Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DYLUFTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur dyluftoj vetëm për vetëm me dikë a ndaj dikujt; luftim me armë ndërmjet dy vetave sipas disa rregullave e kushteve të caktuara qysh më parë, luftim me armë vetëm për vetëm ndërmjet dy kundërshtarëve; duel. Dyluftim me shpatë (me kobure). Dyluftim i pabarabartë. Kushtet e dyluftimit. Sheshi i dyluftimit. Bënë dyluftim. E thirri (e vrau) në dyluftim. Doli në dyluftim.
2. Luftim me armë ndërmjet dy ushtrive a dy palëve; shkëmbim zjarri me artileri ndërmjet dy palëve kundërshtare. Dyluftim i ashpër. Dyluftim artilerie.
3. sport. Përpjekje, luftë e ashpër vetëm për vetëm ndërmjet dy lojtarëve a atletëve kundërshtarë që marrin pjesë në një ndeshje a në një garë. Dyluftim për topin e parë.
4. Grindje e ashpër dhe e hapët ndërmjet dy vetave; ballafaqim mendimesh, pikëpamjesh etj. Ndërmjet dy palëve, me sulme të dyanshme, debat i ashpër. Dyluftim diplomatik. Dyluftim me fjalë.
5. fig. Luftë e brendshme midis dy dëshirave, dy ndjenjave ose dy mendimeve të kundërta. Dyluftim i brendshëm. Dyluftim në ndërgjegje.
SFÍD/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Thirrje që i drejtohet dikujt për të hyrë në ndeshje a në një garë me të. Sfidat e kalorësve të mesjetës. I bëri sfidë për duel. I bënë sfidë një skuadre me përvojë.
2. Qëndrim i guximshëm e mospërfillës ndaj një kundërshtari. I bëri një sfidë të guximshme. I hodhi sfidë kundërshtarit.
✱Sin.: përballje, përballim.
SHÉSHIT ndajf. 1. Në një vend të hapur, në shesh, nëpër shesh; jashtë, zbuluar, në fushë. Të vjelat mbetën sheshit. U derdhën agrumet sheshit. U zbraz gruri sheshit.
2. Në mënyrë të hapur, pa u fshehur, haptas, sheshazi; para të gjithëve, hapur, zbuluar; në një mënyrë që shihet e kuptohet qartë, shkoqur. U duk (u shfaq, doli) sheshit. Nxjerr (zbuloj) sheshit. Vepron (punon) sheshit. E ushtron ndikimin e tij sheshit. Vete (shkoj) diku sheshit. Ia mban anën (e ndihmoj, e përkrah) sheshit dikë. E ftoi sheshit në duel. Mashtron (gënjen) sheshit. E parashtroi (flet, thotë) sheshit. E lëshoi veten sheshit. Merret vesh (duket, shihet, kuptohet) sheshit. I afrohem (i qasem) sheshit. Tregon sheshit se...
3. fig. E braktis, e lë pa ndihmë, në gjendje të vështirë ekonomike, në mes të katër rrugëve, rrugëve; lakuriq. I la fëmijët sheshit. E la familjen sheshit.
♦ Doli sheshit (diçka). 1. U zbulua; nuk fshihet dot; mori sheshin; doli në shesh; doli mbi ujë. 2. Ka shumë nga diçka dhe gjen kudo; u përhap diçka gjithandej. 3. (dikush). Nisi të veprojë a të bëjë diçka haptas, pa u fshehur e pa u përmbajtur; i hoqi dorezat libr. Duket sheshit (diçka) është fare e qartë, s’ka nevojë të dëshmohet a të shpjegohet, e shohin të gjithë që ashtu është; doli në shesh; s’ka brirë.
✱Sin.: haptas, sheshazi, hapur, zbuluar, lirisht, qartë, qartësisht, dukshëm, shkoqur.
TAKÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Ndeshje, pjekje e dikujt në udhë a gjetkë; përshëndetje a dhënie e dorës dikujt që të del përpara dhe që e njeh. Takimi me shokun (me shoqen, me mikun, me kolegun).
2. Mbledhje me disa a me shumë njerëz për një punë a për një qëllim të caktuar. Takim me qytetarët. Takim me shkrimtarin. Takim vendor (kombëtar, ndërkombëtar). Takim i fshehtë (i shkurtër, i gjatë, miqësor, i ngrohtë, i ftohtë). Takim pune. Takim i krerëve të shteteve samit. Takim me zgjedhësit. Pjesëmarrësit në takim. Morën pjesë në takim.
3. Pritje e qytetarëve për të dëgjuar ankesat, hallet, kërkesat e tyre etj. Ditë takimi. I la (i dha) një takim. Shkoi në takim. Mori takim u takua.
4. Marrëveshje ndërmjet dy a më shumë vetave për t’u takuar në një vend me qëllime të caktuara, pikëpjekje. Takim i parë ndërmjet tyre. Takim njohjeje. Takim dashurie. I la takim. Iku në takim. I doli në takim. S’i vajti (s’i shkoi) në takim. Nuk vij dot se kam lënë takim me mjekun. Takimi i parë. Takimi i radhës.
5. sport. Ndeshje; lojë. Takim sportiv. Këtë takim do ta fitojë skuadra jonë. Takim vendimtar midis skuadrave (boksierëve).
✱Sin.: ndeshje, pjekje, përshëndetje, mbledhje, pritje, marrëveshje, pikëpjekje, lojë, përballje, duel.
ZAHIRÉ,~JA f. kryes. sh. ~, ~TË bised. Sende ushqimore që përgatiten e grumbullohen për t'u ruajtur për një kohë të gjatë dhe për t'u përdorur më vonë, zakonisht në dimër; ushqimet e dimrit, tëmotjet. Zahiretë e dimrit (për dimër). Zahire për kafshët. Zahire për ditë të zeza. Vendi i zahireve. Vuri (hodhi, futi, mblodhi) zahire. Bëri (përgatiti) zahiretë. Ka (ruan, mban) zahire. O moj Mane, a ke zahire? / Na duel nusja xhevahire. (folk.). Hapni sharapollët, / Mbyllni penxheretë, / Se do të lëftojmë! / Vini zahiretë. (folk.).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë