Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DASHAMÍR,~E mb. Mirëdashës; kund. dashakeq. Këshillë dashamire.
✱Sin.: dashamirës, mirëdashës, fillmirë, qëllimmirë.
LUG/ÁT,~I m. sh. ~ÉTËR, ~ÉTËRIT 1. mit. Figurë e besimeve pupullore, që përfytyrohej si njeri, i cili në gjallje të tij ishte shumë i keq dhe pas vdekjes ngrihej natën nga varri, endej rrugëve e nëpër shtëpi dhe trembte njerëzit; kukudh. Thoshin se u bë (doli) lugat. E hëngërt lugati! (mallk., vjet.). Ha si lugat ha shumë, s'ka të ngopur. Vishet si lugat. Sillet si lugat.
2. fig., keq. Njeri shumë i shëmtuar në pamje, që u kall tmerrin njerëzve; njeri i keq, që u bën dëm të tjerëve.
✱Sin.: hije, fantazmë, xhind, vurkollak, jud, kukuvriq, vampir, llabiç, çerep, shëmtak, i shëmtuar, shëmtarak, shurdhjesë, dashakeq, kukudh.
♦ *Bisht lugati thjeshtligj. Të daltë lugati! mallk. e pësofsh! Sikur i del lugati (dikujt) iron. është frikacak i madh, dridhet nga frika; trembet kot së koti, jeton me frikë të madhe; ka lepurin në bark (dikush); ka zemër lepuri (pule) (dikush). U djegsh lugat mallk. vdeksh!
MOSMIRËDÁSHËS,~E mb. Që nuk është mirëdashës, që nuk u do të mirën të tjerëve; që nuk ka a nuk shpreh dashamirësi; keqdashës; kund. mirëdashës. Njeri mosmirëdashës. U tregua mosmirëdashës. S’është mosmirëdashës. Qëllime (synime, ndjenja) mosmirëdashëse.
✱Sin.: keqdashës, dashakeq, keqan.
PRÁPË (i, e) mb. 1. bised. I prapmë; kund. i mbarë, i përparmë. Ana e prapë e xhaketës.
2. Që bën prapësi, që nuk rri urtë, që nuk lë dy gurë bashkë; kund. i mbarë. Fëmijë i prapë. Djalë (njeri) i prapë.
3. Që zihet me të tjerët, që nuk ka sjellje të mirë; që shkon keq me njerëzit; i vrazhdë, i ashpër, i egër (për njerëzit); kund. i mbarë. Ishte njeri i prapë.
4. I pashtruar, i egër (për kafshët). Mushkë e prapë. Kalë i prapë. Lopë e prapë.
5. I thyer, i egër (për një vend). Vend i prapë. Rrugë e prapë.
6. I furishëm, i fortë; i ashpër, i egër; i keq. Erë e prapë. Mot i prapë. Lajmi i prapë, vjen me vrap. (fj. u.).
7. Shumë i zoti dhe i shkathët; i papërmbajtur. Gjahtar i prapë. Trim i prapë.
8. Jo dashamirës, i ashpër, i vrazhdë, i egër (për qëndrimin, sjelljen etj. të dikujt). Sjellje e prapë. Fjalë të prapa.
✱Sin.: i prapmë, i mbrapshtë, i prapësht, mbrapshtar, prapalaq, ters, i paudhë, djemnushë, shkapërdhi, abrash, çapraz, çakërr, kacer, noksan, naks, nopran, xanxar, i vështirë, i ashpër, i thyer, i furishëm, i keq, i vrazhdë, këmbëters, grindavec, i egër, i pashtruar, zevzek, orëprapë, haram, i panafakë, zemërak, dashakeq, gazep, gazepqar, sherret, trazovaç, djallëzor, i djallëzuar, i regjur.
♦ E ka këmbën të prapë (dikush) sjell fatkeqësi, është këmbëters.
QËLLIMKÉQ,~E mb. Që ka synim a qëllim të keq; kund. qëllimmirë. Njeri qëllimkeq. Shtrembërime qëllimkeqe.
✱Sin.: keqdashës, dashakeq, dashaligës, fillzi.
TENJÁN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Ai që mendon vetëm për të bërë keq; dashakeq, i poshtër; njeri tenjë. Është një tenjan ai që s’i gjendet shoku.
2. Njeri që të dëmton pa e kuptuar, tinëzar i madh, njeri që bën të keqen dhe e fsheh, njeri që hedh gurin e fsheh dorën, njeri që punon (vepron) nën rrogoz, njeri që vepron fshehurazi e me dredhi, njeri që vepron prapa krahëve, kongjill i mbuluar. Tenjan i madh.
3. si mb. Që mendon vetëm për të bërë keq; dashakeq, i poshtër; tenjë. Njeri tenjan.
✱Sin.: dashakeq, tinëzar, tenjë.
TÉNJ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT zool. 1. Flutur me madhësi e ngjyra të ndryshme, që e ka larvën si vemje të hollë dhe që bren e dëmton shumë bimët, dyllin, ushqimet; vemje, vemizë.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje tenjash që gjenden nëpër bimë të ndryshme, prej nga marrin edhe emrin. Tenja e ullirut (e hardhisë, e fikut). Tenja e drithit. Tenja e lakrës (e patates, e qepës). Tenja e miellit (e hambarit). Tenja e dyllit. Lufta kundër tenjës. I ka hyrë tenja bletës. Është dëmtuar nga tenja.
3. Molë. Tenja e rrobave. E ka ngrënë tenja rrobën (qilimin, velenxën).
4. Lëvrizë, shirit. I gjetën tenjë në bark. Është si tenjë është shumë i hollë, është shumë i dobët. I hyftë (i rëntë) tenja! (nëmë).
5. Krimb i drurit, brisë, kërrmi, kri. Ahut (pishës) i ka hyrë tenja. Tenja e gjësë së gjallë (veter.) kërrnjotë, butër. Të bren si tenjë të shkatërron në heshtje pa u ndier.
6. si mb. Dashakeq, qëllimkeq, përçarës; tenjan. Plak (plakë) tenjë.
✱Sin.: vemje, vemizë, molë, shirit, krimb, brisë, kërrmi, kri, kërrnjotë, butër.
♦ I ka hyrë tenja (dikujt). 1. Po e bren sëmundja nga brenda, i ka hyrë sëmundja. 2. E ka zili a inat dikë, nuk është i qetë derisa t’i bëjë keq.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë