Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BELÁ,~JA f. sh. ~, ~TË dhe ~RA, ~RAT bised. 1. Punë që sjell të këqija e ngatërresa, vështirësi që sjell shqetësime, diçka e padëshirueshme dhe e mërzitshme; kokëçarje, telash, hall. Bela e madhe (e keqe). Punë me bela. Isha në bela. E ka bela. I ra një bela. E zuri belaja. Ra në bela. E futi në bela. I hapi belara. Shpëtoi nga një bela. S'u hyn belarave. Mezi u bind me njëqind belara. E kërkoi vetë belanë. Këndonte këngën e bejkë belasë. Të thashë dy fjalë, ti mbushe dynjanë, / Rraha për të mirë, po gjeta belanë! (folk.). Me paranë gjen belanë. (fj. u.). Nga badihavaja, të gjen belaja. (fj. u.). Gurë, gurë bëhet një kala, fjalë, fjalë bëhet një bela. (fj. u.). Goja bën kala, goja bën bela. (fj. u.). Po të ishte belaja e mirë, gjithkush e mbillte në bahçe. (fj. u.). Kush i ndez qiri shejtanit, gjen belanë. (fj. u.). Fajin e ka gjuha, belanë e pëson koka. (fj. u.).
2. anat., krahin. Shtrati i pjellës te kafshët. E nxori belanë.
✱Sin.: kokëçarje, telash, hall, sëkëlldi, taksirat, zavall, brengë, hidhërim, kusur, e keqe, shtrëngesë, ngushticë, paçariz, dert, qeder.
♦ M’u bë (më ra) bela (dikush) shih m’u bë barrë (dikush). Ia bëri bela (dikujt) shih ia hodhi (ia shkarkoi) barrën1 (dikujt). I ra barku në bela (dikujt) iron. hëngri e piu mirë e mirë, ka rënë në gjithë të mirat. E blen belanë me *para (dikush). Gjeç belanë! mallk. e pësofsh. Gjeta belanë 1. (me dikë). U ngatërrova keq me dikë, e kam të vështirë me të, më ndezi me të, nuk di si t’ia bëj; më polli (më ndezi) belaja; më polli sherri; më polli djalli bised. 2. Më ra një hall i madh, e pësova keq; më zë një e keqe; më mbeti (m’u var) samari në bark; shkela mbi gjarpërinj. Kërcen *prifti nga belaja tall. Kërkon bela me para (dikush) ua hyn vetë rreziqeve e vështirësive pa u menduar gjatë, nuk i llogarit pasojat, vete drejt një rreziku kot, edhe kur nuk duhet ose kur i kushton. Më polli (më ndezi, më gjeti) belaja (me dikë) kam ndeshur në vështirësi të mëdha me dikë, u ngatërrova keq e gjendem ngushtë në marrëdhënie me të, më ka ndezur me të; gjeta belanë; më polli groshi. Ia qau belanë (dikujt) e rrahu, e dërrmoi; i punoi qindin. E ujit belanë (dikush) nxit dikë për të bërë diçka të keqe; fut dikë në sherr me të tjerët; e acaron gjendjen; fut spica; i fut (i shtie) mizat (dikujt); ia ngre mendjen (dikujt); i futi (i shtiu) xixat (dikujt); kund. i ftohu (i uli, i shoi, i shtroi, i zbuti) gjakrat.
BRÉNG/Ë,~AII f. sh. ~A, ~AT 1. Gjendje shpirtërore e rëndë; dhembje e shkaktuar nga një fatkeqësi a vuajtje, nga malli etj.; hidhërim, kund. lumturi. Brengë e thellë. Brengat e jetës. Brengë dashurie. Me brengë në shpirt. Jetë me brenga. Mall e brengë. Pa halle e pa brenga. Ka (e mundon) një brengë. I shkakton brenga. Brenga e shkuar, brenga e harruar. (fj. u.). Brengat janë armiqtë e jetës. (fj. u.).
2. Shqetësim i madh për dikë a për diçka; vuajtje shpirtërore për diçka që kemi bërë, për dikë për të cilin përkujdesemi, për diçka që nuk e dimë si do të zgjidhet etj.; merak i madh, peng. Kënga për darkë, brenga për drekë. (fj. u.).
✱Sin.: hidhërim, helm, trishtim, plagë, maraz, leqendi, mërzi, gulm, lëngatë, sëndisje, mëllë, taksirat, shqetësim, merak, hall, gajle, dert, sëkëlldi, siklet, kasavet, xanxë.
♦ E kam brengë në zemër (në shpirt) (diçka) më mundon vazhdimisht përbrenda, e kam si plagë; e kam peng në zemër (në shpirt); më mbeti plagë në zemër (në shpirt); e kam gozhdë në zemër (në shpirt); më rëndon në zemër (në shpirt). Më mbeti brengë në zemër (në shpirt) (diçka) më mbeti merak, e kam si plagë, s’e harroj e më mundon; më mbeti peng në zemër (në shpirt).
BULLÚR,~I m., krahin. 1. Gjendje e vështirë që vjen nga mungesa e diçkaje, nga një vuajtje a nga një fatkeqësi; nevojë e madhe për diçka; shqetësim, brengë. E zuri bulluri që kur ishte nuse. Bullur i madh i ra mbi krye. - Çfarë bulluri keni? S’ka jetë pa dert e bullur. (fj. u.).
2. Diçka e padëshirueshme që sjell ngatërresa, vështirësi e shqetësime; e keqe, bela, taksirat. Më zuri bulluri. Na gjeti bulluri në një kohë të keqe.
✱Sin.: brengë, bela, kokëçarje, hall, sëkëlldi, bolbë, shqetësim, vuajtje, hidhërim, e keqe, taksirat, kusur, nevojë, telash, gajle, siklet, shtrëngesë, ngushticë, paçariz, dert, qeder, zavall.
DERT,~I m. sh. ~E, ~ET bised. Brengë, shqetësim, gajle, merak. Dertet e zemrës (e dashurisë). Jetë plot derte. Shfreu dertin. E kishte edhe një dert. -Mos ki dert! mos u bëj merak! I laguri s’ka dert për shiun. (fj. u.). Sa ishe, më trete; kur vdiqe, më shkrete; burri im me derte. (fj. u.). Hallet e dertet e mia nuk m’i di as perëndia, po m’i di zemër mavria. (fj. u.). Fërr-fërr-fërr ta bën fustani, / Ca prej hallit, ca prej mallit, / Ca nga dertet e jaranit. (folk.).
✱Sin.: brengë, shqetësim, gajle, merak, qeder, dertim, ankim, qarje.
♦ S’ka dert (dikush) vjet. nuk do t’ia dijë, s’pyet fare, s’bëhet merak për dikë a për diçka; nuk shqetësohet e s’e zë turpi; s’ka gajle; s’e ka për gajle; s’i skuqet faqja (dikujt).
DERT vep., ~A, ~UR bised. 1. jokal. Rri gjatë i sëmurë, lëngoj në shtrat; kam zënë shtratin. Derti gjithë dimrit në shtrat.
2. kal. Kaloj, kapërcej një gjendje të rëndë; i rezistoj një epidemie; heq (linë, fruthin etj.). E ka dertur fruthin. Fëmija nuk e derti linë.
3. kal. Provoj për herë të parë. Derti ndjenjën e dashurisë.
GÁJL/E,~JA f. sh. ~E, ~ET bised. Kokëçarje; shqetësim. Futet në gajle. Jeton pa gajle. E ka rritur me gajle. Vë gajle shqetësohet, merakoset. Ia ka gajlen. Ka gajlen e fëmijës. Mos ki gajle!
✱Sin.: merak, hall.
♦ Gajle e madhe (fort)! iron. shih punë e madhe (fort)! iron. Ia heq gajlen (dikujt) bëhem merak për dikë, shqetësohem për gjendjen e dikujt; më luan zemra (për dikë); nuk vë gjumë në sy; kund. nuk ia kam gajlen (dikujt). S’ka gajle. 1. Nuk prish punë, nuk është për t’u shqetësuar, se nuk është diçka shumë e rëndë; s’ka gjë. 2. (dikush). Nuk do t’ia dijë për asgjë; s’do t’ia dijë për diçka të keqe që ka ndodhur, nuk shqetësohet e nuk e zë turpi; s’e ka për gajle; s’i skuqet faqja (dikujt); s’i nxihet lara (dikujt) bised. Nuk e ka për gajle. 1. (diçka). E ka fare të lehtë një punë, e bën kollaj, s’do shumë punë a mundim për ta bërë; e ka bukë e djathë; e ka një kafshatë bukë; s’e ka për gjë. 2. (dikush). S’e ka për turp, nuk i bën fare përshtypje diçka e keqe; s’ka gajle; s’ka dert; s’i skuqet faqja (dikujt); s’i nxihet lara (dikujt).
KAM vep., PÁTA, PÁSUR 1. kal. Zotëroj një pronë, një pasuri etj.; jam pronar i diçkaje; është imja, më përket mua. Kam shumë para (prona). Kam dy shtëpi (një apartament, një makinë). Kam shumë botime (libra). Kam sa për vete (sa për të jetuar). Më mirë të dish sesa të kesh (fj. u.).
2. kal. Jam në lidhje të caktuara gjaku a farefisnie me dikë; jam në lidhje familjare me dikë. E kam baba (nënë, grua, burrë, krushk, kushëri, kunat). Kam dy fëmijë (dy vëllezër, dy kunata).
3. kal. Jam me dikë në lidhje a në marrëdhënie të afërta a miqësore, shoqërore, profesionale etj. E kam shok (mik, armik). E kam pasur drejtor (shef, koleg, partner, mësues, trajner, student). Kam shoqëri (miqësi, muhabet) me dikë. E kam kujdestar (nën kujdestari). Kemi marrëdhënie (lidhje) të mira (të ngushta). Kanë mosmarrëveshje (kontradikta) ndërmjet tyre.
4. edhe fig., kal. Zotëroj një veti a cilësi të caktuar, gëzoj një të drejtë etj. që s’e kanë të tjerët; ndiej diçka, provoj një ndjenjë në veten time; ndodhem a bie për disa kohë në një gjendje të caktuar emocionale, shpirtërore etj. Ka shpirt (zemër, shëndet) të mirë. Ka talent (aftësi, zotësi, prirje, vullnet, iniciativë). Ka fuqi (forcë). Ka kulturë (përvojë). Kemi prova (dëshmi) të reja. Kemi të drejta (por edhe detyra). Ka zakonet (huqet) e veta. Ka merita (të meta, gabime, përgjegjësi, autoritet, pushtet). Ka durim duron. Ka fat është me fat. Ka lejë (ftesë, fletëhyrje). Ka faj është fajtor. Ka kujdes është i kujdesshëm. Ka dashuri (simpati) për dikë. Ka pasur disa sëmundje ka kaluar disa sëmundje. Ka uri (etje). Ka grip (ethe, kollë, dhembje, temperaturë). Ka shpresë (dyshime, merak) shpreson (dyshon, merakoset). Kam vapë (gjumë). Ka frikë (shqetësime). Nuk e di se ç’kam! Kam dy javë (dy ditë) pushim.
5. kal. Është pjesa ime përbërëse (natyrore ose rastësore); ekziston tek unë, në trupin tim, në gojën time etj. qysh kur jam lindur. Kam dy duar e dy këmbë. Kam lëkurën delikate. Kam një plaçkë në sy (një dhëmb të prishur në gojë). Kam një gjemb në këmbë. Ç’e ke atë në kokë? E kam në shtëpi (në xhep).
6. kal. I përmbahem (një mendimi a një pikëpamjeje). E kam të qartë se... Kam mendimin (pikëpamjen) se…
7. kal., vet. v. III Ndodhet dikush a diçka në një vend të caktuar; është i pranishëm (një njeri, një kafshë a shpend etj.). Kishte shumë njerëz në shesh. Në kafaz ka një zog.
8. bised., edhe jokal., vet. v. III Është realisht, ekziston (një dukuri a një send etj.). Kishte ujë (bileta, vapë, çdo gjë tjetër). Ka leverdi (diçka) është punë me leverdi; s’ka pse të shqetësohemi. Ka lagështirë (dallgë, mjegull). Ka (do të ketë) shi (borë) do të bjerë shi (borë).
9. edhe jokal., vet. v. III Është normale, me përmasat e duhura (nga madhësia, numri, përbërja substanciale etj.); përmban, përbëhet. Dora ka pesë gishta. Makina ka katër vende. Karroca ka dy ndenjëse. Shtëpia ka tri kate dhe një papafingo. Dhoma ka dy dritare (dy krevate). Qyteti ka mijëra banorë. Klasa ka 20 nxënës.
10. edhe jokal., kryes. v. III Në bashkëvajtje me pjesëza mohuese dhe e ndjekur me folje ose me emra veprimi formon togfjalësha me kuptimin «nuk është e mundshme të kalosh, të bëhet (diçka), të zhvillohet etj.». S’ka ku të kalosh nuk mund të kalosh dot atje. S’ke ku ta gjesh s’mund ta gjesh dot. Nuk ka shpëtim nuk mund të shpëtohet. S’ka rrugëdalje. S’ka të sharë. S’ka të ngopur nuk po ngopet.
11. kal. Në bashkëvajtje me disa emra formon togfjalësha me kuptim foljor që tregojnë një gjendje a një ndjenjë të caktuar etj. Kam punë jam i zënë (me punë); po punoj. Kam një hall. Kam durim duroj. Kam përkrahjen (mbështetjen) e dikujt. Kam një kërkesë (një ankesë, një sqarim). Ç’ kemi andej nga kryeqyteti?
12. kal. Në bashkëvajtje me folje në të kryerën e thjeshtë tregon një veprim a gjendje të përfunduar ose të mbaruar. Kaq e pati edhe ai mbaroi, vdiq dhe ai. E pati ajo punë u krye, mori fund ajo punë.
13. kal. E quaj, e konsideroj për diçka a si diçka. E kam për nder. E kam si detyrë.
14. kal. Më sjell ose më ka sjellë një pasojë (të mirë a të keqe). Kam suksese (fitime). Kam lodhje. 15. kal. Bëj diçka (një veprim a një punë në mënyrë të caktuar). E kam pa (me) hile (me djallëzi, me gjithë zemër). E ke kot.
16. bised., kal. E shes a e mbaj diçka me një çmim të caktuar. E ke shumë shtrenjtë (lirë). Sa i ke vezët (ullinjtë)?
17. jokal. Them, flas; përgjigjem shpejt (në të kryerën e thjeshtë me trajtën e shkurtër të përbërë ia të përemrit vetor). Po, ia pati ai menjëherë.
19. gjuh. Përdoret si folje ndihmëse për formimin e kohëve të përbëra foljore. Kishte qenë edhe ai. Ka merituar duartrokitje. Do të ketë ikur a vdekur.
✱Sin.: zotëroj, paraqet, ekziston, çmoj, konsideroj, vlerësoj, mbaj, shes, ndiej, përfshin, ndodhet, gjendet, mbaroi, përfundoi, (i) përgjigjem.
♦ *Aq e ka. *Aq e pati zakon. iron. (dikush a diçka). *Aty ta kam (fjalën)! Një e dy e si ma ke *balashin iron. S’ka *bar (ilaç) (për dikë a diçka). S’kam *bark. Një *bark kam! *Ç’bretkun ke? keq. E *di ç’ke ti? Ç’djallin (*dreqin) ke? keq. Ç’ dreqin (*djallin) ke keq. E kam me *bereqet (diçka). S’pata *besë. Nuk ka *besë (dikush a diçka). Kam të bëj (me dikë). 1. Jam farefis me dikë, kam lidhje gjaku me dikë. 2. Kam njëfarë lidhjeje me dikë dhe duhet ta njoh mirë, më lidh puna a një çështje tjetër e dua ta di se kush është e si është. 3. vet. v. III (me diçka). Lidhet, i përket diçkaje, ka lidhje me të. E ka në *bërryl (dikë). S’ia kam *borxh (dikujt). S’ka *brirë (diçka). E ka te *buza (dikush). Nuk ka *cak (dikush). Kam *cipë. S’ka *çapok (dikush). S’ka *çare vjet. E ka në *çark (dikush). S’ka *çelës që i bie (dikujt). S’e ka (s’e vë, s’e fut) në *defter (dikë a diçka) mospërf. S’ka *derman (dikush a diçka). S’ka *dert (dikush) vjet. Të ketë *ditë (dikush) ur. etnograf. Ka *dorë (dikush) keq. E ka në *dorë (dikë a diçka). E kam në *dorë (në duar) (diçka). Pastë *dritë ur. S’ka ç’të *duhet! Ka *dukë (diçka). Si e ka *dukën? E kam më *dysh. S’ka (s’e ka) një *të dytë (dikush). E ka *dhjamë (me dikë). E kam *eshkë (gojën). E ka për *fis (dikush). S’ka *fre (dikush). S’kam *frymë. Ka *fytyrë (dikush). S’ka *gajle. Nuk e ka për *gajle. *Gaz paç! ur. Ka *gisht (në diçka). Ka *gojë (dikush). S’ka *gojëI (dikush). S’ka *gojëII (dikush) keq. E kam në *gojë (dikë a diçka). E ka grurë (me dikë). E ka (e mban) në *grusht (dikë). E ka në *gjak (diçka). E kam *të gjallë (dikë a diçka). Nuk ka *gjasë (për diçka). Nuk e ka *të gjatë (dikush). E kam *gjethe (dikë). S’ka *gjë. Nuk e ka për *gjë (diçka). S’e ke për *gjë (dikë). E kam në *gji (dikë). S’ka *gjoks (dikush). Ka *gjuhë (dikush) keq. S’ka *gjuhë (dikush). S’ka *haber (për diçka). Ka *hak (dikush). E ka *hak (dikush). Ku e ke *hallin? E kam *hallall (diçka). Kaq e ka *hapin (çapin) (dikush). *Haram e paç! mallk. S’e kam (s’e vë) në *hesap (në llogari) (dikë a diçka). E ka për *hiçmosgjë (dikush). I ka *hije (diçka). S’i ka *hije (dikujt). Ta paça *hua ur. E ka në *hundë (dikë) përbuz. Nuk ka *hundë (dikush) mospërf. S’ka ilaç (*bar). Ia kam *inatin (dikujt). E ka si e ka (dikë) e vlerëson, e do shumë, e çmon për karakterin që ka. *Kaq e pati (dikush a diçka) zakon., iron. S’ka *këllqe (kërçikë, kryqe) (për diçka). E kam nëpër *këmbë (dikë a diçka). S’ka *këmbë (diçka). Ma ka (ma mban) *këngë (dikush). E ka (e do) me *kërbaç (dikush). E kam me *kimet (dikë a diçka). S’ka *kockë (për diçka). S’di ku kam *kokën (kryet). S’ka *kokë (dikush). Me sa ka në *kokë (në krye). E kam prapa *krahëve (dikë) iron. S’ia kam *kryqet (dikujt a diçkaje). Nuk ka (nuk njeh, nuk di) *kufi (dikush a diçka). S’e ka *kush (dikë). E ka në *lak (diçka). S’kam *të larë (me dikë). Ka *lezet (diçka). S’ka *lezet. I ka *lezet (diçka dikujt). E kam *lëmë. Të paçim sa *malet! ur. E kam për *mall (dikë a diçka). Do t’ia kesh *mallin (dikujt a diçkaje). Kam *mend. Kam ndër *mend. E kam ndër *mend (dikë a diçka). E ka *mendjen (dikush). Kam *mendjen. Kam një *mendje (me dikë). *Mezi e kam (dikë a diçka). Si s’ka (si jo) më *mirë. Ka *miza (dikush). E kam *mortje (të dytë) (dikë a diçka). Kam *muhabet (me dikë). Kam *nderin... lart. S’ia kam *ngenë (dikujt a diçkaje). S’ia kam *oreksin (dikujt) mospërf. E kam (e mbaj) *parasysh (diçka). E ka me *pekule (dikë). Nuk ka *perde (dikush). E kam *Perëndi (dikë a diçka). Nuk e ka për *pesë (dikë a diçka). S’ka *përse. E kam *pisk. E ka në *pjatë (dikë a diçka). Kam *pranë (dikë a diçka). Të paça më *qafë! S’ia kam *qederin (diçkaje). Kam *qejf (diçka). Ia ka *qejfi (dikë a diçka). E kam për *qejf (diçka). S’ka *qibër (dikush). E ka në *qime (dikush). E kam *rëndë (dikë a diçka). Ka *rreze (është me rreze) (dikush a diçka). E ka mbi *supe (dikush). E ka *syrin (i ka sytë) (te dikush a te diçka). Nuk ka *syI (diçka). Nuk ka syII (dikush). Nuk e ka *syrin (dikush). S’e ka për (në) *sy (dikë a diçka). Ku i ke *sytë? S’ka *të sharë (dikush a diçka). Ka *shenja. E ka (e ka vënë) në *shenjë (në shënjestër) (dikë a diçka). E ka (e ka vënë) në shënjestër (në *shenjë) (dikë a diçka). Nuk e ka *shokun (shoqen) (dikush a diçka). E ka mbi *shpatulla (dikush). S’ka *shpatulla (dikush). E ka *të shpejtë (dikush a diçka). E kam *shpirt (dikë). Nuk ka shpirt (*zemër) (dikush). Kam *shpresë. S’ia kam *takatin (diçkaje) vjet. S’e ka (nuk e ka marrë) me *tapi (diçka). E ka në *tavë (dikë a diçka) bised. E ka në *tenxhere (dikë) bised. E ka në *terezi (dikush). Që ç’ke me *të! S’e ka *toka (dikë). Nuk ka *tragë (dikush). Nuk ka *turi (dikush) mospërf. Nuk ka më *thela. S’ke ç’i *thua. E ka në *thes (dikë). E ka në (për) *thua (dikush). Ka *thonj (dikush) keq. S’ka *thonj (dikush). E ka *vaj (me dikë). E kam *vdekje (dikë a diçka). Sa s’ka ku të *vejë (ku të shkojë) më (sa s’ka më). Ka *vend. S’ka *vend (dikush a diçka). E ka në *vijë (dikush). I ka në vijë (punët etj.) (dikush). Ka (mban) *vlagë (dikush). Aq e ka *vrapin (dikush). E ka *xanxën (dikush). E kam *xhan (dikë) fëm. E ka në *xhep (dikë a diçka). Ka *yndyrë (dikush). E ka *zanat (dikush) keq. Sa ka *zanati! Nuk ka *zemër (shpirt) (dikush). E kam në (për) *zemër (dikë a diçka). E kam *zët (dikë a diçka).
MERÁ/K,~KU m. sh. ~KE, ~KET dhe ~QE, ~QET bised. 1. Dëshirë e madhe për të marrë vesh a për të mësuar diçka për një njeri, për një ngjarje ose për një gjë tjetër; kureshtje. Ka merak ta dijë. Sa për të hequr (sa për të nxjerrë) merakun.
2. Dëshirë e madhe a lakmi që ka dikush për të provuar diçka, për të pasur një gjë që nuk e ka etj. Kishte merak (i ka hipur merak) për një biçikletë të re. Plasi nga meraku për çokollatën që kishte sjellë ajo. Hëngri dhe e nxori merakun.
3. Shqetësim i madh që ndiejmë për një njeri të afërm a të dashur kur është larg, kur është i sëmurë ose kur ndodhet në një gjendje të keqe; shqetësimi dhe përgjegjësia që ndiejmë për diçka. Ka merak për djalin (për vajzën). U sëmur nga meraku për të birin. Meraket e prindërve s’kanë të sosur. Ka merak për punën. Më ha meraku për diçka shqetësohem shumë, merakosem. S’e zë meraku për asgjë. E futi në merak e shqetësoi shumë. Jam në merak për dikë a për diçka shqetësohem, merakosem. Fle me merak. Mos ki merak! mos u shqetëso! E hoqi merakun nuk shqetësohet më, u qetësua.
4. Dashuri e një mashkulli për një femër dhe anasjelltas, sevda. Pati (zuri, hodhi) merak në të ra në dashuri. E zuri meraku. U martuan me merak. Iu bë merak ajo e dashuroi.
5. Kujdesi i madh që tregojmë për një punë a për diçka tjetër dhe përpjekja për ta kryer atë sa më mirë. Ndërtesë (punë) e bërë me merak. E punoi me merak.
6. Të dhënët me mish e me shpirt pas diçkaje, prirje për t’u marrë me diçka, gjakim. Ka merak për muzikë (për sport). Merakun e ka për gjueti i pëlqen gjuetia. Ka merak të madh pas librave.
7. Dyshim, frikë a pasiguri që kemi përpara diçkaje të panjohur, të dëmshme a të rrezikshme, të papastër etj. Kishte merak se mos i ngjiste sëmundjen. Ka merak t’i japë dorën. Pije pa merak!
8. Dyshim që kemi për dikë. Më ha meraku se ai e ka bërë. Merakun e ka tek ai. M’u hoq meraku për të.
9. fig. Peng; gozhdë. Më mbeti merak që s’ia dhashë. I mbeti merak që s’e pa. Merak në zemër e kam që s’erdha.
✱Sin.: dëshirë, kureshtje, lakmi, shqetësim, kujdes, brengë, kasavet, përgjegjësi, gajle, qeder, dert, dashuri, sevda, sëkëlldi, gjakim, dyshim, frikë, pasiguri, peng.
♦ Bëhem merak (për dikë a për diçka) shqetësohem shumë, merakosem; nuk jam i qetë, se nuk e di si është. Më ha meraku se... dyshoj se..., kam dyshim se... Nuk më ha meraku (për dikë a për diçka) nuk shqetësohem fare për dikë a për diçka, nuk dua t’ia di për të. E kam merak vetë (diçka) iron. di unë si ta vërtis punën, shqetësohem e merrem unë me diçka, që ta bëj si dua vetë. E kam merak (në zemër) (diçka) shihe kam peng (në zemër) (diçka). Më mbeti merak (në zemër) (diçka) shih më mbeti peng (në zemër) (diçka). Nxora merakun (për dikë a për diçka) e pashë a e provova dhe e di si është, jam i qetë që është mirë, nuk kam më merak, nuk jam më i shqetësuar. Vuri (zuri) merak (në diçka) i pëlqeu shumë dhe do patjetër ta ketë, e do; nis t’i pëlqejë dikush e ta dashurojë. S’e zë meraku (dikë) nuk pyet fare për dikë a për diçka, nuk shqetësohet, as që do t’ia dijë; nuk bëhet merak (dikush); nuk i bëhet vonë (dikujt); nuk çan kokën (dikush).
VEGËJÁSHT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT keq. 1. Ajo që i mban këmbët të zbuluara deri te kofshët (pa pantallona, me fund të shkurtër). Ashtu vishet ajo vegëjashta.
2. fig., keq. Ajo që ka sjellje të dyshimta si femër; që s’i vjen turp të bëjë diçka të pandershme, që s’ka turp, e paturp, e pacipë. Ajo vegëjashta s’ka marre, as turp. S'ka dert për fytyrë ajo vegëjashta. Vegëjashta e pamarre. Është qytetëruar si tepër kjo vegëjashtë.
ZHÍB/ËL,~LA f. sh. ~LA, ~LAT 1. Ashkël e vogël druri. Zhiblat e drurit. U mbush oborri me zhibla. I ka hyrë një zhibël në gisht.
2. Grimcë, thërrmijë. I ra një zhibël në sy.
3. kryes. sh. Lëmishte. Gruaja i fshiu zhiblat në oborr.
4. Nishan a shenjë që ka dikush në lëkurë ose në trup. E ka fytyrën me zhibla. Iu bë trupi tërë zhibla.
5. fig. Njollë morale, damkë, balë. Burrë pa zhibla. - T’ia japësh çikën! Mos ki dert, se asht djalë pa zhibla ai. (fokl.).
6. fig. Cen, e metë. Atij njeriu s’i gjen dot asnjë zhibël.
7. bised., zakon. sh. Naze që bën dikush, duke i shoqëruar me lëvizje a me përdredhje të trupit. Bënte shumë zhibla. Atë e brente dyshimi se mos ajo vajzë bënte zhibla.
8. fig., bised. Shmangie nga e drejta a nga e vërteta; dredhi, hile. Është njeri pa zhibla. - Atij mund t’i besosh, se flet pa zhibla. - Mos na bëj zhibla! - Lëri zhiblat!
9. fig., bised. Prapamendim. - E njoh mirë atë, ëështë njeri pa zhibla.
✱Sin.: ashkël, bujashkë grimcë, thërrmijë, lëmishte, nishan, njollë, shenjë, damkë, balë, cen, e metë, naze, ojnë, dredhi, hile, prapamendim.
♦ Bën zhibla (dikush) është dredharak; e dredh; bën hile; bën shaka, luan me dikë; bën lojë (me dikë). S’ta heq zhiblën nga syri (dikush) nuk të jep as ndihmën më të vogël kur ke nevojë; s’të gjendet asnjëherë; nuk të shkarkon nga asnjë barrë a nuk të lehtëson asnjë hall.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë