Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DYTHELBÓR,~E mb., bot. Që ka dy thelpinj; që ka embrionin e farës të ndarë në dy thelpinj. Bimë dythelbore. Farë dythelbore.
PÁLC/Ë,~A f. 1. Lëndë e butë si tru që mbush zgavrat e eshtrave të njeriut dhe të kafshëve kërbishtore. Palcë e bardhë (e kuqe). Palca e kockave (e eshtrave). Palca e këmbës. Kockë me palcë.
2. bot. Pjesa e butë që gjendet brenda trungut a brenda degëve të disa drurëve ose brenda kërcejve, brenda rrënjës a brenda degëve të bimëve dythelbore; buka ose zemra e trungut a e kërcellit. Palca e shtogut. Palca e arrës thelbi i arrës, buka e arrës. I heqin palcën. Mos i shiko lëvozhgën, po shikoji palcën! (fj. u.).
3. fig. Pika a pjesa që gjendet pak a shumë në mesin e një hapësire; pjesa e brendshme në qendër të diçkaje; zemra, mesi. Palca e shkëmbit. Palca e Myzeqesë. Palca e vendit. Palca e lumit rryma më e fortë në mes të lumit.
4. fig. Pjesa më kryesore e më e rëndësishme e diçkaje, thelbi; pjesa më e zgjedhur a më e mirë, ajka. Palca e tokave. Palca e gjësë së gjallë. Palca e gjërit.
5. fig. Mesi i një periudhe kohe; pika e një periudhe, kur shfaqen në mënyrën më të përqendruar, të qartë e të theksuar tiparet e saj, kulmi. Në palcë të dimrit (të verës). Palca e vapës.
6. Shumë thellë, sa s’ka ku të vejë më, deri në kockë ose në shkallën më të lartë, në kulm (kur përdoret me parafjalën në ose me deri në). I lagur deri në palcë i lagur shumë, qull. I kalbur deri në palcë i kalbur krejt. Besnik deri në palcë besnik i patundur, deri në vdekje. E urren deri në palcë e urren me të gjitha forcat. I hyri shiu (uji, të ftohtët) deri në palcë. I ka hyrë frika në palcë (në bark, në mish) është frikësuar shumë, i ka hyrë lepuri në bark. I ka vajtur (i ka shkuar) thika në palcë është në gjendje shumë të rëndë e në hall të madh, ka arritur një gjendje që s’mund ta durojë dot më.
7. si ndajf. Shumë (zakonisht me mbiemrat i njomë, i butë). Është palcë i njomë (i butë).
♦ Ia hëngri (ia thithi) palcën (dikujt) e mundoi shumë, e shfrytëzoi së tepërmi; s’i la gjë pa ia marrë; ia thithi gjakun. I ka hyrë frika në palcë (dikujt) është trembur shumë; është tmerruar; i ka hyrë lepuri në bark. Palcë gjëri pjesa më e mirë e diçkaje; thelbi; zemra. Deri në palcë të qafës në të gjithë trupin, krejt, i tëri; në brendësi, në thelb; nga koka deri te këmbët. Më ka vajtur (më ka shkuar) thika në palcë jam në një gjendje shumë të rëndë a në hall të madh, sa s’mund të duroj dot më, jam në mjerim a në vështirësi shumë të mëdha; më ka vajtur (më ka shkuar) thika në kockë (në asht); më ka vajtur (më ka shkuar) thika në heqës.
SHUKULLÓR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET bot. Familje bimësh barishtore dythelbore. Familja e shukulloreve.
SPÉC,~I m. sh. ~A, ~AT 1. bot. (lat. Capsicum annuum) Bimë barishtore e butë me kërcell të degëzuar, me gjethe vezake, me lule të vogla të bardha, që bën fryte të fryra me lëkurë mishtake në ngjyrë të gjelbër, të verdhë a të kuqe me fara brenda dhe është një nga perimet më të përhapura; frytet e kësaj bime që përdoren për ushqim; piperkë. Spec i kuq. Spec djegës. Speca gogozhare. Speca të tharë. Speca të mbushur. Speca të pjekur (të skuqur). Speca turshi. Salcë specash.
2. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje bimësh. Spec i egër (lat. Circaea Luteliana) bimë barishtore me gjethe të thjeshta, të përkundërta, kërcell të hollë e me push, me lule të vogla të bardha që lidhin kokrra dythelbore të kuqe me push; në dimër bima thahet dhe rizomat mbeten në tokë të paprishura. Spec i zi (lat. Piper nigrum) bimë kacavarëse dythelbore, e kultivuar në shkallë të gjerë në Vietnam dhe Indi, që bën kokrra të zeza djegëse e me erë të mirë, të cilat vilen para se të piqen dhe përdoren për të lezetuar gjellën; piper i zi. Spec tulës Spec me tul të ëmbël.
3. Pluhur i kuq nga frytet e thara e të grira imët të një lloji të veçantë të kësaj bime, me kokrra të vogla, të kuqe e shumë djegëse, i cili i hidhet gjellës; piper i kuq. Spec i kuq. U hedh spec fasuleve (lakrave).
4. fig. bised. Njeri shumë nevrik, që merr zjarr për çdo gjë. Është një spec që nuk durohet.
✱Sin.: gogozhare, piper, nevrik, pipirickë, pipere.
♦ U bë spec (piper) (dikush) u skuq shumë nga turpi, nga zemërimi etj., u turpërua shumë; u nxeh keq, i hipi inati menjëherë, u tërbua nga inati; u bë flakë (në fytyrë); u bë prush (në fytyrë); u bë lulëkuqe (në fytyrë); u bë lafshë gjeli tall.; mori flakë. Nuk hahet as me spec e as me hudhër (diçka a dikush) shih s’hahet as me vaj e as me uthull (diçka a dikush). E ka spec e uthull (me dikë) shih (shkojnë) si macja me miun. (U zunë) për pesë *para spec. *Punë me spec. Spec djegës keq. njeri idhnak, nevrik i madh.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë