Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
SHKOP,~I m. sh. ~ÍNJ, ~ÍNJTË 1. Një copë dru i hollë e i gjatë rreth 1m i gjatë, që shërben për t’u mbështetur kur ecim apo për qëllime të tjera; stap. Shkop i gjatë. Shkop thane. Shkopi i bariut. Kërcim me shkop. (sport.) Shkop e cingël lojë fëmijësh, cingëlthi. I tregoi shkopin. E zuri (e rrahu, i ra) me shkop. Kullot dhentë me shkop e shfrytëzoj kullotën ngastra-ngastra, nuk i lëshoj dhentë të kullotin nga të duan. Kullot dhentë pa shkop i lëshoj dhentë të kullotin nga të duan. Kur s’ke shokun, pyet shkopin. (fj. u.).
2. Mjet a send i hollë, i gjatë e i rrumbullakët prej druri, prej gome etj., që përdoret për qëllime të ndryshme. Shkopi i stafetës. (sport.) Shkop bejsbolli. (sport.) Shkop gome mjet prej gome të fort, i gjatë e i rrumbullakët, që e përdorin policët.
3. Dru i hollë e i gjatë me dorezë të kthyer që e përdorin zakonisht pleqtë; bastun. Ecën me shkop. Nuk ecte dot pa shkop.
4. Kunj i drunjtë që bashkon shtizën e parmendës me veshët. U thye shkopi.
5. fig., bised. E qëlluar me dajak a me dru, goditje. I tregoj (i rrëfej) shkopin. Ai do një shkop të mirë. I dhanë (hëngri) tridhjetë shkopinj.
6. fig., bised. Detyrim me dhunë për të bërë diçka; kërcënim. Me shkop me detyrim, me dajak. Frika e shkopit. Bien shkopinjtë mbi dikë.
7. sh. Dy thupra të vogla që përdoren zakonisht në vendet aziatike për të ngrënë ushqime të ndryshme. E hëngri orizin me shkopinj. Sushi me shkopinj.
8. fig., keq. Ai që është i trashë nga mendja, hu. Është shkop ai.
9. fig. Diçka që është e gjatë dhe e hollë. Është si shkop.
10. si mb. Shumë i dobët (nga trupi). Ishte bërë shkop.
✱Sin.: bastun, stap, mastap, lakadredhë, çomange, dorak, dajak, hu, fshikull, frushkull, purtekë, përbishtje, shilor, shtagë, cingël, cungal, domaçung, mbajtës.
♦ U bë shkop (dikush) u dobësua shumë, u hollua shumë nga trupi; u bë kallam; u bë shkarpë; u bë gisht; u bë dru; u bë furkë; u bë gjalmë; u bë hell; u bë laskar krahin. U bë për shkop (dikush) u plak sa nuk mund të ecë dot lirisht; ka rënë fare nga shëndeti. Me një të rënë të shkopit si me magji, menjëherë e me lehtësi, pa u munduar e pa u përpjekur, vetvetiu; me shkopin magjik. I bindet shkopit të dirigjentit (dikush) libr. i bindet verbërisht dikujt, bën ashtu si thotë një më i madh a më i fuqishëm, i nënshtrohet diktatit të dikujt. Gjeti shkopi *doçen keq. S’ia ha qeni shkopin (dikujt) është shumë i zgjuar e i zoti, është i shkathët e me përvojë, nuk ia hedh dot njeri; s’e gjen gjë nga askush e nga asgjë; s’ia ha pulat dhelpra; të ha në dritë të syrit (dikush); të merr gjak në vetull (dikush); (është) qyqe në degë (dikush); është për t’i qitur (për t’i nxjerrë) sytë (dikush); s’e ha thatë (dikush); zë peshk në bar (dikush). E heq shkopin *zvarrë (dikush) përçm. Kërkoj *detin me shkop. Kujto *qenin e bëj gati (rrëmbe) shkopin keq. Përzien *detin me shkop (dikush) përb. Me *plaçka në shkop. Shkop haleje bised. përçm. vulg. njeri shumë i lig. Shkop hallve mospërf. shih lugë (shkop) çorbe përb. Shkop magjik mjeti më i mirë për të zgjidhur vetiu e si për çudi çdo gjë; çelës i artë. Me shkopin magjik menjëherë e pa mundim, me një të thënë, si çudibërës; me urdhër të peshkut iron.; me frymën e shenjtë iron.; me një të rënë të shkopit. Trazon *baltën me shkop (dikush). I tregoi shkopin (dikujt) e kërcënoi se do të përdorë forcën kundër tij; i tregoi vendin. Vetë *zot e vetë shkop (dikush). I vë (i fut) shkopinj në rrota (dikujt) i nxjerr pengesa e ngatërresa qëllimisht, e pengon në punën e tij, i nxjerr telashe; i vë gur nën rrota; mbjell ferra nëpër këmbë (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë