Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FARK/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Farkëtoj. Farkoj vegla pune.
2. Punoj me smilar (një pllakë guri); kep (gurin e mullirit). Farkoj gurët.
3. Shtroj a mbuloj me pllaka guri të skalitur a me pllaka çimentoje; vesh me gurë a me një shtresë çimentoje etj. Farkoi oborrin e shtëpisë. Farkoi hauzin me gurë.
4. Mbërthej, shtrëngoj a lidh fort diçka. Farkoj dërrasat.
5. Mbath (kalin, mushkën etj.). Farkoi kalin e bardhë.
6. fig. Ia zë gojën dikujt, ia mbyll gojën, s'e lë të flasë. E farkoi e nuk e la të bënte zë.
✱Sin.: farkëtoj, kep, kalit, shtroj, mbuloj, mbath, mbërthej, shtrëngoj, lidh.
♦ (Edhe sikur) të ma farkojnë (të ma shtrojnë) me *flori.
FARKËT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Përpunoj një metal e i jap një formë të caktuar, duke e nxehur në farkë, duke e rrahur me çekiç etj.; bëj një vegël a diçka tjetër në farkëtari. Farkëtoj hekurin. Farkëtoj plugje. Farkëtoj armë.
2. fig. E bëj të qëndrueshme e të pathyeshme; kalit. Farkëtoj durimin. Farkëtoj miqësinë.
✱Sin.: farkoj, kalit.
♦Farkëton vargonjtë (zinxhirët) përgatit robërimin; robëron.
HÉKUR,~I m. sh. ~A, ~AT 1. vet. nj. kim., met. Metal i rëndë, me ngjyrë hiri në të argjendtë, që farkëtohet e punohet mirë dhe përdoret në teknikë e në industri (simboli Fe); emërtim i përgjithshëm për çeliqet që kanë pak karbon; prodhim a diçka tjetër që del prej këtij metali. Hekur i butë (i pastër, i derdhur). Mineral hekuri. Pllakë (paftë) hekuri. Tel (shufër, rreth) hekuri. Një copë hekur. Shul hekuri. Plor hekuri. Pluhur (ashkla) hekuri. Shtyllë hekuri. Lidhje (aliazh) hekuri. Skuq hekurin. Rrah (farkëtoj) hekurin. Hekuri njihet në zjarr, miku në nevojë. (fj. u.). Hekur i rrahur hekur i punuar në farkë. Hekur i zinkuar hekur i galvanizuar, i veshur me zink. Hekur fonderie hekur i derdhur në kallëp. Koha (periudha) e hekurit (hist.) periudhë historike (pas periudhës së bronzit) rreth një mijë vjet para erës së re, kur nisi të punohej hekuri.
2. kim. Komponim i këtij metali. Barna me hekur. Hemoglobina përmban hekur.
3. Send ose pajisje që është bërë me këtë metal a me lidhje të tij. Hekurat e dritares. Hekuri i zgjedhës. Hekurat e kalit pengojcë. Hekurat e frerit ngojëza. Merret me hekura është hekurpunues. Udhë hekuri (e hekurt) vjet. hekurudhë.
4. Përdorëse prej metali, që nxehet me mënyra të ndryshme dhe shërben për të hekurosur rrobat. Hekur me korrent (me prush). Hekur i shkallëzuar. I jap një hekur hekuros. Nuk mban hekur nuk qëndron gjatë në gjendje të hekurosur (për rrobat).
5. det. Çengel, spirancë. Hedh (ngre) hekurin.
6. sport. Shul i rrumbullakët çeliku, i mbërthyer horizontalisht mbi dy shtylla, që shërben për ushtrime gjimnastikore. Ushtrime në hekur.
7. bised., vet. sh. Pranga; zinxhirë për të lidhur. I vuri (i hodhi) hekurat. E lidhi me hekura. E vuri në hekura.
8. mjek. Teknikë kirurgjikale e vënies së një pllake metalike për lidhjen e kockave të thyera të trupit të njeriut ose të kafshëve, që fiksohet me vidha. Vuri hekur në këmbë.
9. si mb. Shumë i fortë. Është hekur. E ka zemrën hekur. Është bërë hekur është forcuar shumë.
✱Sin.: ujti, pranga, zinxhirë, çengel, spirancë.
♦ U bë për hekura (dikush) u zemërua e u egërsua shumë sa nuk e ndal dot veten; është marrosur, është tërbuar e s’e përmban veten fare, s’është fare në vete. E ka bërë jeta hekur (dikë) e ka kalitur jeta, e kanë forcuar vuajtjet; është rrahur me vaj e me uthull (dikush). Me *fshesë të hekurt libr. Ha (bren) hekurin (çelikun) (me dhëmbë) (dikush) është i fortë, nuk thyhet, nuk përkulet nga rreziqet e vështirësitë; është shumë këmbëngulës për të arritur diçka; është shumë inatçor dhe nuk tërhiqet para askujt e para asgjëje; ha (bren) plumbin (me dhëmbë); ha dheun me dhëmbë. E ka zemrën hekur (dikush) është shumë i fortë shpirtërisht, është shumë i durueshëm, nuk thyhet (nga fatkeqësitë, nga varfëria etj.); është zemërhekur; e ka zemrën të fortë; e ka zemrën gur; ka lindur prej gurit. Merr hekurat zvarrë (dikush) ka besim të tepruar në vetvete, i është rritur mendja sa nuk ka më frikë nga njeri, ka marrë vrull e kujton se nuk e pengon dot askush; thyen me shpërfillje çdo rregull që e pengon, nuk pyet më për askënd e për asgjë; rrëmbehet shumë; nuk e përmban më veten; nuk sheh ç’ka përpara; merr frerin nëpër këmbë. I pret gjuha (goja) hekur (dikujt) shih e ka gjuhën (gojën) brisk (dikush). E rreh hekurin të ftohtë (dikush) nuk e bën diçka në kohën e duhur e shpejt, e zvarrit; e lë pas dore (diçka); kund. e rreh hekurin të nxehtë (dikush). E rreh hekurin të nxehtë (dikush) e bën çdo gjë në kohën e duhur e shpejt, nuk e lë një punë për më vonë; nuk e lë pas dore (diçka); kund. e rreh hekurin të ftohtë (dikush). Shkojnë hekur më kizë shih (shkojnë) si eshka me urorin (me masatin); kund. shkojnë në dorë e në thembër. U vesh me hekur (me çelik) (dikush) u armatos gjer në dhëmbë; u bë gati plotësisht për të përballuar një sulm a një goditje; është plotësisht i mbrojtur para një rreziku; Me *zjarr e me hekur.
KALÍT vep., ~A, ~UR kal. 1. tek. Forcoj përbërjen e një metali, e një detali a një vegle, duke e nxehur në zjarr dhe duke e futur menjëherë në ujë të ftohtë; farkëtoj. Kalit hekurin.
2. Mpreh thikën, kosën, sqeparin etj. duke e farkëtuar ose me gur mprehës. Kalit kosën (sqeparin, kazmën).
3. Cokas me çekiç a me daltë gurin e mullirit për të bluar më mirë. Kalit gurin e mullirit.
4. fig. E bëj dikë më të fortë fizikisht e moralisht; ia forcoj vullnetin a e edukoj, duke e stërvitur në kushte të vështira pune, klimaterike etj.; e përgatit, e stërvit dikë për të rezistuar ose për t’u profesionalizuar; e regj; e çelikos. Kaliti ushtarët (brezin e ri) për luftë. Kalit vullnetin (ndërgjegjen).
✱Sin.: farkëtoj, farkoj, mpreh, cokat, regj, çelikos.
RRAH vep., ~A, ~UR 1. kal. Qëlloj dikë me dorë, me shkop a me diçka tjetër disa herë, duke i shkaktuar dhembje; i bie. E rrahu shumë (fort, rëndë, tepër, keq, paq). E rrahu me pëllëmbë (me thupër, me shkop, me kamxhik).
2. fig. bised., kal. Fitoj kundër dikujt (në një lojë), e mund. E rrahu në bilardo. I patën rrahur në shah.
3. kal. Përplas diçka me një tjetër ose pas një tjetre; përplas në ajër (krahët). Rrah këmbët (thembrat). Rrah duart (shuplakat) duartrokas. Zogjtë rrahën krahët. Rrah qepallat (qerpikët). Topi rrahu shtyllën.
4. fig., kal. Shqyrtoj me imtësi e nga shumë anë, bisedoj hollësisht për diçka; trajtoj. E rrahën mirë çështjen. I patën rrahur të gjitha mendimet.
5. kal. Përpunoj një lëndë, duke e goditur, duke e përzier a duke e ngjeshur me forcë shumë herë me një mjet a me duar. Rrah qumështin (kosin). Rrah vezët. Rrah baltën (brumin) gatuaj baltën (brumin). Rrah grurin (qeshqekun). Rrahin orizin (fasulet) zhveshin orizin (fasulet) duke i goditur me shkop. Rrah leshin (pambukun) shkrifëroj leshin (pambukun) me shkop. Rrah hekurin (bakrin) farkëtoj hekurin (bakrin).
6. kal. Bëj një punë duke goditur, duke trokitur etj., i bie shumë herë. Rrah strallin. Rrahu çekanin. Rrihte dyshekun (qilimin, rrobat) godas me shkop për të shkundur dyshekun (qilimin, rrobat). Do ta rrihte me shkop (me çekan, me tundës).
7. kal., vet. v. III Godet me forcë duke u përplasur mbi diçka, bie me vrull e dendur mbi diçka (zakonisht për dukuritë e natyrës). E rreh shiu (breshri, era, dëbora). Rrufetë rrahin pyllin. Deti pati rrahur brigjet. E rrihte të ftohtët (thëllimi).
8. kal. I bie diçkaje disa herë duke nxjerrë një zhurmë a krismë; trokas. Rrah derën. Rrah daullen. Rreh kambanën. Rrah kohën trokas këmbën ose dorën për të përcaktuar ritmin, kur luhet një pjesë muzikore.
9. kal. Qëlloj një vend shumë herë me armë zjarri. Rrahën shënjestrën. E rrahu me top (me mitraloz, me mortajë). E rrahën me zjarr.
10. kal., vet. v. III Godet, qëllon shumë herë një armë zjarri. Rreh topi (mortaja, mitralozi).
11. fig., kal. Shkoj e vij rregullisht nëpër një rrugë, e bëj zakonisht rrugën nga një vend në një tjetër; endem për shumë kohë në një vend, zakonisht të largët, shkel, bredh. Ka rrahur rrugët (udhët, fshatrat, qytetet). Ka rrahur botën (detet). Rreh rrugën Tiranë-Shkodër. Ka rrahur dheun (dynjanë) ka udhëtuar shumë, nuk ka lënë vend pa shkelur.
12. jokal. Anoj; mbaj anën e dikujt. Ai rreh nga unë.
13. bised., kal. Hekuros. Rrah këmishën (rrobat). Rrah me hekur.
14. euf., kal. Tredh. Rrahën demin (dashin, cjapin).
15. jokal., vet. v. III. Punon duke trokitur me rregull, regëtin (për zemrën, damarët etj.). Rreh zemra. Rrahin damarët. Më rreh plaga ndiej dhembje të vazhdueshme në një plagë që po zë qelb, më lufton plaga.
16. fig., jokal. (me një folje në mënyrën lidhore). Përpiqem të bëj diçka, mundohem, bëj çmos. Rrah të them. Rrihte ta gjente me mend.
17. fig., jokal. Synoj, kam qëllim, më punon mendja diku (edhe në një varg togjesh frazeologjike); bëj me ngulm diçka. E di ku rreh e di ku synon. Aty rreh ajo fjalë. Aty i rreh çekani. Rreh larg ai me këto fjalë. Këtu duhet të rrahim më shumë.
✱Sin.: qëlloj, bie, godas, mund, mbyt, ngjesh, rrapangjesh, zhdëp, shqep, gdhend, shkopit, kopanis, ënjt, tund, përplas, shkel, anoj, hekuros, tredh, regëtij, synoj, gjakos, fshikulloj, kamxhikoj, zdrugoj, skuq, nxij, prish, stapis, zbruj, shpërbluaj, testëroj, shemb, shkatërroj, përsiat, shoshit, trajtoj, peshoj, pleqëroj, pleqësoj, përbluaj.
♦ *Qan pa rrahur (dikush). Rreh *benë (dikush). Ia rrah *çekanët (dikujt). I rreh (i shtie) dyfeku *lart (dikujt) iron. Rraha (çava) *dynjanë. Rraha (çava) *dheun. Rreh (vret) *gjetkë (dikush). Rreh *gjoksin (dikush). Rraha *jetën. E ka rrahur *jeta (dikë). Rrahin një *këmborë. I rreh *krahët (dikujt). Rreh *kraharorin (dikush). Nuk rreh në atë *krah (dikush). Rreh (nget) *larg (dikush). Rreh (vret) *lart (dikush). E rrah me *mend (diçka). Rrah *mendjen (për diçka). I rreh *mendja (për diçka). I rreh (i rri) mendja në një *vend (dikujt). Për të rrahur *murin mospërf. Sa rreh *qerpiku. S’rrah (dot) as *qerpikët. I rreh *supet (dikujt). Ia rrahu *syrin (dikujt). I rreh *shpatullat (dikujt). I rrahin *teneqenë (dikujt). I rrahin *tupanin (dikujt). Rreh *ujë në havan (dikush). Rraha (çava) *vendin. Nuk rreh *vesh (dikush). Më rreh *zemra (për dikë a për diçka). Sa të më rrahë *zemra.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë