Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DALLGËZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Gjendja kur dallgëzon deti; lëvizje e vrullshme e një mase të madhe uji në det, liqen etj. Dallgëzimi i detit (i liqenit).
2. fig. Lëvizje që ngjan me krijimin e dallgëve të detit. Dallgëzimi i grurit (i thekrës, i barit). Dallgëzimi i turmës. Dallgëzim i flokëve.
3. kryes. sh., fig. Ulje e ngritje në sipërfaqen e një sendi, valëzim. Dallgëzime kodrash.
✱Sin.: tallazim, valëzim, valëvitje.
DISABÁLLËSH,~E mb. Që ka fuqi prej disa ballësh. Tërmet disaballësh. Dallgëzim disaballësh.
ÓND/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Dallgëzim i flokëve; flokë të dallgëzuara; kaçurrela. I kishte flokët me onde flokë që kanë formë valëzuese.
2. Formë e dallgëzuar e disa shenjave diakritike. Një shenjë dalluese tilde është një vijë e vogël me onde. Shenjat me onde ose pak a shumë të pjerrëta të përdorura në tekstet mesjetare.
RRÚDH/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Vijë e përthyer në lëkurën e ballit, të fytyrës, të duarve etj., që bëhet kur mblidhet lëkura nga mosha, nga dobësimi, nga vuajtjet a nga një ndjenjë e rëndë; zhubër. Rrudhat e ballit (e gojës, e buzëve, e syve, e duarve). Kishte një fytyrë gjithë rrudha. Vuajtjet ia shtuan rrudhat.
2. Vijë e çrregullt, që mbetet në vendin ku mblidhet e ngjeshet një pëlhurë a një petk; palë e vogël në një petk; zhubër. Shihte me habi rrudhat e këmishës. I shtriu rrudhat e fundit me hekur. Kostumi u bë me rrudha.
3. vet. sh. Valëzim i lehtë në sipërfaqen e diçkaje; vija të ngritura e të thelluara në sipërfaqen e diçkaje. Rrudhat e drurëve (e tokës). Rrudhat e trurit. anat. të ngritura e të thelluara në cipën e trurit. Rrudhat e maleve (e luginave).
✱Sin.: gërrudhë, vijë, brazdë, hulli, dredhë, tutël, rrudhje, palë, dallgëzim, brazdë.
♦ Mos t’i shoh rrudhat në ballë (për diçka) mos u mërzit; mos u bëj merak, rri i qetë, e ke të mbaruar atë punë.
TALLAZÍM,~I m. Dallgëzim, tallazitje. Tallazimi i detit.
VÁL/Ë,~AI f. sh.~Ë, ~ËT 1. Shtresë uji në sipërfaqen e detit, të liqenit të lumit etj., që lëviz me ulje e ngritje zakonisht nga era dhe që duket sikur zhvendoset drejt bregut; dallgë; shkulm. Kreshtat e valëve. Valët e detit (e lumit). Lartësia e valës. U krijuan valë. Përplasen (thyhen) valët. Det me valë. Çau valët. Ngrihen valë. Valë të shkumëzuara. Bën valë. Vjen vala. Ujitje me valë ujitje duke e lëshuar ujin me vrull në gjithë arën, ujitje me përmbytje.
2. Diçka që i ngjan dallgës së ujit ose që lëviz dallgë-dallgë; turmë njerëzish që lëvizin në trajtën e dallgëve; rrymë. Valët e rërës. Valët e grurit në arë. Valët e flamurit. Valët e flokëve. Valë të nxehta ajri. Valët e demonstruesve. Vala goditëse e ajrit rrymë e fortë ajri, që shkaktohet nga shpërthimi i një arme bërthamore.
3. fiz. Dridhje të rregullta të ajrit, në trajtë dallgësh të vogla, që shkaktohen nga lëkundjet e një trupi tingëllues në një mjedis; dallgë drite ose dallgë grimcash elektromagnetike, që krijojnë një fushë e përhapen në një drejtim a në një mjedis të caktuar. Valë tërthore (gjatësore). Valë të gjata (të mesme, të shkurtra). Valë elektromagnetike. Valët e radios. Valë televizive. Valë zanore. Valët e zërit. Valët e dritës.
4. kryes. sh. ~A, ~AT Bula a flluska me ajër, që formohen në ujë ose në një lëng kur zien. Lëshon vala.
5. fig., bised. Radhë, herë. Valën tjetër. Këtë valë. Valë pas vale herë pas here. Kishte valën.
6. fig. Lëvizje përpara e me vrull e diçkaje, që rritet gjithnjë e më shumë; rrjedhë a rrymë e fuqishme; shfaqja e fortë, e beftë dhe e vrullshme e diçkaje (zakonisht e pakëndshme) a përsëritja e saj; shpërthim i një ndjenje etj.; dallgë. Valë e fuqishme. Valë të nxehti (të ftohti). Valë grevash (demonstratash). Valë krimesh. Valë e re refugjatësh. Valë gëzimi (entuziazmi). Valë dashurie. Valë gëzimi (pakënaqësie). U ngrit (ra) vala.
✱Sin.: suvalë, valomë, tallaz, valëzim, dallgëzim.
♦ U bëra (jam) *pikë e valë. Bëri *lot e valë (dikush). (Është) në valë të gjakut (dikush) është në moshë të re e gjithë energji, është në kohën e rinisë; i vlon (i zien, i gufon, i lëvrin) gjaku (dikujt). (Është) në valë të shpirtit (dikush) shih po heq (po jep) shpirt) (dikush). Më ka rënë vala në kokë. 1. Më ka pushtuar një dëshirë e zjarrtë, më ka goditur dashuria për dikë etj.; më është ngulur në kokë një mendim që më mundon. 2. Më ka zënë një hall i madh; më zien (më mizëron) koka. Kam valë mbi krye kam shumë shqetësime e telashe, sa nuk di ç’të bëj, s’di ngat’ia mbaj; më avullon koka (kryet); më luajti kapaku (tabani) i kokës; më luajti mendja; më del tym nga koka; më del zjarr nga koka; kund. fle në një krah. Merr valë (diçka) nis të ngrihet, të fuqizohet a të zhvillohet shumë; gjallërohet, ndizet; merr hov. E mori vala (dikë). 1. Shkoi pas të tjerëve dikush pa bindjen e vet, bëri si të gjithë, u bashkua vetiu me shumicën; e mori rryma; e mori rrjedha. 2. I ranë fatkeqësi të mëdha dikujt, ka pësuar humbje, po dështon e po bie poshtë e më poshtë; mori tatëpjetën (dikush); mori teposhtën (dikush). E mori me valë (dikush) e nisi me rrëmbim a me vrull diçka; e nisi me të ashpër (një bisedë) dhe u acarua me dikë, u rrëmbye, u nxeh; iu nxeh gjaku1 (dikujt); iu ndez (iu avullua) gjaku (dikujt). E zuri vala (dikë) bëri siç bënin të tjerët, shkoi pas të tjerëve; e mori vala.
VALËZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur valëzoj a valëzohet diçka; dallgëzim. Valëzimi i detit. Valëzimi i flokëve. Valëzimi i reve. Valëzimi i grunjërave.
2. Përkulje në trajtën e valëve; diçka që ka trajtën e valëve, valë. Valëzimet e tokës. E zbukuroi me valëzime. Valëzimet e ujit (e kallinjve) e turmës. Valëzimet e llamarinës. I dha valëzim. E zbukuroi me valëzime.
✱Sin.: dallgëzim, valëzim, kotovalje, tundje, lëkundje, përthyerje, rrudhë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë