Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BYTHËMÁDH,~E mb., bised. 1. Që i ka bythët të mëdha, bythëtrashë; shumë i shëndoshë. Njeri bythëmadh e trupshkurtër.
2. fig. I pangopur, që ha e s’ngopet kurrë; grykës, llupës.
3. fig. Dembel, përtac, që pret të dalë miza nga qypi.
4. fig. Që e kërkon çdo gjë për vete, që nuk mendon për të tjerët, bythëdugët, egoist.
5. si em. m. e f. Sipas kuptimeve të mbiemrit. - Na mërziti ajo bythëmadhja!
BYTHËPAMBÚK,~E mb., bised. 1. Që është mësuar rehat dhe sʼi ka njohur vështirësitë, që nuk ka vuajtur në jetë; qullash. Djalë bythëpambuk. Nuk të mbaron punë, është bythëpambuk.
2. krahin. Bishtnues, që i shmanget punës, që u bën bisht vështirësive.
3. tall. Që kujdeset vetëm për vete, që shikon vetëm rehatinë e tij, bythëmadh; egoist. - Ç’janë kaq bythëpambukë këta njerëz?
4. si em. m. e f. Sipas kuptimeve të mbiemrit. - Ç’e mban pas vetes atë bythëpambuk?
EGOCENTRÍK,~E mb., libr. Që e mendon veten qendrën e gjithçkaje, që vlerëson vetëm veten, egoist. Parime egocentrike. Për motive egocentrike. Nacionalizëm egocentrik. Këndvështrimi egocentrik. Ligjërimi egocentrik.
EGOCENTRÍK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT Ai që e mendon veten qendrën e gjithçkaje, që vlerëson vetëm veten, duke iu referuar vetëm vetes; egoist. Egocentrik i skajshëm. Egocentriku aspiron të ketë vetëm të drejtë. Një grusht egocentrikësh të sëmurë rreth tij. Sundimtarë egocentrikë.
EGOÍST,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Ai që karakterizohet dhe nxitet nga egoizmi. Egoist i madh. Egoist i pangopshëm. Egoisti i pathyeshëm.
KËRRÁB/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Shkop si një bastun me një grremç në majë, që e përdorin barinjtë për të kapur bagëtinë e imët nga këmbët; grremçi në majë të këtij shkopi. Kërraba e bariut. E kapi qengjin me kërrabë.
2. fig. Ky shkop me grremç si simbol i profesionit të blegtorit. Zgjodhi kërrabën dhe jo lapsin parapëlqeu të bëhet bari dhe jo shkollën.
3. Furkaçe, ngarkaçe. Ngarkoi kalin me kërrabë.
4. Çengel a zinxhir ku varet diçka. E vari torbën në kërrabë. Kërraba e zinxhirit në oxhak.
5. si mb. Që ka trajtën e këtij shkopi me grremç; i ngjashëm me kërrabën e bariut. Me brirë kërrabë. Me këmbët kërrabë.
✱Sin.: grremç, çengel, furkaçe, ngarkaçe.
♦ Është bërë kërrabë (dikush) është përkulur shumë, i ka dalë kurrizi (nga pleqëria a nga ndonjë sëmundje); është dobësuar shumë nga trupi, është ligur e është holluar; është bërë kockë e lëkurë; është bërë çengel. Nuk la kërrabën varur (dikush) iron. shih nuk na la armët varur (dikush) iron. Marr kërrabën. 1. Bëhem bari. 2. Vendos e nisem të kërkoj diçka ose të gjej një gjë të humbur; marr shkopin. Më mbeti kërraba në dorë më morën gjithçka; mbeta duarthatë; mbeta kripë (e shëllirë). Tek ngul kërrabën var hejbet (dikush) i ka mirë punët e veta, çdo gjë i ecën mbarë; i vete gjithçka sipas rregullit; është mirë vetë e s’do t’ia dijë për të tjerët; sheh punët e veta. I tërheq (i heq) kërraba nga vetja (dikujt) sheh interesin vetjak, mendon në radhë të parë për vete; çdo gjë e do për vete, është egoist; tërheq mënjanë (dikush).
TENETÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT vjet. 1. Ai që shikon vetëm interesin e vet, njeri që mendon vetëm për vete; kund. bujar, altruist. Tenetari thotë: Bjer, o shi në arën time! (fj. u.).
2. Njeri shpirtkeq, egoist, individualist, shpirtlig, zemërlig.
✱Sin.: shpirtkeq, egoist, egocentrik, individualist, interesaxhi, shpirtlig, shpirtkrimbur, zemërlig, zemërngushtë.
VETËDÁSHËS,~I m. sh. ~, ~IT vjet. 1. Ai që është i prirur për të vepruar sipas dëshirës a sipas vullnetit të vet, pa i pyetur të tjerët; ai të cilit i pëlqen vetja; egoist. Vetëdashës i madh.
2. Ai që bën një punë me dëshirën e vullnetin e vet, ai që del vullnetar për të kryer një punë, vullnetar. Shkruheshin vetëdashës. U mblodhën vetëdashësit.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë