Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
GJYMTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur gjymtoj a gjymtohem. Gjymtim shpirtëror. Gjymtimi i njeriut. Gjymtimi i veprës.
2. Cen në gjymtyrët ose e metë trupore, që shkaktohet nga ndonjë fatkeqësi, sëmundje etj. Pësoi gjymtim. I shkaktoi gjymtime.
✱Sin.: cungim, gandim, sakatim, cenim, cungim, masakrim, gjymti, sakatllëk.
QÉTHJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET Prerja e flokëve të dikujt; prerje, heqje e leshit të bagëtive me gërshërë a me makinë; prerja a shkurtimi i pushit të sixhadesë, të stofit etj.; krasitje; shkurtim; shfarosje në masë; kositje. Qethja e parë (e dytë). Qethja e flokëve (e kokës). Qethja e dhenve. Qethja e sixhadeve. Dita e qethjes. Qethja e shkurreve. Qethja e artikullit. Qethje elektrike proces i qethjes së bagëtive të imëta me qethëse elektrike. Qethje me dorë proces i qethjes së bagëtive të imëta (dele e dhi) me gërshërë qethëse dore.
✱Sin.: shkadhitje, harrje, tëharrje, rrallim, të krasiturit, cungim, zvogëlim, pakësim.
SAKATÍM,~I m. sh. ~E, ~ET bised. 1. Veprimi kur sakatoj a sakatohem. Sakatimi i trupit. Sakatim i dorës. I këshilloi të luanin pa sakatime.
2. fig. Dëmtim i keq i një vepre, një ideje, një teorie, duke i hequr pjesë të rëndësishme e thelbësore; paraqitje në mënyrë të cunguar e të mangët e diçkaje. Sakatimi i gjuhës shqipe. Redaksia nuk mund ta lejonte këtë sakatim. Sakatimi i idesë së autorit. Kritika për pasaktësi dhe sakatim.
3. fig. Cenim i rëndë i vetive të mira shpirtërore e morale, dëmtim i rëndë. Sakatim shpirtëror. Sakatimi i marrëdhënieve njerëzore.
4. Lënie pa diçka të nevojshme për punë. Sulmi kibernetik solli sakatim të procesit.
✱Sin.: gjymtim, cungim.
SHARMÍM,~I m. sh. ~E, ~ET Lehtësimi i hardhisë nga degët e thara ose të tepërta, proces që bëhet një herë në vit; tëharrje, krasitje. Sharmimi i hardhisë kërkon mjeshtëri. Ishte koha për sharmimin e hardhive. Ia kishte marrë dorën sharmimit.
✱Sin.: kiemje, cungim, tëharrje, krasitje, shkadhitje, krahitje, rrallim, zhveshje, shytim, zvilim, dëlirje.
SHKURTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur ia zvogëloj diçkaje gjatësinë Shkurtimi i afateve. Shkurtimi i ditës (i natës). Ka vend për shkurtime.
2. Heqja e një pjese nga një tekst i shkruar; pjesa që hiqet. Botohet me disa shkurtime.
3. vjet. Përmbledhje e një shkrimi a e një fjalimi. U botua një shkurtim i fjalimit.
4. gjuh. Paraqitja e një fjale a e një grupi fjalësh në trajtë të shkurtuar, që bëhet për ta shkruar atë më shpejt dhe në më pak vend (p.sh. km «kilometër», d.m.th. «domethënë», p.sh. «për shembull», etj. «e të tjera»). Pasqyra e shkurtimeve. Përdorimi i shkurtimeve.
✱Sin.: cungim, cungullim; zvogëlim; pakësim, ulje, kufizim; paracukël (emri); heqje; qethje, prerje, marrje,përmbledhje; pakësim, ulje; krasitje.
TRUPÍM,~I m. 1. Prerje e degëve dhe e rrënjëve të një druri duke i lënë vetëm trupin, trobzim; ndarje e trungut të drurit në kërcunj; cungim, trupëzim. Trupim i bredhave. Trupimi i ahut në kërcunj. Trupimi i drurëve. Bën trupimin me sharrë.
2. Kalim mes për mes një vendi. Trupim i lumit.
3. Shkurtim. Trupim i një kumtese.
4. Zënie, bllokim, pengim; ndërprerje.. Trupimi i udhës. Trupimi i fjalimit.
✱Sin.: cungim, trupëzim, shkurtim, zënie, bllokim, pengim, ndërprerje.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë