Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DËFTÉS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Shkresë, që i lëshojmë dikujt për të vërtetuar se i kemi marrë diçka ose për të vërtetuar se ai ka paguar a ka dhënë diçka; vërtetim. Dëftesë pagese. I jep (i lëshon, i merr) një dëftesë. Ia dha me dëftesë.
2. Dokument zyrtar që i lëshohet një nxënësi nga shkolla, ku shënohen klasa që ka kryer, notat që ka marrë në lëndët e ndryshme, vlerësimi për sjelljen e tij etj. Dëftesë lirimi dëftesë që i lëshohet nxënësit kur kryen shkollën nëntëvjeçare. Dëftesa e pjekurisë dëftesa që i lëshohet nxënësit kur kryen shkollën e mesme. Dëftesë shkollore. Dëftesë vjetore.
3. vjet. Dëshmi, dëftim, kallëzim para kuvendit a dikujt.
PRÓV/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. E dhënë që sillet për të vërtetuar, për të mbrojtur ose për të hedhur poshtë diçka; dëshmi, fakt, argument. Provë bindëse (e gjallë). Provë lëndore (materiale) (drejt.). E vërtetoi me prova. E liruan për mungesë provash. Gur prove (libr.) parimi a kriteri themelor që shërben për të provuar qëndrimin ndaj diçkaje.
2. Copë e vogël që merret nga diçka për analizë a për eksperiment; diçka që mbahet a ruhet si mostër. E mori (e mban) për provë.
3. Vërtetim në praktikë i të dhënave të diçkaje që duam ta njohim a ta studiojmë më thellë e në kushte të caktuara; eksperiment që bëhet për të marrë të dhëna për diçka ose për ta vërtetuar atë. Prova e parë (e dytë...). Provë laboratorike. Prova e fortësisë (durueshmërisë). Provë teknologjike. Bëri një provë.
4. Veprim paraprak që bëhet për të kontrolluar saktësinë a masën e diçkaje, para se ta përfundojmë (për një petk, për një vegël që prodhohet etj.). Bëri provë fustanin (kostumin). Bëri provë protezën (urën e dhëmballëve). Provë pa ngarkesë.
5. Tërësia e veprimeve ose shfaqja që bëhet për të kontrolluar shkallën e përgatitjes a të gatishmërisë para se të ndërmerret një punë, të jepet shfaqja e rregullt etj. Prova e përgjithshme. Salla e provave. Ishte vetëm një provë. Kanë provat.
6. Diçka e vështirë që duhet ta bëjë dikush për të parë aftësitë e tij para se t’i ngarkohet një detyrë me përgjegjësi. Provë e vështirë. Prova e zjarrit. Provë kontrolli. E vuri në provë dikë e provoi.
7. Gjendje e vështirë, fatkeqësi etj. që dikush duhet ta përballojë dhe që vërteton qëndrueshmërinë e tij; sprovë. Vite prove. Kishte kaluar sa e sa prova. Provë e lodhjes. Provë shkatërruese. Provë e durimit. Shërbim prove (drejt.).
8. vjet. Provim. E mori në provë. Provë tip.
9. mat. Veprimi me të cilin vërtetojmë se një llogaritje është e përpiktë. Prova e mbledhjes (e zbritjes, e shumëzimit, e pjesëtimit). Bëri provën.
✱Sin.: dëshmi, fakt, argument, dëftim, sprovë, eksperiment, demonstrim, provim, e dhënë, arsye, arsyetim, shkak, parashfaqje, kaull, vërtetim.
♦ *Balonë prove libr. *Gur prove libr. Prova e zjarrit libr. punë a detyrë shumë e vështirë, të cilën e kryen dikush dhe me këtë provon sa është i aftë, i përshtatshëm a i besueshëm për punë ose për detyra të tilla.
TREGÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Kallëzim, rrëfim. Tregimi i një ngjarjeje.
2. Shfaqje, demonstrim, manifestim. Tregim force.
3. let. Vepër e shkurtër letrare në prozë, në të cilën përshkruhet një ngjarje reale ose imagjinare; rrëfenjë, kallëzim, histori e shkurtër. Tregim i gjatë (i shkurtër). Tregim historik (humoristik, fantastik). Tregim vizatimor. Tregim me figura (me fantazma). Tregime policore. Tregim ngjethës rrëfenjë (histori) rrëqethëse. Vëllim me tregime. Lexoj (shkruaj) një tregim. Tregim i vogël rrëfesë.
✱Sin.: dëftim, rrëfim, rrëfenjë, kallëzim, përshkrim, shfaqje, paraqitje, zbulim, nxjerrje, përfaqje, shpërfaqje, thënie, shtjellim.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë