Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
GJÉTH/E,~JAI f. sh. ~E, ~ET 1. Pjesë e rëndësishme e bimëve si fletë me trajta të ndryshme, që del në degë, në kërcell ose drejt nga rrënja dhe që shërben për përftimin e lëndëve ushqyese nën veprimin e dritës, si edhe për shkëmbimin e gazeve; kjo pjesë e bimëve që përdoret për ushqim nga njerëzit ose nga kafshët. Gjethe e gjelbër. Gjethe të thata. Gjethe vezake (gjatore, heshtore). Gjethe e madhe (e vogël, e gjerë). Gjethe e përbërë. Gjethe të këmbyera. Gjethe të dhëmbëzuara (të lëmuara). Gjethet e bimëve (e drurëve, e pemëve).
2. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje bimësh. Gjethe delli (lat. Plantago) bimë barishtore e egër me gjethe të trasha, me shumë deje e të shtrira përtokë dhe me lule të vogla, që rritet anës vijave të ujit e pranë moçaleve dhe përdoret në mjekësinë popullore; dejëz. Gjethe thuapulë (lat. Nigella arvensis) bimë shumëvjeçare e kullotave; me rrënjë boshtore, me kërcej të shpeshtë e të lartë, me gjethe pesë e nga pesë në çdo degë dhe lule të verdha në të kuqërremtë. Gjethe hardhie raskal. Gjethe delli dejzë, dejçë. Gjethe mani material kryesor gjethor, i përbërë prej gjetheve të manit dhe që shërben si ushqim për krimbat e mëndafshit për rritjen dhe për zhvillimin e tij.
3. përmb. Degë të holla me gjethe të disa drurëve, që përdoren si ushqim për bagëtinë; ushqim prej bimësh për bagëtinë; mullar me degë e gjethe të tilla; gjeth. Çeli gjethja.
4. Thikë me teh të gjerë (e zdrukthit).
✱Sin.: fletë, fije, kreshkë, gjeth, llapë.
♦ Me *bar e me gjethe. U bë gjethe vjeshte (dikush) u dobësua, u tret fare, u zverdh; u bë lule kungulli. Bën hesap me gjethe të prasit (të preshit) (dikush) përb. është koprrac i madh, është njeri zemërngushtë; bën hesap me krundet keq.; s’të jep gurin të çash kokën. Gjethe fiku diçka e sajuar që përdoret më kot për të fshehur një gjë të vërtetë a që njihet ose për të mbuluar një turp a një poshtërsi. Gjethe plepi. 1. keq. Dikush që nuk e mban fjalën a premtimin, ai që e dredh. 2. përb. Grua që shkon lehtë me burra të tjerë, që s’ia ruan nderin të shoqit; e luan (e dredh, e lëviz) bishtin. E kam gjethe (dikë) e mund a e mposht lehtë, as që matet dot me mua, është shumë i brishtë për t’u kapur me mua; e kam bukë e djathë; e kam një kafshatë bukë; nuk e kam për gjë; e hedh me një gisht. *Lis pa gjethe (pa degë).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë