Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ÓND/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Dallgëzim i flokëve; flokë të dallgëzuara; kaçurrela. I kishte flokët me onde flokë që kanë formë valëzuese.
2. Formë e dallgëzuar e disa shenjave diakritike. Një shenjë dalluese tilde është një vijë e vogël me onde. Shenjat me onde ose pak a shumë të pjerrëta të përdorura në tekstet mesjetare.
SHÉNJ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Njollë a hije që mbetet nga prekja ose shtypja e diçkaje në një sipërfaqe. Shenjë sipërfaqësore (e thellë). Shenjat e gishtërinjve (në pasaportë).
2. Gjurmë që mbetet në lëkurë nga një plagë, nga një goditje a nga një sëmundje, mbresë. Shenjat e fruthit. Shenja e prerjes. Lia mund të lërë shenja.
3. Nishan, pullë etj. që ia bëjmë një sendi, një kafshe me të djegur, me të prerë, me bojë etj. për ta dalluar a për ta njohur (a për ta prerë, për drurët); diçka që i vihet a i lidhet një njeriu, një kafshe, një shpendi etj., për ta veçuar a për ta njohur. Shenjë dalluese. Viçit i bëri një shenjë të ndryshme nga e ëma. Shenjë personale. usht. numri i regjistrit të ushtarit, shenjat e gradave të oficerit etj. I vuri një shenjë në ballë. U bëj nga një shenjë drurëve (që do të priten).
4. Njollë e vogël a pikë me ngjyrë të ndryshme, që ka njeriu në fytyrë ose në trup; nishan. Shenjë e kuqe (e zbehtë). Me shenjë në kurriz. Kishte një shenjë në gjoks.
5. kryes. sh. Karakteristikë e veçantë dalluese, nëpërmjet së cilës mund të njohim një njeri, një kafshë a një send, tipar. Dallohej nga shenjat e veçanta. E njoh nga shenjat.
6. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për viza, vizatime, figura, tinguj etj. të pranuara si simbole që shërbejnë për të na treguar a për të na kujtuar diçka. Shenjat e bardha viza të bardha në rrugë, që shërbejnë për të treguar vendin ku lejohet kalimi i këmbësorëve. Shenja astronomike. astr. vizatime që përdoren në astronomi për të përfaqësuar planetët dhe trupat e tjerë qiellorë. Shenjat e Zodiakut astr. dymbëdhjetë yjësitë për parashikimin e fatit (Dashi, Demi etj.). Shenja diakritike. gjuh. viza të veçanta, pika etj. që, duke iu bashkuar një shkronje, tregojnë se ajo përfaqëson një tingull tjetër (p.sh. dy pikat e shkronjës ë ose bishti i shkronjës ç). Shenja grafike tërësia e shkronjave, e shifrave dhe e shenjave të pikësimit që përdoren në shkrim. Shenja konvencionale figura, vizatime etj. që përdoren në fusha të ndryshme të shkencës, të artit, të teknikës etj., me vlera e me kuptime për të cilat njerëzit janë marrë vesh që më parë. Shenjë gjuhësore gjuh. entitet psikik me dy anë, konceptin dhe imazhin akustik. Shenja matematike. mat. simbole që përdoren për të shënuar veprime ose vlera të ndryshme matematike (mbledhja +, zbritja – etj.). Shenjë monetare. fin. figura dhe shënime që shtypen ose që gdhenden në një monedhë. Shenja e kryqit fet. riprodhimi me gjeste i figurës së kryqit mbi të cilin vdiq Jezu Krishti e që bëhet nga prifti ose nga besimtarët e krishterë. Shenjat e pikësimit. gjuh. mjete grafike (pika, presja, pikëpresja, dy pikat, pikëpyetja, pikëçuditja, thonjëzat, kllapat, viza etj.) që ndihmojnë organizimin me shkrim të mendimeve tona sipas rregullave të caktuara. Shenja zero. gjuh. zakonisht një mbaresë, e cila nuk është shfaqet materialisht me mjete gjuhësore. Shenja tipografike. Shenjat e muzikës. Shenjat e qarkullimit sistem vizash e figurash që paralajmërojnë shoferët dhe këmbësorët dhe rregullojnë qarkullimin. Shenjat e lundrimit. Shenjë detyrimi. Shenja e alarmit (e sulmit, e tërheqjes). Shenja e fillimit të lojës. Shenjat e komandave ushtarake. Shenjë e përhershme kadastrale drejt. shenjat e vendosura pas përfundimit të matjeve kadastrale dhe të paraqitura pas regjistrimit të kufirit zyrtar në kadastër. Shenjë e përkohshme kadastrale drejt. shenjat e vendosura në kufijtë e parcelave gjatë procesit të kryerjes së matjeve kadastrale. Shenjë e thirrjes detare drejt. shenjë ndërkombëtare e thirrjes, në shkronja ose numra ndërkombëtarë, të caktuara sipas kritereve të së drejtës ndërkombëtare detare. Jap shenjë me dritë (me flamur, me raketë, me zjarre). Ngul shenjat ngul disa hunj në tokë për të treguar diçka.
7. Fakt, dukuri, gjë, ngjarje etj., nga e cila mund të nxirren të dhëna a mund të zbulojmë diçka tjetër, që na ndihmon të bëjmë deduksione; shfaqje e jashtme e diçkaje, dëshmi që na lejon të kuptojmë natyrën a gjendjen e vërtetë të një njeriu, të një sendi, të një dukurie etj. Hapja e gojës është shenjë e përgjumjes. Shenjat e bukurisë. Shenjë zie. Shenjat e motit (e shiut, e borës, e pranverës, e dimrit). Shenja të vjetra (të reja). Shenja të dukshme (të padukshme). Shenja nafte (benzine) në ujë. Shenjat e dhimbjes (padurimit, frikës, lodhjes, dobësisë). Shenja të mençurisë (diturisë). Shenjat e rënies së diktaturës. Në shenjë kujtimi (respekti, nderimi, falënderimi, mirënjohjeje, miqësie). Në shenjë mëshire (dhembshurie, zemërbardhësie, faljeje). Ka shenja për borë (për shi). Shenja klinike mjek. çrregullime të strukturës ose të funksionit që vërehen te një pacient.
8. Ngjarje, dukuri a fjalë, që sipas besëtytnive, mendohet se paralajmëron diçka të mirë a të keqe; ogur. Shenjë e mirë (e keqe, e kobshme). S’ka shenja. Kishte parë ca shenja.
9. Gjeste a lëvizje që bëjmë me kokë, me duar, me sy etj. që janë pjesë e gjuhës së trupit e të ndërveprimit mes njerëzve e që shërbejnë për të komunikuar, për të shprehur një mendim, një dëshirë a një gjendje shpirtërore, për t’i dhënë dikujt një urdhër, për t’i treguar diçka etj., sinjal. Tund kokën në shenjë dakordësie (mohimi, pohimi). I bëri shenjë me dorë (me kokë, me sy). Me një shenjë të syrit. Ia bëj dikujt me shenjë. Ia tregoi shtegun me shenja. Flet me shenja. Bëri shenjën okej për të treguar miratimin.
10. Objekti tek i cili marrim vijën e shenjimit për qitje; dikush a diçka që duhet qëlluar në qitje me armë, me shigjetë etj.; nishan, shënjestër. E këputi (e rrëzoi, e vrau) shenjën. I bie në shenjë. Marr (vë) diçka si shenjë. Marr shenjë marr nishan. Ka shenjë qëllon mirë, ka nishan.
11. etnogr. Unazat dhe dhuratat e tjera që shkëmbehen në fejesë, nishan. Dita e shenjës. Ndërruan shenjën. Ktheu shenjën prishi fejesën.
12. Pjesë a gjurmë që na tregon për dikë a për diçka. Nuk kishte asnjë shenjë prej tij në atë qytet. U zhduk pa asnjë shenjë. Nuk ka asnjë shenjë (nga trupi i dikujt a nga diçka). Nuk i ngeli asnjë shenjë.
13. etnogr. Pjesët më të mira të një mishi të pjekur (bishti, shpatullat, veshkat etj.), që i vihen përpara mikut për nderim; thelë e ndarë sipas pjesëve të trupit (zakonisht për shpendët). I dha shenjën mikut. Shenjat i ndante i zoti i shtëpisë.
14. Distinktiv. Shenja e Dekoratës “Nënë Tereza”. Shenja e “Medaljes së Lartë të Lirisë”. Kishte katër shenja në gjoks.
✱Sin.: gjurmë, mbresë, blanë, balë, pullë, nishan, tipar, tregues, ogur, nojmë, njollë, zhibël, damkë, pikë, simbol.
♦ I ra në shenjë (dikush) gjeti pikërisht atë që kërkohej, preku thelbin e çështjes; e pa a e kuptoi atë që duhej; qëlloi (goditi) në shenjë; i ra në të (diçkaje); i ra pikës; i ra në fije. Jep shenjë (shenja). 1. (diçka). Tregon një farë gjallërie, bën një farë lëvizjeje; nis të duket a të shfaqet. 2. (dikush). Tregon se është i aftë për një punë a për një veprimtari, tregon se do të bëjë diçka. Nuk jep shenjë jete (dikush a diçka) duket si i vdekur; është si i shkretë. Ka shenja ka shumë mundësi, duket. E ka marrë në shenjë (dikë a diçka) i ka drejtuar goditjet kundër dikujt a kundër diçkaje, e qorton a e shan vazhdimisht; i është qepur; e ka vënë (e ka) në shenjë; e ka vënë në shënjestër. E mban në shenjë (dikë a diçka) tregohet syhapët ndaj dikujt prej të cilit mund t’i vijë ndonjë rrezik, është shumë i vëmendshëm ndaj tij, e vëzhgon paprerë; e ka vënë (e ka) në shenjë. Ndahet në shenjë (dikush) dallohet a veçohet nga të tjerët, shquhet ndër të tjerët nga një veti, nga aftësitë etj.; bie në sy. Qëlloi (goditi) në shenjë (dikush) zbuloi dhe kritikoi pikërisht burimin e një të mete, të një gjendjeje të pakënaqshme etj., qëlloi aty ku duhet; i ra në shenjë; vuri gishtin në plagë. I vë shenjën (dikujt) e dalloj dikë nga të tjerët për t’i besuar një detyrë që kërkon aftësi e zotësi të veçantë ose për ta trajtuar ndryshe, e zgjedh; vë gishtin (mbi dikë). E ka vënë (e ka) në shenjë (në shënjestër) (dikë a diçka) e vëzhgon, e ruan dhe e ndjek si e si t’i gjejë rastin për ta kritikuar a për t’i bërë keq; e sulmon vazhdimisht, e godet sa herë që ia gjen rastin; e mban në shenjë; e ka vënë në nishan; i ka drejtuar shigjetën (dikujt a diçkaje); e ka bërë tabelë qitjeje libr. Vë shenjën e barazimit libr. e quaj dikë a diçka të barabartë me një tjetër, i barazoj ndërmjet tyre, i paraqit si të njëjtë.
TÍLD/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Shenjë diakritike në trajtën një vijëze të lakuar horizontale (~) që gjendet kryesisht në shkrime të pashqipëruara të disa fjalëve spanjolle (sipër shkronjës n, si p.sh: doña (zonjë) e sipër disa zanoreve në gjuhën portugeze, kryesisht te disa emra qytetesh (São Paulo/Brazil) për të treguar një shqiptim hundor.
2. Shenjë grafike që gjen përdorim në disa shkenca si matematikë, fizikë etj. që tregon përafërsi (p.sh. π ~ 3.14).
3. Shenjë grafike në trajtën e një vijëze të lakuar horizontale (~), që përdoret kryesisht nëpër fjalorë për të shmangur përsëritjen e fjalëve, për shembull: TOGFJÁLËSH,~I m. sh. ~A, ~AT.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë