Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AKRÉP,~II m. sh. ~A, ~AT zool. 1. (lat. Euscorpius flavicandis, E. Italicus) Kafshë e vogël helmuese me ngjyrë të zezë, me këmbë nyja-nyja, me dy gëthapë përpara dhe me një thumb të përkulshëm nga pas; sfurkth, përçollak. Akrep i zi. Helmi i akrepit. Vaj akrepi bar që përgatitet me vaj e me helmin e akrepit dhe që përdoret në mjekësinë popullore. Fole akrepash. E hëngri (e pickoi) akrepi. E ka akrepin në xhep është koprrac, nuk i del gjë nga dora. M’u bë akrep m’u bë ferrë, s’e shoh dot me sy.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloj akrepash: Akrepi afrikan (lat. Pandinus imperator) akrep i madh helmues, i gjatë 20 cm, me ngjyrë të zezë të ndritshme, me katër palë këmbë në pjesën e përparme të trupit, me një palë nofulla si pinca të forta, me bisht me gjëndra helmuese, që jeton në pyjet e nxehta e me lagështi të Afrikës dhe që ushqehet me insekte; akrepi mbretëror. Akrepi i detit (lat. Taurulus bubalis, Cottus bubalis, Enophrys bubalis) lloj peshku kockor i detit, i mbuluar me gjemba dhe kreshta, me gjatësi deri 25 cm, me sy të mëdhenj ovalë, me pendë të mëdha e të gjera, me bisht të rrumbullakët, me ngjyrë që ndryshon, zakonisht me shirita ose njolla të errëta gri ose kafe, që ushqehet me molusqe, me gjarpërinj dhe me peshq. Akrepi fshikullor (lat. Uropygi) akrepi kamxhikor i ngjashëm me merimangën, me bisht të shkurtër, me gjashtë këmbë për të ecur, me dy këmbët e para me antena si organe shqisore, që ka një palë sy në pjesën e përparme të kokës dhe nga tre sy në secilën anë të saj. Akrepi i rremë (lat. Pseudoscorpion &: pseudoakrepi) insekti endemik i ngjashëm me akrepin, që ka dy këmbë si pincë, pa bisht, pa sy, me trup të oval, që është përshtatur për të jetuar në gropa, në shpella etj. Akrepi i shtëpisë (lat. Chelifer cancroides) akrep i rrejshëm, i padëmshëm për njerëzit, i gjatë prej 2,5-4,5 mm, me trup si lot e me bark të segmentuar në dymbëdhjetë pjesë. Akrepi tropikal (lat. Centuioides gracilis) akrep nyjor johelmues, me ngjyrë të kuqërremtë a të zezë, me ballë të kuqërremtë, kafe të errët, me këmbë të verdha dhe me bisht të kuqërremtë e të zi, që ushqehet natën me insekte të ndryshme; akrep i errët, akrep blu. Akrepi i ujit (lat. Nepa cinerea, N. Rubra) akrep që jeton në orizore a në ujërat e ëmbla, me trup vezak, me këmbët e përparme sulmuese, që ushqehet me rrënjët e orizit, me insekte dhe me vertebrorë të imtë ujorë dhe që jep një pickim të dhembshëm kur e ngacmon.
✱Sin.: sfurk, sfurkth, cfurkth, cukth, përçollak, grepi, grepç, hagrep, skarrivojë, skrapth, shkrap.
♦ M’u bë akrep (dikush) shih m’u bë ferrë (dikush). Ra nga akrepi në gjarpër (dikush) shih ra nga shiu në breshër (dikush). (Janë) si *gjarpri me akrepin.
AMFÍB,~E mb. 1. biol. Që mund të jetojë në tokë dhe në ujë, nënujor. Kafshë amfibe. Bimë amfibe.
2. usht. Që është i pajisur dhe i përshtatur për të ecur në tokë dhe në ujë ose për t’u ulur në tokë dhe në ujë. Mjete amfibe. Makina amfibe. Tank (aeroplan) amfib. Autobus amfib. Kompani amfibe. Sulm amfib.
3. Që është bërë për ta veshur në ujë për të lehtësuar zhytjen dhe për të ruajtur temperaturën e trupit. Atlete amfibe. Këpucë sportive amfibe.
4. fig. I shkathët, që mund kryej më shumë se një punë. Njeri amfib.
AMFÍB,~I m. sh. ~Ë, ~ËT (lat. Amphibius) 1. zool. Kafshë ose bimë që mund të jetojnë në tokë dhe në ujë (bretkosa, pikëlorja, picërraku, cikalorja, salamandra e verdhë, salamandra e zezë) etj.); dyjetës.
2. bot. Bimë që rritet në tokë e në ujë (kërpuçi, xunkthi, shavari, kallami, rogosta etj.) Bimë amfibe.
3. Mjet motorik që mund të lëvizë në tokë dhe në ujë. Amfib lundrues. Amfib futuristik. Amfib luksoz.
4. usht. Aeroplan ose fluturake e pajisur me rrota e me varka, që mund të ulet e ngrihet si në tokë ashtu edhe në ujë. Njësiti i amfibëve. Amfib laserik.
6. Veshje për të ecur në ujë në formën e fluturakëve amfibë.
7. fig. Njeri dyfytyrësh. Luan rolin e amfibit.
ARRÍ/J vep., ~TA, ~TUR 1. jokal. Vij ose shkoj më këmbë a me një mjet qarkullimi në vendin për ku jam nisur, ndalem në pikën e fundit të udhëtimit; mbërrij. Arrij në shtëpi (në shkollë, në punë). Arrij më këmbë. Arriti me aeroplan. Arritën vonë (herët, me kohë). Arriti i pari (i fundit). Arriti treni. Arriti letra (lajmi).
2. vet. v. III, jokal. Vjen një kohë e caktuar; vjen një stinë e motit, një muaj, një ditë; vjen një ngjarje a një dukuri e caktuar. Arriti dreka (nata). Arriti dimri (pranvera). Arriti dita e festës. Arriti bora (shiu). Arritën të korrat. Arritën krushqit. Arriti radha ime.
3. kal. Zë (kap) dikë në të ecur, vij krahas me një tjetër që ecte para meje; vij deri te diçka; zë. E arrita në rrugë.
4. kal., fig. Barazohem me një tjetër, që është përpara në një punë, në një veprimtari etj. E arrij në mësime. E arrij në mjeshtëri. E arriti dhe ia kaloi.
5. kal. Zë, prek diçka që është pak si larg, duke u zgjatur. E arrij me dorë. E arrij me maja të gishtave.
6. kal. dhe jokal., fig. Vij te një qëllim ose rezultat i caktuar me anë të përpjekjeve; përmbush një dëshirë, kryej një detyrë. Arrij sukses (fitore). Arrij qëllimin (objektivat). Arrij në një marrëveshje. Arrij në një përfundim.
7. kal. dhe jokal. Vij deri në një cak, në një shkallë ose në një masë. Arriti shumën. Arriti kulmin. Arriti nivelin më të lartë (majat më të larta). Arrin deri në gju.
8. kal. Vij deri në një kohë të caktuar, rroj deri në një kohë të caktuar; mbush një moshë; jetoj që nga një kohë. Arrij moshën shkollore (të punës). Arriti të tetëdhjetat. Më arriti pleqëria. Ia arrita ditës. Ia ka arritur kohës së Turqisë. Mos arrifsh! (mallk.) vdeksh i ri!
9. kal. Ia dal në krye një pune, mundem ta bëj diçka, ia dal mbanë. Arrij ta mbaroj. S’arrij ta kuptoj. S’arriti të nxirrte zë.
10. jokal., vet. v. III Është aq sa duhet, është mjaft, del, mjafton. Arrin për një fustan. Arrin e tepron. S’më arrijnë paratë. S’më arrin fuqia.
11. jokal. Vij deri në një pikë sa bëj diçka të padëshirueshme ose të keqe; vjen në një cak në të cilin ndodh një e keqe e papritur, katandis puna. Arriti puna deri në grushte. Arriti të ndahet nga prindërit. Arriti të vjedhë. Arriti deri atje sa... Arriti deri në atë pikë sa... Deri aty ka arritur!
♦ Aq i arrijnë *litarët (dikujt) tall. Ka arritur *apogjeun (dikush) libr. Nuk më arrin *çapi. Deri ku i arrin *çapi (dikujt). S’më arrin *dora (kaq më arrin dora). (Me) sa më arrin *dora. (Me) sa më arrin *krahu. Aq ia arrin (ia pret) *mendja (dikujt) mospërf. Deri ku të arrin (sa të ha) *syri. S’i arrijnë *thonjtë (dikujt) mospërf.
✱Sin.: vij, mbërrij, vete, zë, kap, kryej, mbush, përmbush, mund.
ARRIVÍZ/ËM,~MI m. sh. ~MA, ~MAT libr. Sjellja e atij që përpiqet të ngjitet në shtresa të larta shoqërore a të bëjë karrierë me çdo mjet e me çdo kusht; përpjekja dhe synimi për të ecur përpara duke përdorur çfarëdo mjeti, edhe me mënyra të ulëta e të pandershme. Shfaqje arrivizmi. Ai është gjedhe e arrivizmit. Ajo përpiqet ta fshehë arrivizmin.
✱Sin.: ambicie, karrierizëm, paskrupullsi, oportunizëm.
BABUÍN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT zool. (lat. Papio cynocephalus) Një prej shtatë llojeve të majmunit të prehistorisë në gjininë Papio, me prejardhje nga stërgjyshër që jetonin në pemë dhe u bënë tokësorë duke ecur mbi të katra gjymtyrët (jetojnë në rajone pak të pyllëzuara të Afrikës, në jug të shkretëtirës së Saharasë). Babuini i savanës. Babuini i ullirit. Tufë (çetë) babuinësh. Statujë babuinësh. Si një babuin i pangopur. Komuniteti i babuinëve.
BÝTHAS ndajf., bised. 1. Praptazi, mbrapsht, në drejtim të kundërt me përpara. Çoje pak bythas karrocën. U tërhoq (doli) bythas. Hiqej bythas.
2. Duke u zvarritur me të ndenjurat nëpër tokë, rrëshqanë (thuhet zakonisht për fëmijët që ende nuk janë ngritur më këmbë). Ecte bythas. Ende po shkon bythas.
3. Shkeleshko, keq, si me bythë. I bën punët bythas.
4. Lojë fëmijësh duke ecur prapa dhe duke e shtyrë njëri-tjetrin me bythë. Luajnë bythas.
►BYTHËPRÁPS/EM [BYTHAPRÁPS/EM] jovep., ~A (u), ~UR bised., vetv. Shkoj praptas; tërhiqem duke ecur bythas, tërhiqem prapa, eci praptazi, zmbrapsem, zbythem. Duhej të bythëprapsej ca hapa.
✱Sin.: sprapsem, zmbrapsem, zbythem, prapësohem, prapohem, prapakthehem, shpërbythem.
BYTHËPRÁPTAS [BYTHAPRÁPTAS] ndajf., bised. Praptazi. Tërhiqet bythëpraptas. Dal bythëpraptas dal duke ecur praptazi.
CÁKËRR ndajf. 1. Drejt përpjetë, pingul; duke e mbajtur trupin drejt. Dhia bishtin e mban cakërr. Dhi e zgjebur, bishtin cakërr. (fj. u.).
2. Duke e mbajtur trupin drejt e me hijeshi (në të ecur). Ecën cakërr.
3. si mb., fig. I zbrazët, bosh; mendjelehtë. E ka kokën cakërr.
♦ *Dhi e zgjebosur e bishtin cakërr (përpjetë) mospërf.
DRITËDHËNËS,~E mb., libr. 1. Që jep dritën për të cilën njeriu e qeniet e tjera të gjalla kanë nevojë jetësore; që është burim drite. Diodë dritëdhënëse. Dielli si burim dritëdhënës.
2. fig. Që të tregon rrugën e drejtë për të ecur përpara, që të hap sytë e të udhëheq në veprimtarinë e duhur. Fakte dritëdhënëse. Shpresë dritëdhënëse. Kulturat dritëdhënëse të botës helene dhe romake.
3. si em. m. e f. Sipas kuptimeve të mbiemrit. Na duhej një dritëdhënës i tillë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë