Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DHËMBINXHÍ mb. Që ka dhëmbë të vegjël, të rregullt e të ndritshëm; që i ka dhëmbët si inxhi; kund. dhëmbënxirë. Shtriga dhëmbinxhi. Djaloshi dhëmbinxhi.
✱Sin.: dhëmbërruazë, dhëmbëqelibar, dhëmbëqelq, dhëmbëdukat.
DHËMBËBÁRDHË mb. 1. Që i duken dhëmbët të bardhë, me dhëmbë të bardhë; kund. dhëmbënxirë. Vajzë dhëmbëbardhë. Kalë dhëmbëbardhë. Mes tyre qëndronte një i ri dhëmbëbardhë. Hundëgjati i vogël dhëmbëbardhë lloj miu.
2. bot. Që lidhet me buzët e disa gjetheve që duken si dhëmbë të bardhë.
✱Sin.: dhëmbëqelibar, dhëmbëfildishtë, dhëmbëqelq.
DHËMBËDUKÁT mb. Që i ka dhëmbët të rregullt e të bukur. Dua ta marr atë djalë dhëmbëdukat. Një trim i bukur dhëmbëdukat.
✱Sin.: dhëmbëdrejtë, dhëmbëqelq, dhëmbëqelibar.
DHËMBËFILDÍSHTË mb. Që ka dhëmbë që ndrijnë si fildish. Përbindëshi dhëmbëfildishtë. Lëkura e zezë ia theksonte buzëqeshjen dhëmbëfildishtë.
✱Sin.: dhëmbëbardhë, dhëmbëqelibar, dhëmbëqelq.
DHËMBËKÁLBUR mb., shar. Që i ka dhëmbët të kalbur, dhëmbëprishur; kund. dhëmbëqelq. Po s’lave dhëmbët, do të jesh vajzë dhëmbëkalbur. E quajti gazetaren dhëmbëkalbur.
DHËMBËPALÁRË mb., shar. 1. Që i duken dhëmbët të prishur e të palarë; që nuk i lan dhëmbët; kund. dhëmbëqelq. Qindra njerëz dhëmbëpalarë që nxisin tradhti. Argatët e tyre dhëmbëpalarë e primitivë.
2. si em. Ai që ka dhëmbë të prishura e të palara. Dhëmbëpalari nga grupi i madh. Qysh rri me atë dhëmbëpalarin?
DHËMBËQELIBÁR mb. Që i ka dhëmbët të bukur e të ndritshëm si qelibar; kund. dhëmbëprishur. Kishte një buzëqeshje dhëmbëqelibar. Vështrimi i saj dhëmbëqelibar.
✱Sin.: dhëmbëbardhë, dhëmbëfildishtë, dhëmbëqelq.
DHËMBËQÉLQ mb. Që i duken dhëmbët të ndritur e të pastër si qelqi. Nusja jonë dhëmbëqelq. Moj çupë dhëmbëqelq!
✱Sin.: dhëmbëbardhë, dhëmbëfildishtë, dhëmbëqelibar, dhëmbërruazë.
DHËMBËRRÚAZË mb. Që i ka dhëmbët të vegjël e të bukur, që i ka dhëmbët si rruaza. Kanë buzëqeshje dhëmbërruazë. Fytyra e saj dhëmbërruazë.
✱Sin.: dhëmbëqelibar, dhëmbëqelq, dhëmbëbardhë, dhëmbëfildishtë.
DHËMBËSHTÍLË mb. Që ka dhëmbë aq të bardhë sa shndrisin. Nusja jonë dhëmbështilë, do ta llamburitë shtëpinë. Agai dhëmbështilë.
✱Sin.: dhëmbëqelibar, dhëmbëqelq, dhëmbëbardhë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë