; e kafshon frerin me dhëmbë; ia shkul gjuhën ujkut.
FASHÍTUR (i, e) mb. 1. Që ka pushuar dalëngadalë së vepruari; që as dëgjohet, as shihet më; që nuk është më në lëvizje a nuk vepron më, që ka rënë në qetësi; që është shuar dalëngadalë. Vëzhgonin vullkanin e fashitur.
2. Që është shuar ca nga ca, që nuk ndihet më (për një dhembje, një ndjenjë etj.). Ndjenjë e fashitur për të kaluarën.
✱Sin.: i fikatur, i fikur, i shuar, i qetësuar, i paqësuar, i zbutur.
FÍKUR (i, e) mb. 1. I shuar (për diçka që ka qenë e ndezur); kund. i ndezur. Zjarr i fikur. Makina lëvizte me drita të fikura.
2. Që nuk punon më, i shuar; kund. i ndezur. Motor i fikur.
3. fig. Shumë i lodhur, i këputur; gati si i vdekur; i mekur. Iu shfaq me sy të fikur.
4. fig. Shumë i varfër, i këputur. Ishte më i fikuri i fshatit.
✱Sin.: i shuar, i këputur, i mekur, i varfër, i fashitur.
PAFASHÍTUR (i, e) mb. Që nuk është fashitur ende (për një dhembje, një ndjenjë etj.); kund. i fashitur. Dhembje e pafashitur. Ndjenjë (dashuri) e pafashitur.
PLÁG/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Vend në trup i çarë, i prerë a i shpuar me plumb, me thikë ose me ndonjë send tjetër; vend i vrarë nga një goditje e fortë; vend i operuar që nuk është mbyllur ende; vend i infektuar a i qelbëzuar. Plagë e rëndë (e lehtë). Plagë e hapur (e gjallë) plagë që nuk është mbyllur. Plagë e mbyllur (e përtharë). Plagë plumbi. Shenjë plage. Lidh (mjekoj) plagën. U shërua (u mbyll, vuri kore) plaga. I rrjedh plaga. Iu acarua plaga. I dhemb plaga. Plaga shërohet, po fjala e hidhur s’harrohet. (fj. u.). Plaga e ligë (veter.) plasja e gjësë së gjallë. Tërfil plagësh (bot.) luleleshe. Më zi plaga e gjuhës se plaga e pushkës. (fj. u.).
2. E prerë a e çarë në trungun e një bime; vendi i dëmtuar në një bimë, që shkaktohet nga goditja me diçka të fortë. Plagët e trungut (e rrënjës). Iu mbyll plaga qershisë. Nga plaga e breut derdhet rrëshira erëmirë. (fj. u.).
3. fig. Dhembje e madhe shpirtërore, brengë; diçka që të lëndon zemrën, të pikëllon a të shkakton vuajtje; vuajtje e thellë. Plagë e vjetër. Ia hapi (ia lëndoi, ia ngacmoi, ia trazoi, ia cingërisi) plagën dikujt. Më ka mbetur plagë. Ia la plagë në zemër. E preku në plagë. Dhembjet bëhen plagë e plagët zënë kore. (fj. u.).
4. fig. Diçka e keqe, nga e cila vuan tërë shoqëria, e keqe shoqërore që zgjat e mezi zhduket. Plagë shoqërore. Plagë shekullore (e pashërueshme). Plaga e emigrimit.
5. si mb. I plagosur, me plagë; si plagë. E ka kurrizin plagë. I kishte këmbët plagë. Ia bëri trupin plagë.
✱Sin.: varrë, plagomë, lavomë, e vrarë, zdrëmë, brengë, vragë, çarje, prerje, e prerë, e çarë, shembje, e shpuar, vurratë, dëmtim, traumë, dhembje, pikëllim, vuajtje, fatkeqësi.
♦ M’u bë plagë (plaçkë) në sy (dikush a diçka) nuk mund ta shikoj dot, nuk e duroj dot; e kam halë në sy. M’u bë plagë (lungë) në zemër (në shpirt) u brengosa shumë; u preka thellë; m’u bë zemra (shpirti) plagë. M’u bë zemra plagë vuaj shumë, jam vrarë shpirtërisht nga një humbje, nga një fatkeqësi etj.; më vjen shumë keq; m’u bë zemra (shpirti) copë; m’u bë plagë (lungë) (në zemër); e kam zemrën plagë; m’u bë zemra shpellë. Ma bëri zemrën plagë (dikush a diçka) shih ma plagosi zemrën (dikush a diçka). I gërvishti (i ngacmoi) plagën (dikujt) i kujtoi dikujt një fatkeqësi a një ngjarje të hidhur, që ai e kishte fashitur; e ngacmoi aty ku i dhemb e s’duron, e preku në diçka që e shqetëson; e preku në plagë (dikë); ia lëndoi plagën; i ngacmoi dregëzën. I hap plagën (dikujt) e lëndoj duke i kujtuar diçka të hidhur, që e ka vuajtur më parë dhe që është fashitur disi; i çel jaki të keqe; kund. i mbyll plagën. Është *melhem për plagë (dikush). E kam plagë (në zemër) (diçka) më ka shqetësuar shumë, më ka hidhëruar shumë dhe e kujtoj gjithnjë, më ka lënë një mbresë të thellë e nuk e harroj kurrë (një humbje, një fatkeqësi etj.); m’u bë zemra plagë (nga diçka); e kam dregëz në zemër; e kam peng (në zemër); e kam thikë në zemër; e kam gozhdë në zemër; e kam pikë në zemër; nuk më hiqet (nuk më shqitet) nga mendja. E kam zemrën plagë kam pësuar një tronditje të thellë shpirtërore nga diçka që më bën të vuaj, jam shumë i brengosur e i pikëlluar; m’u bë zemra plagë; e kam zemrën (shpirtin) të vrarë; e kam zemrën pleh. Ia lehtësoi plagën (dikujt) ia zbuti dhembjen shpirtërore, ia lehtësoi vuajtjet; e qetësoi, e ngushëlloi. Ia la plagë në zemër (në shpirt) (dikujt) e bëri dikë të ketë një dhembje shpirtërore a brengë të madhe, e bëri të vuajë thellë e për një kohë të gjatë. Ia lëndoi plagën (plagët) (dikujt) ia shtoi brengën a dhembjen shpirtërore, duke i kujtuar fatkeqësinë që i ka rënë, e preku dikë atje ku i dhemb; i gërvishti (i ngacmoi) plagën. Lëpijnë plagët (çibanët) (e njëri-tjetrit) keq. mbulojnë të metat a fajet e njëri-tjetrit, mbrojnë a qetësojnë njëri-tjetrin. Mori një plagë (të rëndë) (dikush) pësoi një fatkeqësi të rëndë dhe ka një brengë të madhe a një vuajtje shpirtërore të thellë, u plagos rëndë shpirtërisht nga një ngjarje e hidhur. Më mbeti plagë në zemër (në shpirt) (diçka) më la mbresë të thellë në shpirt, më pikëlloi a më bëri të vuaj, jam i plagosur rëndë shpirtërisht; e kam brengë (në zemër). I mbyll plagën (dikujt) e qetësoj, duke ia zbutur pasojat e këqija ose të rënda, ia përmirësoj gjendjen; e bëj të harrojë një fatkeqësi; ia fashit një dhembje shpirtërore; i shëroj plagën; kund. i hap plagën. M’u mbyll plaga u qetësova, m’u zbut a m’u fashit dhembja e madhe shpirtërore a brenga që kisha, i harrova vuajtjet a fatkeqësitë; m’u përtha plaga. M’u përtha plaga m’u zbut një dhembje shpirtërore; m’u fashit një kujtim i hidhur; m’u mbyll plaga. Plagë e hapur dhembje shpirtërore a fatkeqësi që nuk ka kaluar e nuk është mbyllur, vuajtje e thellë a brengë që nuk është fashitur; kund. plagë e mbyllur. Plagë e mbyllur dhembje shpirtërore a fatkeqësi që ka kaluar dhe është mbyllur, vuajtje e thellë a brengë që është fashitur; kund. plagë e hapur. Si plaga qelbin me vështirësi të mëdha, me shumë lodhje e mundime (zakonisht për të mbledhur para e ushqime). Preku në plagë (dikush) përmendi atë që është më e rëndësishme, më thelbësore a më e dhimbshme për dikë, preku aty ku duhet; preku pikën më delikate të një çështjeje, zbuloi gjënë më shqetësuese; gjeti pikërisht atë që e mundon dikë; vuri gishtin në plagë. E preku në plagë (dikë) i përmendi a i kujtoi atë dobësi ose atë fatkeqësi të rëndë, që i ka shkaktuar një dhembje të madhe shpirtërore a një brengë, e preku atje ku s’duron dot; i gërvishti (i ngacmoi) plagën (dikujt); e preku në dregëz; i shkeli në kallo (dikujt); e goditi në zemër; i ra nenit të këmbës (dikujt). I shëroj plagën (dikujt) ia heq një dhembje shpirtërore e ia largoj një brengë që e mundon; i mbyll plagën. Vuri *gishtin në plagë (dikush). Ka zënë *dregëz (plaga). Ka zënë *kore (plaga).
SHAFÍT (SHAFÍS) vep., ~A, ~UR kal. 1. Shuaj apo fik diçka dalëngadalë. Shafit zjarrin. Shafit ushtimën. Bryma i shafiti bimët.
2. Bëj të pushojë një lëvizje pak nga pak. Deti u shafit. Vullkani u shafit dalëngadalë.
3. Shtyp apo ushtroj presion mbi diçka, bëj rrafsh me tokën; shtrij, ul, rras. Shafit dheun. E shafiti dyshemenë.
4. fig. Qetësoj, zbut. E shafiti me qetësi. Kishte fashitur shumë ngatërresa.
5. fig. Rrënoj shpirtërisht apo ekonomikisht dikë. Malli e kishte shafitur krejt. E shafiti bixhozi.
✱Sin.: shuaj, fik, ndal, shtyp, ul, shtrij, ul, rras, qetësoj, zbut, rrënoj.
SHAFÍTUR (i, e) mb. 1. Që është rrëzuar a që ka rënë menjëherë përtokë; i fashitur. Mur i shafitur. Ra si i shafitur. U gjet i shafitur në tokë.
2. Që është fikur a është pushuar dalëngadalë; i shuar. Dritë e shafitur. Thëngjij të shafitur.
3. Që është qetësuar a çënjtur; i fashitur. E çarë e shafitur. E prera qe krejt e shafitur. Plagë e shafitur shpejt.
4. Që është shtypur a rrafshuar me tokën; i shtrirë, i ulur, i rrasur. Plaçka të shafitura. Thes i shafitur.
5. fig. Që është rrëzuar keq moralisht, i lëshuar menjëherë. Qe bërë si i shafitur, sikur kishte rënë në humnerë. Zemër e shafitur.
6. fig. Që është qetësuar a zbutur; i paqësuar. Malli i shafitur. Ekonomi e shafitur.
✱Sin.: i rrëzuar, i fashitur, i fikur, i shuar, i çënjtur, i shtrirë, i ulur, i rrasur, i lëshuar, i paqësuar.
SHÚAR (i, e) mb. 1. Që nuk digjet më; i fikur; kund. i ndezur. Urë të shuara. Thëngjij të shuar. Cigare e shuar. Zjarr i shuar.
2. Që është i pandezur, që nuk ndriçon më; i fikur; kund. i ndezur. Yje të shuara. Me drita të shuara.
3. Që nuk punon më, që i është shkëputur energjia elektrike; i fikur; kund. i ndezur. Kompjuter i shuar. Me celular të shuar.
4. Që nuk është më aktiv, që ka pushuar së nxjerri lavë e hi (për vullkanet). Lavë e shuar. Vullkan i shuar.
5. Që është i dobësuar sa mezi dëgjohet; i mekur, i dobët. Me zë të shuar. Gjëmim i shuar. Rënkime të shuara.
6. Që ka humbur shkëlqimin, që nuk ndrin, që duket si pa jetë. Me sy të shuar. Ngjyra si të shuara.
7. fig. Që është zhdukur, që nuk është më. Heronj të shuar. Qytetërimet e shuara.
8. Që është fshirë a është prishur me një vizë mbi të. Ka ca fjalë (pjesë) të shuara. Dorëshkrimi kishte shumë rreshta të shuar.
9. fig., bised. Që i kanë vdekur të gjithë njerëzit, që ka mbetur fare pa njeri, i shkretë, qyqar; që ka mbetur pa fëmijë. Fis i shuar. Familje (shtëpi, vatër) e shuar. Oxhak i shuar.
10. Fatzi, i mjerë, i gjorë, i ngratë, qyqar. I shuari djalë. E shuara vajzë.
11. euf. I vdekur. Më mirë i shuar se i turpëruar. (fj. u.). Më mirë i shuar se gjallë e i harruar. (fj. u.).
12. Që i është hedhur ujë për ta tretur, për ta zbutur etj., i tretur në ujë. Supë e shuar me verë. Raki e shuar. Gëlqere e shuar.
♦ Me *sy të shuar. Me *zë të shuar (të mekur).
✱Sin.: i fikur, i mbyllur, i fashitur, i platitur, i mekur, i nemitur, i dobësuar, i venitur, i rraskapitur, i shkretuar, i rrënuar, i shlyer, i prishur, i pajetë.
ZBÚTUR (i, e) mb. 1. Që është bërë i butë në të prekur; që i është hequr ashpërsia; që është bërë si brumë, zakonisht duke u njomur me ujë, i zbrujtur (për një gjë të fortë a të thatë); që është bërë i butë duke u nxehur në zjarr (për metalet etj.); kund. i ashpër. Lëkurë e zbutur. Tokë e zbutur. Bukë e zbutur. Zift (dyllë) i zbutur. Sustë e zbutur. Dardhat e zbutura vijnë pak si të nxira, po nuk janë të kalbura.
2. Që është bërë më i këndshëm e më i pëlqyeshëm për veshin a për syrin; që është bërë i shtruar e i ëmbël, që s'ka më vrazhdësi; kund. i ashpër. Dritë e zbutur. Ngjyra të zbutura. Nota të zbutura. Me zë të zbutur.
3. Që është zbutur (për kafshët e egra); që është përmirësuar me anë të shartimit (për bimët); kund. i egër. Kafshë e zbutur. Tigër (majmun) i zbutur. Një lloj i zbutur i ujkut. Bualli i zbutur i ujit. Një anëtar i zbutur i familjes së kuajve. Pemë e zbutur.
4. fig. Që është bërë i urtë, i shtruar e i bindur (për njerëzit); që është qetësuar; që është bërë dashamirës; kund. i egër. Qëndrim i zbutur. Vështrim i zbutur. Ishte pak më i zbutur. Doli më i zbutur nga mbledhja. Dukesh më i zbutur së më parë.
5. Që i është ulur pjerrësia; që është bërë më i sheshtë (për kodrat, tokat etj.). Kodra të zbutura. E tatëpjetë e zbutur. Djerre të zbutura.
6. fig. Që i ka rënë vrulli e forca e mëparshme, që nuk është më i egërsuar. Det i zbutur. Mot i zbutur.
7. Që i është ulur grada e fortësia, që është bërë më i butë (për pijet alkoolike); që i është hequr një pjesë e kripërave minerale (për ujin); kund. i fortë. Raki (uzo) e zbutur. Ujë i zbutur.
✱Sin.: i butë, i butësuar, i zbrujtur, i brumëzuar, i brydhët, i njomur, i qullur, i lagur, i lagshtë, i mbrydhët, i dyllëçitur, i ndulkët, i squllët, i urtësuar, i fashitur, i tutëluar, i fishkur.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë