Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
A 1. Njëra nga zanoret e gjuhës shqipe dhe shkronja e parë e alfabetit të saj, e cila shënon këtë zanore. Zanorja a. Tingulli a. Shkronja a.
2. si em. f. Zanorja dhe shkronja a. A-ja e vogël (e madhe). A-ja e dorës (e shtypit). A-ja nistore.
3. si em. f., fig. Fillimi i një pune, pikënisja për diçka. E shikova nga a-ja. E bëri nga a-ja.
4. si em. f., fig. Njohuritë fillestare e më të thjeshta për diçka, abëcëja. A-ja e kësaj çështjeje.
5. Simboli i vitaminës A.
♦ Nga a-ja deri te zh-ja nga fillimi deri në fund; përfshirë të gjitha, gjithçka; plotësisht, tërësisht; nga alfa deri tek omega libr.; fund e krye (e majë).
ABÁK,~UI m. sh. ~Ë, ~ËT 1. arkit. Pllakë e sheshtë katrore ose disk, i vendosur në majën e një kolone midis kapitelit të saj dhe strukturës së mbajtësit të traut a të harkut, që shërben për të siguruar mbajtjen e saj dhe për të mbrojtur zbukurimet figurale të pjesës së sipërme të shtyllës (të kapitelit), që shërbejnë si elemente funksionale dhe estetike. Abak mermeri.
2. mat., vjet. Llogaritës i thjeshtë primitiv, i përbërë nga një copë e vogël dërrase a kartoni, që përdoret për mësimin e numërimit; mjet njehsimi nga kohët e lashta, i përbërë nga gogla të ngjyrosura, të shkuara në disa radhë telash. Abak romak. Abak kinez. Abak japonez. Abak i ndarë në shtylla. Bëj një abak. Numëroj (llogarit) me abak.
4. Tryezë solemne për vendosjen e enëve të çmueshme te romakët e vjetër. Abak druri (plastike). Abak argjendi.
5. Lloj dërrase për lojë.
✱Sin.: numërator, numëratore, njehsor, llogaritës, kalkulator.
ABANÓZ,~I m. 1. bot. (lat. Diospyros ebenum) Dru i vendeve të nxehta, i çmueshëm, i rëndë e i fortë, me strukturë të larmishme, zakonisht me ngjyrë të zezë, por edhe me nuanca të kësaj ngjyre, me prejardhje nga Kina; shumica e llojeve të tij kanë lule të bardha me erë të mirë; përdoret për orendi shtëpiake, sidomos për orendi luksoze, vegla muzikore e punime artistike. Abanoz i zi (i kuq). Abanoz cejlonez. Abanoz afrikan. Dru abanozi. Dekorime abanozi. Orendi abanozi. Vegla muzikore prej abanozi. Abanozi i malit. I fortë si abanozi. U bë abanoz rroi shumë kohë, jetoi gjatë.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje abanozi: Abanozi i malit (lat. Bauhinia variegata) dru gjetherënës në stinët e thata, me lartësi mesatare prej 10-12 m, me gjethe kënddrejta, të gjata, të gjera dhe dyfishe në bazë dhe në majë, me lulet shumë të ndritshme të bardha dhe rozë dhe me disa fara në bishtaja. Abanozi i bardhë (lat. Bauhinia variegata alba) dru shtatshkurtër me gjelbërim të përhershëm, që rritet drejt deri në 6 m në toka pjellore me klimë të ngrohtë e me shumë diell, që çel në pranverë dhe herë pas here edhe në verë, me gjethet dylobëshe, që nxjerr lule të bardha me erë të këndshme të ngjashme me orkidenë dhe me bishtaja që përmbajnë fara ngjyrë kafeje. Park me abanoz të bardhë. Tryezë me abanoz të bardhë.
ABASÍDË,~T m. sh., hist. Pjesëtarë të dinastisë së kalifëve të Bagdadit, që kanë sunduar pjesën më të madhe të botës myslimane nga shek. VIII deri në shek. XIII; një nga perandoritë më të fuqishme dhe më me ndikim në historinë islame. Historia e abasidëve. Kryeqyteti i abasidëve. Pasardhësit e abasidëve. Ngritja (rënia) e abasidëve. Koha e abasidëve konsiderohet periudhë e artë për botën islame.
ABÁT,~I m. sh. ~Ë, ~ËT fet. Ai që është në krye të murgjve në një abaci ose në një manastir; titull kishtar i afërt me atë të ipeshkvit; prift katolik në vendet ku vepron kisha katolike, që ka përgjegjësi për administrimin e një manastiri dhe për jetën shpirtërore të komunitetit fetar që banon aty. Abati i Mirditës.
✱Sin.: kryemurg, ipeshkëv, peshkop, rregulltar.
ABDOMINÁL,~E mb., anat. Që ka të bëjë me abdomenin, që përfshin organet, muskujt dhe funksionet e zonës barkore; barkor. Organet abdominale. Zona abdominale. Muskujt abdominalë. Dhembjet abdominale. Pezmatim abdominal. Kirurgjia abdominale. Kirurg abdominal. Ushtrime abdominale.
✱Sin.: barkor, stomakor.
ABDOMINOSKOPÍ,~A f., mjek. Ekzaminim i barkut për diagnostikimin e sëmundjes ose për përcaktimin e shkaktarëve të saj, duke futur në abdomen, përmes një prerjeje të vogël, një tub të hollë me një kamerë dhe me një burim drite. Bëri abdominoskopi. Priti radhën për abdominoskopi.
ABERACIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. libr. Shmangie, shtrembërim ose heqje mënjanë nga rruga normale, nga rruga e pritur ose nga rruga e saktë. Aberacion drejtimi. Aberacion qëllimi. Aberacion plani.
2. drejt. Shmangie nga rendi, nga norma, nga drejtimi i duhur a nga gjendja normale. Aberacion juridik. Aberacion ligjor.
3. mjek. Shmangie ose largim nga normalja. Aberacion mendor. Aberacion psikik. Aberacion ndaj sjelljeve jonormale.
4. Lirim a hapje e udhës për dikë; largim nga diçka.
5. opt. Shpërndarje e rrezeve të dritës që kalojnë nëpër një thjerrëz. Aberacion optik. Aberacion sferik (kromatik etj.).
6. biol. Ndryshim i formës, i ndërtimit a i ngjyrës te njerëzit, te kafshët dhe te bimët nën ndikimin e faktorëve të jashtëm. Aberacion kromozoik ndryshim a shmangie në strukturën ose në numrin e kromozomeve, që mund të çojnë në çrregullime gjenetike.
7. astr. Ndryshim i rrejshëm i pozicionit të një trupi qiellor, si rrjedhojë e rrotullimit të Tokës rreth diellit dhe rreth boshtit të vet, si dhe e shpejtësisë së shpërndarjes së rrezeve të diellit. Aberacioni i dritës. Aberacion yjor shmangie e dritës së yjeve për shkak të lëvizjes së Tokës dhe të shpejtësisë së dritës.
✱Sin.: shmangie, largim, devijim, moszbatim, shkelje, mënjanim, jonormalitet, shtrembërim, modifikim.
ABETÁR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET ars. Libër fillestar për të mësuar shkrim-leximin; libri i parë mësimor për edukimin fillestar; mjet mësimor që përdoret për mësimin e alfabetit dhe të leximit të parë. Abetarja e parë. Abetarja e gjuhës shqipe. Abetare për të rritur. Abetare digjitale. Festa e abetares. Historia e abetares shqipe.
ABHAZIÁN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Banor i Abhazisë ose që e ka prejardhjen nga Abhazia, rajon dhe territor që ndodhet në Kaukaz, në brigjet perëndimore të Detit të Zi. Abhazianët çlirimtarë.
ABIÓZ/Ë,~A f., fiziol. 1. Paaftësi ose zvogëlim i aftësisë për të jetuar në kushte skajore të temperaturës, të mungesës së ujit, të nivelit të ulët të oksigjenit dhe të kushteve të tjera jonormale.
2. biol. Pushim fiziologjik që i ndihmon disa organizma të mbijetojnë në kushte të pafavorshme a të përballojnë gjendje të vështira mjedisore. Procesi i abiozës. Gjendja e abiozës. Arinjtë bien në gjendje abioze.
ABÍS,~I m. sh. ~E, ~ET 1. libr. Gropë ose vrimë e madhe, e thellë dhe e errët; pjesë të thelluara e të errëta në fund të oqeaneve ose në vende të ndryshme të natyrës; humnerë. Në buzë të abisit. Në fund të abisit. Thellësia e abisit. Errësia e abisit. Ushton abisi.
2. mit. Hapësirë e pafundme, hapësirë e panjohur dhe e paskajshme; hapësirë e mistershme, thellësi e pafund. Bota iu bë abis.
3. fig. Mërzi e madhe, përhumbje nga depresioni. Ra në abis. Ndihej si të ishte në abis.
✱Sin.: humnerë, hon, greminë, pellg, thellomë.
ABISÍNAS,~E mb. Që lidhet me Abisininë ose me abisinasit, që është karakteristik për Abisininë ose për abisinasit, i Abisinisë ose i abisinasve; që është krijuar nga abisinasit. Shteti abisinas. Populli abisinas. Perandoria abisinase. Kufiri abisinas. Kultura abisinase. Këngë dhe valle abisinase.
✱Sin.: abisin, etiopian.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë