Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ADHUR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Ndiej dashuri, respekt të thellë ose përkushtim ndaj dikujt ose diçkaje; kam ndjenja të forta adhurimi e respektit për një person, për një ide, për një vepër arti ose për ndonjë figurë të shenjtë. Adhuroj lirinë. Adhuroj gruan time. Adhuroj muzikën. Adhuroj detin. Adhuron artin.
2. fet. Nderoj dikë a diçka si perëndi, i përulem e i falem duke e njohur si hyjni me fuqi të mbinatyrshme.
✱Sin.: dua, pëlqej, vlerësoj, admiroj, himnizoj.
ADMIR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., kal. Shpreh pëlqim ose vlerësim për dikë a diçka; dua a pëlqej dikë a diçka fuqishëm; shikoj dikë a diçka të bukur e tërheqëse me ëndje të madhe e me habi; vlerësoj lart pamjen, veprat, qëndrimet e vetitë të dikujt; nderoj dikë a diçka, i jap rëndësi dikujt a diçkaje. Admiroj bukurinë (guximin, qëndrimin) e dikujt. Admirojnë artin pamor. Admiroj pranverën. Asokohe admiroja natyrën.
✱Sin.: dua, adhuroj, pëlqej, vlerësoj, nderoj, mahnitem, mrekullohem.
ÁFËR ndajf. 1. Pranë, në largësi të vogël nga dikush a nga diçka; kund. larg. Është afër tij. Rri afër dikujt. Afër e afër shumë pranë, ngjitur me të. Banon aty afër. Janë afër. Rri afër. Bie më afër. Është më afër dera se qilari. (fj. u.).
2. Pas një kohe, pas pak kohe, së shpejti, së afërmi; pak kohë më parë; kund. larg. Tash afër. Është afër dita e dasmës. Sa afër është fillimi i mësimit?
3. Me lidhje gjaku ose me lidhje familjare të ngushta ose farefisnie; kund. larg. Është afër me të. Janë afër me rrënjë e me gjak.
4. Që nuk kanë dallime të dukshme, pa, dallime, që kanë ngjashmëri; kund. larg. Janë afër të dy. Aty afër janë ata.
5. Afërsisht. Aty afër aty përreth. Afër moshës së tij.
6. fig. Për së afërmi, drejtpërsëdrejti; duke i ndenjur pranë, me kujdes dhe me vëmendje të veçantë; kund. larg. I rri afër. E ndihmon nga afër. E ndien nga afër. Mbaj afër dikë. I gjendet përherë afër.
✱Sin.: afras, afrazi, ngjitur, bri, përbri, buzë, rrëzë, përkrah, ngatë.
♦ I gjendem afër (dikujt) jam me të në çaste të vështira dhe e ndihmoj sa herë ka nevojë; marr pjesë shpirtërisht në fatkeqësinë e dikujt; i rri (i qëndroj) afër; i gjendem (i ndodhem) pranë. Është afër *mendsh (diçka). Është më afër *mendsh (diçka). Është afër *mendjes (diçka). Është më afër *mendjes (diçka). E kam afër atje ku është (dikë) iron. nuk dua të kem të bëj më me dikë që është sjellë keq ose që më ka bërë një të keqe, nuk dua ta takoj më kurrë; nuk dua t’ia shoh sytë (dikujt). E mbaj afër (dikë). 1. E kam kujdes, e përkrah dhe e ndihmoj; përpiqem të krijoj marrëdhënie të ngrohta e afri me të; i rri (i qëndroj) pranë (dikujt); kund. i rri (i qëndroj) larg (dikujt). 2. Përpiqem të përfitoj sa më shumë prej përvojës e prej zotësisë së dikujt, e ndjek dhe e vëzhgoj që të mësoj prej tij; i rri (i qëndroj) pranë (dikujt). I rri (i qëndroj) afër (dikujt) shih i rri (i qëndroj) pranë (dikujt).
ALUD/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., jokal. Bëj aluzion; e hedh fjalën për dikë a për diçka; shprehem jo drejtpërdrejt, por tërthorazi. I pëlqen të aludojë. Nuk dua të aludoj. Ai aludoi për ndryshimet në sistemin e drejtësisë. Fliste duke aluduar për ato që kishte kuptuar.
✱Sin.: nënkuptoj, thumboj, ngacmoj, ironizoj.
AMÁN pasth., bised. 1. Përdoret me ngjyresa të ndryshme për të shprehur një lutje ose për të kërkuar falje a mëshirë; të lutem. Aman, moj bijë, pse nuk më dëgjon? Aman, mos ma kujto! Aman, mos e qorto këtë radhë! Aman, mos e godit! Aman më ndihmo! Aman të thashë, mos fol me zë të lartë! Aman, mjaft më! Mos më thuaj më, aman!
2. Përdoret për të përforcuar shprehjen e pakënaqësisë për diçka ose për qesëndi. Aman, sa i keq që është! E shau, po aman se ç’e mori pastaj!
3. Përdoret për të shprehur keqardhje, dashuri etj. Aman sa keq më vjen! Aman, sa shumë e dua! Aman, nuk kishte faj ai fëmijë!
4. Përdoret për të shprehur habi ose padurim. Aman sa bukur që është! Aman, sa kohë ka që nuk jemi parë! Aman, sa shumë u vonuan!
ANEPËRQÁRK ndajf. Rreth e rrotull, anës e anës një vendi. I bie anepërqark.
♦ Sillem anepërqark ngurroj t’ia hyj një pune drejtpërdrejt, përpiqem të gjej një zgjidhje të përshtatshme, të dal atje ku dua. E sjell anepërqark (dikë) shih e sjell rrotull (dikë).
ÁN/Ë,~AI f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Pjesa e një sendi ose e një vendi, që gjendet më larg nga mesi i tij; skaj, buzë, pjesa ku mbaron sendi a vendi; pjesa e majtë a e djathtë e një sendi, e një objekti ose e një vendi, krah. Ana e djathtë (e majtë). Ana e arës (e lumit). Ana e pëlhurës (e lakrorit). Anët e një barazimi (mat.). Në anën e rrugës (e tryezës). Në (nga) të gjitha anët. Sa nga një anë në tjetrën. Kthehem nga ana tjetër. Marr anët qethem anash. U morën anët u morën krahët, i rrethuan. Nxjerr në anë. Anë për anë buzë më buzë. Më një anë mënjanë.
2. Hapësira a trualli në një krah ose afër skajeve jashtë kufijve të një sendi a vendi; hapësira a vendi në një drejtim të caktuar, si edhe vetë ky drejtim. Në këtë anë të shtëpisë (të fshatit). Nga ana e malit. Katër anët e horizontit. Ana e shiut (e mesditës) jugu. Ana e borës veriu. Ana e diellit lindja. Ana e detit perëndimi. Më atë anë matanë. Anë e më anë anembanë. Në të katër anët kudo, në çdo vend. Nga të katër anët nga çdo vend, nga të gjitha drejtimet; në të gjitha vendet ose drejtimet. Anë e kënd (skaj, e cekë) anekënd.
3. E ndarë në një banese a në një shtëpi; dhomë, kthinë. Sa anë keni? Anë e vogël (e madhe). Fle në anën e gjyshes.
4. Faqe e një trupi, njëra nga sipërfaqet kufizuese të një sendi. Ana e mbarë (e prapme, e pasme). Ana e kundërt (e murit). Ana e sipërme (e poshtme). Ana tjetër. Anë mali. Ana e padukshme e Hënës. Anë më (për) anë tejpërtej, tejendanë.
5. Krahinë, vend, vis. Në (nga) anët tona. Në ato anë. Banorët e atyre anëve. Është nga ana jonë. Është i asaj ane.
6. Skaji më i largët i një vendi, i një hapësire; fundi, mbarimi i diçkaje. Në anë të dheut (të botës). S’ka anë. Pa anë e pa fund. Nuk i gjendet ana. Në anë të anës shumë larg. Nga ana e anës nga vise shumë të largëta.
7. Palë, njeri a grup njerëzish, që i kundërvihen një pale ose një njeriu a grupi tjetër. Anët kundërshtare. Ana paditëse. Ana e djalit (e vajzës). Ana jonë (e atyre). Në anën e popullit. Marr anën e dikujt radhitem përkrah një tjetri në mendime e veprime, bëhem me dikë.
8. Anësi, pajë, hatër. I mban anën dikujt ia ka hatërin. Mban anë. Kam anë më mbajnë pajë, më përkrahin, më mbështesin, më ndihmojnë.
9. Pjesë përbërëse e diçkaje, element i një çështjeje, i një vepre etj.; tipar, veçori që karakterizon diçka. Anët e mira (e dobëta, e këqija, e errëta). Ana praktike (formale, teorike). Ana politike (shoqërore, ekonomike, etike, morale.) Ana objektive (subjektive). Ana fizike (trupore, shpirtërore, mendore, ndjenjore). Ana tjetër e çështjes. Zëvendës për anën mësimore (shkencore, administrative).
10. Pikëpamje; kënd vështrimi. Nga ana e jashtme (e brendshme). Nga ana parimore (teknike). Nga ana sasiore. Nga çdo anë.
11. Gjysma e barrës së kafshës së ngarkuar, njëri krah i barrës së kafshës. Ana e mushkës. I ngre (i mbaj) anën. E ha ana i rëndon më shumë njëra gjysmë e barrës, i varet barra nga njëra anë.
♦ Anë më (për) anë tejpërtej, tejendanë; nga çdo anë. Në anë të anës shumë larg; s’dihet se ku; në fund të botës; në anë të dheut. Nga ana e anës nga vise shumë të largëta; nga të gjitha anët. Në atë anë fli! iron. mos e fli mendjen, nuk është ashtu si kujton ti; mbaj po deshe atë mendim a qëndrim e prit më kot; në atë krah fli! iron. Në anë të dheut shumë larg; diku shumë larg; në fund të botës; në anë të anës. Pa anë e pa fund (pa fund e pa anë) shumë i gjerë, që s’ka kufi, i pamatshëm; pa cak e pa anë. Ana e keqe euf. djalli; i paudhi. Pa anë e pa krye (diçka) shih pa anë e pa fund. Nga një anë të puth e nga tjetra të kafshon (dikush) keq. është njeri me dy faqe, që hiqet në sy sikur të do, kurse nga ana tjetër ta bën të keqen; të vret natën e të qan ditën; ditën të lëpin këmbët e natën të ngul dhëmbët. Në anën tjetër të barrikadës libr. në anën e kundërshtarit; në kampin e armikut. Ana tjetër (e kundërt) e medaljes libr. e kundërta e asaj që duket ose që njihet a që pranohet si e vërtetë; ana tjetër e çështjes; pjesa më e keqe a vetia më e dobët e diçkaje. Bluan mbi anët (dikush) keq. shih i tërheq (i heq) kërraba nga vetja (dikujt). Pa *cak e pa anë. Dal në anë shpëtoj nga një gjendje e keqe; kapërcej një vështirësi; dal në breg; ia dal në krye (diçkaje). S’do t’ia dijë (s’dëgjon) nga ajo anë (dikush) nuk i bën përshtypje a nuk i trembet fare diçkaje; nuk i intereson a nuk e shqetëson fare asgjë; nuk çan kokën. Dy anët e një medaljeje libr. dy njerëz të njëjtë a dy gjëra të njëllojta, të lidhur ngushtë, që s’mund t’i dallosh e s’mund t’i shkëputësh. Fut *ujë në të katër anët (diçka). Ia gjej anën (diçkaje). 1. Gjej mjetin a mënyrën për të zgjidhur diçka a për të mbaruar një punë; ia gjej veglën; ia gjej vjegën; ia gjej rrëfanën; ia bëj rrethin. 2. (dikujt). Gjej rastin për të kërkuar diçka prej një njeriu a për t’i bërë diçka atij; gjej mundësinë a kohën e përshtatshme. S’ia gjej (dot) anën (diçkaje) nuk di nga t’ia nis një pune; nuk ia dal dot mbanë, nuk e kryej dot një punë; s’ia gjej (dot) fillin. Nuk i gjendet ana. 1. (diçkaje). Është shumë e gjerë diçka, është e pakufishme, s’i duket fundi. 2. Nuk ke ku e kap; është bërë copë-copë (për rrobat etj.). 3. (dikujt). Nuk kuptohet dikush ç’është; nuk dihet ç’bën a ku ndodhet. Më ha ana (më dikë). 1. Prirem, anoj nga dikush; më heq ana (më dikë); i mbaj anën (dikujt). 2. Kam dyshim te dikush për diçka. Më heq ana (më dikë a më diçka) prirem, anoj nga dikush a nga diçka; më ha ana (më dikë); i mbaj anën (dikujt). Nuk ka anë e udhë (diçka) nuk gjen dot arsye për ta shpjeguar, nuk përligjet; nuk mund të pranohet, nuk ka kuptim; nuk ta rrok (nuk ta kap) mendja. S’ka anë e vend (dikush) e dua shumë, është shumë i shtrenjtë e i dashur për mua; e kam dritë në sy (dikë); e kam shpirt (dikë); e dua (e ruaj) si dritën e syrit (e syve) (dikë). Në të katër anët kudo, në çdo vend; gjithandej; te lind e te perëndon. Nga të katër anët nga çdo vend, nga të gjitha drejtimet; gjithandej. Në të katër anët e botës (e dheut) kudo, në çdo vis, në gjithë botën; te lind e te perëndon. Nga të katër anët e botës (e dheut) nga çdo vis, nga të gjitha vendet, nga gjithë bota. E kthen *pjatën nga të katër anët (dikush) keq. Marr anën (e dikujt) bëhem me dikë, radhitem përkrah tij, e përkrah, e ndihmoj a e mbroj; i mbaj anën (dikujt); i bëhem (i dal) krah (dikujt); mbaj (marr) krahun (e dikujt). Më merr ana. 1. Anohem padashur, përkulem anash gati për t’ u rrëzuar; më ha ana. 2. Bie nga shëndeti; plakem e rrëgjohem. I marr anët (dikujt) shih i marr krahët2 (dikujt). Ia marr anën (diçkaje) shih ia marr dorën (diçkaje). E mori me anë (dikë) ia mbushi mendjen a e zbuti duke e marrë me të mirë e me lajka të vazhdueshme, ia ktheu mendjen urtë e butë, e bindi dhe e bëri për vete; e bëri që t’ia plotësojë dëshirën a kërkesën, të pranojë diçka, të ndryshojë në sjellje etj.; ia hëngri kokënII (kryet) (dikujt); ia hëngri zemrën (shpirtin). I ka marrë *pisha nga të dy anët (dikujt a diçkaje). Mban anë (dikush) nuk është i paanshëm; nuk është njeri i drejtë, përkrah zakonisht pa të drejtë dikë; mban hatër; mban pajë. I mbaj anën (dikujt) e përkrah dikë, mbështet mendimet e veprimet e tij; e mbroj zakonisht pa të drejtë; marr anën (e dikujt); më heq ana (më dikë); i mbaj pajë; e mbaj me hatër (dikë). I mbajnë anën e lëmshit (njëri-tjetrit) iron. nuk ndahen nga njëri-tjetri, mbajnë shoku-shokun, përputhen e pajtohen njëri me tjetrin; i kanë pipëzat (pipat) bashkë; kanë lidhur pizgat (në një) mospërf. I është nxehur *masha në të dyja anët (dikujt). E nxjerr në anë. 1. (dikë a diçka). E shpëtoj nga një e keqe, e ndihmoj të kapërcejë vështirësitë. 2. (diçka). E përfundoj, e çoj deri në fund, e kryej me sukses. I pret *shpata (palla, kordha) nga të dyja anët (djathtas e majtas) (dikujt). Nuk i pret *tehu në asnjë anë (në asnjërën anë) (dikujt). I pret *thika (vetëm) në njërën anë (dikujt). S’pyet nga ajo anë (dikush) s’ka frikë a nuk do t’ia dijë fare për diçka; nuk i trembet asgjëje. Nuk shkon asaj ane (në atë anë) (dikush) nuk merret fare me diçka, nuk e cek fare, as nuk i vete mendja ta prekë a ta zërë në gojë; e anashkalon. Tërheq nga ana e vet (dikush) shih i tërheq (i heq) kërraba nga vetja (dikujt). S’më vajti as në një anë (një ushqim a pije) hëngra, por nuk u ngopa; hëngra pak, dua edhe më për të ngrënë; s’më vajti as në një vesh. E vuri kapuçin në një anë (dikush) shih e hedh (e vë) qeleshen (festen, kapelën, kësulën, takijen) mbi sy.
AQ ndajf. 1. Në një shkallë, në një masë a në një sasi të atillë, sa është përmendur më parë ose përmendet në fjalinë tjetër; përdoret me këtë kuptim si fjalë e bashkëlidhur në fjalinë kryesore (në fjalinë e varur i përgjigjet fjala sa). Edhe një herë aq më i madh se ky.
2. Në një shkallë të lartë ose në një masë a në një sasi të atillë të madhe, më shumë nga ç’mendonim ose nga ç’prisnim, shumë; përdoret me këtë kuptim si fjalë e bashkëlidhur në fjalinë kryesore (në fjalinë e varur i përgjigjet fjala sa). Aq mirë (keq). Aq afër (larg). Aq shpejt (vonë). Aq bukur. Aq i thjeshtë. Jo dhe aq. S’është edhe aq.
3. Përdoret me shkallën krahasore të ndajfoljeve e të mbiemrave me kuptim përforcues; me këtë kuptim përdoret edhe si fjalë e bashkëlidhur në fjalinë kryesore (në fjalinë e varur i përgjigjet fjala sa). Aq më tepër (më shumë). Aq më mirë (më keq). Aq më pak (më fort). Aq më i lehtë (më i vështirë).
4. Përdoret në njërën nga fjalitë e bashkërenditura kundërshtore, zakonisht me mohim, për të treguar se shkalla e veprimit që mohohet është më e ulët sesa ajo e veprimit që pohohet. Jo aq për ty.
5. Mjaft, jo shumë. Aq, jo më tepër. Aq, më mjafton.
6. Në një shkallë a masë të vogël, të kufizuar në krahasim me atë që duhet, jo më shumë; pak. Aq di. Aq kupton. Aq mendon. Aq ia pret. Aq donte. Aq priste. Aq kishte hall.
♦ Aq i ha *krahu (dikujt). Aq ia arrin (ia pret) *mendja (dikujt) mospërf. Aq i arrijnë *shkallët (dikujt). Aq më bën! s’dua t’ia di, nuk pyes për dikë a për diçka; nuk çaj kokën; nuk e prish gjakun; nuk e prish gjumin; s’më djersin veshi; nuk më plasi barku iron. mospërf.; nuk më ftohen fasulet iron. mospërf.; nuk më prishet gjiza iron. mospërf. Aq dua! këtë pres, kjo më duhej për të vepruar pastaj ashtu si di vetë. Aq i hedh *dyfeku mospërf. Aq e ka. 1. (diçka). Nuk mund të rrojë më shumë. 2. (dikush). Nuk ka fuqi a aftësi për të bërë më shumë; nuk kupton a nuk bën dot më shumë; aq ia arrin (ia pret) pret mendja (dikujt) mospërf. 3. (dikush). Nuk do shumë mund për ta nxitur për diçka (për të qarë, për t’u grindur, për t’ia hyrë një rreziku etj.); është i lehtë. Aq e ka *vrapin (dikush). Aq e kaq në një sasi ose masë të caktuar, në një madhësi pak a shumë të njohur. Në aq e në kaq rrallëherë, nganjëherë. Aq *mend ka (dikush) mospërf. Aq e pati zakon. iron. mori fund, s’vete dot më tutje; kaq e pati zakon. iron. Aq sa i peshon *djersa (dikujt). Aq i peshon *kandari (dikujt) mospërf. Aq ia pret (dikujt) keq. nuk di më shumë, aq mund të bëjë; aq e ka2 (dikush); aq mend ka (dikush) mospërf. Aq i rëndojnë *trutë (dikujt) tall. U bëra edhe një herë aq (kaq) u gëzova shumë; m’u bë zemra mal.
►ASHIKËR/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Dashurohem, bie në dashuri. U ashikërova herët.
2. pës. e ASHIKËRÓJ.
✱Sin.: dua, dashuroj, ashikëroj, ashikoj.
ASHTÚ ndajf. 1. Në atë mënyrë (për mënyrën se si kryhet veprimi); si mendohet a si dëshirohet, si është pranuar më parë ose si presim të jetë. Ashtu sillet. Ashtu thonë. Nuk ecet më ashtu. Nuk është ashtu. Ashtu e ka bërë. Ashtu deshi. Ashtu duhej. Ashtu u bëftë! Ashtu qoftë! dua me gjithë zemër që të jetë a të bëhet në atë mënyrë.
2. Në po atë mënyrë, në po atë gjendje, njësoj (përdoret si fjalë e bashkëlidhur në fjalinë kryesore edhe me lidhëza të tjera në krahasime). Ashtu... ashtu... Si... ashtu... Si... ashtu edhe... Ashtu si... ashtu (edhe)... Ashtu si kujtoja, ashtu ju gjeta. Ashtu si ishte, ashtu mbeti.
3. As mirë, as keq, çka, disi; në një farë mënyre, njëfarësoj (zakonisht në përgjigje).
4. Në atë gjendje, si është; aq (për të shënuar shkallën e një cilësie, një veprimi a një gjendjeje; aq mirë, aq bukur, aq keq etj.) E pa ashtu të shtrirë. Ashtu i zemëruar siç qe. Ashtu siç qe erdhi.
5. Pa ndonjë qëllim të caktuar, pa një pikësynim të qartë, kot. Ashtu kot. Ashtu pa dashur. Ashtu vetë. Ashtu ndodhi.
6. Përdoret në fillim të fjalive pyetëse ose si përgjigje për të shprehur habi a kundërshtim për atë që na kumtohet. Ashtu, ë? Ashtu thua?
7. Siç duhet të jetë, shumë mirë, në rregull. Ashtu, shumë mirë! Ashtu, të lumtë! Ashtu, më rrofsh!
8. si fj. ndërm., bised. Përdoret në fillim të fjalive që përmbyllin një mendim, me kuptimin: kështu, atëherë. Ashtu, u ngrit e hapi derën. Ashtu, foli e u nis.
9. si lidh. Përdoret për të lidhur një fjali të varur krahasore ose mënyrore me fjalinë drejtuese. Fliste ashtu siç kishte folur i ati.
10. si pj., bised. Afërsisht, rreth, pothuajse. Ashtu si nga mbrëmja. Ashtu si dje. Ashtu nga maji.
ATÝ ndajf. 1. Në një vend të caktuar larg meje, po afër bashkëbiseduesit; në një vend të caktuar pranë një vendi tjetër të njohur; kund. këtu. Që këtu deri aty. Aty rri. E ke aty. Po vij aty. Mbeti aty. Po aty.
2. Në po atë vend ku kryhet edhe një veprim tjetër (e përsëritur në krye të fjalive); kund. këtu. Aty gatuante, aty lante.
3. Përdoret në fjalinë kryesore me kuptimin “në atë vend”, kur fjalia e varur fillon me ku, te; atje; kund. këtu. Do të kthehemi përsëri aty ku ishim. U shtri aty ku nuk e zinte era.
4. Rreth asaj kohe, afërsisht në atë kohë, atëherë. Aty nga shtatori. Aty nga dreka. Aty nga ora pesë. Aty nga mesi i natës. Aty lashti. bised. shumë kohë më parë. Aty shpejti. bised. ca kohë më parë, para pak kohësh. Aty e prapa që nga ajo kohë, që atëherë e paskëtaj.
5. Në të njëjtën kohë, po atëherë, herë... herë (e përsëritur në krye të fjalive). Aty skuqej, aty zverdhej. Aty qante, aty qeshte.
6. Përdoret bashkë me një emër me parafjalë a me një ndajfolje për të treguar në mënyrë më të përcaktuar vendin larg nesh, po afër një vendi të njohur, në të cilin është diçka a kryhet një veprim; përdoret para një ndajfoljeje për të përforcuar kuptimin e saj. Aty në dhomë. Aty te muri. Aty brenda. Aty pranë (lart).
♦ Aty për aty menjëherë sa ka ndodhur diçka, po në atë çast; shpejt e shpejt, sakaq; pa e zgjatur fare; flakë për (më) flakë; në flakë të pushkës (të agzotit); fill e flakë; zjarr për zjarr. Aty ta kam (fjalën, llafin)! pikërisht për këtë gjë po flas; pikërisht për atë çështje e kam; edhe unë për atë po mendoj. *Leu e mbiu aty (dikush). Aty i rreh *çekani (dikujt). Aty më rri! ndalu në atë çështje, mos u largo nga ajo pikë; ajo ka rëndësi, dole aty ku duhet, e the tamam; këtu të dua.
BABËLÓK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT bised. 1. Babai, gjyshi a dikush tjetër kur i drejtohemi me dashuri, me përkëdheli etj.; babush, babëlosh. - Djali i babëlokut! - Eh, or babëlok!
2. Njeri i shëndoshë, i fuqishëm e i zoti. Babëlok për punë njeri i fuqishëm e i zoti për punë; ai që e çon punën deri në fund. Me pamje bababëloku. Njerëz të qetë e babëlokë. Ecje prej babëloku. Puna do babëlokë. (fj. u.).
3. Njeri i urtë e i butë; ai që nuk ia thyen zemrën askujt, shpirt njeriu. - I dua babëlokët, se më duan. - Sa mirë e di babëloku! Edhe tani më bëhet se e shoh fytyrën e babëlokut tonë.
BÁJG/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Pjesa e padobishme e ushqimit që nxjerrin jashtë lopët, kuajt, mushkat e gomarët; jashtëqitjet e kafshëve, pleh bagëtish. Bajga të thata. Bajgë lope. Erë bajge. Tym bajgash. Kasolle e lyer me bajga. E leu me bajga. Ndezën zjarrin me bajga. As rigoni s’bëhet lis, as bajga nuk bëhet fis. (fj. u.).
2. keq. Njeri i pistë, ai që nuk e mban veten të pastër.
3. bised., shar. Njeri i ndyrë e i poshtër, njeri pa vlerë, pa karakter dhe i pacipë; bajgë ahuri. Bajga bajgën s’e heq, burri e heq bajgën. (fj. u.). Bajga bajgën do. (fj. u.).
♦ Bajgë ahuri përb. vulg. njeri pa vlerë e i keq, të cilit nuk ke dëshirë t’i rrish afër; njeri që nuk bën asgjë të dobishme, që nuk i hyn në punë askujt dhe asgjëje; vezë e prishur përb. Bajgë mbi bajgë përçm. vulg. njeri shumë i shëmtuar, dikush që nuk shikohet me sy, të vjen pështirë ta shikosh; ujk me brirë bised.; ibret i dynjasë (i dheut) përçm.; e ka turirin dy tulla e një plithar (dikush) përçm. Iu bë bajgë (dikujt) bised. iu nënshtrua plotësisht, iu qep e i lëpihet për t’i bërë qejfin; iu bë baltë; iu bë opingë; iu bë lepitkë; i lëpin bythën përb. vulg. M’u bë bajgë pas opinge (dikujt) bised. m’u ngjit nga pas e nuk më ndahet; më mërziti shumë; m’u bë baltë pas këpuce; m’u bë ferrë; m’u bë rrodhe. Ia bëri bajgën (dikujt a diçkaje) bised. e braktisi pa e çarë kokën fare për të. S’më digjen bajgat (për dikë) mospërf. vulg. nuk bëhem merak fare për dikë, nuk dua t’ia di se ç’thotë a ç’bën ai, aq më bën; nuk më ftohen fasulet; nuk më bëhet vonë; nuk më prishet gjiza. E holloi bajgën (dikush) keq. është shumë i sëmurë, është në prag të vdekjes; po heq shpirt; i ka të pakta bukët; i ka ditët të numëruara; ta lë shpirtin në dorë; kund. e trashi bajgën tall. vulg. Ia la bajgat (dikujt) tall. vulg. iku papritur e fshehurazi nga dikush dhe as që u bë merak për të; i iku nga duart papritur; mori ç’mundi, përfitoi sa mundi prej dikujt e u zhduk; ia la pendët në dorë iron. ia la puplat (në dorë); ia la lëpendrat në dorë; i la patkonjtë; i la shëndenë. T’i lë bajgat nën thonj (dikush) keq. është shumë i lig e i pabesë, ta bën fshehurazi të keqen, ta lë të keqen në derë; veç bishti (i qenit) i mungon (dikujt) keq.; u lëshon baltë varreve përçm. E lëshon bajgën (ku të mundë) (dikush) bised. 1. Nuk ka kujdes fare, nuk di as vetë se ç’bën; e bën një punë shkel e shko. 2. Flet pa u menduar, nuk i peshon fare fjalët; i lëshon fjalët pa doganë. (E lëshon) si *lopa bajgën (dikush) bised. I marrin bajgat *zjarr (dikujt) tall. vulg. E trashi bajgën (dikush) tall. vulg. u përmirësua nga shëndeti; filloi të dalë nga gjendja e keqe, nuk është si më parë; erdhi në fije; e mori veten; kund. e holloi bajgën keq.
BÁK/ËR,~RI m. 1. kim. Metal me ngjyrë të kuqërreme që punohet lehtë dhe që është përcjellës shumë i mirë i elektricitetit e i nxehtësisë (simboli Cu). Bakër i kuq. Bakër i pastër. Bakër i petëzuar. Tel bakri. Enë (tepsi, kusi) bakri. Monedhë bakri. Minierë (mineral) bakri. Industria e bakrit. Shkrirja (derdhja) e bakrit. Pasurimi i bakrit. Lidhje bakri. Ngjyrë bakri. Brez me pllaka bakri.
2. Kripë helmuese që formohet prej këtij metali në enët e pakallajisura. Lëshon (nxjerr) bakër ena.
3. vet. sh. ~RA, ~RAT Bakëret. Kallajisi bakrat.
4. fig., keq. Diçka që nuk vlen shumë a që nuk e çmojmë si duhet. Para bakër diçka me vlerë të pakët ose fare pa vlerë.
♦ U bë bakër (diçka) u shkretua, u tha krejt; humbi çdo vlerë, nuk jep më asgjë. M’u bë barku (mulla) bakër nuk kam ngrënë gjë, e kam barkun bosh; më ka marrë shumë uria; m’u tha zorra; m’u bë barku petë; më këndojnë zorrët; më shkoi (më vajti) barku prapa. M’u bë syri bakër (për diçka) kam kohë që e dua ose e kërkoj diçka; (zakonisht për të ngrëna); digjem nga dëshira për ta pasur diçka; m’u tha syri; m’u hap syri. Ma bëri syrin bakër (dikush) më ka marrë shumë malli për dikë, të cilin ka kohë që s’e kam parë; më këputi malli, pres me padurim që ta shoh; e dua shumë; më thau sytë; m’i bëri sytë ujë; më ranë sytë (për dikë); kund. nuk më preu barku (për dikë). I doli bakri (dikujt) keq. shih i doli boja (dikujt) keq. iu zbulua fytyra e vërtetë, doli siç është; i doli kallaji; i doli boja. E ka syrin bakër (dikush). 1. Ka vështrim të mprehtë e kap çdo gjë, është syhapët. 2. I shkëlqejnë sytë, i ndritin sytë nga gëzimi, nga trimëria etj.; e ka syrin (i ka sytë) xixë. *Para bakri mospërf. Ta shet bakrin për *ar (dikush). Më ka zënë syri bakër (për diçka) shih m’u bë syri bakër (për diçka).
BÁLL/Ë,~II m. 1. Pjesa e sipërme e fytyrës së njeriut midis syve dhe flokëve; pjesa e sipërme e turirit të shtazëve. Ballë i lartë (i gjerë, i ngushtë). Ballë i dalë (i futur). Me ballë të ngrysur (të vrenjtur). Shtegu (mesi) i ballit. Lulja e ballit. Damari (nervi) i ballit. Lëkura (kocka) e ballit. Rrudhat e ballit. Djersa e ballit. Rrudh ballin. Fshij ballin. E puth në ballë. Lëshoj flokët mbi ballë. I ra ballit me pëllëmbë. Mu në mes të ballit, / Varur një flori, / Mendja seç më luajti, / Ç’më panë ata sy! (folk.). S’ka lindur njeri me yll në ballë. (fj. u.). Derrit i bien me sëpatë në ballë. (fj. u.).
2. edhe sh. ~Ë, ~ËT Faqja e përparme dhe kryesore e një ndërtese, e një sendi etj.; pjesa që duket, ana që bie në sy. Balli i shtëpisë. Balli i anijes. Ballët e arkës anët më të ngushta të arkës. Ballët e krevatit kokat e krevatit. Balli i samarit. Balli i djepit. Ballët e vozës ballësoret. Ballët e dhomës dy faqet e ngushta të dhomës. Me ballë nga dielli. Në ballë të odës. Me ballë nga jugu.
3. Pjesa e fillimit të një sendi, fillimi i diçkaje, kreu; kund. fund; radhët e para, vendi që ndodhet në krye e më i rëndësishmi; kund. bisht. Balli i oxhakut qoshja. Balli i kolonës. Balli i kopesë. Balli i vendit. Balli i gazetës. Balli i ujit. Plaku e ka vendin në ballë të oxhakut (fj. u.).
4. min. Pjesa e përparme e një galerie, e një tuneli, e një pusi etj., ku bëhet gërmimi për të nxjerrë mineral; front. Ballë i verbët pjesë e galerisë a e tunelit me një dalje. Balli i galerisë (i tunelit, i pusit). Balli i punimeve. Ballë kërkimi.
5. Vija e ndeshjes me kundërshtarin, front. Balli i parë. Ballë i gjerë. Zunë ballin.
6. fig. Pjesa më e zgjedhur; ai që është më i mirë, lulja, ajka, bashi, maja, ballori; gjëja më e parë e më kryesore. Balli i djemve (i djalërisë, i burrave, i trimave). Balli i vajzave (i nuseve). Balli i miqve. Mori ballin e grurit. Balli i kuajve. Balli i gjellëve. Balli i rakisë. Marr ballin e ballin marr pjesën më të mirë.
7. fig. Ai që udhëheq një veprimtari; pjesa më e përparuar e një shtrese a e një grupi shoqëror; pararojë; kreu. Balli i shoqërisë. Në ballë në vijën e parë, në krye; në udhëheqje; në fillim, herën e parë. As në ballë, as në bisht as ndër të parët, as ndër të fundit, në mes. Kurdoherë në ballë e jo në fund.
8. Fillimi i një stine, i një kohe a i një pune. Në ballë të dimrit. Në ballë të të korrave.
✱Sin.: krye, fillim, lule, ajkë, pikë, majë, ballor, ballinë, ballnik, ballore, balluk, bash, parëse, faqe, fasadë, pararojë, mes, kulm, pik.
♦ Ballë për ballë. 1. Njëri kundrejt tjetrit, me fytyrë njëri përballë tjetrit, përballë, përkundrejt; sy për (më) sy; faqe më (për) faqe; fytyrë për fytyrë; hundë më hundë. 2. Njëri kundër tjetrit si kundërshtarë; në luftë të hapur me dikë a me diçka, pa iu fshehur, pa iu trembur e me guxim; në shesh të burrave (të mejdanit); gjoks për gjoks; me gjoks hapur. As ballë e as bisht nuk është as nga të parët, as nga të fundit, është i mesëm. Ballë e bisht shih kokë e këmbë. Me ballë çelur ballëçelur, ballëhapur. Ballë e fund shih fund e krye (e majë). Në ballë (në front) të gjerë në mënyrë ballore; në të gjithë vendin e me përmasa të mëdha. Me ballë hapur ballëhapur. Balli i kazanit (ballë kazani) rakia e parë dhe më e fortë që nxjerrim kur bëjmë raki; pika e parë. Me ballë (me ballin) lart ballëlart, krenar; me kokën lart; me faqe të bardhë. Me ballë të ndritur ballëndritur, shumë i bukur. I bëj ballë (dikujt a diçkaje). 1. I qëndroj pa u përkulur, e përballoj, ia dal e nuk tërhiqem. 2. Arrij të bëj diçka, mundem, e përballoj, ia dal; ia dal në krye (diçkaje). Bëri (dha) ballë (dikush) u duk nga larg, sapo doli, u shfaq; erdhi. I bie në ballë (punës etj.) e nis një punë siç duhet, e zë aty ku jep më shumë rezultat, kap pikën kryesore; e zë (e kap) demin për *brirësh (nga brirët). I ra ballit me dorë (dikush) shfaqi habinë, pendimin a zemërimin e vet për diçka të papritur; kujtohet befas për diçka. Të çan (ta jep) në ballë (diçka) të godit, e ndien menjëherë diçka shumë të ftohtë (për ujë e për lëngje); është shumë i fortë (për raki etj.). Me *djersën e ballit. I djersit balli (dikujt) punon shumë, punon ndershmërisht, nuk e kursen veten. (E dua, e ruaj) si sytë e *ballit (dikë). Për dy *gisht ballë. Nuk e fsheh ballin (dikush). 1. Është trim i madh; nuk i fshihet asnjë rreziku, i del ballas; s’i trembet (s’i fiket) syri (dikujt). 2. Është i çiltër e i sinqertë; është ballëlarë e nuk ka përse të turpërohet. Dha (bëri) ballë (dikush) u duk, zakonisht shpejt e papritur, erdhi, u shfaq. E kam ballin *të hapur. E kam ballin *të larë. E ka *dellin e marres në shteg të ballit (dikush) keq. E kam *sy në ballë (dikë). I kam sytë në ballë shoh vetë; e kam kujdes vetë; jam syhapët; hap sytë. E ka të shkruar në ballë (dikush) duket qartë, e sheh kushdo; nuk e fsheh dot diçka. I kërceu *delli (damari) (i ballit) (dikujt). Laj ballin (para dikujt) shlyej një njollë dhe mund të dal ballëhapur para dikujt; çnjollosem, i kthej nderin vetes. E mban ballin *lart (dikush). Ngre ballin lart fitoj besim në vetvete, bëhem i guximshëm; eci ballëlart në jetë. Ia numëroi (ia dha) në ballë (dikujt) shih ia numëroi (ia dha) në lule të ballit (dikujt). Ia numëroi (ia dha) në *lule të ballit (dikujt). S’i nxihet balli (dikujt) shih s’i nxihet faqja (dikujt). Me *njollë në ballë. I ka plasur (i ka dalë) *cipa (peta) (e ballit) (dikujt) keq. I ka plasur *delli (damari) (i ballit) (dikujt) keq. E puth dhe e vë në ballë (diçka) e pëlqej, e pranoj me kënaqësi, e pres me gjithë qejf diçka që është më e mirë se diçka tjetër më e keqe; ku ta gjej!; jam i kënaqur edhe me atë (kur nuk kam diçka më të mirë). Rrudhi (ngrysi) ballin (dikush) u vrenjt në fytyrë, u zymtua; u mërzit e u ngrys; rrudhi vetullat. Për *sytë e ballit! (për këta sy që kam në ballë!) bet. Mos t’i shoh *rrudhat në ballë (për diçka). Pash *sytë e ballit! bet. (E pashë) me *sytë e ballit (me këta dy sy) (dikë a diçka). Vë ballin nga thembrat (dikush) iron. shih vë majat nga thembrat (dikush) iron. E ka vënë *syrin e qenit në ballë (dikush) përçm. S’vë *shoshë në ballë (dikush). Me *yll në ballë.
BARABÁR ndajf. 1. Njësoj, po aq, në të njëjtën madhësi a shkallë me një tjetër; në mënyrë të barabartë, pa dallim, sikurse një tjetër; sa njëri dhe tjetri, baras, barazisht; njësoj. Janë barabar. I dua barabar. Doli barabar. U bënë barabar. Dil djalo të matemi, / Ja në qofshim barabar, /A më merr a të të marr! (folk.). Të gjithë gishtat nuk janë barabar. (fj. u.).
2. Duke vepruar së bashku në mënyrë të njëjtë a të ngjashme, njësoj, bashkë, bashkërisht. U lëshuan barabar në fushë.
3. Pa fituar as njëri, as tjetri; baras, fit. Asnjë nuk fitoi, u ndanë barabar.
4. Krejt njëlloj, pa asnjë dallim, krejt, njësoj. Dukej barabar si gjyshi im.
✱Sin.: baras, barazisht, njësoj, njëlloj, njëpërnjë, ngjelthi, bashkë, bashkërisht, një, njësh, njësisht, deng, dengëza, krejt, tamam, gjallë, ashtu, ashtu-kështu.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë