Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABNORMÁL,~E mb. 1. Që i shmanget normales, që nuk është normal, që është jo i rregullt, anormal, jonormal; kund. normal. Njeri abnormal. Zhvillim abnormal. Proces abnormal. Ecuri abnormale. Ndryshime abnormale.
2. mjek. Që tregon shenja të një çrregullimi neuropsikiatrik. Shfaqje abnormale. Sjellje abnormale. Simptoma abnormale.
✱Sin.: jonormal, anormal, i parregullt.
ATIPÍ,~A f. 1. libr. Diçka që është e pazakontë, jo tipike, ose që shmanget nga norma apo standardi; diçka që nuk përputhet me karakteristikat e zakonshme ose të pritshme të një grupi, të një kategorie ose të një situate. Atipi në zhvillim (në proces, në ecuri). Atipi e indeve (e qelizave etj.) Atipia citologjike.
2. mjek. Parregullsi në zhvillimin e një sëmundjeje, shmangie në zhvillimin normal të një strukture qelizore, gjendje kur qelizat e një organi shfaqin atipi ose ndryshime që mund të zbulojnë zhvillimin e një sëmundjeje të rrezikshme.
✱Sin.: jotipi, çrregullim, jorregullsi, parregullsi, jonormalitet.
ATIPÍK,~E mb. Jonormal, jo i rregullt, që shmanget nga zhvillimi normal (i një dukurie, i një procesi, i një sëmundjeje etj.); kund. tipik Dukuri atipike. Ecuri atipike. Formë atipike. Qeliza atipike. Pamje atipike. Lytha atipikë.
✱Sin.: jotipik, jonormal, i çrregullt, i parregullt, i pazakonshëm, i ndryshëm, i veçantë.
AZIMÚT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. astr., gjeod. Këndi që formohet në pikën e vrojtimit ndërmjet rrafshit të meridianit dhe rrafshit pingul të trupit qiellor ose të sendit që vrojtohet. Azimuti i drejtimit. Azimuti i objektivit. Shënoj (mat) azimutin. Mat azimutin e yjeve. Azimuti i Diellit sot në mesditë ndodhet në jug. Studentët mësuan të llogarisin azimutin e objektivit.
2. gjeod., usht. Këndi horizontal që formohet ndërmjet drejtimit të një lëvizjeje të caktuar dhe drejtimit të veriut. Azimuti magnetik. Mat azimutin. Hedh azimutin në hartë. Përdor azimutin.
3. fig. Drejtimi që merr dikush ose diçka. Azimut strategjik. Zhvillimi i projektit mori azimut të ri.
✱Sin.: drejtim, orientim, kah, anë, rrymë, vijë, rrugë, ecuri.
GAJÁS vep., ~A, ~UR 1. kal. E lodh shumë, e mundoj dikë jashtë mase derisa t’i pritet fuqia dhe t’i zihet fryma; bëj që të meket nga të qeshurit ose nga të qarët. Na gajasi me ato që na tregoi.
2. jokal. Këputem nga lodhja, nga të qeshurat, nga të qarët etj. Gajasi së qari (së qeshuri). Gajasi së ecuri (së bërtituri).
3. jokal. Më thahet goja (nga etja, nga ethet etj.). Gajasën për një pikë ujë.
✱Sin.: shkul, mek, shkokëloj, mjakem, mundoj.
►GAJÁS/EM jovep., ~A (u), ~UR vetv. Lodhem shumë, më priten fuqitë e më zihet fryma (nga puna e tepërt, nga të ecurit, nga të qeshurit, nga të qarët etj.); mekem nga të qeshurit ose nga të qarët; bie përmbys (në kurriz) U gajas së ecuri (së foluri). U gajas së qeshuri (së qari). U gajas fëmija.
✱Sin.: mekem, çmekem, këputem, shkulem, kërdisem, shqyhem, shkrihem, zalisem, mundohem.
HAP,~I m. sh. ~ A, ~AT 1. Një e hapur e njërës këmbë para, prapa ose anash dhe vendosja e saj në tokë, kur ecim, kur bëjmë një ushtrim ose kur kërcejmë. Hap i madh (i vogël, i plotë). Gjysmë hapi. Hap para! (hap prapa!). Hap me të djathtën (me të majtën). Disa hapa larg. Hapat e parë të fëmijës. Në çdo hap. Bëj ca hapa. Hedh (shtrij) hapin.
2. Largësia ndërmjet shputave të këmbëve gjatë kësaj lëvizjeje, që merret edhe si masë gjatësie. Numëroj hapat. Mat me hapa.
3. Mënyrë të ecuri; ecje; mënyrë ecjeje e ngadaltë e disa kafshëve. Hap i shpejtë (i ngadaltë, i lehtë). Me hap rreshtor; me hap ushtarak; me gjysmë hapi; Me hap të shtrirë. Nis hapin eci. Rregulloj hapin. Shpejtoj (ngadalësoj) hapin. Eci me hap. Ecin me një hap. Me hap të lirë (të rregullt).
4. Zhurma që dëgjohet kur ecën dikush një njeri a kafshë. Dëgjohen hapa. Nuk ndihet kur ecën. Ecën në majë të gishtave. Kuptohet nga zhurma e hapave të marshit. Po afrohet dikush me hap rreshtor. Hap i rëndë. Mbaj (ndal) hapin ndalem.
5. fig. Ecje përpara, përparim; fazë a etapë në rrugën e zhvillimit të diçkaje, në një punë a veprimtari. Hapi i parë (i fundit). Me hapa të shpejtë (viganë). Hap i ri në rrugën e fitores (drejt fitores). Me hapin e masave. Hedh (bën) hapin e parë (hapat e parë) sapo nis të veprojë.
6. fig. Mënyra si veprojmë a si sillemi në një rast të caktuar; veprime e përpjekje që bëjmë për të arritur diçka, përçapje. Hap i rëndësishëm (i sigurt, i drejtë). Hap i pamatur (i gabuar, i nxituar). Hap vendimtar. Hap me përgjegjësi.
7. tek. Largësia më e madhe e lëvizjes drejtvizore të një mekanizmi; madhësia e detaleve të makinave etj. Hapi i rrotave të dhëmbëzuara. Hapi i helikës.
✱Sin.: pupë, hapshalë, ecje, përparim, përçapje.
♦ E bën hapin *kilometër (dikush) libr. Bëj (hedh) hapin e parë. 1. Marr nismën për t’i dhënë mundësi dikujt që edhe ai të më ndjekë; filloj unë i pari të tregoj se diçka mund të ndreqet. 2. Nis me sukses diçka, e nis mbarë; kapërcej vështirësitë e fillimit; bëj hapat e parë. Bëj hapat e parë nis të bëj diçka, filloj një punë; nis të përparoj, kapërcej vështirësitë e fillimit dhe eci më tej; bëj (hedh) hapin e parë. Bëj hapa (një hap) përpara kam arritje në një punë, kam sukses në diçka; e çoj më tej diçka, përparoj; kund. bëj hapa (një hap) prapa. Bëj hapa (një hap) prapa kam rënë më poshtë nga ç’kam qenë, nuk kam sukses në një punë; shkoj prapa; kund. bëj hapa (një hap) përpara. Bën hapa (mbeti, qëndron, ngeci) në *vend (dikush a diçka). E bën *vrapin sa ka hapin (dikush). Eci në një hap (me dikë) kapërcej prapambetjen dhe përparoj së bashku me dikë; punoj e përparoj njësoj si ai; vihem në një radhë. Ecën me hapin e breshkës (dikush) ecën shumë ngadalë, ka ritme të ulëta në punë, përparon shumë pak. Ecën me hapin e kohës (dikush a diçka) punon a sillet ashtu si e kërkon koha; nuk mbetet prapa, përparon në përputhje me kohën; është bashkëkohor. Hedh hapin nis një veprimtari, ia hyj diçkaje; guxoj të filloj diçka; ndjek. Hedh hapin i pari marr i pari nismën për të bërë diçka, dal në krye dhe filloj diçka që të më ndjekin të tjerët, hidhem i pari në veprim. Kaq e ka hapin (çapin) (dikush) kaq ka fuqi a mundësi për të bërë diçka, kaq i aftë është, kaq mundet; kaq e ka frymën. Nuk ia ndaj hapin (dikujt) e ndjek kudo, i shkoj pas kudo, nuk i ndahem, nuk shkëputem prej tij; nuk mbetem prapa tij. E ndjek në çdo hap (në çdo çap). 1. (dikë). Shkoj kudo ku vete dikush, i vete pas kudo; e ndjek hap pas hapi; e ndjek hap për (më) hap; e ndjek gjurmë për gjurmë (gjurmë pas gjurme). 2. (dikë a diçka). E vëzhgoj vazhdimisht dikë si përparon në një punë, si sillet, çfarë bën, si përgatitet për diçka etj., e ndjek me vëmendje ose e kam kujdes në çdo ndryshim që bën; e vëzhgoj vazhdimisht e pa ndërprerje diçka si ndryshon shkallë-shkallë, si zhvillohet, çfarë ndodh etj.; e ndjek hap pas hapi; e ndjek hap për (më) hap; e ndjek gjurmë për gjurmë (gjurmë pas gjurme). E ndjek hap për (më) hap (dikë a diçka) shih e ndjek në çdo hap (në çdo çap) (dikë). E ndjek hap pas hapi (dikë a diçka). 1. Shkoj pas dikujt a diçkaje pa iu ndarë, i vihem pas, e ndjek këmba-këmbës; e ndjek në çdo hap (në çdo çap); e ndjek gjurmë për gjurmë (gjurmë pas gjurme). 2. E vëzhgoj vazhdimisht dikë si përparon në një punë, si sillet, çfarë bën, si përgatitet për diçka etj., e ndjek me vëmendje ose e kam kujdes në çdo ndryshim që bën; e vëzhgoj vazhdimisht e pa ndërprerje diçka si ndryshon shkallë-shkallë, si zhvillohet, çfarë ndodh etj.; e ndjek hap për (më) hap; e ndjek çap pas çapi; e ndjek gjurmë për gjurmë (gjurmë pas gjurme).
KËLL/K, ~KU m. kryes. sh. ~QE, ~QET 1. anat. Secila nga kockat anësore të legenit (në trupin e njeriut dhe të gjitarëve); kërdhokull; çapok. U vra në këllqe.
2. fig. Forcë fizike dhe mendore; fuqi; aftësi. S’i arrijnë (s’i bëjnë) këllqet. S’ka këllqe për atë punë.
✱Sin.: kërdhokull, çapok, gollgan, kërçik, fuqi, takat.
♦ S’më bëjnë këllqet u plaka e nuk punoj dot më; s’kam më fuqi; më lanë (m’u prenë) këllqet. Më ranë këllqet u lodha shumë, u këputa së punuari a së ecuri; më ra bretku. I dridhen këllqet (dikujt). 1. Është shumë i lodhur, s’ka fuqi fare; s’e mbajnë këmbët. 2. Është i frikësuar shumë, është shumë i trembur; i dridhen gjunjët; i dridhen këmbët. S’ka *këllqe (kërçikë, kryqe) (për diçka) s’është aq i fortë a s’është aq i zoti për të bërë diçka, nuk ka forcën e guximin e nevojshëm për t’ia dalë; s’ka shpatulla; s’ka kockë; s’ka çapok; nuk ia rrok (nuk ia kap) pëllëmba (dikujt). Më lanë (m’u prenë) këllqet s’kam më fuqi trupore, më kanë shteruar forcat; s’më bëjnë këllqet.
KËMB/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Secila nga gjymtyrët e poshtme të njeriut, të kafshëve, të shpendëve dhe të disa kandrrave, që u shërbejnë për të ecur. Këmba e majtë (e djathtë). Këmbë kali me thundër. Këmbë buburreci. Këmbë viçi (derri). Me këmbë të gjata. Eci më këmbë eci, baras. Rri më këmbë nuk rri ulur. Me këmbë mbi këmbë këmbëkryq. Gishtat e këmbëve. Luani këmbët! ecni më shpejt! Vrava këmbën.
2. Pjesa e fundit e këtyre gjymtyrëve të njeriut dhe të disa kafshëve; shputë (tek njerëzit); putër (tek kafshët). Gjurmë këmbe. Me këmbë të zbathura.
3. Gjurma që lë në tokë kjo pjesë e fundit e gjymtyrëve të poshtme të njeriut dhe të kafshëve; gjurmë shpute a putre. Pashë këmbë njeriu (ariu, kali).
4. Çorapja, këpuca etj., si mbathje të pjesës së fundit të këtyre gjymtyrëve tek njerëzit. Mbaroi (së thururi me shtiza) njërën këmbë.
5. Të ecurit ose mënyra e të ecurit me gjymtyrët e poshtme të njeriut dhe të kafshëve kur ato përplasen në tokë; zhurma që dëgjojmë kur dikush ecën më këmbë. Dëgjoheshin këmbë.
6. Secila nga mbështetëset e një tryeze, e një karrigeje etj. Katër këmbët e tavolinës (e karriges). Këmbët e urës. Këmba e kërpudhës.
7. Shkallare a këmbëz. Shkallë me pesë këmbë.
8. Rrëza e një kodre a e një mali. Në këmbë të malit.
9. fig., bised. Vendi i punës ku dikush punon për dikë tjetër. Punoi dy vjet në këmbë të babait.
10. fig., bised. Zgjedhë; sundim. Nën këmbën e pushtuesit.
11. let. Masë vargu me një grup rrokjesh, të cilat përsëriten ritmikisht. Këmbë jambike (daktilike) në poezinë greke e latine.
12. Masë gjatësie a thellësie e barabartë me rreth 30 – 40 centimetra.
13. edhe fig. Pengë. Më vuri këmbën.
✱Sin.: shputë, putër, shkallare, shkelm, zgjedhë, stërkëmbës, pengë.
♦ U bë këmbë e dorë (dikush) u martua, u bë me familje. Është bërë këmbë e krye (diçka) është ngatërruar shumë, është bërë rrëmujë; është ndërlikuar keq; është përzier sa nuk ia di fillimin e fundin; është bërë lesh e li. I bëhet një *kokë nga këmbët (dikujt). Bën këmbë (dikush). 1. Ecën, niset për diku. 2. Hyn i pari në një shtëpi, kalon i pari pragun në një ditë të caktuar. 3. (diçka) Vjen, hyn, duket. Ka bërë këmbë (diçka) iron. e kanë vjedhur, e kanë marrë; është zhdukur, ka humbur. Nuk më bëjnë këmbët. 1. Nuk kam fuqi të eci, nuk mund të vete diku; m’u prenë këmbët; nuk më bëjnë (nuk më punojnë) gjunjët. 2. Nuk kam dëshirë a guxim të vete diku, s’më shkohet diku. I bëri këmbët *baras (dikush). I bëri këmbët *çift (dikush). E bëj këmbë e dorë (dikë) e martoj (për një djalë). E bëri këmbën *kobure (dikush) përçm. I bëri këmbët *të lehta (dikush). E bëri të kërcejë me një këmbë (në njërën këmbë) (dikush) ia mblodhi, bëri si deshi me të; e bëri të hedhë valle në tepsi. Bën *kryq me këmbë (dikush) iron. I bie bukës (së mirës) me këmbë (me *shkelm) (dikush). Më ra (më shkoi) *gjaku në fund të këmbëve. I ra këmbës (dikush). 1. U përpoq më kot për të arritur diçka; këmbënguli me forcë e bëri çdo përpjekje. 2. mospërf. Vdiq. I ra ndër këmbë (dikujt) iu lut me përulje, iu përgjërua; i ra në gjunjë. Më ranë këmbët (copë) s’lashë vend pa e kërkuar dikë a diçka; u këputa së kërkuari; u çapëlova së ecuri. Ra me këmbë nga dielli (dikush) mospërf. vdiq; i bëri këmbët çift; i mblodhi këmbët; iu mblodhën këmbët (dikujt); i ndeu (i ngriti) këmbët. Bie me këmbët në *tokë (dikush). I bie *lëkura te këmbët (nga dikush). I ra *nenit të këmbës (dikush). Me *bisht ndër këmbë keq. Me *brekë nëpër këmbë (zvarrë) tall. vulg. Çalon nga të dyja këmbët (diçka) ka të meta shumë të rënda; është keq nga të gjitha anët, nuk vete mbarë në çdo anë. *Ditën të lëpin këmbët e natën të ngul dhëmbët (dikush). I digjet (i ndizet) *toka (trualli) nën këmbë (dikujt). *Djepi plot e këmbët jashtë (dikush) iron. *Doç i dalë (i pjellë) me këmbë bised. përçm. Me *duar e me këmbë. E drodhi këmbën (i drodhi këmbët) (dikush) përçm. vdiq; ngordhi; tundi këmbën (këmbët); e drodhi (e përdrodhi) bishtin. I dridhen këmbët (dikujt) ka shumë frikë, i ka hyrë tmerri, s’mbahet dot; i dridhen gjunjët; i dridhen këllqet. I dridhen *leqet e këmbëve (dikujt). I dridhet (i rrëshqet) *toka (trualli) nën këmbë (dikujt). Ecën me këmbët e veta (dikush a diçka) punon e jeton vetë, pa ndihmën e të tjerëve; është i pavarur nga të tjerët, përparon vetë. Fle në këmbë (dikush) është i ngathët e i plogët nga trupi e nga mendja, është i fjetur e i humbur; nuk e nxjerr dot qimen nga qulli. Të fryn nga këmbët (dikush) të mërzit shumë, sa s’e duron dot; ia marr shpirtin (dikujt). E fryu në *lak të këmbës (dikë). I fsheh këmbët (dikush) punon e vepron fshehurazi; është dinak; nuk shfaqet siç është, i mbulon qëllimet; hedh gurin e fsheh dorën; i fsheh brirët keq. Fshij këmbët (te dikush) përçm. nuk e vlerësoj fare; nuk e vë as te thembra (dikë); e shumëzoj me zero (dikë). I futet detit më këmbë (dikush) nis një punë që nuk mund të bëhet ose që është jashtëzakonisht e vështirë; ka guxim të tepruar, ndërmerr një punë shumë të vështirë pa u menduar gjatë; e kalon (e hedh) detin më këmbë; e than detin me lugë; e mat detin me lugë. Fut (kall) këmbët (diku) hyj diku, arrij të futem; vij e ngulem diku si me zor a pa u ndier. E futi këmbën në *çark (dikush). Ia futi (ia vuri) (të dyja) këmbët në një *këpucë (në një opingë) (dikujt). Ia futi (ia vuri) këmbët në *rrip të dyfekut (dikujt). Nuk ia gjen (dot) këmbët (dikujt). 1. Nuk e zbulon dot dikë ku është fshehur, është diku i fshehur dhe nuk e gjen dot. 2. Nuk e zbërthen dot dikë, nuk e kupton dot ç’mendon e ç’ka ndërmend të bëjë; nuk e merr vesh ç’bën; i humb (i mbulon, i fsheh) gjurmët (dikush). *Gjyle në këmbë. E ha arën në këmbë (pa korrur) (dikush) iron. i shpenzon të ardhurat para kohe; nuk di të bëjë ekonomi; nuk di të kursejë kur duhet e atje ku duhet; e ha grurin që në arë. Të ha (ta rrëmon) *dheun nën këmbë (dikush). Sa i hanin këmbët me shpejtësinë më të madhe, sa mundej më shpejt, aq sa mund të vraponte; ia mbathi me të katra (dikush). I hanë këmbët për gjemba (dikujt) e kërkon vetë të keqen, kërkon shkak që të grindet a të bëjë sherr; kërkon gjemb për këmbë (dikush); lëshon brezin (i pari) (dikush). Ha këmbët e veta (dikush). 1. Vuan shumë sa s’duron dot më; s’di ç’të bëjë, hahet me vetveten. 2. Mundon a sakrifikon veten dhe s’pranon të bëjë diçka. Nuk të hahen këmbët nuk duhet të të vijë rëndë të shkosh diku; nuk duhet të kursehesh për të bërë diçka; nuk do të mundohesh shumë e nuk do të pësosh gjë. Iu hap *dheu nën këmbë (dikujt). M’u hap *toka (nën këmbë). Po i hapet *varri nën këmbë (dikujt). Hedh këmbët (kërcen, i shpie këmbët) siç bie *daullja (sipas daulles) (dikush) përb. E hedh (e vë) këmbën mbi këmbë rri i qetë e nuk e vras mendjen më, se i kam siguruar të gjitha; jam shumë i kënaqur e pa fare meraku; e hedh (e vë) festen (kësulën, qeleshen, kapelën, takijen) mbi sy; e fle mendjen. I hedh këmbët (kërcen) sipas *avazit (dikush). I hedh këmbët sipas *valles (dikush). E hodhi *lumin pa lagur këmbët (pa u lagur) (dikush). E hoqi këmbën *zvarrë (rrëshqanë) (dikush). Të heq (të merr) opingat nga këmbët (dikush). Ua hipi këmbëve shaka. shkoj më këmbë, nisem për diku më këmbë, nuk pres a nuk përdor ndonjë mjet udhëtimi; me kalin e babait shaka. Nuk i hyn *ferrë në këmbë (dikujt). Nuk i hyn *gjemb në këmbë (dikujt). Është më (në) këmbë (dikush) është në gjendje të mirë shëndetësore, nuk është i sëmurë; është në gjendje të tillë saqë mund të jetojë e të punojë, mbahet; mbahet më këmbë. (Është) me këmbë në *kapërcyell (dikush). (Është) me një këmbë në *varr (dikush). (Është) me një këmbë në *yzengji (dikush). Është pa *opinga në këmbë (dikush). S’është *tamam nga koka (dikush). E jep me *dorë dhe e merr me këmbë (diçka). U jap (u grah) këmbëve shpejtoj, nxitoj; nis të eci më shpejt a të vrapoj. E kalon detin më këmbë (dikush) mburret se mund të bëjë gjithçka, i duket se nuk ka pengesë që ta ndalojë në qëllimet e veta se mund të bëjë edhe diçka të pamundur; nis diçka shumë të vështirë a të pamundur pa i bërë llogaritë mirë; i futet (ia hyn) detit më këmbë. Sikur ka *botën (tërë botën) nën këmbë (dikush) përb. E kam *ferrë nëpër këmbë (dikë a diçka). E kam *gjalmë nëpër këmbë (dikë a diçka). E kam nëpër këmbë. 1. (dikë) E kam fëmijë fare të vogël e duhet ta rrit, duhet të merrem me të, t’i rri pranë. 2. (diçka) Kam një punë në dorë e duhet ta mbaroj; kam diçka që më pengon e duhet ta kryej sa më parë. 3. (dikë) Më pengon a më prish punë dikush, që nuk më ndahet e më përzihet në punët e mia. S’ka këmbë (diçka) nuk humbet vetë, s’ka ku shkon vetë; e ka humbur dikush. Sa të kem këmbë e dorë (e duar) sa të kem fuqi për të ecur vetë e për të punuar; sa të jem i fuqishëm; sa të jem gjallë e zot i vetes; sa të më punojë (të më luajë) këmba e dora. I ka këmbët *të lehta (dikush). I kam këmbët *të lidhura. E ka këmbën *të prapë (dikush). I ka këmbët *të thara (dikush). I ka këmbët në *yzengji (dikush). Ka *kokën nga këmbët (dikush) tall. S’ka as *kokë e as këmbë (diçka). I kam litarët nëpër këmbë jam i zënë me punë e s’kam mbaruar ende, nuk kam shpëtuar ende nga një barrë që kam pasur; më pengon ende diçka. I ka mendtë në këmbë (dikush) iron. nuk di se ç’bën, sillet a vepron si i marrë, nuk punon me mend; nuk është në rregull nga trutë; nuk i ka mendtë në kokë (në krye); i ka mendtë në majë të thanës; kund. e ka mendjen (i ka mendtë) në kokë (dikush). I ka trutë në *fund të këmbëve (dikush). Edhe me një këmbë … doemos, do apo nuk do, detyrimisht, pa kundërshtime, madje me qejf (për të bërë diçka). Me këmbë balte (argjile) i fuqishëm në dukje, por me mbështetje të dobët; i paqëndrueshëm (për dikë, të cilit më kot ia kemi pasur frikën). Nga këmbët *borroviq, nga mendja eksiq mospërf. Me këmbë e me duar. 1. Me të gjitha forcat e mundësitë për ta bindur dikë; me pasion, me shpirt, me zjarr. 2. Duke përdorur të gjitha fuqitë e mundësitë për të bërë diçka; me çdo mjet e mënyrë. Në këmbë e në dorë (në duar) shpejt e shpejt, pa u shtruar, si më këmbë; si shkarazi; hundë e buzë. Si këmbët e dhisë mospërf. ashtu si nuk merret vesh se kush është më i madh e kush më i vogël, kush është në krye e kush vjen pas etj., sikur jemi të gjithë njëlloj. Këmbë e kokë (e krye). 1. Që të gjithë, i madh e i vogël. 2. Tërësisht, krejtësisht; kokë e këmbë. Në këmbë e në krye hollësisht; fill e për pe. Me këmbë të lehta! ur. dalsh mirë e pa u lodhur!, mos u mundofsh shumë!, e kalofsh lehtë! (kur dikush niset për udhë). Këmbët e lehta faqja e bardhë! iron. i shpëton rrezikut dikush duke ikur me vrap; nuk është trim, i shmanget rrezikut e shpëton veten duke ia mbathur. Me këmbë të mbarë! ur. sjellsh mbarësi me ardhjen tënde!, paçim të mira paskëtaj (kur na vjen dikush për së pari). Me këmbë plumbi shumë ngadalë, por me hapa shumë të sigurt; i rëndë në të ecur. Me këmbët e pulës tall. 1. Shumë keq, jo qartë e jo bukur; pa rregull e pa kujdes, si nga një njeri që s’merr vesh; me thonjtë e bufit. 2. Shumë i keq, shumë i ngatërruar, i palexueshëm e jo i bukur (për shkrimin). Këmba (këmbëza) e *urës. Me *këpucë në këmbë. Kërcen (i hedh këmbët) sipas *avazit (të dikujt) keq. Kërcen (hedh këmbët) siç bie *daullja (sipas daulles) keq. Kërkon *gjemb për këmbë (dikush). Kërkon këmbë për gjemb (dikush) kërkon njeri me të cilin të grindet, do që të grindet me dikë; kërkon gjemb për këmbë; lëshon brezin i pari. Kërkon këmbë për murriz (dikush) shih kërkon këmbë për gjemb (dikush). *Kokë e këmbë. Nga *koka deri te këmbët. *Kokën (kryet) këtu e këmbët atje (dikush). *Kolos me këmbë argjile shpërf., libr. E ktheu (e hodhi) me këmbë përpjetë. 1. (dikë) mospërf. E vrau, e shtriu përtokë të vdekur. 2. (diçka). E përmbysi, e bëri rrëmujë a e prishi fare (duke kërkuar diçka a duke dashur të bëjë diçka tjetër). S’i ka lagur këmbët (dikush). 1. Ka shpëtuar mirë, nuk ka pësuar gjë, s’ka pasur asnjë të keqe; nuk ka pasur asnjë vështirësi ose fatkeqësi në jetë. 2. Nuk është munduar e nuk është lodhur as për vete e as për të tjerët, nuk ka lëvizur, nuk është përpjekur fare. T’i lash këmbët e t’i pish ujin (dikujt) është njeri shumë i mirë, nuk e ka shokun e meriton nderimin më të madh, është aq i mirë sa çdo gjë duhet t’ia pëlqesh e t’ia pranosh. Më kanë lënë këmbët s’kam më fuqi, më kanë lënë forcat, u plaka e s’jam më në gjendje të punoj, të eci gjatë a të vrapoj etj.; më kanë lënë gjunjët. Më ka lënë këmba e dora shih më kanë lënë këmbët. M’i la këmbët e arushës në dorë (dikush) shpëtoi vetë duke ma lënë mua rrezikun, barrën a kokëçarjen; ma hodhi, ma punoi. E lanë (e lëshuan) *leqet e këmbëve (dikë). La *leshtë e kokës (për diçka). I lëpin (i puth) këmbët (dikujt) keq. i përulet shumë dikujt, i shkon pas qejfit; i lutet e i përgjërohet, i bën lajka dhe i nënshtrohet plotësisht; i lëpin (i puth) çizmet; i puth gjunjët; i puth prehrin; i bëhet lepitkë; iu bë baltë; iu bë baltë pas këpuce. Të lëshon *litarin nëpër këmbë (dikush). Ia lëshoj *samarin nëpër këmbë (dikujt). Ia lidhi (ia zuri) këmbët. 1. (dikujt) Nuk e lë të shkojë gjëkundi, e ka zënë dhe e pengon të lëvizë a të bëjë një punë; e lidhi këmbë e duar (dikë). 2. (diçkaje) Po ia pengon zhvillimin, nuk e lë të përparojë. E lidhi këmbë e duar (dikë). 1. Nuk i la asnjë liri veprimi, i hoqi çdo mundësi për të bërë diçka, e prangosi, e bllokoi; ia lidhi (ia zuri) këmbët (dikujt). 2. I hoqi çdo të drejtë; e robëroi, e skllavëroi. M’u lidhën këmbët nuk kam më mundësi të shkoj gjëkundi, jam i zënë me dikë a me diçka për një kohë të gjatë e s’lëviz dot nga shtëpia; i kam këmbët të lidhura. Nuk i lodh këmbët (dikush) përton a nuk ka dëshirë të shkojë diku; nuk e vë veten në mundim. Luaj këmbët. 1. Nxitoj, shpejtoj; eci. 2. Përpiqem për të arritur diçka, lëviz; interesohem; shpie gojën te buka. Të lumshin këmbët! ur. mirë se erdhe; të lumtë që erdhe! Nga *maja e flokut te thonjtë e këmbëve. I marr *dorë e këmbë (dikujt). E ka marrë *frerin nëpër këmbë (dikush). Mori këmbë (diçka). 1. U përhap gojë më gojë gjithandej; mori dheun. 2. Filloi të marrë për mbarë, nisi të ecë si duhet. Mori këmbët (dikush). 1. U ngrit dhe ecën vetë; mësoi të ecë. 2. Iku me vrap; ua mbathi (ua dha, ua theri) këmbëve. I mori këmbën (dikujt) veproi në vend të një tjetri, zëvendësoi një tjetër, shkoi në këmbë të një tjetri; i zuri këmbën; zuri këmbën (e dikujt). E mori nga këmbët (diçka) nuk e kuptoi si duhet, e keqkuptoi, e kuptoi mbrapsht; e mori së prapthi. E merr nëpër këmbë 1. (dikë). Nuk e nderon e nuk e vlerëson si duhet; e përdor keq; e trajton keq; e mori zvarrë; e ka bërë shtupë (enësh); e ka bërë fshesë mospërf. 2. (diçka) Nuk e përfill, e shpërfill, e shkel, e nëpërkëmb (për parimet, të drejtat etj.). E ka marrë këmbën në *gojë (dikush). Mori këmbët në krahë (dikush). 1. shaka. U nis menjëherë, u largua shpejt e pa u vonuar, ia mbathi; iku më këmbë; ua mbathi (ua dha, ua theri) këmbëve. 2. U lodh shumë nga një rrugë e gjatë, saqë nuk mund të ecë dot, nuk i punojnë më këmbët, u këput. Mbahet më këmbë. 1. (dikush a diçka). Qëndron më këmbë dikush, nuk është rrëzuar, nuk ka rënë; nuk është prishur diçka, nuk ka rënë ende; mezi mbahet. 2. (dikush). Rron ende, jeton, megjithëse i dobët e i pafuqishëm, mbahet disi; është më (në) këmbë. Mbaj këmbët nis të eci më ngadalë; ndalem, qëndroj; kund. ngas këmbët. Nuk më mbajnë këmbët më është prerë fuqia fare, nuk qëndroj dot më këmbë, më janë dobësuar këmbët (nga një sëmundje, nga frika etj.); m’u prenë këmbët; m’u shkurtuan këmbët; nuk më mbajnë gjunjët; m’u prenë (m’u këputën) gjunjët. E mbaj më këmbë (dikë a diçka) e bëj dikë që të jetë a të rrojë ende, të ruajë gjendjen që ka, duke u përkujdesur për të; kujdesem për diçka dhe e forcoj, nuk e lë të bjerë, të prishet ose të bëhet më keq; arrij me përpjekje të ruaj diçka në gjendjen siç është. I mban këmbët në *hi (dikush) keq. Ua mbathi (ua dha, u ra, ua theri) këmbëve (dikush) iku me vrap, ia dha vrapit, iku me të katra, fluturoi; iku e u zhduk shpejt (zakonisht nga frika); mori këmbët; mori këmbët në krahë; i bëri këmbët të lehta; ia mbathi me të katra; mbathi opingat; mori arratinë; çau ferrën. Mbeta *qiri në këmbë. Mbështetet në (me) të dyja këmbët. 1. (dikush) Është shumë i sigurt, mbështetet fort e plotësisht diku për një punë, e nis a bën diçka duke qenë i përgatitur plotësisht ose duke pasur mbështetjen e plotë të dikujt. 2. (diçka) Mbështetet plotësisht mbi parime, teori e baza të shëndosha. Mbështetet në (me) një këmbë. 1. (dikush) Nuk është shumë i sigurt, nuk mbështetet si duhet e plotësisht diku për një punë; nuk është plotësisht i përgatitur për të nisur a për të bërë diçka ose nuk ka mbështetjen e plotë të dikujt. 2. (diçka) Ka mbështetje të dobët a të njëanshme mbi parime ose teori të caktuara; nuk është plotësisht e mbështetur. Mbjell *ferra nëpër këmbë (dikush). Mos mbiftë këmbë! mallk. mos shkeltë kurrë! I mblodhi këmbët (dikush). 1. mospërf. Vdiq; iu mblodhën këmbët (dikujt); i ndeu (i ngriti) këmbët; i bëri këmbët çift; ra me këmbë nga dielli. 2. Pakësoi shpenzimet, nisi të kursejë; pakësoi kërkesat; u bë më i thjeshtë; u mblodh, u shtrëngua. Iu mblodhën këmbët (dikujt). 1. U shtrëngua të pranojë a të ngulet diku, s’është më i lirë a s’lëviz dot si do vetë. 2. mospërf. Vdiq; i ndeu (i ngriti) këmbët (dikush); ra me këmbë nga dielli (dikush); i bëri këmbët çift (dikush). I ndeu (i ngriti) këmbët (dikush) mospërf. vdiq; i bëri këmbët çift; ra me këmbë nga dielli; e drodhi (e përdrodhi) bishtin; e mbështeti brinjën. I ndeu (i bëri) këmbët *çift (dikush) mospërf. Ngas këmbët nis të eci; eci shpejt, nxitoj; kund. mbaj këmbët. Më ngatërrohet (më futet) nëpër këmbë (dikush) më pengon në punët e mia, më bëhet pengesë a më bezdis; nuk më lë të lirë e të qetë të bëj diçka. U ngrit (u çua) në (më) këmbë (dikush). 1. Filloi të ecë me këmbët e veta, u mëkëmb (për fëmijën); doli në jetë. 2. U ngrit nga shtrati, u shërua, e mori veten dhe është në gjendje të punojë (për një të sëmurë rëndë, që është dergjur për një kohë të gjatë). 3. Filloi një punë me rëndësi; mblodhi të gjitha fuqitë e u gatit për të kryer një punë të madhe a për të përballuar diçka të vështirë, të rëndë, të rrezikshme etj. 4. U hodh në kryengritje a në protesta; u ngrit (u çua) peshë. E ngriti (e çoi) në (më) këmbë. 1. (dikë) E shëroi, e bëri të ngrihet nga shtrati e ta marrë veten plotësisht. 2. (dikë) E rriti dhe e edukoi derisa u bë i zoti për të punuar vetë, e përgatiti për jetën; e nxori në jetë. 3. (diçka) Ndërtoi një shtëpi, një vegël etj., rregulloi diçka të prishur dhe e vuri në punë. 4. (diçka) Organizoi diçka, e krijoi, i dha formë (një pune, një veprimtarie etj.). 5. (dikë) E bëri që të hidhet në veprim a në kryengritje, e nxiti për kundërshtim e protestë; i dha shpirt e entuziazëm; e ngriti (e çoi) peshë. 6. (dikë) E shqetësoi a e mërziti shumë, e bëri që të alarmohet. Ngre këmbët e i bie kokës (dikush) pendohet thellë për një veprim të gabuar që ka bërë a që nuk e ka shfrytëzuar një rast të volitshëm, e dënon veten për këtë shkak. I ngriti (i bëri) këmbët *bigë (dikush) mospërf. E ngriti këmbën si *breshka (dikush) keq. Ngriti këmbën e nguli gozhdën (dikush) bëri një veprim në dëm të vet pa u menduar thellë, e kërkoi e ia bëri të keqen vetes; shkoi (vajti) si breshka te nallbani. Ngrihen këmbët e i bien kokës ngrihet i vogli e godet të madhin; më i varfri kundërshton dhe sulmon të pasurin; fundi godet kreun. Ngul këmbë. 1. Nuk luaj nga vendi, nuk eci, nuk lëviz; ngul thembrat. 2. (për diçka). Kërkoj me të madhe që të më plotësohet një kërkesë a një dëshirë; mbroj me ngulm mendimin tim për diçka, këmbëngul; nuk tërhiqem, ngulmoj; tund këmbët; ngul thembrat; nuk heq dorë. Ngul këmbët në *akull (dikush). Ka nxjerrë këmbët më parë (dikush) tall. është shumë i prapë; s’lë dy gurë bashkë. Nxjerr *prush me këmbët e maces (dikush) keq. Përplas (përpjek) këmbët (përdhe) (dikush) e kërkon diçka me këmbëngulje, e do patjetër (zakonisht për fëmijët); këmbëngul me forcë që të bëhet si do ai, e kërkon me inat e domosdo. (E priti) me këmbët e para. 1. E priti keq, ashpër, me të egër, jo miqësisht; e priti me (tërë) hundë (hundë e buzë). 2. (diçka) Nuk e pranoi, e kundërshtoi prerazi, e hodhi poshtë menjëherë e me zemëratë (një kërkesë, një propozim etj.). M’u prenë këmbët. 1. Nuk eci dot më; u këputa nga lodhja, nga një lajm i keq etj., më iku fuqia; nuk më mbajnë këmbët; m’u shkurtuan këmbët; m’u prenë (m’u këputën) gjunjët. 2. Nuk kam më as fuqi e as guxim të veproj; u tremba e u tërhoqa; u trondita shumë; nuk më bëjnë këmbët; nuk më mbajnë këmbët; m’u shkurtuan këmbët; m’u prenë (m’u këputën) gjunjët. Sa të më punojë (të më luajë) këmba e dora sa të kem fuqi për të ecur vetë a për të punuar; sa të jem zot i vetes; sa të kem këmbë e dorë (e duar). I puth këmbë e dorë (dikujt) keq. shih i lëpij (i puth) këmbët (dikujt) keq. I qan hallin *kalorësit se i varen këmbët (dikush) iron. Qëndron më (në) këmbë. 1. (dikush a diçka) Nuk është rrëzuar dikush a diçka, nuk ka rënë përtokë; nuk është prishur diçka. 2. (diçka) Është e drejtë, e vërtetë a e shëndoshë dhe nuk bie, jeton, pranohet e nuk mohohet (një ide, një pikëpamje, një tezë, një akuzë etj.). I rri më këmbë (dikujt a diçkaje) jam gjithnjë gati për t’i shërbyer dikujt a për të bërë diçka; përkujdesem shumë për dikë, e vështroj dhe i shërbej me merak. Rri këmbë mbi (përmbi) këmbë (dikush) rri i qetë, pa kokëçarje, i shkujdesur; kapardiset; s’e prish qejfin dhe rehatinë e vet për asgjë, nuk shqetësohet fare. I rri *qiri më këmbë (dikujt). (Iku) nga (ku) *sytë këmbët (dikush). I shkau (i rrëshqiti) këmba (dikujt). 1. Ka gabuar, bëri një gabim (zakonisht pa dashje). 2. Ra nga pozita; u largua nga një post ose u ul në detyrë; ra (zbriti) nga fiku (dikush). Të shkel *bukën me këmbë (dikush). E shkeli me të dyja këmbët (dikush) gaboi rëndë, ka gabuar tërësisht; është plotësisht fajtor, vetë e me vetëdije nuk i është përmbajtur diçkaje. E shkel me këmbë. 1. (diçka). E hedh poshtë, nuk e zbatoj (një parim, një ligj etj.); nuk e pranoj, e shpërfill; e përlyej; e hedh në baltë. 2. (dikë) E përbuz a e urrej dhe e shtyp; e nënshtroj me dhunë. Nuk i ka shkelur këmba (diku) nuk ka vajtur asnjëherë atje, nuk ka qenë kurrë atje. I shkel këmba shesh (dyst) (dikujt) nuk ka pengesa në rrugën e vet, i ecën çdo gjë si në vaj; e ndien veten të sigurt e zot kudo. Ku shkon *mbreti në këmbë euf. Shkund me *duar e shtyp me këmbë (dikush). M’u shkurtuan këmbët nuk eci dot ose nuk qëndroj dot më këmbë nga lodhja, nga pleqëria, nga një lajm i papritur etj., m’u pre fuqia fare; m’u prenë këmbët; m’u thanë këmbët; nuk më mbajnë këmbët; m’u prenë (m’u këputën) gjunjët. Ia shkurtoj këmbët (dikujt) e ndëshkoj rreptë dhe nuk e lejoj më të shkelë diku, që të mos bëjë më dëme a të këqija. Kur të shohësh këmbët e gjarprit (e bollës) shih kur të shohësh bythën e mizës përb., vulg. Nga (ku) më shpien këmbët pa e ditur se ku, pa një qëllim, kuturu; pa e pasur mendjen dhe pa vetëdije. I shpie këmbët (kërcen, hedh këmbët) siç bie *daullja (sipas daulles) (dikush) përb. Më shtiu këmbët (dikush) e kërkova gjithandej, mezi e gjeta a e arrita; rraha (çava) dheun. Shtriji këmbët sa ke jorganin! 1. Shpenzo aq sa ka mundësi; mos i kapërce mundësitë e tua! 2. Vëri vetes detyra sa ke aftësi e mundësi t’i kryesh, mos merr përsipër më shumë sesa mundesh. E tërheqin këmbët *poshtë (dikë). Tundi këmbën (këmbët) (dikush) mospërf., iron. shih e drodhi këmbën (i drodhi këmbët) (dikush) përçm. Tund këmbët (dikush). 1. E kërkon diçka me këmbëngulje e kokëfortësi, nuk lëshon; grindet, bën sherr e kërcënon; ngul këmbë. 2. Lëviz e përpiqet për të siguruar diçka, nuk pret t’i vijë diçka vetë, çallëstis. M’u thanë këmbët. 1. shih m’u shkurtuan këmbët. 2. Bëra gabim që nuk vajta diku, më mirë të kisha vajtur; ç’pata që s’vajta! T’u thafshin këmbët! mallk. mos ecsh dot kurrë! (kur s’bën diçka që duhet bërë ose anasjellas). Si s’m’u thanë këmbët! ç’desha që erdha a që vajta diku, më mirë të mos vija; nga theva këmbën! I thirri këmbës (dikush) iku, u zhduk, nuk u pa nga vajti; iku nga (ku) sytë këmbët; ua theri këmbëve. E theu këmbën (dikush) përb. 1. shih theu (këputi) qafën2 (dikush) përb. 2. Vdiq. Nga theva këmbën! ç’m’u desh që dola a që vajta diku, më mirë të mos vija; si s’m’u thanë këmbët! Theu këmbën e shejtanit (dikush) shaka. nuk kishte ardhur prej kohësh, erdhi më në fund për vizitë pas kaq kohësh. *Ujk me dy këmbë iron. *Urë pa këmbë mospërf. Varet nga këmbët e veta (dikush) e bën çdo gjë vetë dhe përgjigjet vetë për atë që bën; nuk mban sytë e nuk pret ndihmë nga të tjerët, gjithçka e ka me forcat e veta. Ia vuri (ia futi) (të dyja) këmbët në një *këpucë (dikujt). Vdes në këmbë (dikush) është trim i madh, nuk mposhtet e nuk gjunjëzohet para askujt; s’i trembet asnjë rreziku. Vë këmbë (diku) vete diku, shkoj, shkel. I vuri këmbën (dikujt) keq. 1. E përzuri, e dëboi; e shkelmoi. 2. shih i vuri shkelmin në bark (dikujt). 3. (diçkaje) E fshehu, e mbuloi; e mohoi, e braktisi. E vuri nën këmbë (dikë) e mundi, e mposhti dhe e nënshtroi; e gjunjëzoi. I vuri këmbën (*shkelmin, gjunjët) në bark (dikujt). I ka vënë këmbën në fyt (në grykë) (dikujt) shih i ka vënë shkelmin në fyt (në grykë) (dikujt). Vë këmbët në *kamare (dikush). Ia vuri (ia futi) (të dyja) këmbët në një *këpucë (dikujt). I vuri këmbën në qafë (dikujt) shih i vuri shkelmin në qafë (dikujt). Vë pleshtin ndër këmbë (dikush) tall. është dorështrënguar, është cingun i madh; nxjerr dhjamë nga pleshti. Nuk i vjen as te *gishti i këmbës (dikujt). Nuk i vjen as te *thembra e këmbës (dikujt). Nuk i vjen as te *thonjtë e këmbëve (dikujt). I zuri ferra këmbën (këmbët) shih i zuri rrota (qerrja) bishtin (dikujt). I zuri këmbën (dikujt) u zu ngushtë, s’kishte nga t’ia mbante; diçka e rëndë a e keqe e pengoi; i zuri rrota (qerrja) bishtin. Zuri këmbën (e dikujt) shih i zuri këmbën (dikujt). I zuri këmbën (dikujt) u vu në një punë a në një detyrë në vendin e një tjetri që u largua, bën punën e dikujt që ka qenë më parë; zuri këmbën (e dikujt); i mori këmbën; i zuri vendin. S’e zë këmba nuk shkelet shumë nga njerëzit diku, nuk rrihet (një rrugë etj.); është i pakalueshëm. Ia zuri këmbët me *derë (dikujt). S’i zënë këmbët *dhè (dikujt). Më zë këmba *rrafsh. S’i zënë këmbët *vend (dikujt).
METODÍK,~E mb. 1. Që ka të bëjë me metodën ose me metodikën e një pune, që merret me metodën e një fushe të veprimtarisë; që i përket metodës ose që lidhet me të. Sistemi i problemeve të programit nga ana metodike. Punë (ndihmë) metodike. Udhëzime metodike. Plan metodik. Kabinet (rreth, kënd) metodik. Qendër (degë) metodike. Shfrytëzoj materiale metodike për zhvillimin e lëndëve të ndryshme shkollore.
2. Që vepron në mënyrë sistematike, sipas një metode a sipas një plani të përcaktuar më parë, që punon me metodë; i rregullt. Njeri (dijetar) metodik. Ecuri (punë) metodike.
NDAL vep., ~A, ~UR kal. 1. I ndërpres lëvizjen ose ecjen dikujt a diçkaje, e bëj të qëndrojë në vend; ndaloj. Ndal hapin. Ndal makinën. I ndal hovin kalit.
2. Ndërpres ose lë pa përfunduar një veprim, një punë etj. Ndal shfletimin e gazetës. Ndal punën (bisedën, këngën). Ndali vrapin (hapin). E ndalën zënkën. E ndali valën (hovin, vrullin).
3. I ndërpres rrjedhjen, nuk e lë të rrjedhë a të dalë; e pushoj, ndaloj. Ky ilaç e ndal rrjedhjen e gjakut. I ndali lotët. E ndali rrjedhjen e ujit.
4. bised. E mbaj që të rrijë diku si mik. E ndali mikun për drekë (për darkë).
5. Nuk i jap diçka që i përket dikujt, e mbaj. I ndalën rrogën dikujt. Nuk ndal asgjë për vete. Ia ndalën me këste.
6. fig. E ngul diku, e përqendroj te dikush a te diçka. I ndali sytë (e ndali vështrimin) te flamuri. E ndalëm vëmendjen te çështja kryesore.
7. bised. Shuaj. Ndal zjarrin. Ndal qiriun. Ndal motorin.
8. jokal. Pushoj së ecuri, së lëvizuri a së bëri diçka, ndalem; ndërpritet. Ndalën te dera. Ndali makina. Prit që të ndalë shiu, pastaj ik.
9. vjet. Mbaj bijën (vajzën, motrën) që ka ardhur në shtëpi të prindërve, s’e lejoj të shkojë më te burri që kishte, mbaj. E ndali të bijën. Ia ndalën nusen.
✱Sin.: ndaloj, ngul, përqendroj, shuaj, ndalem, qëndroj, ndërpritet, pushon, ndal!, qëndro!, prit! (prisni)!, dale! ndaj, mbaj.
♦ I ndal *dorën (dikujt). I them “ndal” (diçkaje) libr. i pres rrugën përparimit të diçkaje, s’e lë të shkojë a të zhvillohet më tej; e pengoj menjëherë; e kundërshtoj me forcë e me vendosmëri, nuk e lejoj. Ta ndal *frymën (dikush). E ndali (e la, e mbajti) *vrapin (diku).
NDAL/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. I ndërpres lëvizjen ose ecjen dikujt a diçkaje, e bëj të qëndrojë në vend, ndal; kund. lejoj. Ndaloj trenin. Ndaloj veturën (karrocën, biçikletën).
2. Lë përgjysmë a pa përfunduar diçka; ndërpres; nuk e lejoj të zhvillohet a të shfaqet më gjatë. Ndaluan punën. Ndaloi shfaqjen. Ndaluan lojën. Ndaloj gjykimin. I ndalon dhembjen. Ndalon zhvillimin (rritjen). Ndaloj zjarrin. usht.
3. I ndërpres rrjedhjen, nuk e lë të rrjedhë a të dalë; e pushoj; ndal. Ndaloj ujin. Ndaloj rrjedhjen e naftës. E ndalon gjakun.
4. Nuk e lë të veprojë ose të bëjë diçka, e mbaj; pengoj një veprim a urdhëroj të mos bëhet. E ndaloj të flasë (të përgjigjet). Ia ndaloi fjalën. Na ndaloi të takoheshim (të bisedonim). E ndaluan botimin (shfaqjen, përdorimin). E ndaloi me forcë (me urdhër).
5. Nuk e lejoj dikë të përdorë diçka, të merret me diçka ose të bëjë diçka, zakonisht të dëmshme për të, ia heq: kund. toleroj. I ndaloi duhanin (pijet, të skuqurat). Ia ndaloi celularin. Ia ndaloi leximin. Reumatologu ia ndaloi banjat e detit. Ia ka ndaluar mjeku.
6. Nuk i jap diçka që i përket, i mbaj. I ndaluan rrogën (të hollat).
7. drejt. I heq lirinë dikujt derisa të vendoset arrestimi ose lirimi. E ndaluan forcat e rendit.
8. jokal. Pushoj së ecuri, së lëvizuri a së bëri diçka; ndalet, ndërpritet. Ndaloj së ecuri. Ndaloi në vend. Aty ndaloi. Ndaloi ora. Ndaloi fabrika. Ndaloi zhurma. Ndaluan lëkundjet e tërmetit. I ndaloi zemra nga frika.
✱Sin.: ndal, ndalem, ndalohem, mbaj, ngurr, stapis, ndërpres, pezulloj, ngel, pres, rresht, qëndroj, përqendroj, pushoj, praj, mbyll, zbres, heq, pengoj, paraburgos, marr, lidh, arrestoj.
PAPLANIFIKÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që nuk është i planifikueshëm; që nuk mund të planifikohet; i paparashikueshëm; kund. i planifikueshëm. Ecuri e paplanifikueshme e gjendjes në front.
PROCEDÍM,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Veprimi kur procedoj ose kur procedohem.
2. Mënyra e veprimit, ecuria që ndjekim kur kryejmë një punë, procedurë, ecuri. Kushtet e procedimit. Procedim në gjendje të lirë. Procedim penal. Pushim i procedimit penal. Prokurori mund të vendosë mosfillimin e procedimit penal ose pushimin e çështjes. Legjislacioni procedural ka detyrë të sigurojë një procedim të drejtë, të barabartë e të rregullt.
✱Sin.: procedurë, veprim, ecuri.
PROCED/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr. 1. jokal. Ndjek një rrugë a metodë të caktuar për të kryer një punë. Procedoi me pjekuri.
2. jokal., vet. v. III Ka një ecuri të caktuar. Punët procedojnë rregullisht.
3. drejt., kal. Ngarkoj me përgjegjësi dikë që ka vepruar në kundërshtim me ligjet dhe me normat juridike në fuqi. E proceduan për dëmtim të pronës së tjetrit.
✱Sin.: veproj, fajësoj.
PROCEDÚR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT libr. 1. Mënyrë veprimi, rruga që ndiqet për të kryer diçka; ecuri. Procedurë demokratike (e rregullt). Procedurë burokratike. Procedura e votimit. Punohet me procedurë të përshpejtuar.
2. drejt. Tërësia e rregullave dhe e normave juridike që janë caktuar nga një shtet për hetimin dhe gjykimin e çështjeve civile e penale. Kodi i procedurës civile (penale).
✱Sin.: ecuri, rregullsi.
PROCÉS,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Ndryshim i pandërprerë, zhvillimi e shndërrimi i diçkaje i diçkaje sipas ligjeve të caktuara; ecuria a vija e zhvillimit të diçkaje në etapat e saj të ndryshme. Proces historik. Proceset psikike (njohëse, emocionale). (psikol.). Proceset jetësore. Proceset fiziologjike.
2. Varg veprimesh të veçanta e të lidhura njëri me tjetrin, për të arritur një përfundim të caktuar, rruga që ndiqet e mënyra që përdoret për të bërë diçka. Procesi i tretjes (i frymëmarrjes). Procesi i nxitjes (i frenimit) (psikol.). Procesi i sëmundjes. Proceset teknike (teknologjike). Procesi mësimor. Proceset e punës. Procesi i prodhimit.
3. drejt. Gjykimi i një çështjeje në gjyq sipas ligjit; tërësia e veprimeve gjyqësore kur shqyrtohet a gjykohet një çështje. Proces gjyqësor. Procesi i hapur (i mbyllur). Proces penal
✱Sin.: ndryshim, zhvillim, shndërrim, ecuri, rrugë, gjykim.
RRJÉDH/Ё,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Lëvizje e vazhdueshme e ujit të lumenjve e të përrenjve; rrymë uji që rrjedh në një shtrat. Rrjedha e lumit (e përroit). Shpejtësia e rrjedhës. Ka rrjedhë të fortë. Notoi kundër rrjedhës. Fshatarët e ndryshuan rrjedhën e përroit.
2. Shtrati i një lumi; vendi ku rrjedh një lumë, viset ku kalon një lumë. Rrjedha e sipërme e Drinit. Lumenjtë dolën nga rrjedha e tyre e zakonshme.
3. fig. Vazhdim i pandërprerë i kohës a i ngjarjeve; shtjellimi i dukurive në kohë; mënyra se si zhvillohet një ngjarje, një veprimtari a një dukuri; rrymë; ecuri. Rrjedha e kohës e kishte ndryshuar si njeri. Ndjek rrjedhën e ngjarjeve. Jeta vijon rrjedhën e saj.
4. fig. Burim, zanafillë. Rrjedha e dobësive (e të metave). Gjithçka e kishte rrjedhën tek ajo natë.
5. fig. Grumbull njerëzish, që ecin shpejt si rrymë a që derdhen si një masë e ngjeshur. Rrjedha e njerëzve mori përpara gjithçka.
✱Sin.: rrjedhje, shtjellë.
♦ E mori rrjedha. 1. (dikë a diçka). Po shkon gjithnjë keq e më keq; mori tatëpjetën (dikush a diçka). 2. (dikë). Shkon në një drejtim a vepron në një mënyrë sikurse të tjerët, jo me bindjen e vet; e mori vala; e mori rryma. Shkon kundër rrjedhës (dikush) shih shkon kundër rrymës (dikush).
►SHQÍT/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv., vet. v. III Ndahet vetiu diçka që ka qenë e ngjitur me diçka tjetër; shkëputet a hiqet diçka e ngjitur, çngjitet; bised. shqepet; kund. ngjitet. U shqit pulla (zarfi). Iu shqit sholla këpucës. U shqit kapaku. Nuk shqitet mishi nga kocka.
2. edhe fig., vetv. Ndahem prej dikujt, nuk e ndjek më nga pas, nuk i qepem më; heq dorë nga dikush a nga diçka; largohem; shkëputem me forcë prej dikujt; e lë të qetë, nuk e mërzit a nuk e bezdis, nuk e mundoj më; kund. ngjitem. Nuk shqitej nga nëna. Mezi iu shqit nga duart. Iu vu nga pas e s'i shqitej. Mos iu shqit librit (mësimit, shkollës, punës)! S'i shqitej kolla. Nuk na u shqit ajo gjellë. Nuk i shqitej ai mendim.
3. fig., bised. Lodhem, këputem; bëhem copë. U shqit së ecuri.
♦Nuk më shqitet (nuk më hiqet, nuk më shkulet) nga *mendtë (dikush a diçka). Nuk më shqitet (nuk më hiqet) nga *mendja (dikush a diçka).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë