Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AEROPÓRT,~I m. sh. ~E, ~ET av. Aerodrom i ndërtuar në vija të caktuara të udhëtimeve ajrore dhe i pajisur për nisjen e për pritjen e udhëtarëve e të mallrave dhe për drejtimin e fluturimeve të aeroplanëve, aerodrom. Aeroport civil (ushtarak). Aeroporti i Tiranës (i Prishtinës, i Shkupit, i Vlorës, i Korçës). Aeroport ndërkombëtar “Nënë Tereza” (“Adem Jashari”).
AJROLUNDRÚES,~I m. sh. ~, ~IT vjet. Mjet fluturues më i lehtë se ajri, balonë. Aerolundrues ushtarak. Aerolundrues i aeroplanit civil.
AUTORITÉT,~I m. 1. Nderim, respekt i fituar me punë e me meritë; vlerë, rëndësi dhe aftësi e dikujt, që pranohet nga të gjithë dhe që ngjall bindje e besim; pushtet. Autoritet i madh (i merituar). Autoriteti ndërkombëtar. Autoriteti i prindit (i mësuesit). Njeri me (pa) autoritet. Autoritet tradicional. Autoritet karizmatik. Autoritet në familje. Kam (gëzoj, fitoj) autoritet. Rrit (ngre) autoritetin. Mbaj (humbas) autoritetin. Përdor autoritetin. I ulet (i bie) autoriteti. Flet me autoritet.
2. Aftësia dhe e drejta e ligjshme për të udhëhequr, për të ushtruar një pushtet, për të dhënë urdhra e për marrë vendime për të tjerët, forca detyruese për t’iu bindur një organi të pushtetit. Autoriteti shtetëror. Autoriteti i ligjit. Autoritet legjitim (formal). Autoritet ushtarak (policor).
3. kryes. sh. ~E, ~ET Përfaqësuesit kryesorë të pushtetit civil ose ushtarak të një vendi; organet e pushtetit. Autoritetet civile (shtetërore, ushtarake). Autoritetet e vendit. Autoritetet e pushtimit. Përfaqësues i autoriteteve. Autoritetet institucionale.
4. sh. ~E, ~ET Njeri i shquar në një fushë të shkencës, të letërsisë etj., mendimi i të cilit pranohet nga rrethe të gjera, njeri i shquar që ushtron ndikim të dukshëm në shoqëri. Autoritet i madh (i njohur). Autoritet në shkencë. Mbështetem te një autoritet. Autoritet moral (shpirtëror). Mbahet si autoritet në një fushë.
AVIACIÓN,~I m. 1. Teoria dhe praktika e fluturimeve me mjete të lundrimit ajror; degë e shkencës për lëvizjen me mjete fluturuese. Shkollë aviacioni. Teoria e aviacionit. Historia e aviacionit. Zhvillimi i aviacionit. Inxhinieria e aviacionit.
2. Tërësia e mjeteve për fluturime ajrore (avionët, helikopterë etj.); flota ajrore. Aviacioni civil (ushtarak). Aviacion privat. Aviacion komercial. Forcat e aviacionit ushtarak. Industria e aviacionit. Fushë (bazë) aviacioni. Arma e aviacionit. Komanda e aviacionit. Teknologjia e aviacionit.
3. Projektimi, ndërtimi, përdorimi dhe funksionimi i mjeteve fluturuese dhe veprimtaria e fluturimeve ajrore, ushtarake ose civile. Aviacioni për transportin e udhëtarëve dhe të mallrave. Aviacioni për fluturimet tregtare dhe private.
CIVÍL,~E mb. 1. drejt. Që ka të bëjë me gjendjen dhe me të drejtat ligjore të qytetarëve në një shtet; që i siguron të drejtën qytetare; që i përket qytetarit. Të drejtat civile të drejta që u njihen qytetarëve nga një shtet. Kodi Civil akt ligjor, në të cilin janë paraqitur normat e marrëdhënieve pasurore ndërmjet shtetasve ose institucioneve qeveritare. Gjendja civile gjendja juridike vetjake familjare e një njeriu. Zyra e gjendjes civile zyrë ku regjistrohen lindjet, martesat dhe vdekjet. Përgjegjësi civile. Nëpunës i gjendjes civile.
2. libr. Që është tipar dallues i njeriut të lirë e me të drejta të plota të një shoqërie e të një shteti; që përshkohet nga ideja për të mirën dhe dobinë e shoqërisë, qytetar. Detyrë civile. Burrëri civile. Guxim civil.
3. Që nuk ka të bëjë me ushtrinë, joushtarak; kund. ushtarak. Jeta civile. Shërbim civil. Rroba civile. Spitali civil. Administrata civile. Autoritete civile. Gjyq civil.
4. Që nuk ka të bëjë me fenë dhe as me politikën; kund. fetar, kishtar. Martesë civile.
EKLIPS/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. vet. v. III, astr. Shkakton eklipsin e një trupi. Hëna eklipson Diellin. Dielli eklipsoi Hënën.
2. fig., libr. E errësoj a e zbeh punën ose vlerën e dikujt; e lë shumë prapa dikë në një punë etj. E eklipsoi kundërshtarin. Kjo fitore e eklipsoi të parën. I eklipsoi të gjithë. Ndërhyn duke eklipsuar punën e pushtetit civil. Ka eklipsuar krejt qëndrimin e kundërshtarit.
✱Sin.: errësoj, zbeh, zhvlerësoj, nënvlerësoj.
JURIDIKSIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET drejt. 1. E drejtë e një organi për të bërë një gjyq, për të zgjidhur një çështje, për të ushtruar një veprimtari të caktuar etj. në përputhje me ligjin. Juridiksion ndërkombëtar. Juridiksion gjyqësor (administrativ, ushtarak, civil). Ushtron (shtrin) juridiksionin.
2. Sferë brenda së cilës ushtrohet një e drejtë a një veprimtari, vendi a rrethi brenda të cilit një organ vepron dhe ka të drejta të plota të ushtrojë detyrën e tij. Kishte një juridiksion të ngushtë (të gjerë). Hynte në juridiksionin e tij.
KÓD,~I m. sh. ~E, ~ET 1. drejt. Përmbledhje e sistemuar normash juridike a ligjesh në një fushë të caktuar të së drejtës. Kodi penal. Kodi civil. Kodi i punës.
2. Përmbledhje e sistemuar rregullash a udhëzimesh që duhen zbatuar në një fushë të veprimtarisë shoqërore. Kodi agroteknik (bujqësor, i sjelljes, rrugor).
3. spec. Sistem konvencional shenjash a simbolesh, që shërbejnë si mjet i fshehtë komunikimi vetjak e shoqëror. Kodi mors. Kod gjuhësor gjuha e shkruar dhe e folur. Kod me shifra.
LEGJISLACIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET Tërësia e ligjeve të një shteti ose e ligjeve që kanë të bëjnë me një fushë të caktuar të veprimtarisë shoqërore. Legjislacioni penal (financiar). Legjislacioni civil. Legjislacioni i një shteti. Legjislacioni i punës (i sigurimeve shoqërore). Legjislacioni i Republikës së Shqipërisë. Legjislacioni i Republikës së Kosovës. Legjislacioni në fuqi. Legjislacion penal (drejt.) të gjitha ligjet penale si dhe tërë sistemi i ligjeve dhe i dispozitave të tjera penale, të cilat janë në fuqi, që zbatohen në vendin tonë apo në sistemin e ligjeve penale që janë në fuqi në shtetet e tjera.
✱Sin.: ligjvënie, ligjëri2.
LIKTÓR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT hist. Rojtar ceremonial dhe ekzekutiv i autoritetit shtetëror romak; funksionar publik që shoqëronte magistratët e lartë; figurë me simbolikë të fortë politike dhe juridike në traditën romake. Sëpatat e liktorit. Për të shpërndarë pushtetin, ai e rrethoi veten me dymbëdhjetë liktorë. Autoriteti i gjyqtarit civil i mbajtur prej liktorëve të tij.
NDËRHÝRJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur ndërhyj; kund. mosndërhyrje. Ndërhyrje e padrejtë (e gabuar). Ndërhyrje në bisedë. Ndërhyrje me (pa) top (sport.). Ndërhyrje për t’i pajtuar. Ndërhyrje nga salla. Ndërhyrje nga lart. Bëri një ndërhyrje. Me ndërhyrjen e një prifti. Ndërhyrje e policisë. Reparte të ndërhyrjes së shpejtë.
2. Përzierje e një shteti ose e disa shteteve në punët e brendshme të një vendi me forca të armatosura ose me mjete politike e ekonomike, për ta pushtuar ose për të shtypur një lëvizje revolucionare a çlirimtare. Ndërhyrje ushtarake. Ndërhyrje e armatosur. Ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar. Ndërhyrja e kapitalit të huaj. Me ndërhyrje nga jashtë.
3. mjek. Veprim i shpejtë dhe rrënjësor për të ndaluar zhvillimin e mëtejshëm të një sëmundjeje, operacion. Ndërhyrje kirurgjikale. Ndërhyrje e shpejtë mjekësore.
4. drejt. Pjesëmarrje e një njeriu të tretë në një gjykim civil për të mbrojtur një të drejtë vetjake ose njërën nga palët ndërgjyqëse. Ndërhyrje vullnetare. Ndërhyrje e detyrueshme. Ndërhyrje kryesore.
✱Sin.: përzierje, futje, ndërprerje, ndërmjetësim, pushtim, operacion, operim, intervencion, intervenim, hyrje, mbrojtje.
NORM/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. Vendos normën, caktoj vëllimin e punës a sasinë e prodhimit që duhet përfunduar brenda një kohe; caktoj sasinë e energjisë a të lëndës së parë që nevojitet për të prodhuar diçka; përcaktoj, normëzoj. Normoj punën. Normuan energjinë elektrike (lëndën e parë, materialet e konsumit). Nen i Kodit Civil që normon kontratën e llogarisë rrjedhëse.
PASH/Á,~ÁI m. sh. ~ALLÁRË, ~ALLÁRËT [PÁSH/Ë,~A m. sh. PASHALLÁRË, PASHALLÁRËT] hist. 1. Titull që u jepej funksionarëve të lartë civilë e ushtarakë në perandorinë osmane. Pashallarët e Turqisë. U bë pasha. Qymyrxhiu, kur e bënë pasha, tha: “Ç’qenka ky mal për qymyr!”. (fj. u.). Kur u bë i ligu pashë, vrau të atin. (fj. u.). Se shqipja e ka adet, nga një pashë me mbyt për vjet! (folk.).
2. Ai që mbante këtë titull; ai që mbante këtë titull edhe pa funksione zyrtare. Pasha me dy (me tri) tuja.
3. Qeveritar civil e ushtarak në krye të një sanxhaku a të disa sanxhakëve në perandorinë osmane. Pashai i Janinës. I thyen ushtritë e pashallarëve.
4. Përdoret për nderim pas emrit të një njeriu që ka titullin e pashait. Ali Pashë Tepelena. Mustafa Pashë Bushati.
QYTETÁR,~E mb. 1. Që lidhet me qytetin, i qytetit. Ndërtime qytetare. Jeta qytetare.
2. Që banon në qytet ose që e ka prejardhjen nga qyteti. Popullsia qytetare. Vajzë qytetare. Familje qytetare.
3. Që lidhet me të drejtat e çdo qytetari si shtetas i një vendi; civil. Të drejtat qytetare.
4. Që ka të bëjë me jetesën sipas rregullave e detyrave shoqërore dhe sipas kërkesave të kulturës e të higjienës. Edukata qytetare. Sjellja qytetare.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë