Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DHEGËRMÚES,~E mb. Që shërben për të gërmuar dheun, që gërmon dheun. Makinë dhegërmuese. Ekskavator dhegërmues. Punëtor dhegërmues. Operacion me mjete dhegërmuese.
EKSKAVATÓR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Makinë vetëlëvizëse me pajisje të posaçme për të gërmuar dheun, për ta zhvendosur ose për ta ngarkuar atë në mjete të tjera transporti. Ekskavator i fuqishëm. Ekskavatori përparonte ngadalë. Punoj me ekskavator. Zhurma e ekskavatorit.
EKSKAVATORÍST,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Ai që punon me ekskavator. Kurs për ekskavatoristë. Leje drejtimi për ekskavatorist. Donte të punonte ekskavatorist.
KARKALÉC,~I m. sh. ~A, ~AT 1. zool. (lat. Lacusta viridis) Kandërr fluturuese me flatra në ngjyrë si të gjelbër dhe me këmbë të gjata, që kërcen me shkathtësi, si dhe dëmton drithërat (kryesisht të lashtat). Tufë karkalecash. Hidhet (kërcen) si karkaleci.
2. zool. Peshk deti që i ngjet kësaj kandrre me trup e luspa në ngjyrë të gjakut dhe me mish të shijshëm. Gjuaj (ha) karkaleca.
3. tek., bised. Vinç a ekskavator i vogël, që ka një krah të gjatë dhe shërben kryesisht për punime në ndërtesa shumëkatëshe, për hapje kanalesh etj.
4. fig., edhe si mb., kryes. iron. Njeri me trup të lartë, të hollë e të dobët, por që shquhet për lëvizje të shkathëta, si kjo kandërr. Kërcen karkaleci.
✱Sin.: çikërr, kaçikërr.
LEJLÉK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT 1. zool. (lat. Ciconia ciconia) Shpend i madh shtegtar, me pendë të bardha, me qafë e me sqep të gjatë dhe me këmbë të gjata, që jeton në vende të ngrohta pranë brigjeve të liqeneve, të lumenjve ose nëpër moçalishte, e bën folenë zakonisht nëpër drurë të lartë dhe ushqehet sidomos me peshq, me bretkosa, me gjarpërinj, me krimba, me brejtës të vegjël etj.
2. zool. Peshk deti me trup të zgjatur, me bark të bardhë, me shpinë të kaltërreme e me bisht të gjatë, të hollë e të mprehtë si sharrë.
3. tek. Lloj drapri i kthyer pak, me bisht të gjatë e pa dhëmbëza, që përdoret kryesisht për të korrur misër. E korrin (e presin) misrin me lejlek.
4. tek. Lloj dare me bisht të gjatë dhe me kokë të kthyer në njërën anë, që e përdorin hidraulikët.
5. tek., bised. Lloj vinçi, ekskavatori a mjeti tjetër, që ka një pjesë të zgjatur, të kthyer e të lëvizshme.
6. fig., mospërf., shak. Njeri me trup të hollë, me shalë të gjata e me qafë të gjatë.
✱Sin.: kanushë, shtërg, darë, vinç, ekskavator, skelë, truphollë, shalëgjatë, qafëgjatë, skërfyell.
♦ E hodhi lejlek (dikë) shih e hodhi (e nxori) në diell (dikë). I kanë zbritur lejlekët (dikujt) i ecin punët mbarë, nuk ka asnjë vështirësi e pengesë; po kryhet lehtë një punë, pa mundim e pa u penguar; (shkon) si në vaj (diçka).
RRAFSHÚES,~E mb. 1. Që shërben për të rrafshuar tokën, një sipërfaqe a diçka tjetër. Vegël rrafshuese. Ekskavator rrafshues. Cilindër rrafshues.
2. fig. Që zhduk dallimet dhe veçoritë e anëve të ndryshme, që i bën a i quan të gjitha njësoj. Prirje rrafshuese. Dialog rrafshues.
✱Sin.: sheshues, nivelues, dystues, lëmues.
TURÍ,~RI m. sh. ~NJ, ~NJTË 1. Pjesë e përparme e kokës së kafshëve, që është zakonisht e zgjatur dhe ka gojën, nofullat e hundën. Turi i zgjatur (i shtypur). Me turi të kuq (të bardhë). Turiri i dhelprës. Turiri i deles (i kalit, i lopës, i gomarit). Turiri i qenit (i maces, i miut). Me pika në turi. Futi turinjtë në kovë. I vuri viçit shportëz në turi. U vuri qeve shportëza në turinj.
2. Pjesë e zgjatur poshtë ose përpara e kokës së disa kafshëve, noçkë, feçkë. Turiri i derrit (i elefantit). Të gjithë derrat një turi kanë. (fj. u.) të gjithë të këqijtë njësoj janë.
3. keq., shar. Fytyrë e njeriut; surrat. Zgjati turinjtë. E goditi turinjve. Ia përplasi derën në turi. E ka turirin si të miut. S’ia sheh dot turirin. U bë edhe turiri i tij të shajë! I është bërë turiri si hoshaf është fishkur (rrudhur). Duket nga turiri merret vesh, duket, kuptohet që është njeri i keq. I ka mbetur turiri sa një dylekëshe është dobësuar shumë.
4. Pjesa e përparme dhe zakonisht e dalë e automobilit, e traktorit, e lokomotivës etj. Turiri i kamionit (i veturës). Ekskavator me turi çeliku.
5. Përdhec i parmendës, pllaz.
♦ Ra mbi turinj (dikush) e pësoi keq, mori atë që meritonte; theu turinjtë. Fut turinjtë (dikush) keq. shih fut hundët (hundën) (dikush) keq. Me *hundë e me turinj keq. Nuk ka turi (dikush) mospërf. shih nuk ka hundë (dikush) mospërf. E ka turirin dy *tulla e një plithar (dikush) përçm. Nuk m’i ktheu turinjtë (dikush) keq. nuk kishte guxim për t’u ballafaquar me mua, ishte fajtor. Mbledh (tharton, rrudh, përdredh, shtrembëron) turinjtë (dikush) shih mbledh (tharton, rrudh, përdredh, shtrembëron) buzët (dikush). Ia përplasi në turi (dikujt) mospërf. shih ia përplasi në fytyrë (dikujt) mospërf. Ia përsheshi turinjtë (*hundët) (dikujt) përb. Shikoji turinë dhe vëri kusinë (dikujt) përçm. është shpirtkeq, siç ka fytyrën ka dhe shpirtin; jepi atë që i takon. Me turinj varur shih me hundë varur (të varura). Theu turinjtë (dikush). 1. shih theu hundët (dikush). 2. Pësoi dështim të plotë, e pësoi keq, u dëmtua rëndë në vend që të kishte ndonjë përfitim. I theu turinjtë (dikujt) përçm. 1. E rrahu mirë dikë, e shqepi, e zhdëpi; ia përsheshi turinjtë përb.; i theu dhëmbët; i theu hundët; i përsheshi hundët përb. 2. E kundërshtoi me forcë e me të egër një mendjemadh dhe e detyroi të heshtë, të tërhiqet a të pranojë diçka, e detyroi me zor të ulë kokën i mundur, i shtruar e i bindur; i theu dhëmbët; i theu hundët. I vari (i lëshoi) turinjtë (një pëllëmbë) (dikush) shih i vari (i lëshoi) hundët (një pëllëmbë) (dikush).
VETËLËVÍZËS,~E mb., spec. Që lëviz vetë; që vihet në lëvizje me anë të një motori a të një burimi energjie të vendosur brenda në të (për mjetet e transportit etj.); që lëviz mekanikisht ose automatikisht. Vagon (ekskavator) vetëlëvizës (spec.). Artileri vetëlëvizëse (usht.).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë