Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
SHAFÍTJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur dikush a diçka rrëzohet menjëherë përtokë, fashitje. Shafitja e murit të kalasë. Shafitja e shtëpisë nga tërmeti. Ai pësoi një shafitje të lehtë.
2. Shuarje a fikje e diçkaje dalëngadalë. Shafitja e zjarrit. U mor me shafitjen e flakës.
3. Veprimi kur fundoset menjëherë diçka duke bërë gropë. Shafitja e tokës. Nga shirat e tepërt ndodhi edhe një shafitje e dheut.
4. Veprimi kur shtypet a rrafshohet diçka me tokën; shtrirje, ulje, rrasje. Shafitja e duhanit.
5. Qetësim a fashitje e një plage a diçkaje tjetër; çënjtje, zbutje. Shafitja e së ënjturës. Do të priste ca për shafitjen e plagës. Shafitje e ngadaltë.
6. fig. Gjendja kur është rrëzuar keq moralisht dikush, është lëshuar menjëherë. Shafitje nga hallet. Shafitje nga dhimbja. Shafitja e menjëhershme e lodhi edhe fizikisht.
7. fig. Gjendja kur qetësohet a zbutet diçka, paqësim. Shafitja shpirtërore. Shafitje e debatit.
✱Sin.: fashitje, rrëzim, shuarje, shtypje, shtrirje, ulje, rrasje, qetësim, çënjtje, zbutje, paqësim.
SHÚARJ/E,~A f. vet. nj. 1. Veprimi kur diçka pushon së djeguri a së ndriçuari; fikje. Shuarja e zjarrit nuk ndodhi menjëherë. Shuarja e llambës (dritave).
2. Ndërprerje e punës së motorit; ndalje. Shuarja e motorit i ndodhi papritmas.
3. fig. Veprimi kur sheshojmë diçka dalëngadalë (një kontradiktë, grindje); fashitje, platitje. Shuarja e grindjeve.
4. edhe fig. Veprimi kur është shfarosur a zhdukur diçka; asgjësim. Shuarja e shtetit.
5. fig. Mekje e zërit; fikje. Shuarja e zërit. Shuarja e muzikës.
6. Fshirje a prishje e diçkaje që është e shkruar, çregjistrim. Shuarja e fjalëve.
7. Tretje e një lënde në ujë ose hollimi me ujë. Shuarja e gëlqeres.
8. euf. Vdekje. E mësoi nga të tjerët shuarjen e dajës së vet.
✱Sin.: ndalje, platitje, fashitje, nemitje, venitje, shtypje, asgjësim, shfarosje, fikje, mekje, shkretim, fashitje, platitje, dobësim, zhdavaritje, rraskapitje, çregjistrim.
ÚLJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET Veprimi kur ul a ulet dikush ose diçka. Ulje e detyruar (e vazhdueshme, e papritur, e madhe). Ulja e flamurit. Ulja e aeroplanit. Ulja e kokës (e qafës). Ulja e krahëve (e duarve). Ulja e tensionit. Ulja e nivelit. Ulja e kostos. Ulja e çmimeve. Ulja e qirasë. Ulja e shpenzimeve. Ulja e përqindjes. Ulja e prodhimit (e rendimentit, e cilësisë). Ulja e temperaturës. Ulja e ngarkesës. Ulja e forcës (e ndjeshmërisë). Ulja e zërit. Ulja e tokës. Ulja e plagës. Ulje në tokë (në pistë, në det). Ulja në Hënë. Fillon ulja. Ka ulje.
✱Sin.: zbritje, rënie, fundosje, vithisje, zhytje, përkulje, anim, shtrirje, fashitje, pakësim, zbutje, qetësim, zbehje, zvogëlim, dobësim, mpakje, zbritje, ndenjje, rrëzim, zdrypje, lëshim, falje, puls, fyerje, poshtërim, zhvlerësim, zhburrërim, zhburrnim, nënshtrim, ngulje, shtrim.
ZBÚTJ/E,~A f. 1. Veprimi kur zbut dikë a diçka; ulja e shkallës së fortësisë së diçkaje të fortë a të thatë për ta bërë më të butë; heqja e ashpërsisë, të bërit i butë në të prekur i diçkaje; njomja e diçkaje të fortë duke e spërkatur me ujë a me lëng tjetër. Zbutja e llaçit. Zbutja e plagës. Zbutja e kores së bukës. Zbutja e pëlhurës. Zbutja e lëkurës. Zbutja e duhanit. Pas zbutjes së tokës, nisin punët e stinës.
2. Ulje e shkallës së pjerrësisë duke e bërë sipërfaqe më të sheshtë; sheshim. Zbutja e pjerrësisë së rrugës.
3. Ulje e gradës së pijeve alkoolike apo heqja e kripërave minerale (për ujin). Zbutja e ujit. Përdoret për zbutjen e ujit. Zbutja e rakisë.
4. Stërvitje e kafshës së egër për të jetuar me njerëzit; kthimi nga gjendja e egër në gjendje të butë; shartimi i një druri të egër për ta kthyer në dru të butë. Zbutja e bimëve. Zbutja e kafshëve të egra. Zbutja e kumbullës së egër. Zbutja e gorricës në dardhë.
6. edhe fig. Përpjekje për të ulur gjakrat e për ta qetësuar dikë, për të ndrequr marrëdhëniet me të; ulja e forcës, e vrazhdësisë, e zemërimit etj.; qetësimi ose ulja e tensionit apo qëndrimeve ndaj diçaje; lehtësimi ose bërja më e pranueshme e një vendimi të vështirë etj.; të bërit më i këndshëm a më i pëlqyeshëm për veshin a për syrin. Zbutja e muhabetit. Zbutja e gjendjes (e situatës). Zbutja e zemërimit (e urrejtjes). Zbutja e dënimit (drejt.). Zbutja e zërit. Zbutja e ngjyrave (i dritave etj.). Masa për zbutjen e ndryshimeve klimatike. Zbutja e zhurmave. - S’është puna për kompromis, por për zbutjen e këtyre mosmarrëveshjeve. Fjalët e saj sollën zbutje të konfliktit mes dy palëve. Përpjekje për zbutjen e varfërisë (e papunësisë). Politikat e zbutjes së marrëdhënieve me fqinjët.
✱Sin.: butësim, zbutim, brumëzim, zbrujtje, zbrumim, brydhje, squllje, tutëlim, sqaqje, njomje, qullje, ëmbëlsim, qetësim, ulje, lehtësim, fashitje, urtësim, sheshim, rrumbullakosje.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë