Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DËNÉS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT Të qarët me ngashërim a me gulçima; gulçim a rënkim i thellë e i mbytur kur qajmë (kur jemi shumë të tronditur nga një hidhërim i thellë). Qante me dënesë. Shpërtheu në dënesë. Dëgjoheshin dënesat e nënës (e një fëmije).
✱Sin.: ngashërim, shëmim, gulçim, rënkim, të dënesurit.
►NGASHËR/ÉHEM jovep., ~ÉVA (u), ~ÝER vetv. 1. Provoj dhembje, hidhërim a keqardhje të thellë; prekem në zemër, mallëngjehem thellë. Më ngashërehet zemra (shpirti) për dikë. U ngashërye nga ato vargje (nga muzika, nga kënga). Ngashërehet kur sheh të vëllain në shtratin e spitalit.
2. Ia jap të qarit me dënesë. U ngashërye në krahët e të vëllait. Ngashërehet në lot.
✱Sin.: ngashërohem, hidhërohem, prekem, shqetësohem, trazohem, mallëngjehem, tronditem, turbullohem, dënes, shkithem.
NGASHËRÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. vet. nj. Gjendje e njeriut që është i prekur thellë në ndjenjat, turbullim i brendshëm nga një hidhërim ose gëzim i papritur etj.; mallëngjim i thellë. Ngashërim i thellë. Dridhej nga ngashërimi. Ngashërim drithërues.
2. Të qarët me ofshe e gulçime, të qarët me dënesë. Ngashërime të mbytura. Qante me ngashërim. Mezi i mbante ngashërimet.
✱Sin.: prekje, ngashëri, turbullim, dënesë, mallëngjim.
PANGUSHËLLÚAR (i, e) mb. Që nuk është ngushëlluar. Qante me dënesë dhe i pangushëlluar. Vejushë e pangushëlluar. Vdiq i pangushëlluar.
QÁRJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Lotim, derdhje lotësh nga një dhembje, dëshpërim, hidhërim etj.; kund. qeshje. Qarja e foshnjës. Qarje teatrale.
2. Vajtim për humbjen a për vdekjen e dikujt. Vajtim dhe qarje për njeriun e zemrës.
3. Zëri që dëgjohet kur qan dikush; e qarë. Qarja e dhimbshme e nënës.
4. bised. Ankesë. - Lëri qarjet!
✱Sin.: e qarë, të qarë, lotim, dëshpërim, hidhërim, përloshje, vajtim, dënesë, ankesë.
QÁR/Ë,~A (e) f. sh. ~A (të), ~AT (të) 1. Zëri i dikujt që qan; qarje. E qara e foshnjës. E qara ngjitet si e qeshura (fj. u.).
2. bised. Ankim, ankesë. Nuk ka asnjë të qarë. Kanë shumë të qara për të.
3. muz. Pjesë muzikore me melodi të përvajshme, që luhet zakonisht me ndonjë vegël popullore. E qarë me fyell. E qara me gërnetë.
✱Sin.: përloshje, vajtim, ankim, lotim, dënesë.
REGËTÍ/J vep., ~VA, ~RË jokal. 1. vet. v. III Rreh e dridhet (për zemrën etj.), refkëtin. Regëtin zemra. I regëtin një damar. I regëtijnë sytë. Regëtin me forcë (me vrull).
2. vet. v. ІІI Ndriçon dobët, duke u dridhur nga pak. Regëtin drita (flaka, zjarri). Regëtin llamba. Regëtijnë rrezet. Regëtijnë yjet. Regëtin në errësirë.
3. vet. v. III Nxjerr një zë të dridhur e si më të qarë; qan me zë të ulët e me dënesë; tingëllon dobët e me ndërprerje. Regëtin zëri. Regëtinte nëna (motra). Regëtin burimi. Regëtin motori. Nuk regëtin asgjë.
4. fig., vet. v. III (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore). Më vjen e më pushton për një kohë të shkurtër një ndjenjë a një mendim, më rreh në shpirt një ndjenjë. I regëtiu një shpresë (një gëzim, një mendim). Më regëtiu në zemër (në shpirt, në kokë).
5. Marr frymë me ndërprerje, me vështirësi e duke u dridhur në çastet para vdekjes, jam në grahmat e fundit, heq për shpirt. Regëtinte në shtratin e vdekjes.
✱Sin.: rreh, regëton, refkëtin, troket, vezullon, heq, gërheq, përheq.
SHAMIZÉZË mb. 1. Që mban në kokë një shami të zezë, futëzezë. Një grua shamizezë po priste jashtë. Nënat shamizeza qanin me dënesë. Plaka shamizezë mbante veshje tradicionale.
2. si em., fig. ~A f. sh. ~A, ~AT Ajo që është në zi, që mban zi. Shamizeza ishte tërhequr mënjanë. Ishte një grup shamizezash. Shamizezat ishin zhytur në pikëllim.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë