Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
TREGÚES,~I m. sh. ~, ~IT 1. Tipar i veçantë ose anë e caktuar që merret si shenjë dalluese e prodhimit, e shfrytëzimit etj. në një punë; një nga llojet e prodhimeve që bëhet gjatë një pune. Treguesit cilësorë (sasiorë). Tregues financiar (ekonomik). Treguesit e punës. Tregues në natyrë. Tregues në vleftë.
2. Diçka që na lejon të gjykojmë për ecurinë dhe zhvillimin e një pune a të një zëri brenda një kohe të caktuar; shprehje, zakonisht me shifra ose me përqindje, që pasqyron gjendjen e një pune; të dhëna, shifra. Tregues kryesor (real, i kënaqshëm, i qartë). Tregues i ulët. Treguesi i zhvillimit (i përparimit). Treguesi i rritjes së mirëqenies. Treguesi i nivelit të jetesës. Treguesit zyrtarë dëshmojnë për rritje ekonomike.
3. mat. Numër që vihet sipër e më të djathtë të një numri tjetër të dhënë dhe që shërben për të treguar se sa herë duhet të shumëzohet numri i dhënë me veten e tij; eksponent. Tregues pozitiv (negativ). Tregues zero. Treguesi i fuqisë.
4. Listë emrash, çështjesh, temash etj. me rend alfabetik ose me rend tjetër, që vihet në fund të një libri ose në skedarët e një biblioteke; pasqyrë alfabetike e pajisur me shënime; libër informues, indeks. Tregues alfabetik. Tregues bibliografik. Tregues tematik. Treguesi i emrave. Treguesi i lëndës. Tregues bibliografik (gjeografik). Tregues i bibliotekave (i botimeve në seri, i daljeve nga përdorimi, i emrave të cituar, i emrave të vendeve, i filmave, i fjalëve kyç). Tregues i autorëve. Tregues i vendndodhjes. Tregues i librave të ndaluar nga Kisha.
5. Tabelë me shenja të posaçme ose gur, që vihet anës rrugëve automobilistike për të treguar drejtimin e qarkullimit ose numrin e kilometrave. Treguesi i kilometrave.
6. Vegël, aparat etj., që tregon diçka; shigjetë e lëvizshme zakonisht mbi një fushë të shkallëzuar, që mat një forcë, një sasi etj. ose që tregon drejtimin e një lëvizjeje. Treguesi i drejtimit. Treguesi i vajit (i karburantit). Treguesi i shtypjes (i trysnisë). Treguesi i shpejtësisë. Shigjeta (vija) e treguesit.
✱Sin.: zë, nënndarje, artikull, shenjë, metër, indeks, eksponent, pasqyrë, shigjetë, dëftues, kallëzues, rrëfyes, vegël, aparat.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë