Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DAJANDÍS vep., ~A, ~UR bised. 1. jokal. Duroj, qëndroj. Nuk dajandisi në të ftohtë. Nuk dajandisi dot pa ujë. Dajandisi shumë (si burrat).
2. jokal., vet. v. III Rron mjaft kohë, i qëndron kohës, nuk prishet shpejt (për diçka). I dajandisën këpucët. Enët e baltës dajandisin mjaft.
3. kal. I bëj ballë, i qëndroj (një vështirësie, një sëmundjeje etj.); përballoj, mund. E dajandisi gripin. Nuk e dajandis të ftohtët.
✱Sin.: duroj, qëndroj, përballoj, mund, rezistoj, jeton, këndirr, përmbaj, mposht.
DUR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. edhe jokal. I përballoj dhe i kaloj vështirësitë, dhembjet, shqetësimet, vuajtjet, fatkeqësitë etj. i qetë e gjakftohtë, pa u ankuar e pa u ligështuar; i bëj ballë a i qëndroj një ndikimi, një veprimi ose një ngacmimi të jashtëm; jam në gjendje të mposht një dëshirë, një nevojë, një kërkesë të organizmit, që më tundon a më mundon. I duroi dhembjet (vuajtjet, fatkeqësitë). E duroi etjen (urinë). E duron të ftohtët (të nxehtët, vapën). I duroi torturat. Duroi pa ngrënë (pa pirë). S’e duroi dot lodhjen (pagjumësinë). S’e duron dot dritën (pluhurin). Duronte nga e keqja. Duroi disa ditë pa bukë. Duroi gjithë rrugën pa ujë. Duroi shumë. S’duron fare. As veshi mos mbajë pluhur, as këmba mos durojë gjemb. (fj. u.).
2. jokal. Kam durim, nuk ngutem, nuk rrëmbehem. S’duroi pa folur (pa pyetur). Kush duron, gëzon. (fj. u.). O duro e plas, o fol e del për gaz. (fj. u.).
3. jokal. Pres dikë a diçka i qetë për një kohë të gjatë; pres me durim. - Duro, se do të të vijë radha! - Do të durojmë sa të vijë edhe ai. Ai që duron, trashëgon. (fj. u.).
4. kal. Pranoj një gjendje të caktuar, mësohem a pajtohem me një gjendje ose me diçka tjetër të papëlqyeshme, të keqe, të rëndë, të mërzitshme etj.; (zakonisht me pjesëzën mohuese “s” ose “nuk” dhe me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. kallëzore) s’më pëlqen dikush a diçka, me ngjall neveri ose më mërzit, nuk e shoh dot me sy; s’pajtohem me të dhe e luftoj. - Si e duron atë gjendje! S’i duron dot çrregullimet (shthurjet). Nuk i duron dot fjalët (shakatë) e rënda. S'e duron turpin. S’e duruan zgjedhën (robërinë). S’e duroj dot atë njeri. Sa duroftë robi, mos i dhëntë zoti. (fj. u.).
5. kal., vet. v. III (zakonisht me pjesëzën mohuese “s” ose “nuk” dhe me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Nuk e pëlqen, nuk e pranon, mezi e tret a nuk e tret dot; më prish a më dëmton, më bie rëndë (për ushqime, për pije etj.). S’ia duron stomaku turshitë. S’ma duron organizmi.
6. kal., edhe jokal., vet. v. III U qëndron kushteve a veprimeve të jashtme pa u dëmtuar, pa u prishur, pa humbur vetitë a cilësitë (për sendet, lëndët e ndryshme etj.); qëndron për një kohë të gjatë në gjendje të mirë, është shumë i qëndrueshëm; rron (për bimët, perimet, frutat). I duron goditjet. E duron të nxehtët (të ftohtët, lagështirën, thatësirën). Ky tel duron shumë. Ky lloj druri duron shumë (gjatë). Mollët durojnë deri në dimër. Qershitë (fiqtë) s'durojnë shumë.
7. jokal., vet. v. III Mund të shtyhet për më vonë, nuk është i ngutshëm, pret. Duron kjo punë (kjo çështje). S'duron më gjatë.
✱Sin.: qëndroj, përballoj, rezistoj, mbaj, dajandis, këndirr, gëlltit, përmbaj, pres, përtyp, tret, honeps, pranon, mbijeton.
♦ Duro të durojmë! thuhet kur duhet të durojmë shumë, të mos ligështohemi e të mos përkulemi përpara vështirësive, fatkeqësive, kushteve shumë të rënda etj. Nuk e duron *litarin në fyt. S'e duron (s'e mban) as *qielli, as dheu (as toka). Duro zemër e mos plas! thuhet kur na bie një fatkeqësi shumë e rëndë dhe s'kemi ç'të bëj më.
PËRBALL/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Jam në gjendje t’i dal përpara me guxim një rreziku a një vështirësie e ta kapërcej atë ose t’i qëndroj pa u tërhequr, pa u trembur; jam në gjendje të mposht dikë që më sulmon ose nuk e lë t’ia arrijë qëllimit; i bëj ballë, i qëndroj pa u përkulur; e mposht, e mund. Përballoj sulmet e kundërshtarit. Përballojmë çdo vështirësi. Përballuan një armik më të madh si numër.
2. Jam në gjendje të kryej një punë a diçka tjetër; i kam mjetet dhe mundësitë për të bërë diçka, arrij të bëj diçka, ia dal në krye. I përballoi shpenzimet. Përballuan një vëllim të madh pune. I përballoi të gjitha detyrat që i ngarkuan.
✱Sin.: mposht, mund, thyej, dal, qëndroj, dajandis, përball, shpërball, ballësoj, kapërcej, kaloj, ha, shtir, mbuloj, mbaj.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë