Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
► VIZAT/ÓHET jovep., ~ÚA (u), ~UAR vet. v. III 1. vetv. Shfaqet figura e diçkaje; duket, shquhet, dallohet; përvijohet. Atje larg vizatoheshin majat e maleve. U vizatohej gëzimi në fytyrë.
2. vetv. Shfaqet diçka në imagjinatë; përfytyrohet. Vizatohet e ardhmja e ndritur. Vizatohet vizioni (misioni).
3. pës. e VIZATÓJ.
✱Sin.: duket, shquhet, dallohet, përvijohet, përfytyrohet, ravijëzohet.
ADRÉS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Vendi i banimit ose i qëndrimit të dikujt.
2. Shënim mbi një zarf ose mbi një dërgesë postare, që tregon emrin e marrësit dhe vendbanimin e plotë të tij; shënimi i plotë i vendit ku banon zakonisht ose ku ndodhet përkohësisht një njeri, ku gjendet një institucion etj., drejtim. Adresë përpiktë (e plotë). Adresa e re (e vjetër). Adresa e dërguesit. Adresë e postës elektronike. Zyra e adresave. Libri i adresave. Jap (lë) adresën. I marr (i kërkoj) adresën. Ia di adresën. Gaboj adresën.
3. Drejtim. Në adresë të dikujt në drejtim të dikujt, për dikë; në lidhje me dikë. Pa adresë pa drejtim të caktuar. Ai ka humbur adresën ai ka humbur mendjen. Kritikë pa adresë.
✱Sin.: vendbanim, vendqëndrim, drejtim, orientim.
♦ Nuk i dihet adresa (dikujt) nuk duket gjëkundi, u zhduk fare, s’e dimë ku është, s’gjendet dot; i humbi zëri; humbi si gjilpëra në fund të bunarit (dikush); u tret si kripa në ujë (dikush); u zhduk (humbi) pa lënë gjurmë (dikush). Më harroi adresën (dikush) shaka. nuk kujtohet më për mua, s’më vjen a s’më shkruan më; nuk është dukur më, më ka harruar për fare; më harroi derën. Ngatërron (gabon) adresë (dikush) iron. nuk drejtohet atje ku duhet; s’janë për mua ato që thotë a që kërkon; nuk i drejtohet atij që ka lidhje me çështjen.
AFR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. E çoj afër dikujt ose diçkaje; i sjell më afër ose më pranë njëri-tjetrit; kund. largoj. Afroj dollapët (tryezat, karriget). Afroi librat në tryezë. Afruan shtretërit te muri. Afroj këmbët (duart). Ma afroi kokën (shpinën). Afroj kompjuterin.
2. kal. Shkurtoj kohën, sjell më pranë një ndodhi, një ngjarje a një festë; e sjell një punë pothuajse në mbarim, e shpie kah përfundimit; kund. largoj. Afroi ditën e shkuarjes. Afroj ditën e martesës. Ia afroi shlyerjen e borxhit. Afroj ditën e përurimit të autostradës. Afroj hapjen e punimeve të konferencës.
3. fig., kal. Miqësoj, shoqëroj ose lidh mes vete dy a më shumë veta; i bëj të ngushtë ose të afërt.
4. fig., kal. Zvogëloj ndryshimet ose dallimet mes dy a më shumë gjërave. Afrojmë teorinë me praktikën. Afrojmë kushtet e jetesës së tyre. Asfalti afroi fshatin me qytetin.
5. fig., kal. Bëj për vete dikë; tërheq dikë për t’u shoqëruar a miqësuar, miqësoj; e bëj dikë timin, e bëj dikë më të afërt për një qëllim të caktuar, e fut në rrethin e ngushtë; kund. largoj. Afroj me fjalë e me sjellje të mirë. Puna i afroi më shumë. E afroi me lajka. E afroi në shoqëri të keqe.
6. kal., vet. v. III E bën diçka të duket më afër, zmadhon (për thjerrëzat); kund. largon. Syze (dylbi) që afrojnë. Afroj me xham zmadhues.
7. jokal. Afrohem.. Afroi mbrëmja shpejt. Afroi stuhia. Afroi dita e ditëlindjes. Afroi dielli në të perënduar. Afrojnë nga shprehitë.
♦ I afron *fundin (dikujt).
ALEKSANDRÍN,~E mb. 1. Që i përket Aleksandrisë (qytet në Egjipt) dhe Aleksandrit të Madh, si themelues i këtij qyteti në shek. IV p. e. s. Shkolla aleksandrine. Biblioteka aleksandrine. Filozofët aleksandrinë. Gramatika aleksandrine.
2. Që i ngjan mëndafshit; që përbëhet prej pambuku e liri, por që duket si e mëndafshtë. Mëndafsh aleksandrin.
AMANETÇÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT bised. 1. Amenatar, ai që lë amanet diçka ose që ka një amanet prej dikujt dhe që ndien përgjegjësi për të. Jam amanetçar për një fjalë goje. Amanetçari nuk ma kreu amanetin.
2. Ai që nuk jep me dorë, njeri dorështrënguar, koprrac. Duket që është amanetçar. S’i del gjë prej dore amanetçarit.
✱Sin.: amanetar, amanetor, amanetçi, amanetxhi, amanetli.
ANAMORFÍZ/ËM,~MI m. 1. opt. Ndryshim i qëllimshëm i formës së një figure ose të një imazhi, i cili duket i çrregullt ose i shtrembëruar nga këndvështrimi i zakonshëm, por merr formën e saktë kur shihet nga një kënd i veçantë ose përmes një sipërfaqeje të lakuar. Shformimi i hapësirën pamore përmes anamorfizmit. Anamorfizmi si teknikë që sfidon përfytyrimin klasik të njëmendësisë.
2. art. Arti i vizatimit dypërmasor me një mjeshtëri të atillë që të krijohet iluzioni i thellësisë a i përmasës së tretë, kur figura e vizatuar shikohet nga një kënd i caktuar. Përdor anamorfizmin në artin pamor. Eksperimentoi me anamorfizmin.
3. mat., kompj. Shfrytëzimi i vlerave për të krijuar e për të zhvilluar modele; proces ndërtues, që përfaqëson funksione të cilat prodhojnë struktura të të dhënave, duke filluar nga një vlerë bazë dhe duke e zgjeruar atë shkallëshkallshëm; kund. katamorfizëm. Anamorfizmi ndërton strukturë të dhënash.
ANKTH,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Ëndërr e rëndë, gjatë së cilës na duket sikur na zihet fryma dhe tronditemi ose trembemi. Ankth i rëndë. Ankth ëndrre (zhgjëndrre). Gjumë me ankthe. Zgjohem nga një ankth. Ankthi i fëmijërisë.
2. fig. Ndjenjë e rëndë ndrydhëse, shtypëse; shqetësim i madh për fatin e dikujt ose për fundin e diçkaje. Ankthi i pritjes. Me ankth në zemër. Jam në ankth. Pres (shoh, ndjek) me ankth. E zuri një ankth. U çlirua (shpëtoi) nga ankthi. Jetoj me ankth.
3. psikol., mjek. Çrregullim emocional ose psikik që shfaqet si një shqetësim i madh ose si një krizë paniku. Ankth akut. Ankth kronik.
✱Sin.: makth, angështi, frikë, druajtje, tutë, shqetësim, trazim, tronditje, pasiguri, stres, panik.
ÁN/Ë,~AI f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Pjesa e një sendi ose e një vendi, që gjendet më larg nga mesi i tij; skaj, buzë, pjesa ku mbaron sendi a vendi; pjesa e majtë a e djathtë e një sendi, e një objekti ose e një vendi, krah. Ana e djathtë (e majtë). Ana e arës (e lumit). Ana e pëlhurës (e lakrorit). Anët e një barazimi (mat.). Në anën e rrugës (e tryezës). Në (nga) të gjitha anët. Sa nga një anë në tjetrën. Kthehem nga ana tjetër. Marr anët qethem anash. U morën anët u morën krahët, i rrethuan. Nxjerr në anë. Anë për anë buzë më buzë. Më një anë mënjanë.
2. Hapësira a trualli në një krah ose afër skajeve jashtë kufijve të një sendi a vendi; hapësira a vendi në një drejtim të caktuar, si edhe vetë ky drejtim. Në këtë anë të shtëpisë (të fshatit). Nga ana e malit. Katër anët e horizontit. Ana e shiut (e mesditës) jugu. Ana e borës veriu. Ana e diellit lindja. Ana e detit perëndimi. Më atë anë matanë. Anë e më anë anembanë. Në të katër anët kudo, në çdo vend. Nga të katër anët nga çdo vend, nga të gjitha drejtimet; në të gjitha vendet ose drejtimet. Anë e kënd (skaj, e cekë) anekënd.
3. E ndarë në një banese a në një shtëpi; dhomë, kthinë. Sa anë keni? Anë e vogël (e madhe). Fle në anën e gjyshes.
4. Faqe e një trupi, njëra nga sipërfaqet kufizuese të një sendi. Ana e mbarë (e prapme, e pasme). Ana e kundërt (e murit). Ana e sipërme (e poshtme). Ana tjetër. Anë mali. Ana e padukshme e Hënës. Anë më (për) anë tejpërtej, tejendanë.
5. Krahinë, vend, vis. Në (nga) anët tona. Në ato anë. Banorët e atyre anëve. Është nga ana jonë. Është i asaj ane.
6. Skaji më i largët i një vendi, i një hapësire; fundi, mbarimi i diçkaje. Në anë të dheut (të botës). S’ka anë. Pa anë e pa fund. Nuk i gjendet ana. Në anë të anës shumë larg. Nga ana e anës nga vise shumë të largëta.
7. Palë, njeri a grup njerëzish, që i kundërvihen një pale ose një njeriu a grupi tjetër. Anët kundërshtare. Ana paditëse. Ana e djalit (e vajzës). Ana jonë (e atyre). Në anën e popullit. Marr anën e dikujt radhitem përkrah një tjetri në mendime e veprime, bëhem me dikë.
8. Anësi, pajë, hatër. I mban anën dikujt ia ka hatërin. Mban anë. Kam anë më mbajnë pajë, më përkrahin, më mbështesin, më ndihmojnë.
9. Pjesë përbërëse e diçkaje, element i një çështjeje, i një vepre etj.; tipar, veçori që karakterizon diçka. Anët e mira (e dobëta, e këqija, e errëta). Ana praktike (formale, teorike). Ana politike (shoqërore, ekonomike, etike, morale.) Ana objektive (subjektive). Ana fizike (trupore, shpirtërore, mendore, ndjenjore). Ana tjetër e çështjes. Zëvendës për anën mësimore (shkencore, administrative).
10. Pikëpamje; kënd vështrimi. Nga ana e jashtme (e brendshme). Nga ana parimore (teknike). Nga ana sasiore. Nga çdo anë.
11. Gjysma e barrës së kafshës së ngarkuar, njëri krah i barrës së kafshës. Ana e mushkës. I ngre (i mbaj) anën. E ha ana i rëndon më shumë njëra gjysmë e barrës, i varet barra nga njëra anë.
♦ Anë më (për) anë tejpërtej, tejendanë; nga çdo anë. Në anë të anës shumë larg; s’dihet se ku; në fund të botës; në anë të dheut. Nga ana e anës nga vise shumë të largëta; nga të gjitha anët. Në atë anë fli! iron. mos e fli mendjen, nuk është ashtu si kujton ti; mbaj po deshe atë mendim a qëndrim e prit më kot; në atë krah fli! iron. Në anë të dheut shumë larg; diku shumë larg; në fund të botës; në anë të anës. Pa anë e pa fund (pa fund e pa anë) shumë i gjerë, që s’ka kufi, i pamatshëm; pa cak e pa anë. Ana e keqe euf. djalli; i paudhi. Pa anë e pa krye (diçka) shih pa anë e pa fund. Nga një anë të puth e nga tjetra të kafshon (dikush) keq. është njeri me dy faqe, që hiqet në sy sikur të do, kurse nga ana tjetër ta bën të keqen; të vret natën e të qan ditën; ditën të lëpin këmbët e natën të ngul dhëmbët. Në anën tjetër të barrikadës libr. në anën e kundërshtarit; në kampin e armikut. Ana tjetër (e kundërt) e medaljes libr. e kundërta e asaj që duket ose që njihet a që pranohet si e vërtetë; ana tjetër e çështjes; pjesa më e keqe a vetia më e dobët e diçkaje. Bluan mbi anët (dikush) keq. shih i tërheq (i heq) kërraba nga vetja (dikujt). Pa *cak e pa anë. Dal në anë shpëtoj nga një gjendje e keqe; kapërcej një vështirësi; dal në breg; ia dal në krye (diçkaje). S’do t’ia dijë (s’dëgjon) nga ajo anë (dikush) nuk i bën përshtypje a nuk i trembet fare diçkaje; nuk i intereson a nuk e shqetëson fare asgjë; nuk çan kokën. Dy anët e një medaljeje libr. dy njerëz të njëjtë a dy gjëra të njëllojta, të lidhur ngushtë, që s’mund t’i dallosh e s’mund t’i shkëputësh. Fut *ujë në të katër anët (diçka). Ia gjej anën (diçkaje). 1. Gjej mjetin a mënyrën për të zgjidhur diçka a për të mbaruar një punë; ia gjej veglën; ia gjej vjegën; ia gjej rrëfanën; ia bëj rrethin. 2. (dikujt). Gjej rastin për të kërkuar diçka prej një njeriu a për t’i bërë diçka atij; gjej mundësinë a kohën e përshtatshme. S’ia gjej (dot) anën (diçkaje) nuk di nga t’ia nis një pune; nuk ia dal dot mbanë, nuk e kryej dot një punë; s’ia gjej (dot) fillin. Nuk i gjendet ana. 1. (diçkaje). Është shumë e gjerë diçka, është e pakufishme, s’i duket fundi. 2. Nuk ke ku e kap; është bërë copë-copë (për rrobat etj.). 3. (dikujt). Nuk kuptohet dikush ç’është; nuk dihet ç’bën a ku ndodhet. Më ha ana (më dikë). 1. Prirem, anoj nga dikush; më heq ana (më dikë); i mbaj anën (dikujt). 2. Kam dyshim te dikush për diçka. Më heq ana (më dikë a më diçka) prirem, anoj nga dikush a nga diçka; më ha ana (më dikë); i mbaj anën (dikujt). Nuk ka anë e udhë (diçka) nuk gjen dot arsye për ta shpjeguar, nuk përligjet; nuk mund të pranohet, nuk ka kuptim; nuk ta rrok (nuk ta kap) mendja. S’ka anë e vend (dikush) e dua shumë, është shumë i shtrenjtë e i dashur për mua; e kam dritë në sy (dikë); e kam shpirt (dikë); e dua (e ruaj) si dritën e syrit (e syve) (dikë). Në të katër anët kudo, në çdo vend; gjithandej; te lind e te perëndon. Nga të katër anët nga çdo vend, nga të gjitha drejtimet; gjithandej. Në të katër anët e botës (e dheut) kudo, në çdo vis, në gjithë botën; te lind e te perëndon. Nga të katër anët e botës (e dheut) nga çdo vis, nga të gjitha vendet, nga gjithë bota. E kthen *pjatën nga të katër anët (dikush) keq. Marr anën (e dikujt) bëhem me dikë, radhitem përkrah tij, e përkrah, e ndihmoj a e mbroj; i mbaj anën (dikujt); i bëhem (i dal) krah (dikujt); mbaj (marr) krahun (e dikujt). Më merr ana. 1. Anohem padashur, përkulem anash gati për t’ u rrëzuar; më ha ana. 2. Bie nga shëndeti; plakem e rrëgjohem. I marr anët (dikujt) shih i marr krahët2 (dikujt). Ia marr anën (diçkaje) shih ia marr dorën (diçkaje). E mori me anë (dikë) ia mbushi mendjen a e zbuti duke e marrë me të mirë e me lajka të vazhdueshme, ia ktheu mendjen urtë e butë, e bindi dhe e bëri për vete; e bëri që t’ia plotësojë dëshirën a kërkesën, të pranojë diçka, të ndryshojë në sjellje etj.; ia hëngri kokënII (kryet) (dikujt); ia hëngri zemrën (shpirtin). I ka marrë *pisha nga të dy anët (dikujt a diçkaje). Mban anë (dikush) nuk është i paanshëm; nuk është njeri i drejtë, përkrah zakonisht pa të drejtë dikë; mban hatër; mban pajë. I mbaj anën (dikujt) e përkrah dikë, mbështet mendimet e veprimet e tij; e mbroj zakonisht pa të drejtë; marr anën (e dikujt); më heq ana (më dikë); i mbaj pajë; e mbaj me hatër (dikë). I mbajnë anën e lëmshit (njëri-tjetrit) iron. nuk ndahen nga njëri-tjetri, mbajnë shoku-shokun, përputhen e pajtohen njëri me tjetrin; i kanë pipëzat (pipat) bashkë; kanë lidhur pizgat (në një) mospërf. I është nxehur *masha në të dyja anët (dikujt). E nxjerr në anë. 1. (dikë a diçka). E shpëtoj nga një e keqe, e ndihmoj të kapërcejë vështirësitë. 2. (diçka). E përfundoj, e çoj deri në fund, e kryej me sukses. I pret *shpata (palla, kordha) nga të dyja anët (djathtas e majtas) (dikujt). Nuk i pret *tehu në asnjë anë (në asnjërën anë) (dikujt). I pret *thika (vetëm) në njërën anë (dikujt). S’pyet nga ajo anë (dikush) s’ka frikë a nuk do t’ia dijë fare për diçka; nuk i trembet asgjëje. Nuk shkon asaj ane (në atë anë) (dikush) nuk merret fare me diçka, nuk e cek fare, as nuk i vete mendja ta prekë a ta zërë në gojë; e anashkalon. Tërheq nga ana e vet (dikush) shih i tërheq (i heq) kërraba nga vetja (dikujt). S’më vajti as në një anë (një ushqim a pije) hëngra, por nuk u ngopa; hëngra pak, dua edhe më për të ngrënë; s’më vajti as në një vesh. E vuri kapuçin në një anë (dikush) shih e hedh (e vë) qeleshen (festen, kapelën, kësulën, takijen) mbi sy.
ÁNËS ndajf. 1. Në anë, në krah, anash, jo përmes; rreth (diçkaje) rrotull. Anës e anës. Anës e përqark. Anës rreth e rrotull. Shkoj anës. Shikoj anës. I bie anës.
2. fig. Rrotull; tërthorazi, jo drejtpërdrejt. I shkoi anës. I bie (i vij) anës e anës. Ia them anës e anës. E sjell fjalën anës e anës. Vij anës për diçka sillem, kërkoj andej e këtej. Ma sillte fjalën anës.
♦ Anës e anës. 1. Nga një rrugë e tërthortë dhe e gjatë, rrotull. 2. Rrotull, tërthorazi, jo drejtpërdrejt; rrotull e rrotull. I vjen anës. 1. (diçkaje). Vepron në mënyrë të tërthortë, nuk i bie drejtpërdrejt. 2. (dikujt a diçkaje). Matet ta thotë a ta bëjë diçka; i vjen rrotull dikujt e përpiqet ta shtjerë në dorë; ngurron t’i drejtohet dikujt. Vjen anës (diçka) është gati të fillojë (shiu, dëbora etj.); duket sikur do të vijë a do të bëhet diçka; vjen rrotull.
APARÉNT,~E mb., libr. Që shihet, që duket nga jashtë, që shfaqet si i tillë, që shihet ose që përfytyrohet në shikim të parë, por që mund të mos përputhet me të vërtetën. Harmoni aparente. Rend aparent. Dashuri aparente. Qetësi aparente.
✱Sin.: i dukshëm, i pashëm, i paraqitshëm, i shfaqshëm, i rremë, i sipëraparteid, faqshëm.
APOGJÉ,~U m. 1. astr. Pika më e largët nga Toka në orbitën e Hënës ose të një sateliti artificial; largësia më e madhe e një trupi qiellor nga Toka gjatë lëvizjes së tij eliptike; kund. perigje. Hëna duket në apogje. Një trup qiellor arriti apogjeun. Paraqitja e apogjeut në diagram. Llogaritja e apogjeut në astrodinamikë.
2. fig., libr. Shkalla më e lartë e diçkaje, lulëzimi më i madh, kulmi. Arrin apogjeun. Është në apogje.
♦ Ka arritur apogjeun (dikush) libr. është në shkallën më të lartë të karrierës a të lavdisë, është në kulmin e lulëzimit.
AQ pacak. 1. Përdoret pranë një emri me kuptimin “shumë” ose për të treguar një sasi të njohur që më parë (kur sendet që shënohen nga emri janë larg nesh në hapësirë e në kohë). Aq e aq njerëz. Aq ara e livadhe. Me aq kujdes.
2. Përdoret pranë një emri me kuptimin “pak” për të treguar një sasi a masë më të vogël nga ajo që duket a që pritet. Aq shpirt ka. Aq fuqi pati. Aq zë kishte. Aq gjë e di.
ARKAIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Vjetroj diçka, i jap formë ose kuptim arkaik diçkaje, e bëj të duket e vjetër diçka; kund. modernizoj, aktualizoj. Arkaizoj ambientin e restorantit (të shtëpisë etj.) Arkaizoj këmishën me qëndisje të moçme.
2. gjuh. Përdor qëllimshëm fjalë e forma të vjetruara gjuhësore; përdor elemente të vjetruara gjuhësore me qëllime të ndryshme. Arkaizon gjuhën e poezisë. Arkaizoj ligjërimin dramatik të veprës. Arkaizoi qëllimshëm dialogun. Piktori arkaizoi pikturën me elemente folklorike.
✱Sin.: vjetroj, vjetërsoj, lashtësoj, moçmoj, moshoj.
ARKAIZÚAR (i, e) mb. Që është vjetruar, që është bërë të duket i vjetruar në formë, stil, fjalë ose elemente të gjuhës apo të kulturës së lashtë; i dalë mode. Objekte të arkaizuara. Pamje të arkaizuara. Dorëshkrime të arkaizuara. Tekste të arkaizuara.
✱Sin.: i vjetruar, i lashtësuar, i moçmuar, i moshuar, i plakur.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë