Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AEROSÓL,~I m. sh. ~E, ~ET 1. kim. Grimca të ngurta ose të lëngëta të trysnuara me gaz në një enë metalike, qelqi etj., që shpërndahen në ajër si një rrymë spërkatjeje nga forca shtytëse gazit, e që përdoren për pastrimin e një sipërfaqeje qelqi etj., për dezinfektim, për sterilizim ose për zhdukjen e insekteve e gjallesave të tjera të dëmshme për njeriun dhe për mjedisin. Tretje e aerosolit. Insekticidet si aerosol kanë potencial për ta ndryshuar ekosistemin tonë.
2. mjek. Tretësirë me antibiotikë etj., e trysnuar me gaz në një enë metalike, që përdoret për të kuruar djegiet, për të dezinfektuar prerjet e vogla, për të luftuar infeksionet dhe pezmatimet e ndryshme në lëkurë si dhe për trajtimin e sëmundjeve të frymëmarrjes, si alergjinë, bronkitin, astmën etj.). Aerosoli si terapi te pezmatimi i fytit. Përdorimi i aerosolit te fëmijët.
ANTIBAKTERÓR,~E mb., mjek. Që ka të bëjë me masat dhe mjetet kundër baktereve; që lufton bakteret; kundërbakterial. Dezinfektim antibakteror. Bar antibakteror. Prodhim antibakteror. Sapun (shampo, krem, alkool etj.) antibakteror.
ASANACIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET Procesi i pastrimit, i dezinfektimit, i përmirësimit të një vendi të ndotur; varg masash e veprimesh higjienike-teknike që ndërmerren për rregullimin dhe përmirësimin e kushteve dhe të rrethanave të përgjithshme shëndetësore e mjedisore me qëllim mënjanimin e shfaqjes së epidemive e të pandemive. Asanacion për mënjanimin e ndotjes lumore. Asanacion i infrastrukturës urbane.
✱Sin.: shëndetësim, përmirësim, sanim, dezinfektim, pastrim.
ASEPSÍ,~A f., mjek. Tërësi e mjeteve dhe e teknikës higjienike-aseptike në kirurgji për të mënjanuar mundësinë e infektimit gjatë ndërhyrjeve kirurgjikale në sallën e operacioneve. Asepsi me temperatura të larta. Asepsi me avull.
✱Sin.: pastërti, sterilizim, dezinfektim.
ASEPTÍZ/ËM,~MI m., mjek. Praktikë ose procedurë që synon të arrihet një gjendje aseptike, pa rrezikshmëri infektimi, ku mënjanohen ose minimizohen mikroorganizmat që mund të shkaktojnë infeksione. Zbatimi i aseptizmit. Procedurat e aseptizmit.
✱Sin.: pastërti, sterilizim, dezinfektim.
DEZINFEKTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET [DISINFEKTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET] 1. Veprimi kur dezinfektojmë a kur dezinfektohet dikush a diçka; zhdukja a shkatërrimi me lëndë kimike e me mjete të posaçme i mikroorganizmave të dëmshme (mikrobet etj.) ose bartësit e tyre (insektet etj.); pastrimi i një vendi a një sendi (rrobë etj.) nga mikrobet ose nga lëndët helmuese; kund. infektim. Dezinfektimi i farës. Dezinfektimi i shtëpisë. Dezinfektimi i plagës. Dezinfektimi i rrobave. Dezkinfektimi i pemëve. Pompë dezinfektimi. Dhoma e dezinfektimit. Bën dezinfektimin.
2. Mënyra dhe mjetet që përdoren për të dezinfektuar diçka. Dezinfektim kimik. Dezinfektim i njomë (i thatë).
DEZINFEKTÚES,~I m. sh. ~, ~IT [DISINFEKTÚES,~I m. sh. ~, ~IT] 1. kim. Lëndë kimike e posaçme që përdoret për të dezinfektuar diçka. Dezinfektues i fortë. Dezinfektues i farës. Përdor (hedh) dezinfektues.
2. Mjet a aparat i veçantë që shërben për dezinfektim. Prodhuan një dezinfektues të ri. Punon me dezinfektues.
3. Punonjës që bën dezinfektimin e një vendi ose të një sendi; punonjës i shërbimit shëndetësor që merret me dezinfektimin; çinfektues, çndotës. Maskë për dezinfektuesit.
HIGJIENIZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET Mbajtje pastër e një mjedisi a diçkaje tjetër; zbatimi i masave për përmirësimin e kushteve higjienike, për të parandaluar sëmundjet; pastrim, dezinfektim. Higjienizimi i fshatit (i qytetit). Higjienizimi i shkollave (i shtëpive). Higjienizimi i fshatit (i qendrës së punës).
INFEKTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET mjek. 1. Veprimi kur infektoj dikë ose kur infektohem.
2. Gjendja kur infektoj dikë ose kur infektohem; kund. dezinfektim. Infektim i rëndë. Infektimi bakteriologjik (radioaktiv). Infektimi i bajameve (i dhëmbëve, i veshkave). Infektimi i bimëve (i kafshëve, i tokave).
✱Sin.: molepsje, kontaminim.
KLORÍM,~I m., kim. Dezinfektim i objekteve me klor, veçanërisht hedhje e klorit në ujin e pijshëm për dezinfektim. Klorimi i ujit. Klorimi i banjave, i dorezave në spitale.
LIZÓL,~I m. Mjet dpër dezinfektim të sipërfaqeve, instrumenteve dhe mjediseve sanitare.
MOSDEZINFEKTÍM,~I m. Mungesë dezinfektimi; veprimi dhe gjendja kur nuk e dezinfektoj ose kur nuk dezinfektohet diçka; kund. dezinfektim, çndotje. Klientët kanë hasur higjienë jo të duhur dhe mosdezinfektim.
NJÓMË (i, e) mb. 1. Që ka qenë i zhytur në ujë a në një lëng tjetër ose që ka thithur mjaft ujë dhe nuk është tharë ende a nuk është fshirë, që është pak i lagët, që përmban lagështi; kund. i thatë. Me rroba të njoma. Suva (çimento) e njomë. Rërë e njomë. Kripë e njomë. Dërrasa të njoma. Pllaka të njoma. Me duar të njoma. S’ka ç’i bën shkëndija eshkës së njomë (së lagur). (fj. u.)
2. Që ka lëng, që është ende i gjelbër dhe zakonisht jo i vyshkur; që është i përbërë prej bimësh të gjelbra; që i ka kokrrat si qumësht a si qull, që nuk ka zënë bukë; kund. i thatë. Bar i njomë. Sallatë e njomë. Qepë (hudhra) të njoma. Fasule të njoma. Filiz i njomë. Masë e njomë ushqim për bagëtinë, i përbërë kryesisht prej bimësh të gjelbra. Ushqim i njomë masë e gjelbër, e përzier shumë herë edhe me mbeturina të industrisë ushqimore, që u jepet bagëtive. Misra të njomë. Grunjërat janë të njoma.
3. Që sapo është prerë ose që s’ka shumë kohë që është prerë; që përmban ujë e nuk digjet lehtë; që sapo është hequr nga një kafshë; kund. i thatë. Dru të njomë. Degë e njomë. Lëkurë e njomë lëkurë që sapo është rrjepur nga një kafshë. Druri ndreqet sa (kur) është i njomë. (fj. u.)
4. fig. Shumë i ri në moshë, i vogël, i mitur, që nuk ka arritur moshën e pjekurisë dhe që nuk ka përvojën e forcën fizike të nevojshme për ta përballuar vetë jetën; që duket shumë i ri, pak i dobët e i brishtë. Foshnjë e njomë. Djalë i njomë. Vajzë e njomë. Fytyrë e njomë. Organizëm i njomë. Në moshë të njomë. Me shpatulla (me supe) të njoma. Mendje e njomë. Shpirt i njomë.
5. I bërë a i prodhuar para pak kohe dhe pa kripë a i pakripur (zakonisht për bulmetin); i zënë atë ditë dhe i pakripur e i pangrirë (për peshkun etj.), i proshkët, i freskët. Djathë i njomë. Gjalpë i njomë. Gjizë e njomë. Peshk (qefull, krap) i njomë. Mish i njomë mishi i qengjit, i kecit ose i viçit të vogël.
6. bised. Që jep qumësht, që është në kohën kur ka më shumë qumësht, që sapo ka pjellë (për kafshët). E ka lopën të njomë. E kishte të njomë buallicën.
7. Që bëhet me anë të një lëngu ose të diçkaje të lëngët; kund. i thatë. Dezinfektim i njomë. Mënyrë e njomë mënyrë që përdoret për heqjen e njollave duke i larë rrobat, për prodhimin e çimentos me anë të lëngjeve etj.
✱Sin.: i njomësht, i njomur, qumështor, shtalpak, i shtalpët, shtalp, palcë, i proshkët, i freskët, i pakripur, taze, njomëzak, i vogël, i mitur, miturak, i parritur, i papjekur, i brydhët, kërthi, mullëzak, i brishtë, i lagësht, i lagur.
♦ Digjet *bari i njomë nëpër të thatin. Me *mendje të njomë. Me *shpirt të njomë.
OKSIDÚES,~I mb., kim. 1. Që shkakton oksidim, që lidhet me oksidimin; që shkakton ose lehtëson procesin e oksidimit. Substancë oksiduese. Veti oksiduese. Tretësirë oksiduese. Reagim oksidues. Proces oksidues. Ajri është një faktor oksidues që ndikon në ndryshkjen e hekurit.
2. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit. Oksigjeni (O₂) është një nga oksiduesit më të zakonshëm. Shërben si oksidues. Djegia e një karburanti ndodh me një oksidues. Oksiduesit përdoren për zbardhje, dezinfektim etj.
SHPRÁJ/Ë,~A f. sh. ~, ~AT Pastrim nga mikrobet a lëndët helmuese; dezinfektim. Shpraja e ambienteve të laboratorit.
✱Sin.: dezinfektim, shkrimbje.
TYMËZÍM,~I m. Dezinfektim me tym. Tymëzimi i pjergullave (i bimëve) në pranverë.
ÇINFEKTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET Veprimi kur çinfektoj diçka ose çinfektohem; dezinfektim; kund. infektim. Koha më e përshtatshme për çinfektim është periudha prill – qershor. Çinfektimi i dhomave ku ruhen dokumentet.
✱Sin.: dezinfektim, çmikrobizim, pastrim.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë