Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AGJENTURÓR,~E mb. Që ka të bëjë me një agjenturë; që vepron si agjenturë. Grup (rrjet) agjenturor. Shërbim agjenturor. Veprimtari agjenturore. Diplomaci agjenturore.
AKTLÍDHJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET drejt. Dokument që zyrtarizon një marrëveshje ndërmjet dy ose më shumë palëve, si kontratë ose si traktat, kryesisht në drejtësi, në politikë, në diplomaci ose në marrëveshje ekonomike; angazhim ligjor për bashkëpunim ose për të vendosur një marrëdhënie zyrtare me dy palëve, akt lidhjeje. Aktlidhje për bashkëpunim të dyanshëm. Aktlidhje afatgjatë (afatshkurtër). Aktlidhje mes dy vendeve për krijimin e një qendre të përbashkët doganore. Aktlidhje midis dy bankave. Martesa si aktlidhje midis dy personave.
AMBIGJENÍ,~A f. 1. Të qenët i dykuptimshëm, të qenët kuptimisht i paqartë dhe i hapur për interpretim; gjendja ose cilësia e të qenit ambigjen. Ambigjenia e tij krijoi paqartësi në publik. Ambigjenia pranohet ndonjëherë në diplomaci por jo në drejtësi. Ambigjenia e mesazhit e vështirësoi vendimmarrjen.
2. mjek. Të qenët i dygjinishëm, të qenët dygjinor.
3. gjuh. Dygjinishmëri; ndërrimi i gjinisë mashkullore në gjini femërore së një emri kur kalon nga numri njëjës në shumës, si mal i lartë – male të larta, ujë i ftohtë – ujëra të ftohta.
✱Sin.: dykuptimësi, dyshimësi, paqartësi, dygjinishmëri.
ARTÍST,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Krijues i veprave të artit; ai që krijon vepra artistike, ai që merret me artet e bukura; ai që shpreh ide, mendime, ndjenja, ndjeshmëri, vizione ose që përçon mesazhe përmes arteve të ndryshme (letërsi, muzikë, pikturë, skulpturë etj.). Artist realist (novator). Studioja e artistit. Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve. Klubi i artistëve. Artist i fjalës shkrimtar,
2. Ai që luan me mjeshtëri një vepër arti (aktor i teatrit, i filmit, këngëtar, muzikant etj.). Artist lirik. Artist i merituar. Artist figurativ. Artist i teatrit (i operës). Artist filmash (kinemaje). Bëhem artist. Artist i vërtetë.
3. fig. Ai që është mjeshtër në një punë; ai që shquhet në mjeshtërinë e vet. Artist në diplomaci. Artist në punë (në lojë). Artist në kuzhinë.
DIPLOMACÍ,~A f. 1. Veprimtaria që zhvillon një qeveri nëpërmjet organeve të caktuara për të zbatuar politikën e jashtme të shtetit të vet; organet dhe nëpunësit që merren me këtë veprimtari. Diplomaci me përvojë. Diplomaci aktive. Metodat e diplomacisë. Historia e diplomacisë. Kreu i diplomacisë.
2. edhe sh. ~, ~TË fig., bised. Mënyrë e stërholluar, mjeshtëri, shkathtësi a dredhi e hollë ose takt i veçantë që përdor dikush për të zgjidhur një çështje, për t'ia arritur një qëllimi. E kërkoi (e bëri) me diplomaci. Pyeti (u përgjigj) me diplomaci. - Lëri diplomacitë!
DIPLOMÁT,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. dipl. Ai që merret me diplomaci; i ngarkuar nga qeveria për ta përfaqësuar atë në marrëdhëniet me botën e jashtme, përfaqësues diplomatik. Diplomat i zoti. Diplomatët e huaj. Takim diplomatësh. Sipas diplomatëve dhe analistëve.
2. fig., bised. Ai që vepron me mënyra të stërholluara, me mjeshtëri, me shkathtësi a me dredhi të hollë ose me një takt të veçantë për të zgjidhur një çështje, për t'ia arritur një qëllimi. E zgjidhi çështjen me qetësi si diplomat i madh që është. Veproi si diplomat i vjetër.
DIPLOMÁT/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. dipl. Ajo që merret me diplomaci; përfaqësuese diplomatike. Diplomate e zonja. Diplomate e huaj.
2. fig., bised. Ajo që vepron me mënyra të stërholluara, me mjeshtëri, me shkathtësi a me dredhi të hollë ose me një takt të veçantë për të zgjidhur një çështje, për t'ia arritur një qëllimi. Duhet të jesh pak diplomate në punë, jo gjithmonë e drejtpërdrejtë.
DIPLOMATÍK,~E mb. 1. Që lidhet me diplomacinë, i diplomacisë; që merret me diplomaci. Marrëdhënie diplomatike. Përfaqësues diplomatik nëpunës i ngarkuar nga qeveria për ta përfaqësuar atë në marrëdhëniet me botën e jashtme. Trupa diplomatike diplomatët e huaj pranë një shteti. Përfaqësia diplomatike. Mision diplomatik institucion i përfaqësimit të një shteti në shtetin pritës ose pranë një organizate ndërkombëtare. Pasaportë diplomatike.Notë diplomatike. Në rrugë diplomatike. Çantë (valixhe) diplomatike (zyrt.) çantë (valixhe) për dokumente etj. nga ambasada ose për ambasadën, që kalojnë pa u kontrolluar në doganë.
2. fig., bised. Që bëhet me mënyra të stërholluara, me shkathtësi, me mjeshtëri a me dredhi të hollë ose me një takt të veçantë për të arritur një qëllim të caktuar; që bëhet me diplomaci. Pyetje (përgjigje) diplomatike. Veprim diplomatik. Gjuhë diplomatike (zyrt.) shprehje e ndërlikuar dhe e errët e mendimeve, e përdorur nga diplomatët
FSHEHTË (i, e) mb. 1. Që është i futur a i mbuluar dhe nuk e shohin ose nuk e gjejnë dot të tjerët; që e dinë vetëm pak veta; që nuk dihet, nuk njihet a nuk kuptohet nga të tjerët. Vend i fshehtë. Udhë e fshehtë. Gjuhë të fshehta të folura konvencionale që përdoren nga grupe të veçanta njerëzish e që kuptohen vetëm prej tyre (p.sh. nga zejtarët shëtitës, nga hajdutët etj.).
2. Që mbahet përbrenda nga dikush, që nuk shfaqet a nuk shprehet. Mendim i fshehtë. Ndjenja të fshehta.
3. Që nuk kuptohet se nga vjen a ku e ka burimin; i paqartë, i papërcaktuar, i errët. Parandjenjë e fshehtë. Shqetësim i fshehtë.
4. fig. Që i mban përbrenda mendimet, ndjenjat etj., që nuk ua hap zemrën të tjerëve; i mbyllur. Njeri i fshehtë.
5. fig. Që vepron pa u diktuar nga të tjerët, që vepron në mënyrë tinëzare, që i mbulon veprimet e veta; që vepron në kushte ilegale; që kryen shërbime, veprime e detyra, të cilat nuk duhet t’i dinë të tjerët. Kundërshtar i fshehtë. Organizatë e fshehtë. Diplomaci e fshehtë.
6. fig. Që bëhet pa u marrë vesh nga të tjerët, që bëhet në fshehtësi; që nuk dihet nga të tjerët. Takim i fshehtë. Marrëveshje e fshehtë.
7. fig. Që bëhet pa u vënë re nga të tjerët, që bëhet duke u ruajtur fshehtësia; kund. i hapur. Votim i fshehtë.
8. mjek. Që zhvillohet pa dhënë shenja të dukshme a shenja klinike; kund. i hapur. Sëmundje e fshehtë. Diabet i fshehtë. Dështim i fshehtë. Periudhë e fshehtë.
9. euf., bised. Gjinor; që ka të bëjë me organet gjinore. Organet e fshehta. Sëmundjet e fshehta.
✱Sin.: i fshehur, sekret, i paqartë, i papërcaktuar, i errët, i mbyllur, tinëzar, fsheharak, i maskuar, konspirativ, i nëndheshëm, misterioz, i mistershëm.
MESÁZH,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Informacion i shkurtër i shkruar ose i regjistruar me zë, si: njoftim, porosi, sqarim, kërkesë, këshillë, urim etj., që i dërgohet dikujt tjetër të cilin nuk e kemi pranë fizikisht. Më dërgoi (shkroi) një mesazh me email. I lashë një mesazh zanor në sekretarinë e telefonit. Kisha pesë mesazhe të palexuara në telefon.
2. Kuptimi i shprehur në mënyrë jo të drejtpërdrejtë nëpërmjet veprimeve, shenjave etj. Me këtë veprim jepet një mesazh tjetër. Nuk ma hapi telefonin disa herë rresht, e mora mesazhin e saj. Ai i dërgoi një mesazh të koduar me shenja. U përqendrova të deshifroja mesazhin e tij.
3. Ideja kryesore, kuptimi a morali i një vepre letrare, i një filmi, i një komedie, i një kënge, etj. Mesazhi i pjesës humoristike. Mesazhi që përcjell shkrimtari në tregimin a poezinë e tij. Mesazhet që përcjell filmi (piktura).
4. Letër zyrtare, e cila mund të përmbajë përshëndetje, urim, mbështetje, nxitje etj., që shkruhet nga dikush me pozitë të lartë drejtuese dhe i drejtohet popullit, punonjësve të një kompanie etj. Mesazh urimi nga kryeministri (presidentit) për popullin me rastin e festave të fundvitit.
5. Komunikim zyrtar në qeveri, në politikë ose në diplomaci. Mesazhi i ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për qeverinë shqiptare.
✱Sin.: njoftim, lajm, informacion, porosi, këshillë, kërkesë, urim, kumtim.
PSEUDODIPLOMACÍ,~A f. Diplomaci e gënjeshtërt ose e rreme.
SHÍF/ËR,~RA f. sh. ~RA, ~RAT 1. mat. Simbol grafik që shënon një numër, sipas një sistemi të caktuar. Shifra arabe (romake). Shifra dhjetore. Numër me shumë shifra. Shifër pas presjes dhjetore.
2. Numër i paraqitur me anë të këtyre shenjave; shumë, sasi e caktuar apo e përafërt; tregues i një veprimtarie a i një gjendjeje i paraqitur me numra; të dhëna a tregues numerikë. Nuk dha ndonjë shifër. Shifër e përafërt. Shifra të sakta (të zmadhuara, të zvogëluara, të rrumbullakosura). Shifra zyrtare. Shifra të fryra. Me gjuhën e shifrave. Mospërputhje shifrash. Dyfishimi i shifrave.
3. Sasi e caktuar parash. Shifër e lartë. Shifër e madhe (e vogël). Shifër astronomike sasi e zmadhuar.
4. nj. Kod sekret i ndërtuar sipas një sistemi numrash që zëvendësojnë shkronjat, që përdoret për të dërguar mesazhe të fshehta në ushtri, diplomaci etj. Shifra sekrete. Telegram (radiogram) (me) shifër. Njoftoj me shifër.
5. Sistem numrash për hapjen ose mbylljen e një brave a dryni, çelës. Kod me pesë shifra. Futi kodin me katër shifra.
6. fig. Ai që nuk ka vlerë. Ai për të ishte vetëm një shifër. Nuk donte që ajo të ishte vetëm një shifër.
✱Sin.: numër, kod, çelës.
TAKT,~II m. Ndjenjë e theksuar e masës, e sjelljes, e kujdesit, e përmbajtjes në lidhje me tjetrin; sjellje e hollë, delikatesë a përshtatje me të tjerët; kujdes, mirësjellje, diplomaci. I flet me takt. Takt pedagogjik. Takt diplomatik (politik). Njeri me takt. Duhet takt me njerëzit. Kërkon takt puna. Ka takt. Sillet (vepron) me takt. I urti vepron me takt. I mungon takti. Ndërhyri me (pa) takt.
✱Sin.: kujdes, pjekuri, maturi, butësi, mirësjellje, marifet, diplomaci.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë