Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ANATEM/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. fet. E shpall të mallkuar nga kisha; e përjashtoj nga bashkësia fetare si heretik; e dënoj ashpër, e përjashtoj moralisht, shkishëroj. Kisha e anatemoi rëndë.
2. fig. Mallkoj dikë a diçka për një të keqe të bërë, i shpreh fjalë të rënda dikujt ose shpreh dëshirë që ta gjejë një e keqe e madhe; kund. bekoj. Anatemova dhunën si mjet ndëshkimi. Qarqet politike anatemuan shkrimtarin për idetë e tij kritike.
✱Sin.: mallkoj, nëm, truaj, dënoj, shkishëroj, syrgjynos.
ARMÍ/K,~KU m. sh. ~Q, ~QTË 1. Ai që i do të keqen një tjetri, që e urren dhe që përpiqet ta dëmtojë; kund. mik. Armik i hapët (i fshehtë). Armik i përbashkët. Armik i egër (i pabesë). Armik i betuar. Armik për vdekje. Bëj armiq. Mos ta preftë armiku fjalën (kuvendin)! i thuhet dikujt me takt, që të mos fyhet, kur i ndërhyhet gjatë bashkëbisedimit. Darova e armikut o helm, o thikë. (fj. u.) armiku kurrë nuk ta do të mirën, mos prit të mirë nga armiku. Armikut dhe erës tregoju gjoksin! (fj. u.) mos u përkul përpara armikut; mos u tremb nga vështirësitë.
2. Ai që është kundër interesave të atdheut e të popullit, të kombit e të shtetit dhe që lufton e vepron kundër tyre. Armiqtë e brendshëm (e jashtëm). Armik i popullit. Armik i shtetit. Mbroj vendin nga armiku. Vegël e armikut. Agjent i armikut. Bën punën e armikut. Dënoj (luftoj) armiqtë. Në shërbim të armikut.
3. përmb. Ushtria kundër së cilës bëhet lufta dhe shteti të cilit i shërben ajo; kundërshtari. Forcat e armikut. Ushtria e armikut. Planet e armikut. Sulmon (dërrmon) armikun. Mbrojtje nga armiku.
4. Ai që urren diçka dhe që lufton kundër saj, ai që nuk pajtohet me diçka, që nuk e pranon diçka; kundërshtar. Armik i përparimit (i lirisë). Armik i gënjeshtrave (i thashethemeve). Armik i duhanit (i alkoolit). Armiku i së vërtetës është frika. (fj. u.). Armiku i njeriut është përtacia. (fj. u.).
5. Diçka që sjell dëm, që prish ose që bën keq. Armik i shëndetit.
✱Sin.: kundërshtar, urrejtës, oponent, rival, hasëm, dushman.
ASHPËRSÍ,~A f. 1. Të qenët i ashpër, me sipërfaqe me të dala të vogla, jo i lëmuar; kund. butësi. Ashpërsia e sipërfaqes. Ashpërsia e duarve.
2. Të qenët me male të larta e me shkëmbinj të thepisur; natyra shumë e thyer dhe e vështirë e një krahine, e një vendi. Ashpërsia e vendit. Ashpërsia e maleve. Ashpërsia e relievit. Ashpërsia e terrenit.
3. Të qenët me të ftohtë të madh, me ngrica e me stuhi dëbore (për motin); kund. butësi. Ashpërsia e dimrit (e motit). Ashpërsia e klimës. Ashpërsia e erës së acarit.
4. Të qenët shumë i rreptë e i përgjakshëm; të qenët i prerë, i shtrënguar e i pamëshirshëm; rreptësi e madhe. Kulmi i ashpërsisë. Luftoj me ashpërsi. Dënoj (godit) me ashpërsi. U zunë me ashpërsi.
5. Mungesë butësie e dashamirësie, të qenët i rreptë, vrazhdësi; kund. butësi. Ashpërsia e zërit (e fjalëve). Ashpërsia e fytyrës (e tipareve). Ashpërsia e karakterit. Sillet me ashpërsi.
6. sh. ~, ~TË Vend i ashpër; sipërfaqe e ashpër. Përpjeta me ashpërsi.
✱Sin.: vrazhdësi, egërsi, rreptësi, acari, acar, ngricë, të ftohtë, cigmë, fraq, cingërimë, thëllim, pamëshirësi.
BOTËRÍSHT ndajf. Në prani të të gjithëve, para të gjithëve; haptas, sheshit, faqe botës. Shpall (deklaroj, njoftoj) botërisht. Pohoj (pranoj) botërisht. Nderohet (vlerësohet) botërisht. Dënoj (kritikoj) botërisht. Fakte të ditura botërisht. I njohur (i ditur, i shfaqur) botërisht. Fyerje që bëhen botërisht.
✱Sin.: haptas (haptazi), sheshit, faqeza, publikisht.
DENONC/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Njoftoj organet përkatëse për veprimtarinë e kundërligjshme të dikujt ose për diçka që kam gjetur, që kam zbuluar etj. Denoncoi vjedhësit. Denoncoi shkeljet. Denoncoi një rast dhune.
2. dipl. Shpall si të pavlerë e të pafuqi një traktat, një marrëveshje etj., që kam pasur me një shtet tjetër a me disa shtete; e hedh poshtë a e dënoj hapur. Denoncuam traktatin. Denoncoi marrëveshjen.
✱Sin.: kallëzoj, padit, njoftoj, shpall, dënoj, tregoj, zhvlerësoj, shfuqizoj.
DHËMB,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Secila nga eshtrat e vogla të ngulura në të dyja nofullat, që i shërbejnë njeriut a kafshës për të copëtuar e për të përtypur ushqimet ose për të kafshuar diçka. Dhëmbë të gjatë (të mëdhenj, të vegjël, të dalë). Dhëmbë të bardhë (të zverdhur, të nxirë). Dhëmbë të mprehtë. Dhëmb i prishur (i krimbur). Dhëmbë të vënë. Dhëmbët e njeriut (e maces, e qenit, e ujkut, e luanit, e tigrit, e dhelprës). Dhëmbët e brejtësve. Me (pa) dhëmbë. Nervi i dhëmbit. Rrënja (palca) e dhëmbit. Pastë (furçë, kruese) dhëmbësh. I dolën (i ranë) dhëmbët. M’u mpinë dhëmbët. Shkul (heq) dhëmbin. Thyej (kafshoj, copëtoj) me dhëmbë. Laj (pastroj) dhëmbët. Mishi i dhëmbëve (mishrat e dhëmbëve) mishi përqark fundit të dhëmbëve, trysat. Flas (them) nëpër dhëmbë nuk i shqiptoj mirë fjalët dhe nuk i sqaroj mirë gjërat.
2. Secila nga eshtrat e vogla që ndodhen në pjesën e përparme të nofullave dhe që janë më të hollë e më të mprehtë se ata që ndodhen anash. Dhëmbët e përparmë. Dhëmbët prerës. Dhëmbët e dhëmballët. Kap me dhëmbë. I ngul (i fut) dhëmbët kafshoj. I armatosur gjer (deri) në dhëmbë i armatosur shumë mirë, i pajisur me të gjitha armatimet. Kush luan këmbët, luan dhëmbët (fj. u.). Ku dhemb dhëmbi, vete gjuha (fj. u.).
3. kryes. sh. Varg të dalash, zakonisht të mprehta ose me majë, në një vegël, në një mekanizëm etj.; dhëmbëz. Dhëmbë të hekurt (të çeliktë). Dhëmbët e sharrës (e frezës, e ingranazhit). Dhëmbët e krehrit. Rrotë (lesë, frezë) me dhëmbë.
4. Fije e hollë kallami a metali e krehrit të tezgjahut. Rregulloj dhëmbin e vegjës.
5. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme dhëmbësh. Dhëmb katarosh stërdhëmb. Dhëmbët e parë (dhëmbët e qumështit) dhëmbët e foshnjërisë. Dhëmbët e syrit (e qenit) të katër dhëmbët me majë që gjenden midis dhëmbëve prerës dhe dhëmballëve. Dhëmb floriri dhëmb i vënë prej floriri.
6. bujq. Pjesë e parë e një emërtimi të pathjeshtë për një lloj pajisjeje për çarjen e tokës në thellësi. Dhëmb injektor.
✱Sin.: dhëmbëz, çatall, fije.
♦ Ta bësh dhëmbin sa të *kalit! Ia bëri dhëmbët *misër (dikujt) keq. Më kanë rënë dhëmbët (dhëmbë e dhëmballë). 1. U plaka; jam plak; jam shumë i vjetër diku, kam shumë kohë aty, u plaka në atë vend, në atë punë, në atë zanat etj. 2. E kam humbur fuqinë e s’jam më në gjendje të dëmtoj njeri; s’jam më i rrezikshëm, s’i bëj dot gjë askujt. Ma pruri (ma solli) shpirtin ndër dhëmbë (dikush a diçka) shih ma pruri (ma solli) shpirtin në fyt (dikush a diçka). S’i kanë dalë (ende) dhëmbët (dikujt) shpërf. është ende i ri e i papjekur; nuk ka ende fuqi e mundësi për të bërë diçka; i ka buzët me qumësht (dikush).*Ditën të lëpin këmbët e natën të ngul dhëmbët (dikush). (E di vetë) ku më dhemb dhëmbi e di vetë se për çfarë kam më shumë nevojë a ku e kam pikën më të dobët; vetë e di ku e kam hallin; i zoti e di ku i pikon çatia. Dhëmb për dhëmb në mënyrë të vendosur e të rreptë, ballazi e me ashpërsi të madhe, pa ngurruar e ashtu si ma bën dikush; pa u tërhequr e pa u thyer para dikujt; grusht për grusht; për jetë a vdekje. (Ia di) sa dhëmbë e dhëmballë ka në gojë (dikush) shih (e njoh) me dhëmbë e (me) dhëmballë (dikë). (E njoh) me dhëmbë e (me) dhëmballë (dikë) e njoh shumë mirë, hollësisht, me virtytet e veset që ka, deri në imtësi, pa asgjë të fshehtë, ashtu si është; (ia di) sa dhëmbë e dhëmballë ka në gojë (dikush); (e njoh) me rrënjë e me degë; (ia di, ia njoh) zorrët e barkut (dikujt); (ia di) fundin e barkut (dikujt); ia di sa lugë ka në shportë (dikush); ia di lugët e pirunët (dikujt); ia kam pirë lëngun (dikujt); i kam marrë erë në qafë (dikujt). Me *gojë të lan e me dhëmbë të çan (dikush). Ha *baltë me dhëmbë (dikush). Ha *dheun me dhëmbë (dikush). Hahet me dhëmbë (me dikë) zihet keqas me një tjetër; kacafytet keq me dikë. E ha me dhëmbë. 1. (diçka). Jam i sigurt që e bëj një punë duke vënë të gjitha forcat, ia dal sado e vështirë të jetë. 2. (dikë). E dënoj rëndë, e ndëshkoj rreptë. Ha *frerin me dhëmbë (dikush). Ha (bren) *hekurin (çelikun) (me dhëmbë) (dikush). Ha edhe *malin me dhëmbë (dikush). Ha *veten me dhëmbë. Jam dhëmbë për dhëmbë (me dikë) jam shumë i acaruar me dikë në çdo çast, e kam shumë inat a e urrej; jam në armiqësi me të; s’ia falim njëri-tjetrit; jam në thikë e në pikë; shkoj thikë e brisk. Kafshoj *buzën (me dhëmbë). E kafshon *frerin me dhëmbë (dikush). (Sikur) sa të kalit (kaq) ta bësh dhëmbin! mundohu sa të duash!, hidhu përpjetë po të duash!, nuk ke për ta marrë a për ta arritur kurrë diçka. I ka dhëmbët me bukën time (dikush) ma ka harruar të mirën që i kam bërë, është mosmirënjohës edhe pse ende rron falë ndihmës a përkrahjes sime. S’ka *shpirt (s’ka pikë shpirti) ndër dhëmbë (dikush). *Kleçkë për të kruar dhëmbët vulg. keq. Kruan dhëmbët (dikush) iron. 1. Nuk ka të hajë; s’ka futur gjë në gojë. 2. Rri kot e tallet, s’do t’ia dijë për punën; merret me diçka të kotë a pa vlerë; kruan thonjtë; tund derën; ngrohet (theket) në diell; vret (numëron) miza; dredh (tund) zinxhirin; numëron qimet e postiqes; rruan vezë; kërcet gishtërinjtë. Nuk më lë të kruaj (të qëroj) dhëmbin (dikush) më rri vazhdimisht pranë, më ngjitet pas; s’më lë të bëj asgjë, më pengon orë e çast; nuk më lë të marr frymë. E lidh gjuhën për dhëmbësh (dikush) e përmban veten kur flet, flet pak dhe mendohet mirë para se të flasë. Ta merr *arrën nga dhëmbët (dikush). Ma mbajtën dhëmbët (diçka) gati sa s’e thashë atë që mendoja, desh e thashë diçka që s’duhej thënë, gati më shpëtoi; më erdhi në dhëmbë; e kisha në majë të gjuhës; e kisha në gojë. E mban *gjuhën prapa dhëmbëve (ndër dhëmbë) (dikush). Mbeti me dhëmbët jashtë (dikush) mbeti duke qeshur, nuk pushon së qeshuri; zbardh (hap) dhëmbët keq. Mpreh dhëmbët (dikush). 1. iron. E quan diçka që më parë, pa e pasur ende në dore, si gjënë a si pronën e tij, përgatitet shpirtërisht për ta pasur si të tijën; shpreson më kot se do të ndodhë diçka ose se do të shkojnë punët ashtu si do a si mendon ai; lëpin buzët. 2. Fillon ta kërcënojë dikë, bëhet gati për ta sulmuar; i tregon dhëmbët (dikujt); i skërmit (i kërcet) dhëmbët (dikujt); i ndrit sytë. I numëron dhëmbët (dhëmbë e dhëmballë) (dikujt) e shtrëngon mirë dikë dhe e detyron të bëjë diçka; e ndëshkon si duhet; ia ndreq qejfin. Ia nxori dhëmbë e dhëmballë (dikujt) e mundoi shumë, e sfiliti, s’i la gjë pa bërë; ia mori shpirtin; i nxori shkumë (nga goja). Njëri ha *kumbulla (thana) e tjetrit i mpihen dhëmbët iron. S’i pushon dhëmbi (dikujt) keq. ha pa pushim, ha ç’gjen përpara, s’ngopet së ngrëni, sado që t’i japësh; është llupës, grykës. Të qëron dhëmbin (dikush) është shumë kërkues, të kërkon deri në hollësi; nuk të lë të luash me diçka, të shtrëngon mirë për ta bërë diçka. E ruan *bukën ndër dhëmbë (dikush). I skërmit (i kërcet) dhëmbët (dikujt) e kërcënon ashpër, i flet me kërcënim; e sheh me të egër e i kanoset; i tregon dhëmbët; i ndrit sytë (dikush). Nuk i rri *gjuha prapa dhëmbëve (në vend, rehat) (dikujt). I shkuli dhëmbët (dhëmballët) (dikujt) e detyroi dikë të përgjigjej gjer në një për një veprim a për një sjellje të padrejtë; e ndëshkoi rreptë. E shpie *gjuhën te dhemb dhëmbi. Me *shpirt ndër dhëmbë (në gojë). Shtrëngoj dhëmbët mbledh të gjitha fuqitë, edhe me zor, për të kryer një punë, për të përballuar një gjendje të vështirë, për të duruar një dhembje etj. Ia shtrëngon dhëmbët (dikujt) e qorton rëndë a e rreh; ia mbledh mirë; ia tregon qejfin. I tregon dhëmbët (dikujt). 1. E kërcënon, i kanoset; e sheh me të egër; mpreh dhëmbët (dikush); i skërmit (i kërcet) dhëmbët; i ndrit sytë (dikush). 2. I zbulon qëllimet e veta grabitqare, armiqësore etj., e tregon natyrën e vet të egër; e zbulon veten se sa i pamëshirë e i rrezikshëm është. I tregon dhëmbët e ujkut (dikujt) shih i tregon lëkurën e ujkut (dikujt). Me *thikë ndër dhëmbë keq. Me *thonj e me dhëmbë. Theu dhëmbët (dikush) humbi keq, pësoi humbje të rëndë, u dëmtua shumë; dështoi në një punë dhe mori pasojat e këqija. I theu dhëmbët (dikujt) përçm. 1. E rrahu mirë, e rrahu paq; e goditi rëndë; i dha dënimin e merituar; e mundi keqas e me turp; e shtroi (e shqepi, e zhdëpi, e ngordhi, e kalbi, e dendi) në dru; i theu brinjët. 2. Ia mblodhi mirë; s’e la të shiste mend; i theu hundët; i tregoi vendin. *Ujk pa dhëmbë mospërf. Më erdhi në dhëmbë (një fjalë) gati sa s’e thashë, për pak s’e nxora, gati isha ta thosha; e kam në majë të gjuhës; e kam në gojë; ma mbajtën dhëmbët. Iu vranë dhëmbët! (dikujt) iron. në të vërtetë nuk ka vuajtur a nuk është munduar, nuk e ka gjetur gjë e keqe (zakonisht për dikë që ankohet). Zbardh dhëmbët (dikush) keq. zgërdhihet; qesh me të tallur; mbeti me dhëmbët jashtë. I zbërthej dhëmbët (dikujt) shih i zbërthej gojën (dikujt). S’ta zë dhëmbi (diçka). 1. Është një copë fare e vogël (për t’u ngrënë), s’është për t’u ngopur. 2. S’është për t’u thënë, nuk duhet përmendur; s’e ngre (s’e mban) kandari. I zë dhëmbi bukë (dikujt) është në gjendje më të mirë, e ka marrë veten ekonomikisht; është pasuruar; përfiton diçka, merr diçka, s’është më nevojtar; edhe iron. ka arritur të jetë në gjendje disi më të mirë dhe i duket vetja kushedi ç’është. S’i zë gjuha *vend (ndër dhëmbë) (dikujt).
DËN/ÓJII vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. dhe jokal. Pakësoj; heq, zvogëloj. Lopa e dënon qumështin para se të pjellë. - Më duhet t’i dënoj vjegëzat. I dënoi barrën kalit. Ky krua as nuk shton, as nuk dënon.
2. bised., kal. Ngas, nis, prek (një gjellë). - Mos e dëno gjellën!
3. fig., jokal., vet. v. III Bën që dikush të vuajë nga një e keqe a nga një fatkeqësi. E ka dënuar sëmundja.
✱Sin.: pakësoj, shteroj, heq, zvogëloj, ngushtoj, ligem, ligështohem, dobësohem.
EKSTREMITÉT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Ekstrem. Ekstremiteti i përplasjeve. Në thelb i dënoj të dyja ekstremitetet. Thirrja për heqje dorë nga ekstremitetet. S’duhet kaluar në ekstremitete të asaj natyre.
2. mjek., biol. kryes. sh. Gjymtyrë. Sëmundje në ekstremitete. Paralizim i ekstremiteteve.
FAL vep., ~A, ~ÚR 1. Ia heq ose ia ul dënimin dikujt; e lë të lirë, e liroj një të burgosur. Ia falën dënimin. I falën jetën nuk e dënuan me vdekje.
2. E ndjej dikë për një gabim ose për një faj që ka bërë, nuk ia vë re gabimin ose fajin, nuk e quaj më fajtor e nuk e dënoj. Ia fali gabimin. - Po të fal këtë herë.
3. E liroj dikë nga një detyrim, nuk ia kërkoj më. I fal borxhin.
4. I jap dikujt një gjë pa i kërkuar shpërblim, i bëj një dhuratë, i dhuroj diçka. I fali një libër.
5. Përdoret në mënyrën urdhërore (së bashku me trajtat e shkurtra të përemrit vetor më, na në rasën kallëzore), kur duam t’i drejtohemi dikujt në mënyrë të kulturuar, kur e ndërpresim dikë gjatë punës a gjatë bisedës, kur duam të kundërshtojmë me të butë mendimin e shprehur nga bashkëbiseduesi etj. - Më falni, mund t’ju pyes për diçka? - Na falni, kjo është rruga e spitalit?
6. fet. Kryej lutjet e një riti fetar. Fal sabahun (drekën). Në sheshin qendror të qytetit falën Bajramin e Madh.
7. Përshëndet. Fal ditën e re. U fali udhën e mbarë.
8. Shuaj. Fal zjarrin (cigaren).
9. Përkul. Fali kryet dhe ra për tokë.
✱Sin.: liroj, mëshiroj, ndjej, dhuroj, fik, përkul.
♦ E fali *gjakun (dikush) etnogr. Fal (jap) *jetën (për dikë a për diçka). Fal (perëndon) *sytë (dikush). As të fal e as të vret (dikush) të mban me shpresa dhe nuk të mbaron punë, të mban me fjalë; nuk të thotë as jo as po për diçka; as të lidh e as të zgjidh. I fal (i jap) *zemrën (dikujt). Na e faltë *Zoti! (dikë a diçka).
GJÚAJ vep., ~TA, ~TUR kal. 1. Kërkoj ose ndjek gjahun për ta vrarë a për ta kapur; dal për gjah. Gjuaj rosa. Gjuaj peshk peshkoj. Gjuaj me zagarë. Shkoi për të gjuajtur.
2. vet. v. III Ndjek kafshë të tjera për t’i ngrënë (për disa kafshë grabitqare). Macja gjuan minj.
3. fig. E pres a e ndjek për ta kapur në befasi, gjurmoj; përgjoj. E gjuante prej disa orësh. Gjuan rastin pret rastin. S'lë rast pa gjuajtur. Gjuaj për laraska (për sorra) bëj një përpjekje të kotë, të pabodishme.
4. edhe jokal. Qëlloj, hedh a godit dikë me diçka; i bie dikujt a diçkaje me diçka. E gjuaj me pëllëmbë. E gjuajti rrufeja lisin.
5. fig. Thumboj, ther, godas. E gjuaj me fjalë. E gjuajti disa herë gjatë mbledhjes.
6. edhe jokal., sport. Godas ose hedh me forcë topin në një drejtim të caktuar; i bie, e hedh topin. Gjuaj topin. Gjuajti në rrjetë (në portë, në shtyllë). Gjuajti në kosh (jashtë).
7. bised. Flak tutje; hedh. Gjuaj gurin.
8. Largoj; përzë, dëboj. I gjuajti të gjithë nga shtëpia e vet.
✱Sin.: gjurmoj, përgjoj, gjëmoj, ruaj, pickoj, shpoj, shigjetoj, thumboj, ther, godas, qëlloj, flak, largoj, përzë, dënoj, shporr.
♦ E gjuan me *gurë (dikë). Gjuan për *lepuj (dikush). Të gjuajtë *moti! mallk. Më gjuajti (më ra) *rrufeja. Të gjuajttë *vetëtima! mallk.
MÁFI/E,~A f. sh. ~E, ~ET Organizatë e fshehtë kriminale që fiton para në mënyrë të paligjshme, veçanërisht duke kërcënuar njerëzit, me kontrabandë e trafik droge. I vë barrierë mafies. Dënoj me ligj mafien. Shpërbëhen dy mafie ndërkombëtare.
MALLK/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. edhe jokal. Them fjalë të rënda për dikë me qëllimin që t’i ndjellin fatkeqësi a mjerim, shfaq dëshirën që dikë a diçka ta gjejë një e keqe e madhe, nëm, truaj; kund. bekoj. Mullixhiu mallkonte. E mallkoi e ëma (i ati). E mallkoi rëndë. Mos e mallko fëmijën!
2. Dënoj rëndë e me gjithë shpirt dikë që më ka bërë një të keqe të madhe dhe që dua ta shoh ta shkatërruar e të asgjësuar; kund. bekoj. Mallkuam armiqtë (pushtuesit e huaj). Mallkuam tradhtarët.
3. bised. Shfaq hidhërim e pendim të thellë për diçka. Mallkonte veten. Mallkonte ditën që lindi.
4. fet. Lutje ose thirrje për dënim nga Zoti të dikujt a diçkaje; dënim nga Zoti për shkelje të urdhërimeve të Tij; kund. bekoj. E mallkoi Zoti.
5. fet. E quaj diçka jashtë udhës së fesë, e quaj punë të djallit dhe e shkishëroj. Prifti e mallkoi se kishte marrë grua pa kurorë.
✱Sin.: nëm, truaj, dreqnoj, katroj, dënoj, shkishëroj.
MARTIRIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. E dënoj dhe e vras për përkushtimin ndaj një kauze të madhe, e bëj martir. Pushtuesi që martirizoi një numër të madh shqiptarësh.
2. E mundoj apo e sfilit shumë dikë trupërisht e shpirtërisht, e përndjek me egërsi, e torturoj. Martirizon një popull heroik.
✱Sin.: therorizoj, flijoj, mundoj, sfilit, përndjek, torturoj.
MËRG/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. E dëboj dikë jashtë atdheut të vet, e detyroj të shkojë e të jetojë në mërgim; e dënoj me mërgim. E mërguan me forcë. E mërguan jashtë kufirit.
2. jokal. Iki nga vendlindja për arsye politike, ekonomike etj. dhe vendosem përkohësisht a përgjithmonë në një vend të huaj, migroj. Mërgoi në dhe të huaj. Mërgoftë në dhe të huaj! (mallk.).
3. fig., kal. Largoj, heq diçka që më shqetëson, përzë. Mërgoj mendimet e këqija.
4. jokal., vet. v. III Shtegton (për shpendët). Mërguan zogjtë.
✱Sin.: dëboj, emigroj, migroj, tret, përzë, heq, largoj, dëboj, zboj, arratis, shtegtoj.
PAKËS/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Zvogëloj numrin, e bëj më pak sesa ishte; kund. shtoj, shumoj. E pakësoi tufën (bagëtinë).
2. Zvogëloj vëllimin a sasinë e diçkaje, e bëj më të paktë; ul. E pakësoi ujin. I pakësoi shpenzimet. E pakësoi prodhimin. E pakësoi ngarkesën.
3. Ul vrullin ose shkallën e shfaqjes së diçkaje, e bëj të bjerë. Pakësoi vrullin. Pakëson dhembjet.
4. Zvogëloj forcën a shpejtësinë; dobësoj. E pakësoi shpejtësinë. Pakëson trysninë. E pakësoi vëmendjen (kujdesin).
5. I jap më pak se më parë; ia shkurtoj, i heq një pjesë. Ua pakësuan rrogat. Ia pakësoi bukën. Ia pakësoi dozën.
✱Sin.: pakoj, zvogëloj, zbres, ul, rralloj, firoj, mej, ngushtoj, kufizoj, dënoj, lehtësoj, pakoj, dobësoj, mpak, zbeh, platit, vak, shkurtoj, lenoj, ha, thjeshtoj, shfryj, katandis.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë