Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BARASPESHÚAR (i, e) mb. Që është sjellë në gjendje prehjeje; që është vënë në baraspeshë, i drejtpeshuar; (edhe fig.) Ndriçim i baraspeshuar. Trup i baraspeshuar. Buxhet i baraspeshuar. Rend demokratik i baraspeshuar. Qëndrim i baraspeshuar. Bëri një pasqyrim të baraspeshuar të ngjarjeve.
✱Sin.: i drejtpeshuar, i ekuilibruar, i balancuar.
DISBALANCÚAR (i, e) mb., libr. Që ka humbur ekuilibrin, baraspeshën ose harmoninë; që është jashtë ekuilibrit ose në një gjendje jo të qëndrueshme; i çekuilibruar; i zhbalancuar; kund. i balancuar; i ekuilibruar. Treg i disbalancuar treg ku furnizimi dhe kërkesa nuk janë në përpjesëtim të drejtë. Person i disbalancuar dikush që po përjeton një gjendje të brishtë emocionale ose mendore.
EKUILIBRÚAR (i, e) mb., libr. 1. Që është në gjendje ekuilibri, që është ekuilibruar; kund. i çekuilibruar. Gjendje e ekuilibruar. Ekonomi e ekuilibruar. Forca të ekuilibruara në fushë. Lojë e ekuilibruar. Arritja e marrëdhënieve të ekuilibruara.
2. fig. Që mendon e vepron me maturi. Është një vajzë më e ekuilibruar se unë. Ishte ndër njerëzit më të ekuilibruar që kisha njohur. Komision i ekuilibruar.
3. fig. Që ka një gjendje normale mendore a psikike. Personalitet i ekuilibruar. Qëndrim i ekuilibruar. Dukej i ekuilibruar pas terapisë.
✱Sin.: i baraspeshuar, i harmonizuar, i drejtpeshuar, i qëndrueshëm, i matur.
MERANDÚAR (i, e) mb. Që është baraspeshuar, që është vënë në ekuilibër, që është merenduar.
✱Sin.: i baraspeshuar, i drejtpeshuar, i ekuilibruar, i kundërpeshuar.
PAEKUILIBRÚAR (i, e) mb., libr. Që nuk është i ekuilibruar në sjelljet, në veprimet, në qëndrimet e tij etj.; që karakterizohet nga mungesa e ekuilibrit; kund. i ekuilibruar. Njeri i paekuilibruar. Gjendje mendore (psikike) e paekuilibruar. Sjellje e paekuilibruar.
✱Sin.: i lëkundur, i pavendosur, i mëdyshur.
SPÉCI/E,~A f. sh. ~E, ~ET biol. 1. Njësi bazë e botës së gjallë, që përfaqëson një tërësi individësh që kanë tipare të njëjta biologjike dhe morfologjike dhe që duke u riprodhuar japin një pasardhës të frytshëm. Speciet e ndryshme të kafshëve në një habitat të veçantë ndihmojnë në ruajtjen e një ekosistemi të ekuilibruar. Mbretëria e kafshëve përfshin specie të shumta.
2. Nënndarje e gjinisë, grup me veti të përbashkëta, që mund të riprodhohen brenda vetes. Specia njerëzore njerëzimi. Kjo tokë është pjellore për shumë specie bimësh.
✱Sin.: lloj, farë.
STATÍK,~E mb. 1. fiz. Që ka të bëjë me statikën; që lidhet me statikën, i statikës. Forcat statike veprojnë në mënyrë të barabartë, për të ruajtur ekuilibrin e objektit. Piktura e tij ka një përmasë statike, gjë që thekson karakterin e qetë të peizazheve që paraqet.
2. spec. Që është i palëvizshëm, në gjendje qetësie në vend ose në baraspeshë; i palëvizshëm; kund. dinamik. Një sistem statik ka një gjendje të ekuilibruar të trupave. Ngarkesat statike. Ndijimet statike.
3. edhe fig. Që është i ngulitur në një vend dhe nuk lëviz; që qëndron në vend e nuk ndryshon, nuk zhvillohet. Pjesët statike të një pajisjeje. Elementet statike ishin vendosur nëpër ndërtesë. Kishin mbetur në një gjendje statike.
4. fig. Që i mungon gjallëria e lëvizjes, e zhvillimit ose e shprehjes; i ngurtë, i ngrirë. Loja statike e personazheve e bëri të mërzitshme shfaqjen. Ekspozita karakterizohej nga figura statike dhe pa ekspresion. Forma pune statike e të ngurta. Pamja e tij statike e bënte të dukej shumë qesharak.
5. fig. Që i studion e i vlerëson dukuritë e ndryshme në mënyrë të shkëputur nga ndryshimi e zhvillimi i tyre. Vëzhgimi statik i dukurive e bënte shumë sipërfaqësor studimin. Paraqitja statike e punimeve nuk i nxori në pah si duhet vlerat e tyre.
ÇEKUILIBRÚAR (i, e) mb., libr. 1. Që i është prishur ekuilibri; që ka humbur drejtpeshimin, që është në gjendje çekuilibri; kund. i ekuilibruar. Gjendje e çekuilibruar. Bilanc i çekuilibruar. Ekonomi e çekuilibruar. Një dietë e çekuilibruar dhe e pamjaftueshme mund të shkaktojë efekte negative.
2. Që mendon e vepron në mënyrë të parregullt, që nuk ka ekuilibër mendor a shpirtëror. Njeri i çekuilibruar. Qëndrim i çekuilibruar. I çekuilibruar mendërisht. I çekuilibruar emocionalisht.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë