Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BUZËBÁRDHË mb. 1. Që i ka buzët të bardha (zakonisht për kafshët). Mace (qen, ka, dhi) buzëbardhë. Na gjen udhës një gomar buzëbardhë e veshgjatë, po i urtë e durimtar. (folk.).
2. Që i janë zbardhur buzët nga pagjakësia a nga ndonjë sëmundje tjetër. Njeri buzëbardhë. Buzëbardhë e shpirtkëllirë. (fj. u.).
♦ Sa *gomarë buzëbardhë (ka)! iron. bised.
DAJANDÍSUR (i, e) mb., bised. Qëndrestar, durimtar.
✱Sin.: i duruar, i durueshëm, durimtar, i fortë, i qëndrueshëm, qëndrestar, i gajretshëm, i përmbajtur, rezistent.
DURÚESH/ËM (i),~ME (e) mb. 1. Që ka aftësinë të durojë e të përballojë vështirësitë, shqetësimet, vuajtjet, fatkeqësitë etj. i qetë e gjakftohtë, pa u ankuar dhe pa u ligështuar; kund. i padurueshëm. Është njeri i durueshëm. U tregua i durueshëm.
2. Që ka durim, që është i përmbajtur e që nuk ngutet, që vepron e sillet me durim e pa u rrëmbyer me të tjerët; kund. i padurueshëm. I durueshëm me të tjerët. - Bëhu i durueshëm me fëmijët!
3. Që ka vullnet e aftësi të merret me diçka për një kohë të gjatë e pa u mërzitur, këmbëngulës në një punë, që ka durim; që mund të presë dikë a diçka i qetë për një kohë të gjatë. Nxënës (punëtor) i durueshëm. I durueshëm në punë.
4. Që i bën ballë a i qëndron një veprimi të jashtëm pa u dëmtuar, pa u prishur, pa humbur vetitë a cilësitë e mira; që duron. Bimë e durueshme ndaj ngricave. Dru i durueshëm.
5. Që mund të kalohet me durim; që mund të përballohet; që mund të durohet nga organizmi; kund. i padurueshëm. Gjendje e durueshme. Vapë e durueshme. Të ftohtë i durueshëm. Dhembje e durueshme.
✱Sin.: i duruar, durimtar, durimfortë, durimmadh, durimshumë, durimplotë, i fortë, i qëndrueshëm, qëndrestar, i gajretshëm, i përmbajtur, zemërgjerë.
GJAKFTÓHTË mb. 1. Që nuk nxehet menjëherë a që nuk rrëmbehet, i matur dhe i qetë; i përmbajtur; kund. gjaknxehtë. Njeri gjakftohtë.
2. Që bëhet në mënyrë të matur; i qetë e plot durim. Qëndrim gjakftohtë.
3. zool. Që ka gjak të ftohtë; që i ndryshon temperatura e trupit sipas mjedisit ku jeton. Kafshë gjakftohtë.
✱Sin. i matur, i qetë, i përmbajtur, i durueshëm, i duruar, durimtar.
HAMBÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Arkë e madhe prej druri, që shërben për të mbajtur drithë ose miell; kasolle e thurur me thupra a me dërrasa, që shërben për të mbajtur drithë, drithnik. Hambar i madh. Hambari i grurit (i misrit). Hambar i miellit. Fut drithin në hambar. Mbush (zbraz) hambarët. E fut në hambar pa e shoshur. Hambar i peshkut vend në anije ku mbahen peshqit e zënë.
2. Arkë a depozitë e madhe prej dërrasash që shërben për të mbajtur diçka. Hambar qymyri.
3. det. Kthinë a pjesë e anijes nën kuvertë, ku vendosen mallrat, valixhet etj. Hambari i mallrave.
4. fig. Tokë që prodhon shumë drithëra. Hambari i vendit.
5. Njësi matëse e peshës, e barabartë me njëqind kilogramë, peshë prej njëqind kilogramësh, kuintal.
6. si mb. Zemërgjerë, bujar; i durueshëm (edhe në disa njësi frazeologjike). Zemër hambar. Bark hambar.
7. zool. Pjesë e dytë e emërtimeve të pathjeshta në disa togje fjalësh. Flutur e hambarëve (lat. Pyralis farinalis) flutur e vogël, vemjet e së cilës ushqehen me të lashta në hambarë dhe me mbeturina kashte në grazhde etj. Tenjë e hambarëve (lat. Sitotroga cerealella) vemje e hollë që ushqehet me drithë në hambarë.
✱Sin.: drithnik, drithanik, grunar, arkë, gaviç, bujar, zemërgjerë, zemërbardhë, xhymert, shpritgjerë, i durueshëm, durimtar, i duruar, durimplotë.
♦ M’u bë barku hambar shih m’u bë barku daulle. E bëri barkun hambar (dikush). 1. shih e bëri barkun daulle (dikush). 2. Duroi shumë, u bë zemërgjerë, nuk i vuri re të këqijat që i bënë të tjerët dhe i fali. I ka rënë *miu në hambar (dikujt) shak. E fut në hambar pa e *shoshitur (dikë). Kemi ngrënë një hambar miell (bashkë) shih kemi ngrënë një furrë bukë (bashkë). E ka barkun hambar (dikush). 1. Ha shumë e nuk ngopet kurrë; është hamës i madh; e ka gojën shpellë. 2. Është shumë i durueshëm; është zemërgjerë, nuk vë re të këqiat që i bëjnë të tjerët dhe fal shpejt; është shumë bujar; e ka barkun të gjerë1; e ka zemrën (shpirtin) të gjerë; e ka zemrën hambar. E ka hambarin *dërrasë (dikush). E ka hambarin *plot (dikush). E ka zemrën hambar (dikush) është shumë i durueshëm; është zemërgjerë, nuk vë re të këqiat që i bëjnë të tjerët dhe fal shpejt; është shumë bujar; e ka zemrën (shpirtin) të gjerë; e ka barkun të gjerë1; e ka barkun hambar2. I ushtojnë hambarët (dikujt) s’ka asgjë në shtëpi, s’i ka mbetur gjë për të jetuar; është shumë i varfër; i ushtojnë kadet.
SATURÁK,~E mb. I qëndrueshëm. Njeri saturak. E pëlqente karakterin e tij saturak.
✱Sin.: i fortë, durimtar, i durueshëm.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë