Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ANÉM,~I m. sh. ~E, ~ET Çikrik i tjerrëses, rreth që rrotullohet zakonisht me këmbë dhe që përdoret për të dredhur me dorë a për të mbështjellë fillin e leshit, të pambukut etj.; pjesa e një makine, që shërben për të rrotulluar dhe për të dredhur fillin. Dorëza e anemit. Dredh me anem. Flet shpejt si anem (çikrik). Kryet më vete si anem më sillet mendja vërdallë.
ATÓ (ATÝRE, tr. e shkurt. U; ATÓ, pas parafj. TO, tr. e shkurt. I; ATÝRE, pas parafj. TÝRE) përem. 1. vetor. Tregon frymorë a sende (të shënuar nga emra të gjinisë femërore), që zihen në gojë, por që nuk janë aty; zëvendëson një emër të gjinisë femërore (në numrin shumës), që është përmendur pak më parë ose që do të përmendet më pas. Ato vetë pikërisht ato. Me to. Pas tyre.
2. dëft. Tregon frymorë a sende (të shënuar nga emra të gjinisë femërore), që ndodhen më larg folësit se frymorët a sendet e tjera të atij lloji; zëvendëson një emër të gjinisë femërore (në numrin shumës), që është përmendur më parë se një tjetër; kund. këto. Ato atje. Ja ato. Ato vajza. Ato male. Ato vende.
3. dëft. Përdoret me një emër të gjinisë femërore në numrin shumës për të treguar pjesën e kohës, që shënohet nga emri ose që është përmendur më parë. Ato kohë. Ato vite. Ato ditë. Ato çaste.
4. dëft. Përdoret para një fjalie të varur, e cila përcakton frymorët a sendet që tregon përemri (të shënuar nga emra të gjinisë femërore në numrin shumës), ose para një fjalie kryefjalore, e cila përcakton frymorët a sendet që zëvendëson përemri; përdoret për të treguar ose për të zëvendësuar frymorët a sendet që përmenden më parë me një cilësi a tipar të caktuar. Një nga ato vajzat e konviktit. Nëpër ato fushat e gjelbëruara.
5. dëft., libr. Përdoret në vend të një emri të gjinisë femërore (në numrin shumës) për të mos u përsëritur emri. Si në vendet malore, edhe në ato fushore.
6. dëft. Përdoret për të treguar në mënyrë të përgjithësuar mendimet, çështjet ose rrethanat që përmenden më parë ose që plotësohen më pas. Ato që dinte, i tha të gjitha.
7. dëft. euf., etnogr. Qoftëlarget, dreqet, djallushat. Ato ishin qoftëlarge.
8. bised. Gratë, bashkëshortet. Thirri ato më shpejt.
9. si em., bised., përb. Gratë e përdala.
♦ Nuk bie në ato *ujëra. S’i dredh dot *ato petë (dikush). Nuk futet (nuk hyn) në ato *thekra (dikush). Nuk i ha ato *gorrica. S’i ha dot ato *kothere (dikush). Nuk i ha ato *kumbulla. Nuk i ha ato *vadhëza. Jam në ato *ujëra. Noton në po ato (në të njëjtat) *ujëra (me dikë) keq.
BÉS/Ë,~AI f. 1. Fjalë e dhënë për diçka të rëndësishme, premtim që jepet me dëshirë dhe me sigurinë se do të mbahet, fjalë e nderit për të plotësuar medoemos një detyrim që merret përsipër; premtim, fjalë, zotim. Besa shqiptare. Besa e burrit. Fjala e besës. I jap besën. I rri në besë. Shkeli (theu, ktheu) besën. I doli nga besa. E përmbushi besën. E mbajti besën e fjalën. Besa e gjarprit zotim a premtim që nuk i duhet besuar kurrë. Besa e shqiptarit si purteka e arit. (fj. u.). Besa e burrit - pesha e gurit. (fj. u.). Kalin e tregon ngarkesa, burrin e tregon besa. (fj. u.). Këmba e thyer e besa e kthyer nuk ndreqen. (fj. u.).
2. Bindja në çiltërinë e ndershmërinë e dikujt, besimi i plotë te dikush a te diçka. Ka besë mund t'i besohet. Ia la në besë ia besoi dikë a diçka. Mos i zër besë gjarprit! (fj. u.). Zjarrit dhe ujit mos i ki besë. (fj. u.).
3. etnogr. Zotim që shtëpia e një të vrari i jepte vrasësit ose familjes së tij, që brenda një afati të caktuar të mos e merrte gjakun prej tyre; pezullim i armiqësisë ose i gjakmarrjes ndërmjet fiseve a katundeve në kohë të vështira, që arrihej me marrëveshje dhe sigurohej me fjalën e dhënë nga të dyja palët; koha sa zgjaste ky zotim ose pezullim. I dha besë. Lidhi besë. Prishi besën. E vrau në besë. Zgjati besën. Shqiptari kryet e pret e besën s’e thyen. (fj. u.).
4. etnogr. Mbrojtja që gëzonte miku nga mikpritësi sa kohë qëndronte tek ai ose gjatë udhëtimit deri në një vend tjetër; ndore, mëndore; premtimi që i jepej dikujt se nuk do të pësonte gjë të keqe gjatë qëndrimit në një vend. Ishte në besë të dikujt. E mori në besë. E thirri (i shkoi) në besë. I ra në besë. E zuri në besë.
5. Marrëveshje për veprime të përbashkëta që arrihej sipas fjalës së dhënë, besëlidhje, aleancë. Lidhën besën. Vunë besë kundër dikujt u lidhën kundër dikujt. Kishte besë me dikë. Të parët e Shqipërisë bënë një besë duke lidhur fjalë e kuvend për shpëtimin e mëmëdheut. (folk.).
6. edhe sh. ~Ë, ~ËT bised. Feja së cilës i besojmë dhe ritet e kësaj feje; besimi në Zot; fe, besim. Besë e fe. Ndërroi (la) besën. Besa e shqiptarit është shqiptaria (fj. u.). Gjithkush e ka besën për vete. (fj. u.). Jep jetën e nuk e lë besën. (fj. u.).
7. Besnikëri. E ruajti me besë. U përmbahen me besë porosive të babait.
✱Sin.: premtim, fjalë, zotim, ndore, mëndore, besëlidhje, aleancë, fe, besim, din.
♦ Besë burrash (besa e burrave) etnogr. besa që jepet në sy të burrave e mes tyre. I bie në besë (dikujt). 1. etnogr. I kërkoj të më mbrojë nga gjakësi; i kërkoj besë a ndihmë. 2. I dorëzohem në mirëbesim; i kërkoj që të jetë besnik e të më përkrahë për diçka. Nuk e çart besën (dikush) e mban fjalën e dhënë, është besnik, nuk të pret në besë, nuk të ha në besë; kund. e shet kalin me një të penguar (dikush). Jap besën (i jap besën) (dikujt) zotohem se nuk do ta tradhtoj dikë e se do të jem me të, e siguroj me fjalën e nderit për diçka. S’pata besë mezi prisja, nuk më durohej; nuk më besohej. Nuk ka besë. 1. (dikush) Nuk e mban fjalën, nuk mund t’i besohet; luan, e dredh. 2. (diçka) Nuk dihet me siguri se si del, mund të ketë të papritura. E preu (e hëngri) në besë (dikë). 1. Nuk ia mbajti fjalën, ia punoi me të pabesë. 2. E tradhtoi. I zë besë (dikujt a diçkaje) i besoj, jam i bindur se është ashtu ose se nuk do të ndodhë ndryshe. Nuk u zë besë (nuk u besoj) *syve.
BISHT,~I m. sh. ~A, ~AT dhe ~RA, ~RAT 1. Pjesa e zgjatur në fund të kurrizit të kafshëve, që është e lëvizshme dhe zakonisht e mbuluar me qime të gjata te kafshët e mëdha; ana e prapme e trupit të shpendëve e mbuluar me një tufë puplash; copa e mishit që pritet nga kjo pjesë e kafshëve ose e shpendëve; kërbishte. Bisht i gjatë (i shkurtër). Bisht kali. Bisht dhelpre. Bishti i qenit (i maces, i miut). Bisht zogu (gjeli, pëllumbi). Bishti i peshkut. Bisht gjarpri (hardhuce). Bishti i akrepit. Pendët e bishtit. Leshi i bishtit. Mishi i bishtit. Me bisht të prerë. Tund (luan) bishtin. I qeth bishtin. I këputi bishtin. E kapi për bishti. Mikut i vënë bishtin e pjekur për ta nderuar (etnogr.). Jeton bleta majë malit, jeton dhe miza nën bisht të kalit. (fj. u.). Është kollaj t’i presësh bishtin ujkut të vrarë. (fj. u.). Po e lë punën për nesër, do të hash bishtin e dhelprës. (fj. u.). Kur ikën bualli, ç’bëhesh merak për bishtin. (fj. u.). Të ha bishtin e të merr gishtin. (fj. u.).
2. Pjesë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta nga botanika, zoologjia etj. Bisht daci (lat. Equissetum maximum) bot. bimë barishtore me kërcell të gjatë e të hollë si fill dhe me një tufë gjatoshe në majë. Bisht gomari (lat. Equisetum arvense) bot. bimë barishtore rreth një metër e lartë, me gjethe të holla si hala, që rritet anës përrenjve, kanaleve etj.; këputje; bargjan. Bisht mëllenje (lat. Psetta maxima) zool. peshk i madh me trup petashuq, me të dy sytë në pjesën e sipërme të trupit, që noton në fund të detit. Bisht miu (lat. Micromeria) bot. bimë barishtore aromatike, me kërcell e me gjethe pushatake dhe me lule të vogla përgjatë kërcellit; bishtmi.
3. Pjesë e hollë që bashkon gjethen, frytin ose lulen me degën a me kërcellin e një bime. Bishti i gjethes (i lules). Bishti i dardhës (i mollës, i kungullit, i shalqirit). E këput me gjithë bisht. I përdredh bishtin. Heq bishtat.
4. Pjesë e një vegle a e një mjeti, shkop i ngulur në pjesën tjetër a i mbërthyer me të ose pjesë e zgjatur si shkop që shërben si dorezë. Bisht druri. Bishti i lopatës (i shatit, i kazmës, i çekanit, i kosës, i draprit). Bishti i çadrës. Bishti i pendës. Bishti i tiganit (i lugës, i xhezves). Bishti i fshesës (i kopanit). Bishti i kandarit. Bishti i lahutës. Bishti i parmendës. Filxhan (gotë) me bisht. Sqepari s’e gdhend bishtin e vet. (fj. u.). Gjeti bishtin sëpata, pyllin e mori data. (fj. u.).
5. Zgjatim në pjesën e fundit ose të anës së një sendi, që zakonisht vjen duke u ngushtuar; pjesë që varet prapa a anash si rrip; shtojcë e përzgjatur a e përdredhur. Bishti i aeroplanit. Bishti i kometës (astr.) pjesa e gaztë e kometës. Bishti i balonës. Bishti i malit. Bishti i mustaqeve. Bishti i anijes. Bishta qepe (preshi, hudhre) gjethet e qepës (të preshit, të hudhrës). Bishtat e shkronjave. Sy me bisht. Yll me bisht (astr.) kometë. Fustanet me bisht o moj, ç’kanë që s’i mbajnë, / Dolën këto kostumet o moj, na prishën dynjanë. (folk.).
6. gjeogr. Rrip i zgjatur toke brenda në det ose në liqen, kep, hundë. Bisht i gjatë.
7. bised. Gërshet flokësh, bishtalec; tufë flokësh. Mban bishta. Preu bishtat. I mbledh flokët bisht. Bishtat i binin gjer në bel.
8. edhe fig. Pjesa e fundit e diçkaje, vendi në fund të diçkaje, fundi, skaj; fig. pjesa e fundit dhe e parëndësishme e diçkaje; pjesa me më pak vlerë; njeri i parëndësishëm; kund. koka, kreu. Bishti i arës. Bishti i urës. Bishti i fshatit. Bishti i trenit. Bishti i varganit (i karvanit, i kolonës, i turmës). Në bisht të krevatit. Në bisht të natës. Në bisht të bisedës. Në bisht të jetës në pleqëri. Diskutim pa bisht e pa krye. Qëndron në bisht të punëve. E zuri punën nga bishti. Nuk e gjente dot ku e kishte kokën dhe ku e kishte bishtin kjo punë. Bishtrat e lëmit i hanë pulat. (fj. u.).
9. fig., keq. Diçka e paparashikuar dhe e tepërt, që paraqitet për të ngatërruar një punë ose për t'iu shmangur një detyre; trillim, diçka e paqenë që shtohet me qëllim të keq. Punë me bishta. Dalin bishta. Kërkonte bishta. I gjeti një bisht. Ka bishta prapa.
10. fig., përb. Ai që ndjek dikë në mënyrë të verbër, ai që hiqet zvarrë pas dikujt; sahanlëpirës, bishtalak. Merrte bisht me vete. Bëhej bisht i tjetrit.
11. fig. Pjesa e papërfunduar e një pune ose e një detyre, diçka që ka mbetur pa u mbaruar. La bishta pas. Mbetën ca bishta.
12. Pjesa që mbetet pas përdorimit të diçkaje; mbeturinë, fundërrinë; pjesa e cilësisë më të ulët. Bishti i cigares. Bisht qiriu. Bisht kalemi. Bisht kazani raki e dorës së fundit. Bishti i lëmit. Bishti i leshit (i vajit). I dha ca bishtra.
13. fig., bised., mospërf. Njeri i shtresës më të ulët; njeri që shihet si i pavlerë e i parëndësishëm; bishturinë. Bishti i fshatit.
14. bised. Kokë bagëti (si njësi numërimi); një sasi e vogël e papërfillshme, shumë pak, ca pak. Dhjetë bishta dhen. Një bisht gjë. Një bisht arë.
15. fig. Nofkë; thashetheme. S’ka lënë kënd pa një bisht. Këqyr punën tënde e mos rri duke u ngjitur bishta të tjerëve. (fj. u.).
✱Sin.: kërbishte, bishtok, bishturinë, kërbythje, fre, frenjë, rrëfanë, vadarosh, rrezgë, rropulli, bend, sahanlëpirës, bishtalak, fundërri, llum, vulg, llurbëtirë, lëngjerë, llomështi, zgjyrë, bigorr, rrëzall, hulinë, shushull, handrak, nofkë, thashetheme.
♦ As *ballë e as bisht. *Ballë e bisht. U bë bisht (i dikujt) iu nënshtrua plotësisht dikujt, shkon pas tij e vepron si do ai; u bë vegël në duart e tij; i mban bishtin (dikujt); i shkon pas bishtit (dikujt); u lidh pas bishtit (të dikujt). Është bërë bisht luge (dikush) shih është bërë kockë e lëkurë (dikush). Iu bë morri me bisht (dikujt) përçm. është fëlliqur shumë; është shumë i papastër ngaqë nuk është larë prej kohësh; është bërë gjer në brez (dikush) vulg.; ka zënë krimba (dikush). Bën bisht (dikush) bën hile, luan sa andej-këtej duke gjetur arsye të kota ose dredhi, dredhon; është hileqar; bën dredha; rrëshqet (shket) si ngjalë. I bën bisht (dikujt a diçkaje) i shmanget takimit me dikë që nuk e do, përpiqet t’i shpëtojë; i ruhet përplasjes me diçka, bën mënjanë ose largohet; i shmanget një pune, i dredhon diçkaje, nuk i del ballas; i bën dredha; i bën (i jep) lak. E bëri bishtin *kobure (dikush) iron. E bën bishtin *krye (dikush). E bëri bishtin *palë (dikush) përçm. E ka bërë bishtin *pykë (dikush). Bën *kokë (krye) nga bishti (dikush). Ra në bisht (dikush) tall. u përgjunj, u dorëzua. Bishti i bushtrës përb. vulg. njeri që nuk e mban fjalën; i pabesë; gjethe plepi; me dy fytyra; me dy faqe. (U zunë) për bishtin e dhelprës u zunë për hiçgjë, për një shkaka a për një arsye fare pa rëndësi; (u zunë) për pesë para spec; (u zunë) për mustaqet e Çelos; (u zunë) për të bardhat e laraskës; (u zunë) për mjekrën e qoses; (u zunë) për një lëkurë lepuri; (u zunë) për një kokërr hudhër; e lagu s’e lagu (bishtin dhelpra). Bishti i fshesës njeri që nuk përfillet nga të tjerët (në një familje a në shoqëri); bishti i pallës; vrima e fundit e kavallit. Me bisht ndër këmbë shih me bisht ndër (në) shalë përçm. Pa bisht e pa krye pa lidhje, pa fillim e mbarim, në mënyrë të ngatërruar e të paqartë; rrëmujë. Bisht lugati bised. ters, keq. Bishti i pallës tall. njeri më i vogël se të tjerët; i fundit nga rëndësia e nga vlera, që s’e pyet njeri për asgjë, që nuk e përfill askush fjalën e tij; bishti i fshesës; vrima (bira) e fundit e kavallit. Me bishtin përpjetë shih me hundën përpjetë. Bisht qeni (bishti i qenit) përb. njeri i keq, i shtrembër, që nuk ndreqet kurrë. Me bisht të syrit shkarazi, kalimthi. Me bisht ndër (në) shalë përçm. i mundur e i turpëruar; mori bishtin ndër shalë (dikush); si pulë e lagur. (U zunë) për bishtin e vjedullës shih (u zunë) për bishtin e dhelprës. Çau bishtin (dikush) keq. iku i mundur e turpëruar, iku me bisht ndër shalë. E çoi kandarin deri në bisht (dikush) e teproi shumë, nuk durohet më; e mbushi kupën; ka ardhur kandari në bisht. Dolën bishta dolën gjëra të paparashikuara në një punë, dolën vështirësi e pengesa të reja. *Dardha e ka bishtin prapa fj. u. E drodhi (e përdrodhi) bishtin (dikush) përçm. shih e drodhi këmbën (dikush). *Dhi e zgjebosur e bishtin përpjetë (cakërr) mospërf. Në *fund e në bisht. E ka futur bishtin në *shalë (dikush) përb. Hedh bishta (dikush) keq. nuk punon mirë, i shmanget punës, është hileqar; bën bisht; bën dredha; rrëshqet (shket) si ngjalë. E hedh bishtin mbi *sergjen (dikush). Heq bishtin e gjarprit vuaj shumë, lodhem e mundohem tepër derisa arrij diçka; heq të zitë e ullirit; heq pikën e zezë. Heq buallin nga bishti (dikush) keq. merr përsipër një punë që s’e bën dot, hiqet si trim dhe shumë i zoti; e mbath kalin pa gozhdë; e fut (e fsheh) minaren në thes; fut (shtie) shejtanin (djallin) në shishe. Humbet *kau me gjithë bisht (diku) shaka. Të jep ujë me bisht të lugës (dikush) është shumë i zoti; është i shkathët e ta hedh me zotësi; të jep ujë në shpinë të dorës; të jep ujë me shoshë; të vë në bisht të lugës; nxjerr dhjamë nga pleshti. Ia kalon bishti sakicës shih del si bishti para sqeparit (dikush). Kur të këndojë *qyqja e kuqe (nga bishti) iron. Iu këput bishti (dikujt) mospërf. shih i doli boja (dikujt). Pa *kokë (pa krye) e pa bisht. I kreh bishtin (dikujt) keq. i bën lajka, e lajkaton, e merr me të mirë dhe e mburr për t’i prishur mendjen dhe për të përfituar prej tij; e llaston dikë; i fërkon krahët; i shkon (i vete) pas avazit. Ia lagu bishtin (dikujt) e turpëroi; i vuri njollën. E lagu s’e lagu bishtin (dhelpra) hahen kot, bëjnë fjalë a grinden për diçka fare pa rëndësi; (zihen) për bishtin e dhelprës; (zihen) për të bardhat e laraskës; (zihen) për një kokërr hudhër; (zihen) për pesë para spec; (zihen) për mustaqet e Çelos; (zihen) për mjekrën e qoses. E la në bisht (dikë) përparoi më shumë se dikush, ia kaloi shumë; e la prapa. I lëpin bishtin (dikujt) keq. i bën lajka, i vete pas qejfit; i lëpin bythën përb. vulg.; ia kreh bishtin. U lidh pas bishtit (të dikujt) keq. shkon e vepron sipas interesave të dikujt, lidhet ngushtë me dikë e vepron si do ai; u bë bisht (i dikujt); i mban bishtin (dikujt); i shkon pas bishtit (dikujt). S’lidhet as për bishti e as për krye (dikush) nuk bindet, s’ke ku e kap që ta bindësh për diçka, s’është e mundur; është gdhe; nuk i mbushet mendja; nuk ha arsye; s’ha (s’merr) pykë; s’ha të gdhendur. I lidhur bisht më bisht (me dikë) përb. i lidhur ngushtë me dikë, ka marrëdhënie shumë të afërta me të, nuk ndahet dot prej tij; ka marrëveshje të pandershme me dikë. I luan (i tund) bishtin (dikujt) keq. e ndjell pas vetes, përpiqet ta joshë me lajka e me ojna. E luan (e dredh, e lëviz) bishtin (dikush) keq. 1. Nuk mban qëndrim të mirë moral, shkon me disa burra (për femra); luan si gjethja e plepit. 2. Mban qëndrim të lëkundur, nuk qëndron besnik, e dredh. Me *lugë të kon e me bisht të verbon (dikush) keq. Mori bishtin ndër shalë (dikush) përçm. shih (iku) me bisht ndër (në) shalë (dikush). Ka marrë *lëng nën bisht (dikush) keq. I mban bishtin (i shkon pas bishtit) (dikujt) përçm. e përkrah dikë e i bën qejfin, vepron si ai ose bën si thotë ai; u lidh pas bishtit (të dikujt); i shkon pas bishtit; u bë bisht (i dikujt); shkon pas qerres (së dikujt); i shkon (i vete) pas avazit; i mban avazin. E mban bishtin *përpjetë (dikush) iron. I mbeti bishti i kandarit (dikujt) iron. shih mbeti me gisht në gojë (dikush). Mbeti në bisht (në bisht të urës, te bishti i urës) (dikush) përçm. mbeti prapa të tjerëve, nuk përparoi; është i prapambetur, ka mbetur si në të shkuarën; mbeti te këmbëza e urës; është (ka mbetur) (ende) tek ura; është në fund të dardhës tall. Mbeti si *kopan pa bisht (dikush) mospërf. S’ka mbetur *laraskë pa bisht tall. Mblodhi bishtin (dikush) mospërf. u tërhoq, ndenji urtë e s’u ndje më (zakonisht nga frika, nga turpi etj.). E ndjek bisht pas bishti (dikë) e ndjek pa iu ndarë, s’i ndahem këmba-këmbës; e ndjek hap pas hapi (dikë). Ngre bishtin (dikush) bised. 1. Nis të shthuret moralisht, fillon të luajë e të prishet nga ana morale (kryesisht për femra). 2. Mbahet më të madh, krekoset; ka kërkesa të tepërta; ngre hundën; iu rrit mendja (dikujt); kund. ul bishtin (dikush). Nxjerr bishta (dikush) krijon pengesa e vështirësi për të mos e bërë një punë; i shmanget një detyre me justifikime a me pretendime të paarsyeshme; nxjerr yçkla. Ia nxjerr bishtin (diçkaje) e teproj, e kapërcej masën, bëj diçka të tepërt a të panevojshme. Ia pres bishtin (dikujt) ia heq gjërat e tepërta a të panevojshme që ka ose që nuk i meriton. Prish një *ah për një bisht kmese (dikush) iron. I qëroi bishtin (dikujt) keq. e vrau, e zhduku dikë; humbi pa bisht e pa kokë (dikush). Më i rëndë bishti se sqepari thuhet kur dikush që është me detyrë e përgjegjësi më të vogël ose që ka vlera e merita më të pakta, kërkon të dalë mbi ata që kanë detyra, përgjegjësi, vlera a merita më të mëdha. Është rritur me bishta preshi (dikush) ka qenë i varfër, ka hequr keq në jetë; ka jetuar keq, ka vuajtur për bukën e gojës, i kanë munguar edhe ushqimet më të domosdoshme; është rritur me qull; ka ngrënë urov; kund. është rritur me thelpinj arre. I rri maçoku në bisht (dikujt) është gati për t’u zënë me të tjerët, grindet e zemërohet kot; i thotë sherrit lepe (dikush); e heq brezin zvarrë (dikush); hahet me leckat e tij; e kërkon sherrin me qiri. E rrjep morrin nga bishti (dikush) është shumë dorështrënguar, kursen sa më s’bëhet; përpiqet të nxjerrë fitim edhe nga hiçi; e vë (e shtie) morrin në hell; nxjerr dhjamë nga pleshti. Më rruan bishtin (dikush) përb. bised. nuk më bën dot asgjë, s’ka ç’më bën; s’ia kam fare frikën; më rruan trapin shpërf. vulg.; më rruan bythën përb. vulg. I shkeli bishtin (dikujt) (e shkeli në bisht) (dikë). 1. I preku një të drejtë a një privilegj; i bëri një të keqe. 2. shih ia zuri kokën me derë (dikujt). I shkon pas bishtit (dikujt) përçm. shih i mban bishtin (dikujt) përçm. (Shkoi, humbi) si *sëpata pa bisht (dikush a diçka). E sheh me bishtin e syrit (dikë) nuk e vlerëson siç e meriton, e nënvlerëson; e përçmon; e sheh shtrembër. E shtriu bishtin (dikush) euf. keq. nuk u ndje më, vdiq; e hëngri djathin e hoxhës keq.; shkoi me të shumtët; i ktheu patkonjtë nga dielli (nga qielli). *Tigan pa bisht mospërf. Të than në bisht të kandarit (dikush) ta hedh në peshë; të mashtron, të vjedh, ta merr diçka sy në sy; të vjedh vezët nën klloçkë; të vjedh hundën midis (në mes të) syve. *Thelë mbi bisht. Ul bishtin (dikush) përçm. heq dorë me turp nga kërkesat e tepruara, tërhiqet me turp; përulet duke e pranuar diçka; ul hundën; kund. ngre bishtin (dikush). E vë në bishtI (diçka) përçm. nuk e përfill; e quaj si pa vlerë ose në fund të gjithçkaje; s’e vë (s’e zë, s’e shtie, s’e fut) në numër; s’e bëj për osh. E vë në bishtII (dikë) ia kalon, e lë shumë prapa; e mund; e hedh me një gisht; e vë përfund. E vë në bisht të lahutës (dikë) e talli, e qesëndis; e vë në lojë; e vë në sitë dhe në shoshë; luan arushë (me dikë); e luan nëpër gishta. Të vë në bisht të lugës (dikush) ta hedh kur të duash, të tall e ta punon me lehtësi; të jep ujë me bisht të lugës; të jep ujë me shpinë të dorës. I vë (i ngjit) bisht (prapa) (dikujt a diçkaje) i shton diçka të tepërt, i ngjit diçka të paqenë a të trilluar me qëllim që ta ulë në sytë e të tjerëve; i shton nga xhepi. Ka ardhur kandari në bisht ka ardhur puna sa nuk durohet dot më; është kaluar çdo kufi i pranueshëm, nuk mban më; ka vajtur (ka shkuar) thika në kockë; nuk mban më ujë pilafi (orizi, vera). I zuri *bishti dhjamë (dikujt). E zë (e kap) demin nga bishti e fillon së prapthi një punë, nuk e nis nga kreu ose nga më kryesorja; e kap për degësh; kund. e zë (e kap) demin për brirësh (nga brirët). S’e zë (s’e kap) njeri për bishti (dikë a diçka) shpërf. shih s’e zë (s’e kap) njeri me dorë (dikë a diçka). Më zuri rrota (qerrja) bishtin e shoh veten në vështirësi, s’kam nga t’ia mbaj; s’kam ç’bëj; më zuri guri këmbët; më zuri çarku kokën; u zura ngushtë. *Yll me bisht. *Zero me bisht (me xhufkë) shpërf.
BISHTN/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR jokal. 1. I shmangem takimit me dikë a me diçka të padëshiruar. Nuk e kap dot, se më bishtnon. Duke u bishtnuar pyetjeve. I bishtnonte vështrimit të saj.
2. Iki tinëz, largohem fshehurazi pa më parë kush.
3. fig., keq. I shmangem punës a fjalës, duke nxjerrë shkaqe të kota, i bëj bisht, nxjerr bishta, dredhoj. I bishtnoi punës (përgjegjësisë). Bishtnoi në fund të bisedës. Nuk i zihet besë se i bishtnon llafit.
4. Tërhiqem nga një ndeshje a përballje me dikë tjetër a me diçka; kthehem mbrapsht, largohem. Luftuan derisa ata bishtnuan të turpëruar.
✱Sin.: dredhoj, dredh, përdridhem, lakadridhem, spërdridhem, tërthoj, lakoj, gjarpëroj, gemtoj, rrëshqas, shkas, turrahit, kopiloj.
BOSHT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Shkop i shkurtër, i holluar në të dyja majat, që përdoret për të tjerrë dhe për të mbledhur fillin, duke e rrotulluar me dorë, drugë, drugëz; pjesë e makinës së tjerrjes që shërben për të dredhur dhe për të mbledhur fillin, dredhës, mëqik; sasia e fillit e mbledhur në një shkop të tillë. Me furkë e me bosht. Dredh boshtin. Mbledh në bosht. Ndërroj boshtet. Boshtin shtëllungë e tora! (folk.). I dha boshtin e ngarkoi të tjerrë (lesh, li etj.); fig. e vuri të punojë, e vuri në punë. Fëmija i vogël- si boshti i tjerrë. (fj. u.).
2. mek., aut. Pjesë e makinave, e mjeteve dhe e veglave të punës, që ka trajtën e një druri të rrumbullakët dhe që shërben për të bashkuar rrotat ose pjesë të tjera që rrotullohen a që lëvizin. Boshti qendror (kryesor). Boshti i qerres. Boshti i dërstilës (i mullirit). Boshti i çadrës. Makinë me dy boshte. Bosht i bashkorit bosht që përcjell lëvizjen nga bashkori në grupin e ingranazheve. Bosht bërrylor (me bërryla) bosht gungor; kollodok. Bosht gungor (bosht me gunga) bosht që kontrollon lëvizjet e valvulave të motorit me djegie të brendshme. Bosht kryesor (parësor) bosht që e përcjell lëvizjen nga motori në pjesët e tjera të makinës. Bosht lëkundës bosht me leva, i mbështetur në qafa, që lëkundet në vend që të rrotullohet dhe që përcjell lëvizjet alternative në motorët me avull. Bosht motorik bosht në një makinë ose në një motor, që përdoret për të kthyer lëvizjen vajtje-ardhje drejtvizore në lëvizje rrotulluese ose anasjelltas; bosht me gunga. Bosht ngarës bosht që përcjell përdredhjen ose rrotullimin në boshtin e rrotave. Bosht i shkallëzuar bosht me seksione që kanë diametra të ndryshëm. Bosht i shlizuar bosht me disa kanale rrethore. Bosht i shpërndarjes bosht me disa gunga; bosht gungor. Bosht i shtangët bosht që nuk përcjell lëvizje.
3. Pjesë kryesore e një mjeti a e një vegle pune, ku lidhen pjesë të tjera më të vogla; shtizë. Boshti i parmendës.
4. spec. Drejtëz që kalon përmes qendrës së simetrisë ose përmes qendrës së rëndesës së një trupi; vija e mesit për së gjati një trupi. Boshti horizontal (pingul). Boshti optik. Boshti i simetrisë. Boshti i rrotullimit. Boshti i tangjenteve. Boshti i rrugës. Boshti i tunelit. Boshti i koordinatave (mat.) njëra nga drejtëzat që ndërpriten në sistemin e koordinatave. Boshti i koordinatave (mat.) një nga drejtëzat (x ose y) që ndërpriten në sistemin e koordinatave. Bosht i madh (mat.) më i madhi nga dy boshtet e elipsit. Bosht optik (fiz.) vijë e përfytyruar e drejtimit të rrezes së dritës pa dy përthyerje. Bosht i përfytyruar (mat.) bosht pingul (y) në diagramin e Argandit ose në një plan të përbërë. Bosht i simetrisë (gjeom) vijë që ndan një figurë në dy pjesë simetrike në mënyrë të tillë që njëra anë të përputhet plotësisht me anën tjetër. Bosht i vogël (mat.) më i vogli nga dy boshtet e elipsit.
5. astr. Vijë e përfytyruar që bashkon dy polet e një trupi qiellor, duke kaluar përmes qendrës së tij. Bosht i tokës vijë e drejtë e përfytyruar, që kalon përmes qendrës së Tokës dhe të dy poleve rreth së cilës ajo bën një rrotullim të plotë në 24 orë. Boshti i planetit.
6. Pjesa qendrore, pjesa e mesit e diçkaje, e përfytyruar për së gjati (kryesisht për bimët dhe për pjesët e tyre). Boshti i misrit (i grurit). Boshti i rrënjës. Boshti i trungut (të drurit). Bosht i këmbës (anat.) kërciri i këmbës. Boshti i kurrizit (anat.) shtylla kurrizore. Bosht i plakës (lat. Lepidium draba) (bot.) bimë barishtore shumëvjeçare me kërcell të trashë e të drejtë, deri tetëdhjetë cm të lartë, me push të dendur, që nxjerr gjethe të ngushta përgjatë kërcellit dhe lule të bardha si tufë në majë të tij.
7. fig. Drejtimi kryesor i një pune ose i një veprimtarie; vija kryesore ideore e një vepre shkencore, letrare etj.; vija themelore rreth së cilës shtjellohet një veprim, një tok ngjarjesh etj.; pjesa që mban peshën kryesore. Boshti kryesor. Boshti i debateve shkencore. Boshti i punës. Boshti i dramës (i romanit). Boshti i ngjarjeve. Boshti i rrëfimit. Kanë një bosht të përbashkët semantik (gjuh.). Boshti i fuqive të mëdha.
8. fig. Njeriu a gjëja kryesore për diçka; ai që mban barrën më të madhe a që luan rolin kryesor në diçka; fig. shtylla, mbështetja. Boshti i shoqërisë. Boshti i suksesit. Boshti i të gjitha të këqijave.
✱Sin.: drugë, drugëz, dredhës, mëqik, shtizë, shtyllë, mbështetje, strumbullar, direk.
♦ (U bë) si boshti i furkës (dikush) u dobësua e u hollua shumë; ka rënë shumë nga shëndeti prej ndonjë sëmundjeje a nga pleqëria; mbeti gisht; u bë shkop; u bë gjalmë; u bë fshikull; u bë kallam. (Del) si boshti para furkës (dikush) keq. flet e thotë mendimin e vet para se t’i vijë radha, hyn në bisedë kur nuk i takon për të folur ose futet pa radhë në një veprim edhe kur nuk i kërkohet; flet para të mëdhenjve, nuk respekton rendin; (del) si mëzi para pelës; (del) si kërriçi para gomarit. Ç’ngre *maja e boshtit.
CIGÁR/E,~JAI f. sh. ~E, ~ET Duhan i grirë dhe i mbështjellë si shkopth me letër të hollë për ta pirë. Cigare e dredhur. Cigare me filtër. Letër cigareje. Një paketë cigare. Kuti cigaresh. Bisht cigareje. Tym cigareje. Hi cigaresh. Shitës cigaresh. Fabrikë cigaresh. Letër (kartë) cigaresh. Dredh (bëj) një cigare. Pi cigare. Ndez (shuaj) cigaren. Thith (shkund) cigaren.
♦ Tjetrit i digjet *mjekra e ti kërkon të ndezësh cigaren.
DÉR/Ë,~A f. sh. DÝER, DÝERT 1. Vend i hapur në murin e një ndërtese, të një dhome etj., që shërben për të hyrë e për të dalë dhe që mbyllet me kanat a me diçka tjetër; kanati që mbyll këtë vend të hapur; hyrje. Derë e ngushtë (e gjerë). Derë e hapur (e çelur, e mbyllur, e kyçur). Derë e jashtme (e brendshme, e fshehtë). Derë druri (hekuri, xhami). Dera e shtëpisë (e dhomës, e sallës, e zyrës). Dera e kopshtit. Dera e oborrit porta. Derë automatike. Derë e blinduar. Derë rrëshqitëse. Derë e vogël (euf.) nevojtore. Pragu i derës. Kanati i derës. Doreza e derës. Kyçi (çelësi) i derës. Vë (vendos) dyert. Hap (mbyll, kyç) derën. Shkallmoi (theu) derën. Përplasi derën. Trokiti në derë. I ra derës. Rri (fshihet, përgjon) prapa derës. E vunë rojë te dera. S’ka derë. I bëri (i hapi) një derë. E la derën hapur. E gjeti derën mbyllur. E drejta i ka pemët te dera. (fj. u.). Nuk ka shtëpi pa derë. (fj. u.). Është më afër dera se qilari. (fj. u.). Për çdo derë (për çdo shteg) ka një lesë. (fj. u.). Çelet dera, rritet ndera. (fj. u.).
2. Vend i hapur në një mjet transporti, në një aparat, në një orendi etj., që shërben për të hyrë e për të dalë ose për të futur e për të nxjerrë diçka dhe që zakonisht mbyllet me kanat a me kapak; kanati a kapaku që mbyll këtë vend të hapur. Dera e autobusit (e vagonit). Dera e furrës. Dera e dollapit. Dera e sobës. Dera e kafazit. Dera e frigoriferit. Ujku në derë të vathës dhe ti m’i bie zurnasë. (fj. u.).
3. fig., bised. Familja, shtëpia; fisi. Derë e mirë (e dëgjuar, e madhe, e fisme, e parë). Derë e huaj. Derë pushke. Derë trimash. Dera e babait. I vajti në derë. Nga një njeri për derë. Punonte dyerve të botës. Ua heq dera trimërinë e kanë për fis trimërinë. Mbeti në derë të prindërve nuk është martuar (për vajzat, kur u kalon koha). E nxori nga dera (vajzën) e martoi. Erdhi me derë pas erdhi me të gjithë njerëzit e vet pa përjashtim. Derë e botës s’është strehë e kokës (fj. u.). Është dera që gostit përhera. (fj. u.). I pinë dhe verën, i shanë dhe derën. (fj. u.). Katër burra në një derë, e bëjnë dimrin verë. (fj. u.).
4. fig., bised. Rrugëdalje, zgjidhje. E ka një derë. S’kishte derë tjetër. S’i gjejnë dot derë kësaj pune. Në derën e hapur nuk trokitet (fj. u.).
✱Sin.: portë, hyrje, familje, shtëpi, fisi, dinasti, rrugëdalje, zgjidhje.
♦ Është bërë për në *plasë të derës (dikush). E ka bërë prapa derës (diku) përçm. shkon shpesh në një vend, vete dendur diku e bëhet i mërzitshëm; mbeti duke vajtur aty; na mbiu në derë (dikush); nuk e lë rrugën (udhën) të mbijë bar (dikush) iron.; (dikush) përçm. I bie derës të dëgjojë qilari (dikush) flet tërthorazi për diçka ose i flet dikujt që të marrë vesh një tjetër; e ka gjetkë fjalën; i bie pragut të dëgjojë dera; godit strallin të marrë eshka; rreh (vret) gjetkë. I bie *pragut të dëgjojë dera (dikush). I bie *shiu në prag të derës (dikujt). Çel njëqind (dyzet) dyer (dikush) përditë vete te njëri e te tjetri; bredh kot gjithë ditën duke bezdisur të tjerët; (shkon) derë më derë; (shkon) portë më portë; (shkon) prag më prag. S’del për dere (dikush) rri mbyllur, nuk shkon te të tjerët, rri i veçuar; nuk e ka parë dielli; s’ka parë diell me sy. *Daulle për derë. Derë më derë. 1. Shumë afër, pranë e pranë me shtëpi, ngjitur. 2. Sa te njëri e te tjetri, nga një familje në tjetrën, shtëpi më shtëpi; shumë bredharak; portë më portë; prag më prag; çel njëqind (dyzet) dyer në ditë (dikush). Derë hani keq. vend ku mund të hysh lirisht, pa pengesa e pa kontroll; han me dy (me katër) porta; derë pa mandall; hyn derri e dosa. Derë e hapur (e çelur) shtëpi mikpritëse për këdo e në çdo kohë. Me dyer të hapura libr. që zhvillohet a që bëhet duke pasur të drejtë të marrin pjesë edhe njerëz të tjerë; me hyrje të lirë, i hapur (për një mbledhje a për një gjyq); kund. me dyer të mbyllura. (Politikë) e dyerve të hapura libr. politikë që lejon kapitalin e huaj të hyjë lirisht dhe e vë vendin në varësi ekonomike të një fuqie tjetër. Derë pa mandall shtëpi a vend tjetër ku mund të hyjë kush të dojë; derë hani keq.; hyn derri e dosa. Me dyer të mbyllura libr. që zhvillohet a që bëhet pa marrë pjesë kushdo, ku janë vetëm njerëzit e interesuar drejtpërdrejt dhe të autorizuar a të lejuar zyrtarisht, pa njerëz të huaj; kund. me dyer të hapura. Pa derë e pa portë pa rrugëdalje, pa zgjidhje. Dy Kamberë në një derë dy të mira ose dy të këqija në të njëjtën kohë a në të njëjtin vend; mospërf. dy a më shumë njerëz të pazotë në një vend. Ia ferrosi derën (dikujt) krahin. e shkretoi krejt dikë; s’i la asnjë të gjallë; ia mbylli derën me ferrë. I fik derën (dikujt). 1. I bën një dëm të madh, e dëmton rëndë, e shuan. 2. E lë të shkretë, e lë pa njeri; ia mbyll derën (me ferrë); i shuan (i fik) portën; i shuan binanë. *Gëzim për derë iron. Hap (çel) dyert. 1. Fillon nga puna a nga veprimtaria (një sipërmarrje, një institucion etj.). 2. (dikush). E mirëpret këdo, është derëçelë. I hap derën (dyert) (dikujt a diçkaje) e lë të hyjë pa pengesa kushdo e të kalojë çdo gjë; i hap portën (portat); kund. i mbyll derën (dyert). I hap derën e të rrëmben shtëpinë (dikush) po i bëre një lëshim a një të mirë të vogël, të kërkon një gjë shumë më të madhe; i jep gishtin e të merr (të rrëmben) dorën; i jep dorën e të merr (të rrëmben) krahun; i jep krahun e të merr (të rrëmben) kokën. Iu hap dera (dikujt) siguroi vijimësinë e familjes me lindjen e një fëmije, zakonisht të një djali (sipas mendësisë popullore); kund. iu mbyll dera. T’u haptë dera! shaka. qofsh i uruar!; paç mbarësi! Iu hapën dyert (dikujt) iu hoq gjithandej çdo pengesë për të vepruar, iu dha mundësia të bëjë diçka a të përparojë në një fushë. Ma harroi derën (dikush) nuk më vjen më dikush në shtëpi; ka kohë që s’është dukur; më harroi adresën shaka. Ia heq dera (dikujt) e ka për fis, e ka traditë (trimërinë, mikpritjen etj.). E hoqi dere (dikë) mospërf. shih i tregoj derën (dikujt) keq. S’të hiqet nga dera (dikush) vjen shpesh e qëndron gjatë sa të mërzit; s’të ndahet, të qepet për diçka. Hyri në këtë derë e doli në atë derë (dikush) shih si hyri doli (dikush). Është në *prag të derës (diçka). Është prapa derës (diçka) është fare pranë, është afruar shumë, zëre se ka ardhur; është në prag të derës; po troket në derë; po troket në portë. E ka derën të çelur (*të hapur) (dikush). I ka kënduar *qyqja në derë (dikujt). Këtej të pi *verën e andej të shan derën (dikush). Ma la në derë (dikush) ma ngarkoi mua përgjegjësinë, një punë të vështirë ose një gabim a faj; ma bëri një të keqe, më turpëroi dhe iku; ma la kopilin (dobiçin, doçin) në derë (në prehër); ma la në dorë; ma la shtupë; ma la shuk. S’lashë derë e deriçkë (për dikë a për diçka) e kërkova gjithandej, s’lashë vend pa kërkuar; rraha (çava) dheun; rraha vendin; rraha jetën. Ma la *kopilin (dobiçin, doçin) në derë (në prehër) (dikush) bised. Ia la *turpin te dera (dikujt). Lip për derë e ndaj për shpirt është shumë bujar dikush, edhe atë që e lyp e ndan me të tjerët; nuk kursehet për të tjerët. Matu në derë! 1. tall. As mos guxo të kërkosh a të qahesh, e ke të kotë të pretendosh më tej për diçka. 2. Largohu prej këtej!, qërohu!; thyej (këput) qafën! E mban derën *hapur (çelur) (dikush). Më mbeti (më ngeli) në derë. 1. (dikush). Më është qepur për një punë a për diçka tjetër, nuk më ndahet; më vjen orë e çast; më mbiu në derë; më mbeti pajë. 2. (diçka). Më mbeti përgjithnjë si barrë; nuk largohet prej diku, s’hiqet; ma lanë mua përsipër. Më mbiu në derë. 1. (dikush) keq. Më vjen shpesh e qëndron gjatë sa më është mërzitur, nuk shkulet; nuk më ndahet; më mbeti (më ngeli) në derë. 2. (diçka). Nuk më hiqet, më është ngjitur, aty e kam gjithnjë. Të mbiftë *ferra në derë! mallk. E mbylli derën (dikush) vdiq pa lënë njeri pas nga gjaku a nga familja e tij, s’la pasardhës a trashëgimtar; shkretoi shtëpinë a familjen; e mbylli shtëpinë; i vuri (i hodhi) rezen shtëpisë (derës); e thau vatrën. I mbyll derën (dyert). 1. (dikujt). Nuk e qas më në shtëpi; nuk e pranoj më diku. 2. (dikujt a diçkaje). I sjell pengesa të mëdha, nuk e lë të shkojë përpara; ia ndërpret zhvillimin. 3. (diçkaje). Ndaloj përhapjen e një ideje, të një ndikimi etj., nuk e pranoj, nuk e lejoj, e pengoj; i mbyll portën (portat); ia pres rrugën; ia mbyll shtegun; kund. i hap derën (dyert). Ia mbylli derën me ferrë (dikujt) i bëri gjëmën, e shoi krejt, e fiku me tërë familjen, e la pa njeri, pa pasardhës a pa trashëgimtar, e shkretoi, e mjeroi; ia ferrosi derën krahin.; ia thau derën; i fiku derën. I mbyll dymbëdhjetë dyer me një shul (dikush) është shumë i zoti e i shkathët; bën shumë punë njëherësh; ua kalon e ua hedh të gjithëve; të jep ujë me bisht të lugës. Iu mbyll dera (dikujt) u shkatërrua krejt, mbaroi me gjithçka; u fik; i vdiqën të gjithë, u shkretua; iu mbyll shtëpia; iu shua pragu; s’i këndon më gjeli në shtëpi; kund. iu hap dera. T’u mbylltë dera (t’u mbylltë)! mallk., edhe shaka. u shofsh me gjithë sa ke!; të mbiftë ferra në derë! Nuk e nxë dera (dikë) është shëndoshur shumë, është trashur nga trupi. S’e nxë as derë e as portë (dikë) keq. shih nuk e nxë dera (dikë). M’u nxi dera më gjeti një e keqe e madhe, më ra një fatkeqësi e rëndë në familje, rashë në zi. E nxjerr nga dera (dikë) e largoj nga shtëpia, e bëj të iki; keq. e përzë nga shtëpia, e dëboj. E nxorën nga dera e hyri nga dritarja (dikush a diçka) e dëbuan dikë a e hodhën poshtë diçka botërisht, por u rikthye përsëri pa rënë në sy, me dredhi, pa u diktuar e me rrugë të tërthorta. Përmjerr në derë të xhamisë (dikush) bised. vulg. bën a thotë gjëra të rrezikshme, e kërkon vetë të keqen; do ta pësojë keq; ia bën të keqen vetes; del si gjarpri në mes të rrugës. Ia përplas derën në fytyrë (dikujt) e përzë me inat e me përbuzje dhe nuk e qas më (në shtëpi a në zyrë). *Pilaf në derë keq. Na prishi *llozin e derës (dikush). *Pyll në prag të derës. Shikoj derën (portën) pres me padurim të vijë dikush, mezi po e pres; mbaj shpresa për diçka. Nuk ia kam shkelur derën (*pragun) (dikujt). Nuk ia kam parë derën (dikujt) mospërf. nuk kam qenë kurrë në shtëpinë e tij, nuk e di fare se ku banon dhe si jeton; keq. as që dua t’ia di për të. Të pafsha në (nëpër) dyert e botës (dyerve të botës)! mallk. të pafsha duke lypur!; mbetsh i varfër e i mjerë! Shpërthen një derë (një portë) të hapur (dikush) iron. libr. përpiqet të zgjidhë një gjë që është e zgjidhur prej kohësh; nuk ka asnjë pengesë a kundërshtim për diçka. Iu shua dera (*pragu) (dikujt). T’u shoftë dera (*pragu)! mallk. I tregoj derën (dikujt) keq. e përzë, e nxjerr jashtë; nuk e qas në shtëpi. Po troket në derë (diçka) është fare afër diçka, thuajse ka ardhur; është prapa derës; është në prag të derës; po troket në portë. I trokas në derë (dikujt a diçkaje). 1. I drejtohem për të më ndihmuar, për të më plotësuar një kërkesë, për të më kryer një punë etj.; i kërkoj diçka, i lutem për diçka. 2. v. III Sjell diçka të mirë; është fat. Troket në derë (në portë) të hapur (dikush) thotë diçka të njohur, merret me diçka që ka gjetur zgjidhje më parë. Troket në derë të mbyllur (dikush) i drejtohet a i kërkon ndihmë dikujt, që s’ia vë veshin e s’e përfill fare. Troket në derën (në portën) e shurdhit (dikush) i drejtohet dikujt që nuk ua vë veshin fare fjalëve të tij, që nuk e dëgjon e nuk i bindet. Po troket në derën tënde iron. për ty po flasin, për ty është fjala (i thuhet dikujt që bën sikur nuk merr vesh që flitet për të). Tund (luan) derën (e hanit) (dikush) shpërf. nuk bën asnjë punë, rri fare pa punë; merret me gjëra të kota, bën sikur punon; vret (numëron) miza; dredh (tund) zinxhirin; (hyn e del e) tund peshqirin; numëron qimet e postiqes; prashit (mih, lëron) në ujë; numëron (heq) tespihet; numëron thanat; shtie rruaza në pe; ngul hunj e shkul hunj; ngul qepë e shkul hudhra; rruan vezë; i bie legenit; kruan thonjtë; kruan dhëmbët; trazon baltën me shkop; kërcet gishtërinjtë; hap e mbyll dollapin. I thau derën (dikujt) ia zhduku gjithë njerëzit e familjes a fëmijët, e la pa njeri, e la të shkretë. I vuri *rezen derës (shtëpisë) (dikush). Më vjen *e mira në derë. I vjen *vera te dera (dikujt). Iu zbraz *qerrja në derë (dikujt). Ia zë derën (dikujt) i shkoj dikujt në shtëpi pa më ftuar e pa dëshirën e tij; e mërzit dhe e rëndoj dikë duke i vajtur shpesh në shtëpi a në zyrë, kur ai nuk e do një gjë të tillë; ia zë shul. Ia zuri këmbët me derë (dikujt) e përcolli shpejt e shpejt, thuajse e përzuri dikë që nuk donte t’i rrinte në shtëpi a në zyrë. Ia ka zënë kokën me derë (dikujt). 1. E ka kapur dhe e ka mbërthyer mirë, s’ka nga të lëvizë; e ka në dorë (dikë). 2. E detyron të bëjë siç do ai, e ka detyruar t’i nënshtrohet; e ka vënë në mengene (dikë).
DHËMB,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Secila nga eshtrat e vogla të ngulura në të dyja nofullat, që i shërbejnë njeriut a kafshës për të copëtuar e për të përtypur ushqimet ose për të kafshuar diçka. Dhëmbë të gjatë (të mëdhenj, të vegjël, të dalë). Dhëmbë të bardhë (të zverdhur, të nxirë). Dhëmbë të mprehtë. Dhëmb i prishur (i krimbur). Dhëmbë të vënë. Dhëmbët e njeriut (e maces, e qenit, e ujkut, e luanit, e tigrit, e dhelprës). Dhëmbët e brejtësve. Me (pa) dhëmbë. Nervi i dhëmbit. Rrënja (palca) e dhëmbit. Pastë (furçë, kruese) dhëmbësh. I dolën (i ranë) dhëmbët. M’u mpinë dhëmbët. Shkul (heq) dhëmbin. Thyej (kafshoj, copëtoj) me dhëmbë. Laj (pastroj) dhëmbët. Mishi i dhëmbëve (mishrat e dhëmbëve) mishi përqark fundit të dhëmbëve, trysat. Flas (them) nëpër dhëmbë nuk i shqiptoj mirë fjalët dhe nuk i sqaroj mirë gjërat.
2. Secila nga eshtrat e vogla që ndodhen në pjesën e përparme të nofullave dhe që janë më të hollë e më të mprehtë se ata që ndodhen anash. Dhëmbët e përparmë. Dhëmbët prerës. Dhëmbët e dhëmballët. Kap me dhëmbë. I ngul (i fut) dhëmbët kafshoj. I armatosur gjer (deri) në dhëmbë i armatosur shumë mirë, i pajisur me të gjitha armatimet. Kush luan këmbët, luan dhëmbët (fj. u.). Ku dhemb dhëmbi, vete gjuha (fj. u.).
3. kryes. sh. Varg të dalash, zakonisht të mprehta ose me majë, në një vegël, në një mekanizëm etj.; dhëmbëz. Dhëmbë të hekurt (të çeliktë). Dhëmbët e sharrës (e frezës, e ingranazhit). Dhëmbët e krehrit. Rrotë (lesë, frezë) me dhëmbë.
4. Fije e hollë kallami a metali e krehrit të tezgjahut. Rregulloj dhëmbin e vegjës.
5. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme dhëmbësh. Dhëmb katarosh stërdhëmb. Dhëmbët e parë (dhëmbët e qumështit) dhëmbët e foshnjërisë. Dhëmbët e syrit (e qenit) të katër dhëmbët me majë që gjenden midis dhëmbëve prerës dhe dhëmballëve. Dhëmb floriri dhëmb i vënë prej floriri.
6. bujq. Pjesë e parë e një emërtimi të pathjeshtë për një lloj pajisjeje për çarjen e tokës në thellësi. Dhëmb injektor.
✱Sin.: dhëmbëz, çatall, fije.
♦ Ta bësh dhëmbin sa të *kalit! Ia bëri dhëmbët *misër (dikujt) keq. Më kanë rënë dhëmbët (dhëmbë e dhëmballë). 1. U plaka; jam plak; jam shumë i vjetër diku, kam shumë kohë aty, u plaka në atë vend, në atë punë, në atë zanat etj. 2. E kam humbur fuqinë e s’jam më në gjendje të dëmtoj njeri; s’jam më i rrezikshëm, s’i bëj dot gjë askujt. Ma pruri (ma solli) shpirtin ndër dhëmbë (dikush a diçka) shih ma pruri (ma solli) shpirtin në fyt (dikush a diçka). S’i kanë dalë (ende) dhëmbët (dikujt) shpërf. është ende i ri e i papjekur; nuk ka ende fuqi e mundësi për të bërë diçka; i ka buzët me qumësht (dikush).*Ditën të lëpin këmbët e natën të ngul dhëmbët (dikush). (E di vetë) ku më dhemb dhëmbi e di vetë se për çfarë kam më shumë nevojë a ku e kam pikën më të dobët; vetë e di ku e kam hallin; i zoti e di ku i pikon çatia. Dhëmb për dhëmb në mënyrë të vendosur e të rreptë, ballazi e me ashpërsi të madhe, pa ngurruar e ashtu si ma bën dikush; pa u tërhequr e pa u thyer para dikujt; grusht për grusht; për jetë a vdekje. (Ia di) sa dhëmbë e dhëmballë ka në gojë (dikush) shih (e njoh) me dhëmbë e (me) dhëmballë (dikë). (E njoh) me dhëmbë e (me) dhëmballë (dikë) e njoh shumë mirë, hollësisht, me virtytet e veset që ka, deri në imtësi, pa asgjë të fshehtë, ashtu si është; (ia di) sa dhëmbë e dhëmballë ka në gojë (dikush); (e njoh) me rrënjë e me degë; (ia di, ia njoh) zorrët e barkut (dikujt); (ia di) fundin e barkut (dikujt); ia di sa lugë ka në shportë (dikush); ia di lugët e pirunët (dikujt); ia kam pirë lëngun (dikujt); i kam marrë erë në qafë (dikujt). Me *gojë të lan e me dhëmbë të çan (dikush). Ha *baltë me dhëmbë (dikush). Ha *dheun me dhëmbë (dikush). Hahet me dhëmbë (me dikë) zihet keqas me një tjetër; kacafytet keq me dikë. E ha me dhëmbë. 1. (diçka). Jam i sigurt që e bëj një punë duke vënë të gjitha forcat, ia dal sado e vështirë të jetë. 2. (dikë). E dënoj rëndë, e ndëshkoj rreptë. Ha *frerin me dhëmbë (dikush). Ha (bren) *hekurin (çelikun) (me dhëmbë) (dikush). Ha edhe *malin me dhëmbë (dikush). Ha *veten me dhëmbë. Jam dhëmbë për dhëmbë (me dikë) jam shumë i acaruar me dikë në çdo çast, e kam shumë inat a e urrej; jam në armiqësi me të; s’ia falim njëri-tjetrit; jam në thikë e në pikë; shkoj thikë e brisk. Kafshoj *buzën (me dhëmbë). E kafshon *frerin me dhëmbë (dikush). (Sikur) sa të kalit (kaq) ta bësh dhëmbin! mundohu sa të duash!, hidhu përpjetë po të duash!, nuk ke për ta marrë a për ta arritur kurrë diçka. I ka dhëmbët me bukën time (dikush) ma ka harruar të mirën që i kam bërë, është mosmirënjohës edhe pse ende rron falë ndihmës a përkrahjes sime. S’ka *shpirt (s’ka pikë shpirti) ndër dhëmbë (dikush). *Kleçkë për të kruar dhëmbët vulg. keq. Kruan dhëmbët (dikush) iron. 1. Nuk ka të hajë; s’ka futur gjë në gojë. 2. Rri kot e tallet, s’do t’ia dijë për punën; merret me diçka të kotë a pa vlerë; kruan thonjtë; tund derën; ngrohet (theket) në diell; vret (numëron) miza; dredh (tund) zinxhirin; numëron qimet e postiqes; rruan vezë; kërcet gishtërinjtë. Nuk më lë të kruaj (të qëroj) dhëmbin (dikush) më rri vazhdimisht pranë, më ngjitet pas; s’më lë të bëj asgjë, më pengon orë e çast; nuk më lë të marr frymë. E lidh gjuhën për dhëmbësh (dikush) e përmban veten kur flet, flet pak dhe mendohet mirë para se të flasë. Ta merr *arrën nga dhëmbët (dikush). Ma mbajtën dhëmbët (diçka) gati sa s’e thashë atë që mendoja, desh e thashë diçka që s’duhej thënë, gati më shpëtoi; më erdhi në dhëmbë; e kisha në majë të gjuhës; e kisha në gojë. E mban *gjuhën prapa dhëmbëve (ndër dhëmbë) (dikush). Mbeti me dhëmbët jashtë (dikush) mbeti duke qeshur, nuk pushon së qeshuri; zbardh (hap) dhëmbët keq. Mpreh dhëmbët (dikush). 1. iron. E quan diçka që më parë, pa e pasur ende në dore, si gjënë a si pronën e tij, përgatitet shpirtërisht për ta pasur si të tijën; shpreson më kot se do të ndodhë diçka ose se do të shkojnë punët ashtu si do a si mendon ai; lëpin buzët. 2. Fillon ta kërcënojë dikë, bëhet gati për ta sulmuar; i tregon dhëmbët (dikujt); i skërmit (i kërcet) dhëmbët (dikujt); i ndrit sytë. I numëron dhëmbët (dhëmbë e dhëmballë) (dikujt) e shtrëngon mirë dikë dhe e detyron të bëjë diçka; e ndëshkon si duhet; ia ndreq qejfin. Ia nxori dhëmbë e dhëmballë (dikujt) e mundoi shumë, e sfiliti, s’i la gjë pa bërë; ia mori shpirtin; i nxori shkumë (nga goja). Njëri ha *kumbulla (thana) e tjetrit i mpihen dhëmbët iron. S’i pushon dhëmbi (dikujt) keq. ha pa pushim, ha ç’gjen përpara, s’ngopet së ngrëni, sado që t’i japësh; është llupës, grykës. Të qëron dhëmbin (dikush) është shumë kërkues, të kërkon deri në hollësi; nuk të lë të luash me diçka, të shtrëngon mirë për ta bërë diçka. E ruan *bukën ndër dhëmbë (dikush). I skërmit (i kërcet) dhëmbët (dikujt) e kërcënon ashpër, i flet me kërcënim; e sheh me të egër e i kanoset; i tregon dhëmbët; i ndrit sytë (dikush). Nuk i rri *gjuha prapa dhëmbëve (në vend, rehat) (dikujt). I shkuli dhëmbët (dhëmballët) (dikujt) e detyroi dikë të përgjigjej gjer në një për një veprim a për një sjellje të padrejtë; e ndëshkoi rreptë. E shpie *gjuhën te dhemb dhëmbi. Me *shpirt ndër dhëmbë (në gojë). Shtrëngoj dhëmbët mbledh të gjitha fuqitë, edhe me zor, për të kryer një punë, për të përballuar një gjendje të vështirë, për të duruar një dhembje etj. Ia shtrëngon dhëmbët (dikujt) e qorton rëndë a e rreh; ia mbledh mirë; ia tregon qejfin. I tregon dhëmbët (dikujt). 1. E kërcënon, i kanoset; e sheh me të egër; mpreh dhëmbët (dikush); i skërmit (i kërcet) dhëmbët; i ndrit sytë (dikush). 2. I zbulon qëllimet e veta grabitqare, armiqësore etj., e tregon natyrën e vet të egër; e zbulon veten se sa i pamëshirë e i rrezikshëm është. I tregon dhëmbët e ujkut (dikujt) shih i tregon lëkurën e ujkut (dikujt). Me *thikë ndër dhëmbë keq. Me *thonj e me dhëmbë. Theu dhëmbët (dikush) humbi keq, pësoi humbje të rëndë, u dëmtua shumë; dështoi në një punë dhe mori pasojat e këqija. I theu dhëmbët (dikujt) përçm. 1. E rrahu mirë, e rrahu paq; e goditi rëndë; i dha dënimin e merituar; e mundi keqas e me turp; e shtroi (e shqepi, e zhdëpi, e ngordhi, e kalbi, e dendi) në dru; i theu brinjët. 2. Ia mblodhi mirë; s’e la të shiste mend; i theu hundët; i tregoi vendin. *Ujk pa dhëmbë mospërf. Më erdhi në dhëmbë (një fjalë) gati sa s’e thashë, për pak s’e nxora, gati isha ta thosha; e kam në majë të gjuhës; e kam në gojë; ma mbajtën dhëmbët. Iu vranë dhëmbët! (dikujt) iron. në të vërtetë nuk ka vuajtur a nuk është munduar, nuk e ka gjetur gjë e keqe (zakonisht për dikë që ankohet). Zbardh dhëmbët (dikush) keq. zgërdhihet; qesh me të tallur; mbeti me dhëmbët jashtë. I zbërthej dhëmbët (dikujt) shih i zbërthej gojën (dikujt). S’ta zë dhëmbi (diçka). 1. Është një copë fare e vogël (për t’u ngrënë), s’është për t’u ngopur. 2. S’është për t’u thënë, nuk duhet përmendur; s’e ngre (s’e mban) kandari. I zë dhëmbi bukë (dikujt) është në gjendje më të mirë, e ka marrë veten ekonomikisht; është pasuruar; përfiton diçka, merr diçka, s’është më nevojtar; edhe iron. ka arritur të jetë në gjendje disi më të mirë dhe i duket vetja kushedi ç’është. S’i zë gjuha *vend (ndër dhëmbë) (dikujt).
DREDH vep., DRÓDHA, DRÉDHUR 1. kal. Rrotulloj disa herë dy a më shumë fije së bashku për të bërë një fill të vetëm më të trashë e më të fortë; përdredh; kund. zhdredh, shpërdredh. Dredh fijet. Dredh telin. Dredh litarin (gjalmin).
2. kal. E bëj fill leshin, pambukun etj. duke e tjerrë; kund. shtjerr. Dredh lesh (pambuk). Dredh me furkë.
3. kal. E kthej dhe e rikthej diçka duke e lëvizur rreth vetes a rreth një boshti; përdredh. Dredh trupin. Dredh hellin. S’dridhen fletët e mullirit, po nuk pati ujë lugu. (fj. u.). Kush e nis vallen, di ta dredhë vetë. (fj. u.).
4. kal. I jap trajtë të valëzuar diçkaje të drejtë, e bëj dredha-dredha ose valë-valë; e bëj diçka me majë të lakuar duke e rrotulluar me majat e gishtërinjve; përdredh. I ka dredhur flokët. Dredh mustaqet.
5. kal. Rrotulloj diçka rreth gishtit; sjell rrotull nëpër gishtërinj, mbledh a mbështjell si rrotull një copë letër a diçka të ngjashme me të. Dredh letrën. Dredh një cigare. - Dridhe njëherë! (bised.) bëj një cigare! Dredh zinxhirin. Dredh tespihet.
6. kal. dhe jokal. Ndërroj a kthej rrugën që kam nisur, kthehem; nuk mbaj drejtimin e mëparshëm, dredhoj. Drodhi udhën. Drodhi tatëpjetë (majtas, djathtas) kur e pa.
7. fig., bised., keq., kal. E hedh fjalën a bisedën gjetiu, për t'i bërë bisht muhabetit, i shmangem me dredhi përgjigjes së drejtpërdrejtë; i shpëtoj diçkaje me dredhi e me mashtrime; ndryshoj me shkathtësi qëndrimin tim të mëparshëm; duke u përpjekur që të mos e marrin vesh të tjerët; veproj e sillem sipas rrethanave e si të ma kërkojë puna a interesi, bëj dredha. E drodhi fjalën (bisedën). E drodhi punën. - E drodhi qerratai! - Do ta dredhë që të humbasë gjurmët. - Shiko se e dredh ai!
8. kal. E bëj dikë a diçka që të dridhet disa herë; e bëj që të rrëqethet. E drodhi elektriku (korrenti). E dridhnin ethet e verës.
9. fig., bised., kal. E tund që nga themelet diçka, e tund a e lëkund fort, e trondit; bëj që të zërë frika dikë e t'i hyjnë dridhmat. E drodhi ai lajm. E drodhi tërmeti. Hajde toska i vogël, drodhe mal e kodër.
10. kal. E nxjerr zërin duke e lëvizur lehtë më lart e më poshtë se toni kryesor, duke e ngritur e duke e ulur pak (kur këndojmë). - Sa bukur e dridhte zërin.
11. kal. Holloj petë. Dredh petë.
♦ E dredh (e lëviz, e luan) *bishtin (dikush) keq. E drodhi (e përdrodhi) *bishtin (dikush) përçm. E dredh (e përdredh) *fjalën (dikush). E dredh në *furkë (dikë). E dredh *gjuhën (dikush). E drodhi *këmbën (i drodhi këmbët) (dikush) përçm. Dredh *leshtë (dikush) keq. Ma drodhi *litarin (dikush). E drodhi (e përdrodhi) *qafën (dikush) përb. Dredh (tund) *shaminë (dikush) keq. Di ta dredhë *shaminë (dikush). Dredh (tund) *zinxhirin (dikush).
✱Sin.: përdredh, spërdredh, tjerr, shalakat, rrotulloj, vërtit, lakadredh, dridhëroj, rrëqeth, ngjeth, trondit, holloj, tëholl.
DREDHÁJKË mb. 1. Që është me brirë të kthyer. Dhi dredhajkë.
2. Që e dredh, që nuk e mban fjalën; dredharake, dinake. Femër dredhajkë.
3. bised. Që ka shtat të shtrembër, shtrembaluqe (për gratë). Grua dredhajkë.
4. si em. f. Sipas kuptimeve të mbiemrit. E nxori dredhajkën në kullotë. Kjo dredhajkë nuk ka të dytë.
DREDH/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. Marr kthesën e një rruge, kthehem në një drejtim tjetër; lë rrugën që kam nisur dhe marr një tjetër; vet. v. III ndërron drejtim, bën dredhë a kthesë. Dredhoi nga e majta (nga e djathta). Dredhoi lumi (rruga). Dredhoi rrugën.
2. jokal. Eci a vrapoj duke bërë dredha, gjarpëroj. Dredhonte nëpër fushë.
3. jokal. Bëj një lëvizje të shpejtë e të shkathët për t'i shpëtuar dikujt a diçkaje; ndërroj vend që të mos ndeshem me dikë a me diçka. I dredhoi gurit (plumbit).
4. fig., jokal. Flas ose veproj me dredhi, bëj dredha. Mundohej të dredhonte. Gjuha dredhon, se mendja e mëson. (fj. u.).
5. fig., kal. Ndërroj menjëherë drejtimin e bisedës, e hedh fjalën diku gjetkë për të shpëtuar nga një gjendje e vështirë, për të mos iu përgjigjur një pyetjeje etj. Dredhoi bisedën (fjalën).
✱Sin.: tërthoj, lakoj, gjarpëroj, bishtnoj, gemtoj, rrëshqas, shkas, turrahit, kopiloj.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë