Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ÁUR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. mjek. Perceptim ndijor ose ndjesi para gjumit ose gjatë një gjendjeje psikike, që i paraprin një sulmi migrene ose sulmi epileptik; përhitje, vegim. Shenjat e aurës. I sëmuri përjetoi një aurë pamore.
2. fiz. Fushë elektromagnetike që rrethon trupin e njeriut dhe çdo organizëm dhe çdo objekt në univers; energji, frymë.
3. fig. Dritë, rrezatim. Aura e njeriut. Ajo ka aurë rrëzëllitëse. Shkëlqimi i aurës së tij.
4. Ajër i këndshëm, erë e këndshme, aureolë.
✱Sin.: përhitje, vegim, rrezatim, rrëzëllitje, dritësim, shndritje, atmosferë, ndijesi, frymë, erë, dritë, energji, aureolë, frymëzim, hije.
DRÍT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. vet. nj. Tërësia e rrezeve dhe e energjisë që lëshon Dielli a një trup tjetër i zjarrtë etj., që kapet nga syri dhe e bën të dukshme çdo gjë mbi të cilën bie; rrezatim që del e përhapet nga një trup, shkëlqim; ndriçimi që merret me anë të energjisë elektrike; (fiz.) energji në trajtë valësh elektromagnetike me gjatësi të caktuara, që kapen me anë të të parit; kund. errësirë. Dritë elektrike. Dritë e qartë (e fortë, e dobët). Dritë e bardhë (e gjelbër, e verdhë, e kuqe). Drita e Diellit (e Hënës). Drita e zjarrit (e llambës, e fishekzjarrëve). Dritë neoni. Rrymë (valë) drite. Burim drite. Rreze drite. Bën (lëshon) dritë. Zbehet (shtohet) drita. Morën dritë (bised.) u elektrifikuan. Drita dhe ngjyra. Grimcat e dritës. Natyra e dritës. Vetitë e dritës. Dendësia (shpejtësia) e dritës. Spektri i dritës. Përthyerja (thyerja) e dritës. Pasqyrimi i dritës. Teoria valore e dritës. Kur humba dritën, ç’e do syrin. (fj. u.). Hasmi nuk të vjen nëpër dritë. (fj. u.).
2. Burim ndriçimi që e bën mjedisin përreth të ndritshëm e të dukshëm, çdo mjet që përdoret për të ndriçuar. Dritat e qytetit (e fshatrave, e shtëpive, e rrugëve). Ndez (hap) dritën. Shuan (fik) dritën. Ndriçojnë (shkëlqejnë) dritat.
3. vet. nj. Koha që kur nis të zbardhë dita e deri kur perëndon dielli, ditë; kund. errësirë. Drita e mëngjesit. Doli drita agoi. U nis pa zbardhur drita. Me dritë kur është ende ditë, pa u errur. Me dritën e parë sapo zbardh. Dritë në dritë nga mëngjesi i njërës ditë në mëngjesin e ditës që vjen pas, nga njëra ditë në ditën tjetër, me 24 orë.
4. vet. nj. Hapësirë a vend i ndriçuar; ana e ndritshme e diçkaje; kund. terr. Ana me (në) dritë e Hënës. Nxjerr në dritë.
5. art., vet. nj. Pjesa më e ndritshme se të tjerat në një tablo, në një pikturë etj.; kund. hije. Dritë dhe hije. I jep më shumë dritë.
6. fig., kryes. nj. Diçka që e zhvillon mendjen e njerëzve, që zgjeron njohjen e botës dhe pasuron dijet; dituri, zhvillim e përparim i madh arsimor e kulturor; diçka që të sjell gëzim e lumturi në jetë; kund. terr. Pishtari i dritës. Udha e dritës. Forcat e dritës. Sjell (përhap) dritën.
7. fig., libr., kryes. nj. Mënyrë vështrimi sipas të dhënave ose sipas njohurive të caktuara; qartësimi i diçkaje nga kjo mënyrë vështrimi E pa në një dritë tjetër këtë problem. Në (nën) dritën e... duke u mbështetur në...
8. krahin. Pasqyrë.
9. si mb., fig. Shumë i pastër, që shkëlqen, pasqyrë. E bëri dritë shtëpinë (oborrin). I mban rrobat dritë.
✱Sin.: ndriçim, dritësim, agim, dituri, nur, pasqyrë, vetëtimë, xixë, xham, akull.
♦ I bën drita avllia (dikujt) është mikpritës e bujar, të pret me gjithë zemër; e ka zemrën det. S’i bën dritë dielli (dikujt) është gjithnjë i pakënaqur e i mërzitur; nuk i shkojnë punët mbarë asnjëherë; nuk i qesh buza kurrë. T’u bëftë udha (rruga) dritë! ur. të shkoftë gjithnjë puna mbarë!; paç jetë të lumtur! Bën dritë (dikush) është shumë i bukur, shumë i zgjuar, shumë i ditur, shumë punëtor etj., shquhet e dallohet mbi të tjerët; shkëlqen ndër shokë nga bukuria (zakonisht për femrat); bën xixë; bën ferk. E bëj dritë (diçka) e laj a e pastroj sa të shkëlqejë nga pastërtia, e ndrit, e shkëlqej; e bëj pasqyrë; e bëj xixë; e bëj xham. Më çeli drita. 1. Më zuri mëngjesi diku, isha diku kur u gdhi. 2. Më erdhi fati i mirë, më në fund më erdhi lumturia. Doli në dritë. 1. (diçka). U zbulua, u shfaq; u bë e qartë për të gjithë (e vërteta etj.); doli në shesh; doli në pah. 2. (dikush a diçka). Doli në jetë, lindi dikush; u shfaq diçka; pa ditën. 3. (diçka). U botua, doli në qarkullim (një libër etj.); pa dritën. 4. (dikush). Doli nga një gjendje e vështirë, shpëtoi nga hallet e nga të këqijat; arriti në një gjendje të mirë ekonomike, kulturore etj.; doli në diell; doli në faqe. 5. (dikush). Përparoi, u diturua, u kulturua, u zhvillua; doli nga prapambetja a nga varfëria. Dal nga *errësira në dritë. Në dritën e diellit në sy të të gjithëve; haptas, sheshit; pa u fshehur; në mes të ditës; ditën për diell2. Si drita e diellit shumë qartë, si të jetë sheshit, ashtu që e shohin a e kuptojnë të gjithë (për diçka të dukshme a të vërtetë). Dritë më dritë nga mëngjesi i njërës ditë në mëngjesin e ditës tjetër, nga njëra ditë në tjetrën, për njëzet e katër orë; diell më diell. Dritë në fund të tunelit libr. shenjë shprese për të shpëtuar nga një gjendje shumë e keqe, shkëndijë a rreze shpëtimi, shenjë që kemi mundësi të arrijmë në një gjendje më të mirë. Në një dritë të re libr. nga një anë tjetër, në mënyrë më të plotë, të ndriçuar më mirë; nga një pikëpamje tjetër e ndryshme. Drita e syrit (e syve). 1. Shikimi, të parët. 2. Njeri shumë i dashur e i shtrenjtë; diçka që e duam shumë dhe e kemi të shenjtë. Për dritën e syve! bet. Në dritë të shtrembër libr. jo siç është, në mënyrë të gabuar a të shtrembëruar; duke e shtrembëruar të vërtetën. (E dua, e ruaj) si dritën e syrit (e syve) (dikë) shih (e dua, e ruaj) si sytë e ballit (dikë). Të ha në dritë të syrit (dikush). 1. S’i trembet syri fare, nuk pyet për askënd, të kundërvihet pa frikë, ka guxim. 2. Nuk të ndahet sa të arrijë atë që do, ta kërkon diçka me këmbëngulje e deri në një, të qepet e s’të lë të qetë sa t’ia arrijë qëllimit; nuk e mashtron e nuk e gënjen dot që ta largosh, nuk ia hedh dot që të shpëtosh prej tij; s’ia ha qeni shkopin (dikujt). Hap (ndez) dritën jeshile (e gjelbër) libr. jap shenjën se e lejoj dikë të veprojë, se mund të bëhet diçka etj.; kund. hap (ndez) dritën e kuqe. Hap (ndez) dritën e kuqe libr. jap shenjën se nuk e lejoj dikë të veprojë, se nuk mund të bëhet diçka etj., e ndaloj, e pengoj; kund. hap (ndez) dritën jeshile (e gjelbër). Hodhi dritë (të re) (mbi diçka) libr. zbuloi dhe paraqiti të vërtetën; e ndriçoi dhe e sqaroi diçka më mirë nga një këndvështrim tjetër, solli të dhëna e njohuri të tjera; e vuri në dritë (diçka). I dha dritë (dikujt). 1. I dha dije, e kulturoi dhe e zhvilloi, e nxori nga prapambetja, nga padituria etj.; e nxori (e qiti) në dritë (dikë). 2. I dha gëzim e lumturi, e çeli, e lumturoi. Pastë dritë! ur. i ndrittë shpirti! E kam dritë në sy (dikë) e dua shumë; është shumë i shtrenjtë për mua; e dua (e ruaj) si dritën e syrit (e syve); (e ruaj) si sytë e ballit. E ka dritën *të shkurtër (dikush). E la drita (dikë) u verbua; nuk sheh mirë më; humbi dritën e syve (dikush). E nxjerr në dritë. 1. (diçka). E ndriçoj, e bëj të qartë për të gjithë; e zbuloj; e nxjerr në shesh; e nxjerr në krye; e nxjerr në pah; e nxjerr në faqe. 2. (dikë). E lind; e bie (e sjell) në jetë. 3. (dikë). E nxjerr nga një gjendje e vështirë, e shpëtoj nga hallet e të këqijat. 4. (dikë). I jap dije, e zhvilloj, e bëj të përparojë a të bëjë një jetë më të mirë; i jap dritë (dikujt); e bëj çirak, edhe iron. Nuk nxjerr gjë në dritë (dikush) nuk është i zoti a i aftë të bëjë gjë, nuk ka përfundime të mira në një punë, s’ia arrin diçkaje; nuk ka sukses; nuk nxjerr gjë në krye. *Rreze drite. T’i shkelësh në dritë të syrit (dikujt) është shumë i urtë; duron shumë e nuk ndihet edhe kur i bën një të keqe të madhe. Iu shkurtua drita e syve (dikujt). 1. Nuk sheh dot larg, iu dobësuan sytë (nga pleqëria a nga një sëmundje). 2. Nuk i kupton mirë gjërat dhe nuk arsyeton drejt. Pa dritën e diellit. 1. (dikush). Lindi, doli në jetë; pa ditën. 2. libr. U shtyp, u botua (për një vepër); doli në dritë. E vë në dritë (diçka) e paraqit a e sqaroj ashtu siç është, ia nxjerr vlerat në shesh, e ndriçoj; hedh dritë (mbi diçka). *Yll drite.
DRITËSÍM,~I m., libr. 1. Veprimi kur dritësoj; rënia e dritës mbi diçka. Dritësimi i këmbanores.
2. Dritë, ndriçim, shndritje. Dritësim i mjaftueshëm (i fortë, i pakët). Dritësimi i mbrëmjes. Qielli vazhdonte të mos jepte asnjë dritësim. Dritësim që krijohej në sytë e saj.
3. fig. Ndriçimi i mendjes me dije, me arsim e me kulturë. Frymëzon shqiptarët në dritësimin e kombit.
4. fig. Zbardhje e një ngjarjeje a diçkaje të pazbuluar. Dritësimi i të dhënave të historisë. Në funksion të dritësimit të çështjes.
✱Sin.: dritë, ndriçim, shndritje, shkëlqim, hijeshim, zbardhje, zbulim.
NDRIÇÍM,~I m. 1. Veprimi kur ndriçoj dikë a diçka ose kur ndriçohem; kund. errësim. Teknologji e re për ndriçimin e rrugëve. Përdor për ndriçim. Shumëllojshmëri artikujsh (pajisjesh) për ndriçim.
2. Drita që del nga një burim; mjetet e ndryshme që përdoren për të bërë dritë. Ndriçim natyror (artificial). Ndriçim elektrik. Ndriçimi i diellit. Rrjeti i ndriçimit.
3. Shkëlqimi i diçkaje. Ndriçimi i qiellit. Llambës iu zbeh ndriçimi.
4. hist. Iluminizëm. Shekulli i ndriçimit.
✱Sin.: rrëzëllim, shndritje, shkëlqim, rrëzëllimë, rrezatim, vezullim, xixëllimë, zbardhëllim, zbardhëllimë, zbardhje, farfuritje, sqarim, shpjegim, dritë, dritësim, përndritje, llamburitje, ndritje, rrezitje, zbardhje, bardhëllimë, llapëtimë, vetëtitje, tallaz, iluminizëm, arsimim, zhvillim, kulturim.
SHKËLQERÍM,~I m. sh. ~E, ~ET Veprimi kur shkëlqen a ndrin diçka; ndriçim, shndritje, shkëlqim. Shkëlqerimi i yjeve. Shkëlqerimi i diellit.
✱Sin.: ndriçim, dritësim, përshkënditje, ndritje, shndritje, vezullim, vetëtitje, rrëzëllim, lëbyrje, rrezatim, rrezitje, llamburitje, llapëtimë, xixëllim, prarim, farfuritje, flakë, flakërim, flakërimë, flakëritje.
SHKËLQÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur diçka lëshon një dritë vezulluese; rrezatim. Shkëlqimi i enëve me fërkim. Shkëlqimi i arit.
2. Dritë e fortë dhe e qartë; ndriçim. Shkëlqim verbues. Shkëlqimi i diellit. Shkëlqimi i dritave. Shkëlqimi i kometës.
3. Dritë e përthyer nga një trup; vetia e sipërfaqes së një trupi për të përthyer rrezet e dritës. Shkëlqim metalik. Shkëlqim i fortë (i dobët, i zbehtë, i ftohtë). Shkëlqimi i borës. Shkëlqimi i shpatës. Buzëkuq me (pa) shkëlqim. I ikën shkëlqimi. E humbet shkëlqimin. I jap shkëlqim diçkaje.
4. Pasqyrimi i ndjenjave të brendshme me anë të syve dhe të fytyrës; nur. Shkëlqimi i fytyrës. Sy plot shkëlqim.
5. fig. Madhështi e jashtme që krijohet nga pasuria e madhe, bukuri e jashtëzakonshme; prarim. Shkëlqimi i pallateve të faraonëve. Shkëlqimi i katedrales.
6. fig. Shfaqje e përsosmërisë, famë, lavdi; kulmi që arrin dikush në jetë, në një veprimtari etj.; shkalla më e lartë e zhvillimit të diçkaje, lulëzim. Arriti shkëlqimin më të madh. Është në shkëlqimin e vet. Shkëlqimi i jetës.
7. fiz. Madhësi që karakterizon rrezatimin e një burimi drite në një drejtim të caktuar.
✱Sin.: ndriçim, dritë, dritësim, përshkënditje, ndritje, shndritje, vezullim, vetëtitje, rrëzëllim, lëbyrje, rrezatim, rrezitje, llamburitje, llapëtimë, kallaj, nur, xixëllim, prarim, farfuritje, flakë, flakërim, flakërimë, flakëritje, zbardhëllim, lavdi, kulm, famë, lulëzim, shquarje.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë