Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABONÉ,~JA f. sh. ~, ~TË ek. 1. Pajtim ose parapagim për një shërbim. Abone e studentëve. Vërtetim aboneje. Përditësim i abonesë. Abone për media.
2. Ai që bën një pajtim ose parapagim për një shërbim. Abone i një programi. Abone i përvitshëm.
3. Dokument që vërteton pajtimin për një shërbim. Abone mujore për autobus. Abone për sezonin futbollistik.
✱Sin.: pajtim, parapagim.
ADMINISTRATÍV,~E mb., drejt. 1. Që organizon dhe drejton veprimtaritë shtetërore, publike ose private nga pikëpamja administrative; që ka të bëjë me organizimin e zhvillimin e administratës në nivele të ndryshme. Shërbimet administrative. E drejta administrative. Struktura administrative. Punonjës administrativ. Zyra administrative.
2. Që ka të bëjë me njësitë organizative, të cilat ushtrojnë veprimtarinë urdhërdhënëse dhe ekzekutive në shërbimet publike ose private. Struktura administrative. Njësi (qendër) administrative. Ndarja (harta) administrative. Kufijtë administrativë.
3. Që ka të bëjë me punën e administratës; që ka të bëjë me administratën; që bëhet nga administrata; i administratës. Procedura administrative. Vendim (urdhër, kontroll) administrativ. Dokument administrativ. Dosje administrative. Masa (metoda) administrative. Me rrugë administrative. Përgjegjës për anën administrative.
AGJÉND/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT Dokument ose listë e rendit të ditës, që përmban çështje, tema ose veprimtari që do të diskutohen ose do të trajtohen gjatë një takimi, një konference ose një veprimtarie; planifikim ose organizim për ecurinë e një dite, një takimi, një mbledhjeje, një konference ose veprimtarie; plan veprimi, rend dite. Përcaktimi i agjendës. Agjenda e takimit. Agjenda e seminarit. Agjenda e simpoziumit. Diskutimi sipas agjendës. Përmbaju agjendës!
✱Sin.: plan, program, kalendar, planifikues, orar, rend.
AKCÉPT,~I m., bank. 1. Pranim ose miratim i diçkaje (kërkesë, shkresë, dokument, faturë, ofertë), pajtueshmëri për të pranuar dhe për të nënshkruar një kontratë (marrëveshje, kambial, faturë pagese, fletëpagesë, çek etj.); akti i miratimit të një marrëveshjeje, të një kontrate ose të një propozimi. Akcepti i kërkesës. Akcepti i marrëveshjes u bë me nënshkrimin e saj. Kërkesa juaj është marrë në akcept.
2. drejt. Deklaratë e një personi a subjekti juridik se do të paguajë borxhin e faturimit në tërësi ose pjesërisht në afatin e paraparë e të pranuar me kontratë. Fatura u dërgua për akcept.
✱Sin.: pranim, pajtim, miratim, pëlqim, pajtueshmëri, aprovim.
AKREDITÍM,~I m. sh. ~E, ~ET dipl. 1. Veprimi kur akreditoj ose kur akreditohem.
2. Dhënie e besimit, e autorizimit, e kompetencës ose e njohjes zyrtare dikujt ose një institucioni; dhënia e një dokumenti njohës e vlerësues në fushën e diplomacisë, të arsimit, të ekonomisë ose të administratës. Jep zyrtarisht akreditimin. Dokument akreditimi. Vendim akreditimi. Letër akreditimi.
3. drejt. Autorizim ligjor, kompetencë ligjore për diçka. Akreditim i kompetencës.
✱Sin.: autorizim, besueshmëri, njohje, prokurë, certifikim, kompetencë.
AKREDITÍV,~I m. sh. ~A, ~AT 1. fin., bank. Mjet pagese ose dokument i lëshuar nga një bankë ose nga një arkë kursimi, që garanton pagesën ndaj një pale të tretë, për sa kohë që kushtet e specifikuara në akreditiv janë përmbushur; garanci bankare. Akreditiv i revokueshëm (i parevokueshëm). Akreditiv i konfirmuar. Afati i akreditivit. Pagesë me akreditiv. Lëshoj (paguaj) një akreditiv. Përdor një akreditiv. Banka lëshoi akreditivin. Akreditiv dokumentar akreditiv kur pagesa bëhet vetëm pasi të dorëzohen dokumentet që provojnë përmbushjen e kushteve të marrëveshjes (faturë, dokumente transporti).
2. dipl. Dokument zyrtar që shoqëron letrat e akreditimit të një përfaqësuesi diplomatik.
✱Sin.: autorizim, njohje, prokurë, certifikim, kompetencë.
AKT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. libr. Veprim i njëhershëm i njeriut që bëhet për një qëllim të caktuar; vepër, punë. Akt njerëzor (çnjerëzor). Akt heroik (i guximshëm). Akt ligjor (i kundërligjshëm, kriminal, barbar, i shëmtuar). Akt normativ (jonormativ). Akt i mirë (i keq). Akt miqësor (armiqësor). Akt agresioni (sulmi). Akti i të folurit. Akti i fundit. Kryen (bën) një akt.
2. zyrt. Vendim nënligjor me vlerë shtetërore ose shoqërore; shkresë zyrtare, dokument që pasqyron një vendim të organeve të drejtësisë, të gjendjes civile etj. dhe që vërteton se një veprim i caktuar është kryer zyrtarisht. Akt zyrtar (jozyrtar). Akti i lindjes (i martesës, i vdekjes). Akt administrativ. Akt juridik. Akt gjyqësor. Akt kushtetues. Akt kontrolli. Akt marrëveshjeje. Akt i martesës. Akt kapitullimi. Mbajtëse aktesh. Përpiloj (nënshkruaj) një akt.
3. teatër. Pjesë e një vepre dramatike, e cila përbëhet nga disa skena dhe përfshin një veprim të plotë dramatik. Akti i parë (i fundit). Pjesë me një akt (me shumë akte). Tragjedi në pesë akte.
4. art. Formë e artit pamor që paraqet figurën lakuriqe të njeriut; pikturë, skulpturë, statujë që paraqet trupin e njeriut lakuriq. Akti në pikturë. Akt i trupit të gruas. Interpretim kritik i aktit.
✱Sin.: veprim, punë, dokument, shkresë, pikturë, skulpturë.
AKTAKÚZ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT libr. 1. drejt. Dokument zyrtar që përmban të dhënat e akuzës së prokurorisë kundër një të pandehuri në gjyq; aktpadi. Aktakuza e prokurorit. Ngritja e aktakuzës. Prokurori dorëzoi aktakuzën në gjykatën kompetente. Shqyrtimi i aktakuzës. Lexohet aktakuza. Konfirmimi i aktakuzës. Pranon (kundërshton) aktakuzën. Refuzimi i aktakuzës, nga ana e gjykatës.
2. fig. Vepër e shkruar a veprim, që nxjerr në pah anët e dobëta e të errëta të një organizate etj. dhe që i godet këto ashpër. Aktakuzë e rëndë (e fuqishme, e pamëshirshme). E hodhi poshtë aktakuzën.
AKTBLÉRJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Lidhje e një marrëveshjeje për të blerë diçka; veprimi që bëhet kur kryhet blerja.
2. Dokument zyrtar që dëshmon ligjërisht një blerje (pasuri të luajtshme, shtëpi, truall, tokë etj.); akt blerjeje, marrëveshje (kontratë) blerjeje. U nënshkrua (u noterizua) aktblerja. Mora aktblerjen e shtëpisë. U pajisa me aktblerje.
AKTDHURÍM,~I m. sh. ~E, ~ET drejt. Dokument zyrtar që vërteton dhurimin e një prone a të një pasurie; akt i dhurimit. Aktdhurimi dëshmoi vërtetësinë e dhurimit. Nënshkrimi i dhuratëmarrësit vërteton kryerjen e aktdhurimit. Aktdhurim pronësor. Aktdhurim humanitar. Aktdhurim i noterizuar.
AKTDORËZANÍ,~A f. sh. ~, ~TË drejt., hist. Dokument ligjor që vërteton se dikush është bërë dorëzanë për një njeri a për një çështje; shkresë zyrtare që formalizon si dorëzanë një person ose një palë në një marrëdhënie detyrimi; akt dorëzanie. Aktdorëzania si akt moral. Nënshkruaj aktdorëzaninë për lirimin me kusht të një të pandehuri. Nënshkruaj një aktdorëzani për kthimin e një kredie.
AKTDORËZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET drejt. Dokument zyrtar që vërteton dorëzimin ose bartjen e një prone a të një pasurie materiale; akt dorëzim. Aktdorëzimi ndihmoi procedurën e mëtejshme. Vendi i aktdorëzimit. Nënshkrimi dokumenton realizimin e aktdorëzimit.
AKTDËNÍM,~I m. sh. ~E, ~ET drejt. 1. Vendim juridik ose administrativ, që përcakton masën ndëshkimore për një person a të një subjekti për shkelje ligjore, për shkelje të rregullave etj. Iu shqiptua aktdënimi. Aktdënim si dëmshpërblim ndaj një pale që ka shkaktuar dëme.
2. Dokument zyrtar, që përmban një dënim të dhënë nga gjyqi, akt dënimi. Marr aktdënim. Aktdënim për shkelje të ligjeve administrative. Aktdënim që përmban gjobë ose masë disiplinore.
AKTDËSHMÍ,~A f. sh. ~, ~TË drejt. Shkresë zyrtare, që përmban një dëshmi; akt dëshmie, provë zyrtare; dokument ligjor ose zyrtar që konfirmon një deklaratë të dhënë nga një person për një çështje specifike, që mund të përdoret në kontekste të ndryshme si në gjykata, në administratë publike apo në marrëdhënie kontraktuese. Kërkoi aktdëshminë. Aktdëshmi e dhënë nën betim. Aktdëshmia si provë në gjykatë. Aktdëshmi e noterizuar.
AKTEKSPERTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET drejt. 1. Veprim juridik për të ekspertimin e një krimi, të një aksidenti etj.
2. Dokument zyrtar që vërteton ekspertimin e kryer lidhur me zbulimin e shkakut të diçkaje; akt i ekspertizës, akt ekspertim. Ishte e nevojshme të pajisej me një aktekspertim. Aktsekspertim gjyqësor. Aktekspertim mjekësor. Përgatis aktekspertimin.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë