Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ELEKTRONIKÍSHT ndajf. Duke përdorur pajisje dhe mjete elektronike, duke kryer veprime në rrugë elektronike. Si të nënshkruani elektronikisht dokumentet. Qytetarët e marrin elektronikisht informacionin. Si të dorëzoni inventarin elektronikisht.
ENCIKLOPEDÍ,~A f. sh. ~, ~TË Vepër e madhe shkencore që jep informacion për të gjitha fushat e dijes a të veprimtarisë të paraqitura në trajtën e një fjalori; vepër e tillë që përfshin njohuri për një degë të veçantë të shkencës, të artit, të teknikës etj. Enciklopedi e madhe (e vogël). Enciklopedia e mjekësisë (e letërsisë, e bujqësisë, e filozofisë). Hartimi i enciklopedisë. Grupi i punës për hartimin e enciklopedisë. Një nga enciklopeditë më gjithëpërfshirëse. Një pjesë e madhe e enciklopedive po boton elektronikisht.
♦ Enciklopedi e gjallë bised. njeri që ka njohuri të gjera në shumë fusha të dijes e të veprimtarisë shoqërore, njeri i pasur në dije e në kulturë; pasuri e madhe kulturore që ka dikush.
NDALÉS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Pushim i shkurtër; qëndrim i shkurtër i një mjeti udhëtimi. Ndalesat në rrugë. Ndalesat e alpinistëve gjatë marshimit. Bën shumë ndalesa. Po shkonim drejt e në rivierë pa ndalesa.
2. Ndërprerje e përkohshme e një aktiviteti ose e një procesi, ndalim i punës. Ndalesat gjatë leximit. Ndalesë e shkurtër (e paparashikuar) e eksperimentit. Ndalesat e makinerisë. Punon pa ndalesa.
3. Vend ku qëndrojnë mjetet e udhëtimit për të hipur a për të zbritur udhëtarët, stacion. Ndalesat e autobusit. Zbriti në ndalesën pranë katedrales. Në ndalesën e tretë.
4. Sportel ku punonjës të shtetit ofrojnë shërbime të ndryshme fizikisht ose elektronikisht, si: dhënie e informacionit, pranim aplikimesh, dërgim kërkesash etj. Në sportelet me një ndalesë individët mund të marrin shërbime në mjedise me infrastrukturë moderne. Pikë shërbimi me një ndalesë. Zyra me një ndalesë.
5. Pengesë, vështirësi. Thyej çdo ndalesë. Nuk njeh ndalesë nuk ndalet para pengesave.
6. Shumë të hollash që mbahet për të shlyer një detyrim. Në aplikacion u shfaqën ndalesat e përmuajshme nga paga. Mori të dhëna të detajuara për pagën, për ndalesat, për shpërblimet.
7. Diçka që nuk lejohet të bëhet, të qenët i ndaluar. Ndalesa e abortit me ligj në disa vende. Urdhëresave dhe ndalesave të doktrinës. Situata të veçanta monopoli krijojnë ndalesa apo pengesa për zhvillimin.
✱Sin.: ndalje, shkyçje, ndalë, qëndresë, qëndrim, pushim, ndërprerje, stacion, vendqëndrim, ndalim, pengesë, vështirësi, gardh, mburojë, zbritje, mbajtje, heshtje.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë