Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ARSIMÍM,~I m. sh. ~E, ~ET Procesi i përvetësimit të njohurive, të aftësive, të vlerave dhe të qëndrimeve përmes mësimit dhe edukimit në funksion të zhvillimit personal, shoqëror dhe ekonomik të individëve dhe shoqërisë. Arsimimi i gruas. Arsimimi në gjuhën amtare. Arsimimi publik. Arsimim cilësor. Përdorimi efektiv i teknologjisë në arsimimin e fëmijëve.
✱Sin.: arsim, mësim, diturim, edukim, mësimdhënie, mësimnxënie.
EFEKTÍV,~E mb., libr. 1. I frytshëm; kund. joefektiv. Kontroll efektiv. Masë efektive. Mjet efektiv. Vështirë që mendimi ynë të jetë efektiv. Kontrolli duhet të jetë më efektiv.
2. Që është aq sa sasia a masa e përcaktuar; që vepron a që ndikon si duhet; i vërtetë. Ndihmë efektive. Gjendje efektive. Vlerë efektive. Për dy ditë pune efektive.
3. zyrt. I përhershëm në një detyrë a në një punë. Ushtar (oficer) efektiv. Kuadër efektiv.
✱Sin.: i frytshëm, i vërtetë, i përpiktë, real, konkret, ndikues, i përhershëm.
LOGJISTÍK/Ë,~A f. Procesi i planifikimit, organizimit dhe menaxhimit të burimeve për të siguruar që ato të jenë në vendet dhe kohën e duhur për një veprimtari ose proces (tregtisë së mallrave, sektor i prapavijës në ushtri, etj.). Logjistika në tregti dhe ushtri është thelbësore për funksionimin efektiv.
NËPËRMJÉT parafj. Përdoret me një emër në rasën rrjedhore, që tregon mjetin me anën a me ndërmjetësinë e të cilit bëhet ose arrihet diçka; me anë të. E pa nëpërmjet xhamit të dritares. Hyri nëpërmjet derës komunikuese. Nëpërmjet letërkëmbimit. Nëpërmjet një procesi efektiv. Nëpërmjet hulumtimeve shkencore. Nëpërmjet të lexuarit. Nëpërmjet diplomacisë. Nëpërmjet luftës (përpjekjeve, sakrificave). Nëpërmjet kritikës (shembullit personal). Nëpërmjet jush përshëndetim rininë. Kalitja nëpërmjet punës. Marrja e pushtetit nëpërmjet grushtit të shtetit.
✱Sin.: përmes, përmjet, me, nëpërmes, pas.
REÁL,~E mb. 1. Që ekziston me të vërtetë, që është në botën e vërtetë të sendeve e të dukurive, që nuk është vetëm në përfytyrimin e njeriut ose që nuk është nxjerrë nga koka e njeriut, i vërtetë, që ka ndodhur me të vërtetë. Bota reale. Sendet reale. Ngjarje reale. Fakt real. Gjendja reale. Kushte (lidhje) reale. Nevojë reale. Ka një bazë reale.
2. Që i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë në të vërtetë, që mbështetet në kushtet e vërteta për t’u plotësuar, që mund të vihet në jetë a të zbatohet plotësisht; i realizueshëm. Plan (planifikim) real. Parashikim real.
3. Që është në përputhje me sasinë ose me vlerën e vërtetë të përcaktuar. Vlera reale. Pesha reale. Të ardhurat reale. Paga reale (ek.) aftësia që ka paga e punës së një punonjësi për të blerë sendet që i nevojiten për të jetuar e për të plotësuar kërkesat e veta kulturore dhe ato të familjes. Numrat realë (mat.) numrat e zakonshëm, të dalluar nga numrat imagjinarë. Shkencat reale (vjet.) shkencat natyrore, të dalluara nga shkencat shoqërore.
✱Sin.: i vërtetë, i zbatueshëm, efektiv.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë