Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DJEG vep., DÓGJA, DJÉGUR kal. 1. I vë zjarrin diçkaje a e hedh në zjarr dhe e bëj shkrumb e hi, e shkatërroj, e asgjësoj a e prish në zjarr; e dëmtoj diçka me zjarr a me një send shumë të nxehtë, e përflak, e shkrumboj. Djeg drutë (barin, kashtën). I dogjën shtëpinë. Djeg me benzinë. Djeg në zjarr (në flakë). E dogji fare. I dogjën kufomat. Dogji flokët (vetullat). Dogji këmishën (fustanin, pantallonat). E dogji rrobën me hekur. Shqiptari për mikun djeg shtëpinë. (fj. u.).
2. Përcëlloj një pjesë të trupit në zjarr a në flakë; bëj një plagë në trup me zjarr, me hekur a me ujë shumë të nxehtë, me lëndë gërryese etj.; përvëloj. Dogji dorën (këmbën, gishtat, gjuhën, buzët). E dogji me acid. I dogji duart në gëlqere. Kur ka mashën, pse të djegë dorën. (fj. u.). Duhet t’i frysh lugës para se të të djegë. (fj. u.).
3. Skuq, ziej a pjek jashtë mase diçka në zjarr, sa merr një ngjyrë të errët a të zezë ose shije të hidhur (zakonisht për gjellët e lëndët ushqimore); ciknos; skuq shumë miellin, gjalpin etj. për të gatuar një gjellë. E dogji gjellën (bukën, mishin, tavën, lakrorin). Djeg vajin (gjalpin). Djeg sheqerin (miellin).
4. Harxhoj një lëndë në zjarr a në flakë për ngrohje, për ndriçim, për gatim etj.; konsumoj. Djeg dru (qymyr, vajguri). Djeg shumë benzinë (elektrik). - Mos e digj kot dritën! Cungu i moçëm, s’e lëshon zjarrin pa u djegur. (fj. u.).
5. Prish gjatë përdorimit një llambë elektrike, një mjet elektrik a një aparat, motor etj. që punon me rrymë elektrike. E dogji llambën (motorin, radion). E dogji kompjuterin e prishi rryma elektrike.
6. Dezinfektoj një plagë, një lugë etj. me një bar të caktuar a e përcëlloj me hekur të nxehtë për ta mjekuar. E dogji vendin e prerë me alkool (me jod). Më parë i digjnin plagët me hekur.
7. vet. v. III E than shumë, e dëmton aq shumë sa fishket a thahet dhe prishet. E dogji vapa duhanin. I dogji thatësira të lashtat.
8. Lëshon nxehtësi të madhe, është shumë i nxehtë, përvëlon. Djeg shumë dielli. Djeg hekuri. Të djeg gjella. Të djeg dielli i mesditës.
9. vet. v. III (zakon. me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore). Ta përcëllon a ta bën plagë lëkurën ose të jep djegësirë në gojë, në fyt, në stomak etj, (për disa bimë, disa lëndë e mjete gërryese, disa lloje ushqimesh etj.). E dogjën hithrat. Ia dogji duart acidi. Më djeg brisku. Qepa (hudhra, piperi) të djeg. E dogji rakia në grykë.
10. vet. v. III (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Kam zjarrmi ose ndiej djegësirë në trup a në një pjesë të tij. I djeg balli (fytyra, koka). I djegin duart. Më djegin sytë. Më djeg fyti (stomaku). Po i fryve tymit, do të të djegin sytë. (fj. u.).
11. fig. (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. k. a me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dh.). Më bën të brengosem e të vuaj shumë, më mundon, s'më lë të qetë; më vjen hidhur, s'më pëlqen diçka; më ngacmon, më ther. E dogji malli (dashuria, dëshira). I dogjën fjalët e mia. I dogji kritika (shakaja). I dogji ai shikim. - E di unë ku i djeg atij.
12. fig., bised. E marr më qafë dikë, e fik; e bëj të humbasë e të dalë jashtë lojës ose jashtë garës. E dogji, e përvëloi. E dogji keq. E dogjën pa të drejtë. E dogji kundërshtarin. Ia dogjën dy lojtarë.
13. edhe fig., bised. Bëj që diçka të shkojë dëm, e bëj të pavlefshëm; bëj t'i dështojë dikujt plani që kishte përgatitur. Ia dogjën biletat. E dogjën fondin. Ia dogji planet. Ia dogji diskutimin.
14. bised. Pi duhan, e ndez. E djeg ndonjëherë.
15. Nxeh shumë me zjarr e me flakë një furrë të re para se ta vë në përdorim; nxeh furrën para se të fut në të diçka që të piqet. Djeg furrën.
16. Pjek në furrë tullat; pjek në furrë gurin gëlqeror për të bërë gëlqere. Djeg tulla (tjegulla). Djeg gëlqere. Dogji pesë furra gëlqere.
✱Sin.: përflak, përflakoj, hijoj, frugulloj, shkrumboj, përdjeg, pjek, zhurit, zhuzhit, përvëloj, përcëlloj, fërgoj, cërrit, ndez, mbaroj, konsumoj.
♦ T’i djeg *barkat (dikush) libr. Dogji (përvëloi) *dheun (dikush). Djeg *etapat (dikush) libr. E dogji *hithra (dikë). I djeg *kësula (dikujt). Më djeg *lëkura. Ia dogji (ia përvëloi) *lëkurën (dikujt). I djeg *miza (në shapkë) (dikujt). Djeg e pjek (dikush) vret e pret këdo, bën dëm në masë, shkatërron çdo gjë e nuk do t’ia dijë nga askush. Ia dogjën *pleshtat (dikujt) tall. Djeg (përmbys) *shtëpinë ((për dikë). Më djegin *veshët. Edhe i *ha, edhe i djeg (dikujt) iron. bised. Ku të *dhemb e ku të djeg. Kujt i djeg (i ha) le të kruhet! ai që ka gabuar le ta kuptojë; nuk bëhem merak fare, se vetë ai ka faj dhe le ta kuptojë. As të *pjek e as të djeg (dikush). Ma dogji *xhanin (dikush). Ma dogji (ma përvëloi) *zemrën (shpirtin) (dikush). E djeg me *zjarr (diçka).
INFEKT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. mjek. I ngjit dikujt një sëmundje, i jap sëmundjen që e kam unë; bëj që të marrë mikrobe a baktere një qenie, një organ, një plagë, një bimë etj., përhap tek të tjerët mikrobe e baktere që shkaktojnë sëmundje, praj; kund. dezinfektoj, dezinfektohem. Më infektoi dorën (këmbën). Infektoi plagën. E infektoi rëndë (keq).
2. fig., libr. I jap dikujt diçka të keqe në mënyrën e jetesës, të të menduarit etj.; bëj që dikush të marrë vese, të meta e shfaqje të dëmshme.
✱Sin.: moleps, ngjis, përhap.
KLINÍKË,~A f. sh. ~A, ~AT mjek. 1. Institucion i veçantë ku vizitohen dhe mjekohen të sëmurët; zyra e ndërtesa e këtij institucioni. Klinika e pediatrisë. Klinika të ndryshme private. Klinikë e pajisur me teknologji moderne. Dezinfektoj klinikën.
2. Tërësi e shenjave klinike të sëmundjes që shfaqen tek një njeri i sëmurë; gjendja e sëmundjes së dikujt; analiza dhe të dhëna për diagnozën ose për simptomat e sëmundjes. Si paraqitet klinika e të sëmurit (e fëmijës)?
KOLÓNJ/Ë,~A f. Tretësirë e merme me përmbajtje alkooli, që përdoret për të dezinfektuar lëkurën pas rrojës. Dezinfektoj faqet.
MOSDEZINFEKTÍM,~I m. Mungesë dezinfektimi; veprimi dhe gjendja kur nuk e dezinfektoj ose kur nuk dezinfektohet diçka; kund. dezinfektim, çndotje. Klientët kanë hasur higjienë jo të duhur dhe mosdezinfektim.
SHPRÁJ vep., ~A, ~UR kal. Pastroj mirë; dezinfektoj, shkrimb. Shpraj shtëpinë.
✱Sin.: dezinfektoj, shkrimb.
ÇINFEKT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. Heq e pastroj me mjete të posaçme nga një mjedis mikrobet, bakteret, insektet ose lëndët helmuese; dezinfektoj; kund. infektoj. Çinfektoj plagën (pajisjet). S’mundëm ta çinfektonim mjedisin përreth saj. Lëndë kimike për të çinfektuar miliona kartëmonedha.
✱Sin.: dezinfektoj, çmikrobizoj, pastroj.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë