Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FAMILJARIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Bëj që dikush ta ndiejë veten si në shtëpi të vet, si njeri i familjes; e miqësoj me dikë tjetër. E familjarizoj me njerëzit e shtëpisë.
2. Bëj dikë që ta njohë për së afërmi a ta mësojë mirë diçka, bëj që të mësohet në një vend a në një mjedis tjetër, në një punë të re etj. E kishte familjarizuar me ekipin e ri.
✱Sin.: miqësoj, tumir, përshtat, ambientoj.
MËS/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. I jap dikujt arsim e edukatë ose njohuri nga një fushë e dijes nëpërmjet mësimit sipas një programi të caktuar; i jap mësim dikujt, jam mësuesi i dikujt. U mësoi nxënësve si të përdornin kompjuterin.
2. kal. dhe jokal. Marr njohuri, përvetësoj dije nga një fushë e caktuar, studioj një lëndë mësimore etj.; nxë. Mësoj mësimet. Mësoj programim. Mësoj një vjershë përmendsh. Shkojnë në shkollë për të mësuar. Sa të rrosh, do të mësosh. (fj. u.).
3. jokal. Ndjek mësimet, jam nxënës në një shkollë a në një kurs; synoj të pajisem me njohuri për diçka. Mëson në shkollë (në kurs, në universitet). Mëson për elektricist (për programues).
4. kal. Ndihmoj dikë nëpërmjet ushtrimeve e mësimeve që të fitojë shprehi për të bërë një punë të caktuar. E ka mësuar djalin të ngasë makinën. I mësoi biçikletën (notin) të birit.
5. kal. Ushtroj dorën, gishtat etj. për të bërë veprime të caktuara, stërvit. Mëson dorën për vizatim. Mësoj veshin për të dalluar tingujt.
6. kal. Stërvit një kafshë për ta bërë të aftë të kryejë veprime sipas dëshirës së njeriut. Babai i saj mëson kafshët në një cirk. Mëson qenin për gjah.
7. kal. Bëj përpjekje për të fituar shprehi për punë a për të bërë veprime të caktuara, përpiqem të përvetësoj a të zotëroj një mjeshtëri, një detyrë etj.; stërvitem në diçka, ushtrohem me diçka, nxë mënyrën se si të përdor diçka a të bëj një punë. Mësoj një zanat. Mësoj të përdor një aparat. Mësoj përdorimin e armëve. Mësoj biçikletën (notin). S’mëson kali revan në pleqëri. (fj. u.).
8. kal. E këshilloj dikë se si duhet të sillet e të veprojë, i tregoj rrugën që duhet të ndjekë, e udhëzoj; e edukoj. Si më mëson të bëj? E mëson mirë fëmijën. E ke mësuar keq nipin. U bë veza të mësojë pulën! (iron.).
9. jokal. Vë mend, fitoj përvojë nga një pësim; përfitoj nga përvoja e dikujt a nga diçka, marr mësim. Mësoi nga pësimi (nga gabimet). Mësova shumë prej tij.
10. kal. I tregoj dikujt se ku ndodhet diçka a se ç’ka ndodhur. I mësoi të rejat e ditës. Hajde, baba, të të mësoj arat! (fj. u., iron.)
11. kal. Marr njoftim për diçka, marr vesh; dëgjoj. Mësova një lajm (diçka të re). Mësova se do të vijë nesër. I mësuam të gjitha sa na shkruanit.
12. kal. Zbuloj, gjej. Mësuan një të fshehtë. Ia mësoi hilenë (marifetin) kësaj pune.
✱Sin.: nxë, stërvit, shkolloj, arsimoj, studioj, stërvitem, shkollohem, arsimohem, ushtroj, ushtrohem, përgatitem, këshilloj, dëgjoj, nxjerr, zbuloj, përshtat, familjarizoj, ambientoj.
PËRSHTÁT vep., ~A, ~UR kal. 1. E bëj diçka që të shkojë e të përputhet me një qëllim të caktuar, i bëj ndryshimet e ndreqjet e nevojshme, që t’u përgjigjet kushteve e rrethanave të caktuara. Përshtat një godinë (një ndërtesë). E përshtatën kënd lojërash.
2. E mësoj trupin a dikë që të jetojë e të veprojë në kushte të tjera, bëj që të pajtohet me një gjendje tjetër të re. Përshtat organizmin. E përshtat për një klimë të ftohtë (të nxehtë).
3. I bëj disa ndryshime një libri a një teksti, që të jetë më i kuptueshëm e më i thjeshtë për lexuesin. Përshtat “Iliadën” dhe “Odisenë” për fëmijë.
4. I heq a i shtoj ndonjë pjesë një libri, që të jetë në pajtim me nevojat e kërkesat e reja ose që t’i përgjigjet një qëllimi të caktuar. Përshtat copa leximi në gjuhë të huaj.
5. Përkthej lirisht një vepër letrare, duke i zhvendosur ngjarjet e personazhet në një mjedis dhe në një kohë tjetër. Përshtati fabulat e Ezopit.
6. I bëj ndryshime të vogla, pa iu larguar në përgjithësi origjinalit.
✱Sin.: adaptoj, akordoj, ambientoj, familjarizoj, tumir, ujdis, rregulloj, ndreq, mësoj, stërvit, përgatis, kalis, ndryshoj, shkurtoj, thjeshtëzoj, përkthej.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë