Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ÁFËR ndajf. 1. Pranë, në largësi të vogël nga dikush a nga diçka; kund. larg. Është afër tij. Rri afër dikujt. Afër e afër shumë pranë, ngjitur me të. Banon aty afër. Janë afër. Rri afër. Bie më afër. Është më afër dera se qilari. (fj. u.).
2. Pas një kohe, pas pak kohe, së shpejti, së afërmi; pak kohë më parë; kund. larg. Tash afër. Është afër dita e dasmës. Sa afër është fillimi i mësimit?
3. Me lidhje gjaku ose me lidhje familjare të ngushta ose farefisnie; kund. larg. Është afër me të. Janë afër me rrënjë e me gjak.
4. Që nuk kanë dallime të dukshme, pa, dallime, që kanë ngjashmëri; kund. larg. Janë afër të dy. Aty afër janë ata.
5. Afërsisht. Aty afër aty përreth. Afër moshës së tij.
6. fig. Për së afërmi, drejtpërsëdrejti; duke i ndenjur pranë, me kujdes dhe me vëmendje të veçantë; kund. larg. I rri afër. E ndihmon nga afër. E ndien nga afër. Mbaj afër dikë. I gjendet përherë afër.
✱Sin.: afras, afrazi, ngjitur, bri, përbri, buzë, rrëzë, përkrah, ngatë.
♦ I gjendem afër (dikujt) jam me të në çaste të vështira dhe e ndihmoj sa herë ka nevojë; marr pjesë shpirtërisht në fatkeqësinë e dikujt; i rri (i qëndroj) afër; i gjendem (i ndodhem) pranë. Është afër *mendsh (diçka). Është më afër *mendsh (diçka). Është afër *mendjes (diçka). Është më afër *mendjes (diçka). E kam afër atje ku është (dikë) iron. nuk dua të kem të bëj më me dikë që është sjellë keq ose që më ka bërë një të keqe, nuk dua ta takoj më kurrë; nuk dua t’ia shoh sytë (dikujt). E mbaj afër (dikë). 1. E kam kujdes, e përkrah dhe e ndihmoj; përpiqem të krijoj marrëdhënie të ngrohta e afri me të; i rri (i qëndroj) pranë (dikujt); kund. i rri (i qëndroj) larg (dikujt). 2. Përpiqem të përfitoj sa më shumë prej përvojës e prej zotësisë së dikujt, e ndjek dhe e vëzhgoj që të mësoj prej tij; i rri (i qëndroj) pranë (dikujt). I rri (i qëndroj) afër (dikujt) shih i rri (i qëndroj) pranë (dikujt).
AGROBIZNÉS,~I m. sh. ~E, ~ET bujq. 1. Degë e ekonomisë që merret me sigurimin e sasisë së mjaftueshme të ushqimit për popullatën e një rajoni a të një shteti përmes veprimtarive të ndryshme, si prodhim bujqësor, përpunim dhe shpërndarje e ushqimit dhe e produkteve të tjera, shfrytëzim i burimeve natyrore përmes teknologjive, përmes metodave dhe përmes risive bashkëkohore në bujqësi e në industrinë bujqësore. Strategjia e zhvillimit të agrobiznesit. Sektori i agrobiznesit. Financimi i agrobiznesit. Banka e agrobiznesit.
2. ek. Veprimtari biznesore, industriale, prodhuese, përpunuese dhe tregtuese që lidhet drejtpërsëdrejti me bujqësinë. Agrobiznesi shqiptar. Qendra e Agrobiznesit. Konferenca rajonale e agrobiznesit. Banka e Agrobiznesit.
BÁLLAS ndajf. 1. Në drejtim të anës së përparme të diçkaje, përballë; ballë për ballë. I bie ballas punës. I dal (i rri) ballas. Iu faneps ballas.
2. Haptas, sheshit, sheshas (sheshazi), sy ndër sy. Tregoj ballas. Ia mori ballas. Ajo ta thotë ballas.
✱Sin.: ballazi, ballaballas, haptas, sheshit, sheshas, sheshazi, drejt, drejtpërdrejt, drejtpërsëdrejti, përballë.
BALLASHÝTAS ndajf. Pa ndërmjetësinë e dikujt a të diçkaje tjetër; pa ndërhyrjen a pa ndihmën e të tjerëve; drejtpërdrejt, drejtpërsëdrejti. Punët e mira bëhen ballashytas. (fj. u.).
DIRÉKT ndajf. Drejtpërdrejt, drejtpërsëdrejti, drejt; pa ndërmjetësinë e dikujt a të diçkaje tjetër; kund. tërthorazi. Ndikon direkt. Shfaqet direkt. Jepet direkt. E pyeti direkt.
DREJT ndajf. 1. Në vijë të drejtë, pa dredha a shtrembërime, pa lakime e kthesa; kund. shtrembër. Shkon (ecën) drejt. E hoqi vijën drejt. E shtrij fillin drejt.
2. Në drejtim të pingultë, pa u përkulur a pa u anuar; me këmbë e me shalë të bashkuara, në qëndrim gatitu; kund. shtrembër. Rri (qëndron) drejt. Ecën drejt. E mban trupin (qafën) drejt. E vendosi (e nguli) drejt. Vetëm plumbi ecën drejt. (fj. u.).
3. Në drejtimin e duhur a të zakonshëm; kund. shtrembër. E preu drejt diçka. Shkoi drejt gërshëra (sharra, gozhda...).
4. Në vendin e vet, ashtu si duhet; në rregull. S’i rrinë drejt çorapet (pantallonat). - Vëri drutë drejt!
5. Në këtë ose në atë drejtim; jo shumë larg, afër; në udhën më të shkurtër, shkurt, pa dredha. - Këtej drejt shko! - Këtu drejt duhet të jetë. I ra drejt. Këtej bie drejt.
6. Pa u kthyer askund, pa ndalesa. U ul drejt e në divan. Pëllumbi i mësuar shkon drejt në shtëpi të vet. (fj. u.).
7. Pa ndërmjetës. Nga fabrika drejt te blerësi. Jepja drejt atij.
8. Ashtu si duhet, mirë, pa gabime; kund. keq; gabim. E shtroi (e zgjidhi) drejt problemin. I kuptoi drejt udhëzimet.
9. fig. Pa bërë dredhi, pa i mbajtur anën askujt, siç e do e drejta; ashtu siç është e vërteta, me drejtësi, në mënyrë parimore; hapur, pa fshehur gjë; kund. shtrembër. Foli (veproi) drejt. E zgjidhi drejt çështjen. E vlerësoi drejt. - Drejt e ke (bised.) mirë e ke, ke të drejtë.
10. fig. Në marrëdhënie të mira me dikë, me mirëkuptim e dashuri. E shpien drejt.
✱Sin.: pingul, qiri, degë, ngul, rrafsh, fill, menjëherë, drejtpërdrejt, drejtpërsëdrejti, mirë, drejtas.
♦ Barkun *petë e shpatullat (shpinën) drejt (dikush). I bie drejt flas hapur e pa shumë fjalë, flas troç, shkurt e pa dredha, i them gjërat ashtu si janë. Hyn (drejt e) në *thela (dikush). E mban timonin drejt (dikush) sillet mirë e vepron me drejtësi; drejton pa hile e pa hatëre; ka hyrë në rrugë të drejtë (të mbarë). Rri drejt mbaj qëndrim të mirë, nuk bëj hile a poshtërsi, sillem si duhet; them vetëm të vërtetën. Të rrimë *shtrembër e të flasim drejt! S’i shkoi plumbi drejt (dikujt) nuk arriti gjë, nuk pati sukses, i vajti kot mundimi, dështoi; nuk i doli diçka ashtu siç e mendonte a e dëshironte; nuk iu plotësuan shpresat; i vajti (i doli) huq. I shkon *tymi drejt (dikujt). Me *shpatullat drejt.
DREJTPËRDRÉJT ndajf. 1. Pa ndërmjetësinë e dikujt a të diçkaje tjetër; pa ndërhyrjen a pa ndihmën e të tjerëve; përnjëherësh e jo shkallë-shkallë. Ndihmoi (ndikoi) drejtpërdrejt. E sqaroi drejtpërdrejt. I zgjedhin drejtpërdrejt.
2. Ballë për ballë, sy ndër sy, hapur; pa fshehur gjë; kund. tërthorazi. E pyeti drejtpërdrejt.
3. si pj. Përforcon kuptimin e fjalës a të fjalisë me të cilën lidhet. Punon drejtpërdrejt në prodhim. Varet drejtpërdrejt nga ai sektor.
✱Sin.: drejtpërsëdrejti, drejt, së afërmi, menjëherë, hapur.
DREJTPËRSËDRÉJTI ndajf., libr. Drejtpërdrejt. Foli (kuvendoi) drejtpërsëdrejti me të.
EKZEKUTÚES,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që zbaton një ligj, një vendim, një urdhër, një marrëveshje etj. Ekzekutuesi i urdhrit (vendimit). Ekzekutuesi i kontratës. Ekzekutuesi i projektit. Ekzekutuesit kryesorë të vendimeve.
2. drejt. Ai që merr pjesë drejtpërsëdrejti në kryerjen e një vepre penale. Ekzekutuesi i vendosjes së tritolit. Ishte ndër ekzekutuesit e planit për vjedhjen në Rinas.
3. Vrasës. Ekzekutuesi fshihet në Shqipëri. Ekzekutuesi i komisarit të policisë. Ekzekutuesit me pagesë në Shqipëri.
4. muz. Ai që luan një pjesë muzikore. Ekzekutuesi i sonatës. Ekzekutuesit e trios së Shubertit.
5. sport. Ai që kryen lëvizje të caktuara të teknikës së një sporti. Ai është ekzekutuesi i penalltisë. Ekzekutuesi i goditjes së dënimit. Ekzekutuesi më i mirë i penalltive.
✱Sin.: zbatues, realizues, interpretues, performues, vrasës.
EKZEKUTÚES/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Ajo që zbaton një ligj, një vendim, një urdhër, një marrëveshje etj. Ekzekutuese e aktit noterial. E caktuar si ekzekutuese e ligjshme e tij. Ekzekutuese e politikës së qeverisë. Ekzekutuesja e testamentit.
2. drejt. Ajo që merr pjesë drejtpërsëdrejti në kryerjen e një vepre penale. Ekzekutuesja e aktit të vjedhjes së votës
3. Vrasëse. Ekzekutuesja u zhduk menjëherë pas vrasjes. Ekzekutuesja e familjes. Ekzekutuesja e gjuetarit.
4. muz. Ajo që luan një pjesë muzikore. Ekzekutuesja e preludit të Shopenit. Në piano po luanin dy ekzekutuese.
5. sport. Ajo që kryen lëvizje të caktuara të teknikës së një sporti. Ekzekutuesja e gjuajtjes. Ekzekutuesja e goditjes mbi rrjetë. Ekzekutueset e bllokut të kundërshtarit.
✱Sin.: zbatuese, realizuese, interpretuese, performuese, vrasëse.
SHKÁLL/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Pajisje prej druri a prej metali, dy binarë të gjatë paralelë të mbërthyer shul, që përdoret për t’u ngjitur diku. Shkallë e gjatë (e shkurtër, e madhe, e vogël). Shkallë dyshe. Shkallë të lëvizshme. Shkallë me palosje. Shkallë druri. Shkallë metalike. Shkallë litari. Shkallët e zjarrfikësve. Një palë shkallë. Mbështet shkallën pas murit. Ngjitem me shkallë. Hipi në shkallë. Zbres nga shkalla. Rrëzohem (bie) nga shkallët. Shkallë litari (spec.) strukturë e krijuar me litarë që përdoret në alpinizëm apo në raste emergjencash.
2. kryes. sh. Strukturë e përbërë prej një radhë shkallaresh të palëvizshme prej guri, prej betoni a prej dërrasash, që ndodhen jashtë një ndërtese a brenda saj dhe që shërbejnë për t’u ngjitur e për të zbritur; hapësira që zë kjo pjesë në ndërtesë, bashkë me parmakët e me muret mbajtëse. Shkallë të larta (të ngushta, të gjera). Shkallë mermeri (guri, betoni, dërrasash). Parmaku (basamaku, muri) i shkallëve. Në krye (në fund) të shkallëve. Laj (lyej, fshij) shkallët. Ngjit (zbres) shkallët. Përdor shkallët, jo ashensorin. Shkallët e emergjencës. Shkallët e shërbimit.
3. kryes. sh. Varg shkallaresh që përdoren për të transportuar njerëz a sende. Shkallë elektrike. Shkallët e metrosë. Shkallë lëvizëse. Shkallët e aeroportit.
4. Hyrje e përbashkët në një kat të caktuar, që përfshin disa apartamente në një ndërtesë shumëkatëshe; përmb., bised. të gjitha apartamentet që ndodhen në këtë hyrje dhe njerëzit që banojnë në to. Shkalla e parë (e dytë...). Ndërtesë me tri shkallë. Shkallë me tri hyrje. Në cilën shkallë banon? Shkalla 2, apartamenti 4.
5. Struktura të vendosura në ndërtesa për t’u ulur njerëzit, shkallare. Shkallët e stadiumit (e amfiteatrit) u mbushën plot. Shkallët e tribunës. Shkalla e skelës. (vjet.) vend i shtruar në port, ku afrohen anijet. I zbres (i ngjit) shkallët dy e nga dy.
6. gjeogr. Udhë e përpjetë dhe e ngushtë në një grykë mali, që është si me shkallare; vend me shkëmbinj e me gurë të mëdhenj në një faqe mali. Shkalla e malit. Shkalla e Tujanit (e Priskës, e Mirakës, e Valshit). Kaluan nëpër shkallë.
7. Goditje a plagë e rëndë. I dhanë një shkallë ushtrisë rivale.
8. fig. Masë, madhësi; shtrirja e diçkaje, përpjesëtim; nivel. Në shkallë të gjerë. Në shkallë të ndryshme. Në shkallën e duhur. Në shkallë globale (kombëtare, ndërkombëtare, botërore). Në shkallë prefekture. Në një shkallë më të ulët (më të madhe, më të lartë). Deri në një farë shkalle. Shkalla e përhapjes. Shkalla e përgatitjes (e pjekurisë, e njohurive, e gatishmërisë, e zhvillimit, e ndikimit). Shkalla e ndërgjegjësimit. Shkalla e rrezikshmërisë (e fajësisë, e përgjegjësisë). Shkalla e vlerave. Shkalla e qëndrueshmërisë. Shkalla e ndriçimit. (spec.) niveli i ndriçimit në një sipërfaqe. Shkalla e fortësisë së mineraleve. (min.) niveli i rezistencës së një minerali. Shkalla e lagështisë. (spec.) niveli i përqendrimit të avujve të ujit në ajër. Shkalla e papunësisë (ek.) numri i individëve të papunë në raport me numrin e individëve të punësuar. Shkalla e gabimeve (kompj.) masa që tregon numrin e gabimeve që ndodhin në krahasim me numrin e përgjithshëm të operacioneve të përpunuara. E ngre diçka në një shkallë të re.
9. fig. Gjendje, pik, cak. E solli punën në atë shkallë, sa... Në ç’shkallë ka arritur puna? Si u katandis në këtë shkallë?
10. fig. Klasë; cilësi, kategori, grup, rend. Shkalla “Ylli i madh”. Shkalla e dekoratës. Gjykatë Administrative e Shkallës së Parë (së Dytë). Djegie e shkallës së parë (mjek). Veprime matematike të shkallës së parë (së dytë...). Fjali e nënrenditur e shkallës së parë (gjuh.) që lidhet drejtpërsëdrejti me fjalinë drejtuese. Shkalla e kualifikimit të mësuesve niveli i kualifikimit të mësuesve. Shkallët e kurrikulës nivelet e sistemit arsimor.
11. fig., vjet. Vendi i dikujt në shoqëri, gjendja e tij shoqërore, shtresë; dorë, rang. Shkallë shoqërore. U martua me një të shkallës së vet. Nga shkalla e lartë (e ulët). Nuk ishin të një shkalle. E ulën shkallën e lartë.
12. fig. Një varg elementesh homogjene që ndjekin njëra-tjetrën, shkallëzim; brez. Shkalla e ngjyrave. Shkallë njerëzish brez njerëzish të një moshe.
13. Një e thelluar te një send i ngurtë; e prerë tek flokët etj. Iu bë një shkallë sëpatës. U bëjnë deleve nga një shkallë në vesh. I preu flokët me shkallë.
14. spec. Vijë e ndarë në segmente të vogla e të barabarta, që shënojnë të zvogëluar disa herë e në përpjesëtime të caktuara gjatësinë e vërtetë të asaj që shënohet në një hartë, në një vizatim, në një skicë, në një rrafsh etj.; raporti ndërmjet distancës së vërtetë dhe zvogëlimit të saj në hartë, në vizatim etj. Shkallë grafike. Shkallë e vogël (e mesme, e madhe). Shkallë numerike. Shkallë hartografike. Shkalla 1:50000. Zvogëloj (zmadhoj) shkallën.
15. spec. Tërësia e vijave ndarëse dhe e shifrave përkatëse të shënuara në fushën e një vegle a të një aparati matës analog ose digjital, shkallëzim. Shkalla e termometrit. Shkallë milimetrike. Shkalla e një aparati. Shkallët e vizores llogaritëse.
16. muz. Një interval muzikor, që përfshin zakonisht një oktavë. Shkallë muzikore (melodike, harmonike). Shkallë kromatike minore (maxhore).
17. Laku i samarit, shkallare. Vuri këmbën në shkallë.
18. Furkaçe, ngarkaçe. Vëri shkallën!
19. Njësi matëse, gradë. Të nxehtët arriti tridhjetë e shtatë shkallë. Ishin në 46 shkallë gjerësi gjeografike. Shkallë Merkali (Rihter) njësi për matjen e forcës së tërmetit.
20. gjuh. Kategori gramatikore e mbiemrave cilësorë dhe e disa ndajfoljeve, që tregon masën e shfaqjes së cilësisë a të tiparit të shënuar prej tyre. Shkalla pohore (krahasore, sipërore). Shkallët e mbiemrit.
21. mat. Treguesi më i madh i fuqisë të së panjohurës në një ekuacion ose i ndryshores në një polinom, gradë. Shkalla e një ekuacioni (e një polinomi). Ekuacion i shkallës së parë (së dytë).
✱Sin.: kapërcyell, hyrje, përmasë, kufi, talë, gradë, lloj, gradim, fazë, radhë, rang, vend, titull, shtresë, dorë, sërë, shkallëzim, nënndarje, brez, kllapë, shkallinë, shkallore, shkallëz, lak, çallatë, e prerë, qokë, hipës, këmbës, këmbëse, shkop.
♦ Aq i arrijnë shkallët (dikujt) aq i ka mundësitë ose aftësitë, nuk bën dot më shumë se aq, nuk është fort i aftë, s’është i zoti për më tepër, mos i kërko më shumë; aq i ha krahu; aq i hedh dyfeku mospërf.; kaq e ka hapin (çapin) (dikush); aq e ka vrapin; kaq e ka frymën. Ra nga shkallët (dikush). 1. Humbi pozitën e lartë shtetërore a shoqërore që kishte; ra (zbriti) nga fiku. 2. Pësoi një dëm a një fatkeqësi të rëndë, e gjeti një e keqe e madhe. I heq shkallët (dikujt) i krijoj një gjendje të vështirë për ta dëmtuar; e lë pa mbështetje e pa përkrahje. Ngjit nga dy shkallë përnjëherë (dikush) shaka. nxitohet shumë, nuk ka durim e nuk e merr shtruar diçka; do që ta mbarojë një punë shpejt e pa vepruar si duhet; i bën gjërat me ngut dhe rrezikon veten; merr nga dhjetë sërë krahin.; e kapërcen kafshatën pa e përtypur; i hipën gomarit pa samar keq.; kund. i ngjit shkallët një nga një. I ngjit shkallët një nga një i marr punët shtruar, jam i matur e i kujdesshëm në të folur e në të vepruar; nuk ngutem; bëj karrierë shkallë-shkallë, përparoj ngadalë, por i sigurt. I ngjit shkallët me rend (dikush) shih i ngjit shkallët një nga një (dikush). Ngjitet (edhe) pa shkallë (dikush) është shumë i shkathët, i zgjuar e dinak; i kapërcen vështirësitë me zgjuarsi e me dredhi dhe bën përpara; bën lart edhe pa mjetet e nevojshme. Në shkallë të gjerë (libr.) në përpjesëtime të mëdha, me shtrirje të hapët, gjerësisht; në masë të madhe.
SOCIALÍZ/ËM,~MI m., pol. filoz. 1. Tërësi teorish ose sistemesh të organizimit të shoqërisë sipas të cilave mjetet e prodhimit dhe shpërndarja e të ardhurave janë në duart e kolektivit ose të shtetit. Ligjet ekonomike të socializmit. Parimet e socializmit. Zhvillimi i socializmit.
2. Tërësi e doktrinave politike dhe sociale që synojnë reformimin e shoqërisë njerëzore duke bashkuar mjetet e prodhimit dhe të shkëmbimit në duart e kolektivave, shoqatave punuese apo të shtetit drejtpërsëdrejti. Thelbi i socializmit.
3. Doktrinë e organizimit shoqëror, që mbron interesat e mirëqenien e përgjithshme, veçanërisht interesat e mirëqenien e shtresave me të ardhura të pakta; politikë e veprimtari që mbështetet në këto doktrina: Socializmi utopik. Doktrina e socializmit.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë