Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►NDÁ/HEM jovep., ~VA (u), ~RË 1. vetv. Largohem nga një njeri a nga shumë veta, me të cilët isha bashkë; veçohem, shkëputem; kund. bashkohem. U nda nga shokët (nga radhët, nga turma). U zunë dhe u ndanë. U ndamë nëpër klasa (në grupe). U nda mënjanë (veç). Sapo u ndamë prej tij. Delen që ndahet nga kopeja e ha ujku. (fj. u.).
2. vetv. Shkëputem nga bashkëshorti, pres marrëdhëniet bashkëshortore, prish martesën; nuk rroj më së bashku me dikë, dal si familje veçan; largohem nga dikush, me të cilin kam pasur lidhje të ngushta, ndërpres marrëdhëniet për shumë kohë ose përgjithnjë, iki, i lë lamtumirën dikujt. U nda nga e shoqja. U nda nga vëllezërit (nga prindërit). U ndanë pa fjalë. U ndanë me mall. Nuk ndahej dot nga e ëma. U nda më vete. Nuk ndahen nga bregdeti. U ndamë për së gjalli kemi një kohë të gjatë pa u takuar.
3. vetv. (me pjesëzat mohuese nuk, s’, mos). Ndjek me ngulm dikë, i vihem pas; i rri vazhdimisht pranë; i bie më qafë, e shqetësoj vazhdimisht, nuk i hiqem, nuk i largohem. Nuk iu nda për asnjë çast. Mos iu ndani! S'iu ndanë ethet (sëmundjet, hallet, kokëçarjet). Nuk iu nda libri nga dora. E mira mos t'u ndaftë! ur. Njeri që s'të ndahet. Nuk më ndahet një mendim (një dyshim). Nuk u ndahet shokëve ecën në një hap me të tjerët, punon njësoj si të tjerët.
4. fig., vetv. (me pjesëzat mohuese nuk, s', mos) i vihem diçkaje me zell, e bëj vazhdimisht e pa ndërprerje, i rri përsipër. Nuk i ndahet punës. Nuk u ndahet librave (mësimeve). Nuk u ndahet arave (bagëtive).
5. fig., vetv. Dal nga një gjendje e vështirë; kapërcej disa rrethana a kryej diçka me një përfundim të caktuar. U ndanë me nder (me faqe të bardhë, faqebardhë). U ndamë mirë (keq). Nuk ndahemi shëndoshë (do të ndahemi keq) mosmarrëveshja ose grindja do të ketë pasoja shumë të rënda. Si u ndave me serat (me ullinjtë) sivjet? si të shkoi puna, sa prodhim more?
6. vetv. Jam i një mendimi tjetër, nuk bashkohem me mendimet ose me veprimet e një tjetri, ndryshoj. Ndahemi në mendime. Në këtë pikë ndahemi. Asambleja (parlamenti) u nda më dysh.
7. vetv., vet. v. III Copëtohet në pjesë të veçanta (një e tërë), pjesëtohet; i shkëputet një pjesë; përbëhet nga pjesë të veçanta. U nda më dysh (më katërsh, përgjysmë). Ndahet në degë. Rruga ndahet më dysh. Ndahet në shtresa. Ndahet në grupe (në klasa).
8. pës. e NDAJ. Ndahet me mur (me gardh). U ndanë të hollat. U ndanë rolet (detyrat). U nda dita e martesës. Nuk ndahet nga larg. S'ndahet mishi prej thoit. (fj. u.) nuk mund të ndahen dy vetë të lidhur shumë ngushtë në një marrëdhënie, zakonisht për lidhjen burrë-grua.
✱Sin.: ndahem, largohem, veçohem, shkoqem, përndahem, shpërndahem, shkëputem, shqitem, prishem, zihem, grindem, përçahemi, shpleksem, kokrrohem, shkurorëzohem, divorcohem, iki, hiqem, shkolitem, degëzohet, shqepet, shthuret, shpërbëhet, ndërpritet, zbërthehet, shpërdridhen, shpërqendrohen, hapen, ndryshoj, copëtohet, thyhet, copëzohet, pjesëtohet, racionohet, çahet.
♦ *Çahem e ndahem. Ndahem (iki, dal) nga *jeta. U nda nga *kopeja (dikush). U nda (doli) me *nder (dikush). Ndahet në *shenjë (dikush). S’u ndahet *shpirti. U nda nga *tufa (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë