Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DYSHÚES,~E mb. 1. Që nuk ka besim të plotë te dikush a te diçka, që ka dyshime, që dyshon. Është mjaft dyshues. U bë dyshues.
2. Që shpreh mosbesim e pasiguri, që shpreh dyshim; dyshimtar; i mëdyshur. Sy (vështrim) dyshues.
3. si em. m. e f. Sipas kuptimeve të mbiemrit. Dyshuesit këmbëngulën në dëshmitë e tyre.
KËMÍSH/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Veshje e brendshme dhe e lehtë zakonisht prej pëlhure, që vishet nën xhaketë a nën bluzë. Këmishë burrash (grash). Këmishë me (pa) mëngë. Këmishë nate këmishë grash për të fjetur natën. Jaka e këmishës. Hekuros këmishën. Doli jashtë në këmishë doli pa xhaketë.
2. kim. Cipë a shtresë e hollë që zë në enë një lëndë organike e lëngshme kur qëndron aty për një kohë relativisht të gjatë. Ka zënë këmishë. Këmisha e uthullës shtresa a cipa që zë uthulla brenda në një shishe a në një enë.
3. anat. Cipë a membranë mbrojtëse në mitrën e nënës, që vesh dhe mbron fëmijën a pjellën e frymorëve ose larvën e kandrrave para se të lindin; an. Këmisha e fëmijës (e pjellës).
4. tek. Shtresë e fortë a shtrati ku mbështetet motori, një mekanizëm etj. Këmisha e motorit.
✱Sin.: an, shtrat.
♦ Nuk i beson as këmishës së vet (dikush) dyshon tek të gjithë e në çdo gjë, askujt nuk i beson, as vetes nuk i zë besë; është dyshues për çdo njeri e për çdo gjë. Dola nga këmisha u habita tej mase nga diçka e pabesueshme a e papritur, m’u duk vetja sikur s’di t’i kuptoj gjërat; dola linjës. M’u drodh këmisha (në trup, në shtat) u frikësova shumë, u tmerrova; më ngriu zemra. E kapi (e zuri) për këmishe (dikë) iu qep e s’i ndahet duke iu lutur a duke i kërkuar diçka; e kapi (e zuri) për palltoje; e kapi (e zuri) për mënge. Ka lindur me këmishë (dikush) është njeri fatlum, i shkon mbarë çdo gjë; ka fat të madh, e gjen e mira vetë; ka lindur me yll. Ka mbetur në këmishë (dikush) është shumë i varfër; s’ka pronë e pasuri; ka humbur çdo gjë. M’u ngjit këmisha pas trupit (në trup) u lodha së punuari sa më dolën djersët; u mundova shumë për diçka; më dolën djersët nga frika, nga turpi, nga shqetësimi që më krijon një lajm i hidhur etj. Ta vesh këmishën *së prapthi (dikush). Ia veshi këmishën me uthull e rrahu keqas, ia skuqi lëkurën; ia bëri kurrizin më të butë se barkun; ia zbuti kurrizin.
LUHÁTSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që mund të luhatet sa andej-këtej, i lëkundshëm. Karrige e luhatshme.
2. fig. Që s'qëndron në një mendim, që ndryshon herë pas here sjelljen e qëndrimin e tij; i paqëndrueshëm, i lëkundshëm. Njeri i luhatshëm. Qëndrim i luhatshëm.
✱Sin.: i lëkundshëm, i paqëndrueshëm, i pavendosur, dyshues.
MERAKLÍ,~E mb., bised. 1. Që ka merak për ta bërë çdo gjë në rregull e sa më mirë, që e bën punën me kujdes të madh e me përgjegjësi. Mjeshtër merakli. Amvisë meraklie.
2. Që është i dhënë shumë pas diçkaje, që i pëlqen shumë të merret me diçka. Kopshtar (lulishtar, fermer) merakli. Është merakli pas muzikës (pas sportit, pas librave, pas kafesë).
3. Që bie shpejt në dashuri, që e zë meraku menjëherë. Djalë (burrë) merakli.
4. Që ndien shqetësim të madh për një njeri të afërm a të dashur; që shqetësohet shumë a që e ha meraku për diçka. Prind merakli (për fëmijët).
5. Që ka dyshim, frikë a pasiguri përpara diçkaje të panjohur, të dëmshme, të rrezikshme, të papastër etj.; që ruhet shumë nga gjëra të tilla. Njeri merakli. Është merakli.
✱Sin.: i dhënë, i përkushtuar, qejfli, sevdalli, i dashuruar, i merakosur, i shqetësuar, dyshues, i pasigurt.
PAVENDÓSUR (i, e) mb. 1. Që s’është i vendosur për diçka, që s’ka vendosmëri, i lëkundur; kund. i vendosur. Njeri i pavendosur. Është i pavendosur.
2. Që bëhet pa vendosmëri, që s’është i prerë a i vendosur njëherë e mirë; kund. i vendosur. Përgjigje e pavendosur. Politikë e pavendosur. Qëndrim (veprim) i pavendosur. Luftë e pavendosur. Me hap të pavendosur.
3. Që nuk është marrë ende ndonjë vendim për të, që s’është zgjidhur përfundimisht; që mund të rishqyrtohet e të ndryshojë; kund. i vendosur. Çështje e pavendosur.
✱Sin.: i lëkundur, i lëkundshëm, i luhatshëm, ngurrues, i ndërdymë, hezitues, ngelaq, i paqëndrueshëm, i dobët, lojcak, dyshimtar, dyshues, i diskutueshëm, i pazgjidhur, i hapur, i pashkoqitur.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë